Sot, krejt faqja e dheut, nga njëri skaj në tjetrin, po trandet nën lloj lloj mundimesh, krizash e depresionesh nga më të ndryshmet. Shoqëritë janë të kapluara prej hutesës në një rrjetë ecejakesh dërrmuese e të pashpresa, ndër shqetësime të njëpasnjëshme morale, administrative, ekonomike.... Ndërsa vatrat e së keqes, që kanë në zotërim pushtet e fuqi, me zjarret e trazimit që ndezin në sa e sa forma, në sa e sa vende të ndryshme, bashkë me të sotmen, kërcënojnë edhe të ardhmen tonë. Po, po! Në botën e këtyre ditëve tona individët janë të sëmurë e të tronditur, çerdhja është e rrënuar dhe e trazuar, masat janë në kllapi e huti, përfaqësuesit e forcës e të dhunës janë mizorë e të pamëshirë; kurrkush nuk e di se kah po shkohet e ç’fat e pret njerëzimin. E pra, në këto kushte, që njerëzimi ta mbërrijë edhe një herë bregun e shpëtimit, nuk mund të bëhet tjetër veçse të vihet në jetë një ideal i lartë si ideali për të jetësuar. Një ideal që të jetuarit e sheh të lidhur ngushtë me të dhënit jetë, duke e gjetur çlirimin vetjak në çlirimin e të tjerëve...