Jeta fetare në kurthin e formalizmit, ose myslimanizmi kulturor

Jeta fetare në kurthin e formalizmit, ose myslimanizmi kulturor

Pyetje: Është shprehur pohimi se një ndër rreziqet më të mëdha me të cilat mund të përballet njeriu në botën e besimit e të dijes është kufizimi në informacionet teorike dhe trajtimi i veprave dhe i adhurimeve në formën e një kulture. Cilat janë hollësitë që duhen pasur kujdes për t’u mbrojtur prej një rreziku e fatkeqësie të tillë?

Përgjigje: Një njeri, qoftë në hollësitë e nevojshme për t’u besuar, qoftë në përkushtimin që ka të bëjë me vënien në jetë të atyre hollësive, fillimisht mund ta ketë të nevojshme që të ketë njohuri teorike. Në fund të fundit, informacioni i një fillestari, në përgjithësi, nuk i kapërcen njohuritë teorike. Dhe kjo nuk është një çështje për t’u marrë lehtë. Por nëse ai informacion teorik nuk mbështetet e nuk vendoset fuqishëm mbi argumente e themele të forta të mendimit, të logjikës, të arsyes e të përpjekjeve, nëse ato hollësi tek të cilat besohet nuk përvetësohen gjer në njësim me ndërgjegjen, atëherë njeriu mbetet gjithmonë brenda gjerdheve të njohurisë teorike, e kalon gjithë jetën në imitim dhe për këtë arsye, nuk e ndien kurrë plotësisht, në gjithë gjerësinë e thellësinë e vet, të qenët mysliman, nuk e përkap dhe nuk e jeton dot atë.

Shumë prej këtyre njerëzve që nuk janë çliruar prej imitimit dhe nuk e kanë mbërritur pjekurinë e besimit kritik, për arsye të rritjes brenda kufijve të një xhamie apo të një bashkësie njerëzish besimtarë, kanë mundur të hyjnë nën hijen e një arritjeje siç është të qenët mysliman. Nga ky këndvështrim, nëse do të mund të bënim një hamendje gjer në të pamundurën, këta njerëz, nëse do të rriteshin në mjedisin e një kishe apo të një sinagoge, ka mundësi që të bëheshin të krishterë ose judenj. Ose, sipas vendit ku do të rriteshin, ka të ngjarë ta shkonin jetën si brahmanistë, shintoistë, budistë apo sionistë.

Arsyeja më e rëndësishme e një tabloje të tillë pikëlluese është lënia pasdore e anës praktike të Islamit. Nëse lihen pas dore veprat dhe praktika, atëherë besimi tek Allahu, e vërteta e Qenies Hyjnore, që janë baza kryesore e parimeve themelore të besimit, – nëse mund të shprehemi kështu – nuk janë njohur në përshtatje me karakterin e së Vërtetës. (Kur përdor këtë shprehje, nuk lë pasdore që të them “nëse mund të shprehemi kështu”, sepse Qenia Hyjnore është e lirë dhe e dlirë prej tipareve sasiore e cilësore në mënyrën që ne i dimë e i kuptojmë. Po ja që, për arsye se nuk dimë tjetër fjalë për të përdorur dhe për shkak të kufizimit të shprehjeve, detyrohemi të përdorim shprehje të tilla të mangëta.)

Sikurse kemi mangësi e kufizime në konceptimin e Qenies Hyjnore, edhe në të kuptuarit e profetëve, të engjëjve, të Ditës së Fundit e të Gjyqit të Fundit, kemi mangësi e kufizime serioze. Kështu, në ditët e sotme jemi dëshmitarë të disa vlerësimeve që nuk mund të shpjegohen assesi me besimin e me Islamin, si për shembull mospranimi i kaderit. Madje disa, në fushën teologjike, nxjerrin disa risi, që kur një njeri has në to e i dëgjon, habitet e shastiset aq sa të thotë: “Edhe kaq jo!”

Feja i duhet ngarkuar natyrës së njeriut me përkushtim

Për këtë arsye, le ta shprehim edhe një herë se duke depërtuar në thellësi të çështjeve të lidhura me besimin, mbështetja e tyre mbi një themel të sigurt dhe më pas vijueshmëria dhe këmbëngulja në to janë të lidhura me përkushtimin. Po, po. Shndërrimi i teorikes në njëfarë mënyre në realitet, siç është shprehur Kanti në “Kritikën e arsyes së kulluar” – është i mundur përmes veprës. Për ta shprehur ndryshe, mbërritja në të vërtetën e çështjeve të besuara dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre është i realizueshëm nëpërmjet veprës. Nuk duhet harruar, se nëse njeriu i derdh në vepra çështjet në të cilat beson teorikisht dhe bën përpjekje për t’u thelluar në ato çështje, atëherë edhe Allahu (xh.xh.) i krijon atij njeriu mundësinë që të ecë në shtigje të sigurta dhe e bekon duke i hapur rrugët e depërtimit drejt thellësisë. Përndryshe, nëse njeriu mbetet i kufizuar vetëm në planin teorik dhe nëse nuk e bën përpjekje për të dalë në planin praktik, që është ftuesi më i madh për në mirësinë hyjnore, pra, nëse nuk e kurorëzon fenë e tij me kurorën e përkushtimit, atëherë ai është i dënuar të mbetet gjithmonë i cekët. Kjo do të thotë, gjithashtu, që një njeri i tillë në çështjen e njohjes së Allahut, gjendet në një pikë në të cilën mund të gënjehet e të mashtrohet.

Sikur të kishte qenë e mundur që në shtëpitë tona, siç u përshtatim foshnjave tona ushqimin sipas muajve, javëve, madje edhe sipas ditëve, të kishim mundësitë e aftësitë që t’u përgatisnim atyre edhe dozën e njohurive që u duhen dhënë brezave në drejtim të dijes e të njohjes! Sepse për prindërit është një detyrë e përgjegjësi absolute që t’u japin fëmijëve njohuri të mjaftueshme në lidhje me besimin sipas moshës përkatëse. Por duhet të pranojmë realitetin se, fatkeqësisht, në një shumicë të madhe, në shtëpitë tona mungon një mendësi e tillë. Përjashtimet nuk e prishin rregullën. Po, po. Në shoqërinë tonë, në shumicën e rasteve, prindërit nuk janë të pajisur me pjekurinë dhe aftësinë që t’i drejtohen mendjes së çdo niveli.

Për më tepër, edhe nëse prindërit do të angazhoheshin në shtëpi e në vatrën familjare me edukimin e fëmijëve në nivelin e duhur, vetëm kjo nuk është e mjaftueshme për një dije e besim të plotë. Sepse nëse oksigjenin që fëmija merr në shtëpi dikush ia kthen rrugëve në dioksid karboni, edukimi që ju përpiqeni t’i jepni në familje do të ketë një ndikim në një masë të caktuar dhe ndoshta me kalimin e kohës ai ndikim do të fshihet e do të zhduket. Nga ky këndvështrim, është e nevojshme që edhe rruga të arrijë një atmosferë besimi e sigurie. Krahas rrugës, edhe shkolla duhet të jetë një institucion mbrojtës i njohurive teorike dhe njëkohësisht, sipas moshës dhe rrethanave, të mund t’i shtojë ato njohuri duke i ndarë e zhveshur sendet e ngjarjet. Nëse shkolla nuk ka një qëllim e pikësynim të tillë, nëse nuk ka një program sipas atij qëllimi e pikësynimi, atëherë ato çka fëmija fiton në shtëpi, edhe në mos paçin shkrirë në rrugë, shkrijnë e zhduken në shkollë.

Ndër këto institucione që i përkasin shoqërisë, ajo që mbetet është faltorja. Nëse çështjet e fesë atje gjejnë zbatim brenda një formati, formaliteti folklorik, pra, nëse nuk ka një pasion e emocion, nëse, për shembull, teksa imami ligjëron e këshillon në ligjëratë, nuk përjetohen drithërima, nuk ka rrëqethje, nëse fjalët nuk i shoqërojnë lot që dalin prej zemre e që, pavarësisht përpjekjeve, nuk vihen dot nën kontroll, atëherë kjo do të thotë se ato që vihen në zbatim aty mund të kthehen në një veprimtari veçse formale. Në këtë pikë, më lejoni të sqaroj diçka: prej këtyre që po them, nuk duhet çuar nëpër mend se këto vepra të zhveshura prej ndjenjës e prej emocionit, prej dashurisë e pasionit, nuk shprehin asgjë dhe se ata që i kryejnë këto vepra janë krejt në humbje. Ne këtu po ndalemi në atë se si kjo njohuri teorike mund të thellohet në njohuri praktike, se si mund të arrijë një pjekuri me rritjen e me moshën, se si mund ta mbartë njeriun njohja në horizontin e dijes dhe kështu, si mund të kthehet e gjithë kjo në një kulturë të zemrës. Dhe kultura e zemrës është diçka e ndryshme nga doket, zakonet e kultura e trashëguar prej të parëve tanë, siç e përjetojmë nëpër dasma e nëpër organizime të tjera.

Po. Kur njohuria kalon nëpër shkallët njohje nëpërmjet dëgjimit, njohje empirike dhe njohje e provuar dhe teksa kalon nëpër këto shkallë, në cilëndo pikë që të ndalet, nëse aty ndihet zëri “ La ilahe il'lall'llah”, këtë nivel ne e quajmë njohje apo mjeshtëri. Një dashuri e tillë për dijen jep rezultate. Edhe Bediuzamani, duke bërë shenjë tek kjo çështje, tërheq vëmendjen tek kjo renditje: “Ta dish se, pa dyshim, pikësynimi më i madh i krijesave dhe përfundimi më i lartë i natyrshmërisë është besimi në Allahun. E shkalla më e lartë e humanizmit dhe pozita më madhështore e personalitetit është njohja e Allahut, e gjendur brenda besimit në Allahun. Lumturia më e shkëlqyer dhe bekimi më i ëmbël për xhindin dhe për njeriun është dashuria për Allahun, e cila fshihet brenda njohjes së Tij.” [220]

Kështu, kjo çështje, që të parët tanë të mirë, e shihnin si kulturë të njohjes e të ndërgjegjjes, fatkeqësisht, në ditë tona u është lënë si amanet disa formateve të caktuara. Për shembull, nëse në një natë të mirë të lindjes së Krenarisë së Njerëzimit, njerëzit këndojnë mevlud në tonalitete të ndryshme, kjo përbën një praktikë të bukur. Por në një natë të tillë, thelbësore është që marrëdhënia me Shpirtin e Kreut të Krijimit, Ahmedit të Lëvduar, të Zgjedhurit Muhamed (s.a.s.), të shpërfaqet në një gjallëri të caktuar, që të gjithëve t’u lotojnë sytë e t’u rrahin zemrat, sa në kraharorët e gjithsecilit të ndizet e të mbretërojë një zjarr dashurie të dëlirë. Ashtu që në një program të tillë, tek të gjithë të zgjohet ndjenja për të shpëtuar një orë e më parë nga kjo botë e vjetër, për t’u ulur pranë e pranë në sofrën qiellore me Zotërinë e Zotërinjve, për të qenë ballë për ballë me Të. Nëse në mevludin e kënduar nuk zgjohet një ndjenjë e tillë, nëse nuk gjendet brenda tij një frymë e një shpirt i tillë, atëherë – sipas shprehjes së të ndjerit Nurettin Topçu – vetëm sa i bëhet temena gurmazit, që do të thotë se çështja trajtohet thjesht si një veçanti kulturore. Prej këtyre fjalëve që po them, të mos mendohet se jam kundër mevludit apo natës së mirë të mevludit. Unë dua vetëm të shprehem kundër mungesës së dashurisë, të emocionit, të ndjenjës, të pasionit.

Në fillim u mashtruam...
Së paku të mos mashtrohemi në fund!

Po, po. Fjala është për një rrezik të tillë, që ajo njohuri teorike në fillim të punës, në vend që të na shërbejë si shkallë për të arritur te një bekim e mirësi, të na kthehet në një të keqe e të na lidhet si zinxhir, të na kapë e të na shtjerë në dorë dhe ne të ngushëllohemi me këto formate të zbrazura e të thata. Duke parë tablonë aktuale, mund të thuhet se krah për krah me njerëzit që e jetojnë Islamin me pastërti, që thellohen në dëgjimin e gjërave që duhen dëgjuar, që gjithmonë gufojnë e gurgullojnë porsi gurra pasioni e dashurie, shumë prej nesh jemi porsi robër e pengje të asaj njohjeje teorike të fillimit. Fakti që, pavarësisht moshës sonë të thyer dhe përvetësimit të aq shumë njohurive teorike, ne ngushëllohemi ende me forma e formate të ndryshme, a nuk është një tregues i qartë i kësaj? Shikoni, copëza kohe të bekuara si netët e Regaibit, të Beraetit, të Kadrit, të Mevludit, që, në thelb, janë afruese kah Allahu dhe përbëjnë nganjë rast të artë për ta ndier veten sikur të kemi ardhur rishtazi në botë. Por ne, në më të shumtën e rasteve, duke biseduar për cilësinë e të recituarit e të të kënduarit në mekamet përkatëse, mjaftohemi vetëm me ngushëllimin e të kaluarit të një nate të këndshme. Ndërkohë që në këto copëza të bekuara kohe, nëse në marrëdhënien me Allahun dhe në nënshtrimin ndaj Tij nuk arrin në një horizont njerëzor më të thellë se çdo thellësi, atëherë njeriu vetëm sa vetëmashtrohet.

Të mashtrohesh në fillim është një gjë, e të mashtrohesh në fund është tjetër gjë. Thelbi i çështjes është që, siç shprehet i Përnderuari Imam Rabani, duke shkuar përtej e përtej e përtej, të vijojmë paprerë përpara me mendimin e pamjaftueshmërisë, dhe duke thënë, “A s’ka edhe më, a s’ka edhe më, a s’ka edhe më?...”, të ndizemi e të trazohemi prej një pasioni e dashurie të zjarrtë. E pra, nëse nuk kapet një nivel i këtij lloji, atëherë është tejet e vështirë të flitet për vazhdimësi e këmbëngulje. Natyrisht, nuk kemi të drejtë që, duke thënë se “gjithçka rrjedh në zbrazëti” e shkon kot, të thyejmë forcën shpirtërore të kurrkujt. Sepse mëshira e Allahut është shumë e gjerë. Ai ka premtuar se madje edhe ata që vetëm sa kanë thënë " La ilahe il'lallah Muhamedun Resulullah" do t’i çojë në Parajsë. [221] Por kjo është një tjetër çështje; ajo çka është e nevojshme të bëhet, është e drejtë e Tij, ndërsa detyra jonë, që të mos harrojmë dhe kështu, të mos biem në mungesë respekti ndaj Tij, është një tjetër çështje.

Kjo panoramë që na paraqitet, tregon se të gjithë ne, në një masë të caktuar, kemi nevojë për riaftësim. Tabloja e Krenarisë Njerëzore, në një hadith, urdhëron e thotë: “Ripërtërijeni besimin tuaj!” Sahabët e nderuar e pyetën: “Si ta ripërtërijmë besimin tonë?” Ai urdhëroi e tha: “Thuajeni shpesh fjalën La ilahe il'lallah!” [222]

Po ashtu, besimin tonë mund ta ripërtërijmë me përsëritjen e këtyre të vërtetave që janë shprehje e të njëjtit kuptim:

“Nuk ka tjetër të Synueshëm (Maksud) e tjetër të kërkuar (matlub).”

“Nuk ka tjetër të Dashur (mahbub) veç Allahut" “Nuk ka tjetër të Dashur (mahbub) veç Allahut.”

Nga ana tjetër, Kurani Fisnik urdhëron e thotë "O ju që besuat, ripërtërijeni besimin tuaj": [223] Këtu, Zoti i Madhëruar, thotë duke iu drejtuar besimtarëve: “O ju që besuat!” Siç shihet, shprehja është përdorur në kohën e shkuar. Dhe te foljet, ripërtëritja është thelbësore. Nga ky këndvështrim, këtë thirrje drejtuar besimtarëve duhat ta kuptojmë kështu: “O ju njerëz që besoni duke përtërirë besimin tuaj!” Por krahas kësaj, Zoti i Madhëruar vijon sërish me dhe urdhëron e thotë: “Sërish, besoni!”. Domethënë, duhet që njeriu ta kontrollojë vazhdimisht besimin e vet, të kërkojë në vazhdimësi nga vetja në lidhje me dijen dhe me dashurinë.

Tani, për mendimin tim, besimtarit nuk i shkon e nuk i ka hije që, edhe pse itinerari i rrugës kërkon diçka, ai të gjejë ngushëllim në të tjera gjëra dhe kështu, të bjerë kësodore në apati e në inerci. Ndërkohë, Allahu (xh.xh.) na ka krijuar të gjallë dhe na ka pajisur me aftësi e mundësi për të ruajtur gjithmonë gjallërinë tonë. Ndaj edhe ne, në mirënjohje ndaj të gjitha këtyre mirësive, duhet të mbetemi gjithnjë të gjallë, të bëjmë përpjekje serioze për të ruajtur gjallërinë dhe t’i robërohemi Zotit tonë përherë me një shpirt të dëlirë e fisnik.


[220] Bediuzaman, Letrat f. 253-254. (Letra e Njëzetë, Hyrje).

[221] Shih: Buhari, Xhenaiz 1, Bed’u’l-halk 6, Libas 24; Muslim, Iman 153.

[222] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 2/359; Abd ibn Humejd, El-Musned f. 417.

[223] Nisa, 4/136.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.