Paria e shoqërisë dhe pushtimi i zemrave

Paria e shoqërisë dhe pushtimi i zemrave

Pyetje: Çfarë rruge e mënyre komunikimi duhet ndjekur për t’u përçuar vlerat njerëzore atyre bashkëbiseduesve që, duke marrë parasysh hollësi si vendin ku jetojnë, ushqimin që konsumojnë, automjetin që përdorin etj., e shohin veten në një pozitë më të ndryshme e më të lartë?

Përgjigje: Edhe në vendin tonë, sikurse ndodh rëndom në çdo skaj të botës, ekziston një mendësi që vlerëson duke marrë si bazë fuqitë dhe mundësitë materiale, që nuk sheh kurrkënd tjetër veç vetvetes, që synon ta skicojë botën sipas ëndjeve e dëshirave egoiste dhe që i sheh të tjerët me një sy nënvlerësues e qesëndisës. Kjo mendësi, madje, e ka ruajtur gjithmonë ekzistencën e saj thuajse në çdo kohë në rrjedhën e historisë dhe, me shumë gjasë, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të ekzistojë. Por krahas kësaj, duhet të dimë se ky koncept, që mund ta quajmë sistem kaste, jo gjithmonë ka sunduar fatin e njerëzimit dhe në periudha të caktuara është rrudhur e ka humbur forcë, duke u kufizuar në një hapësirë të ngushtë; ndaj edhe nuk ka mundur ta shfrytëzojë e ta robërojë shoqërinë në vargonj. Dhe duke qenë se nuk ka gjetur hapësirë, një mendësi e tillë nuk ka infektuar apo nuk ka mundur të infektojë çdo anë të shoqërisë.

Ndërkohë, duhet pohuar se këtyre anëve negative që shfaqen, nuk duhet t’u krijojmë mundësinë që, kundrejt zvetënimeve e zemëratave të mendësisë oligarkike, të çojnë në mizori e në përdorim të dhunës dhe që, sapo t’u krijohet mundësia, të shtienë në dorë të gjitha hapësirat. Nga njëra anë, duhet ta pranojmë si një të vërtetë të hidhur se njerëzit që duhej t’i dilnin për zot së vërtetës kanë rënë në shkujdesje, shkarje, mungesë të llogaridhënies e të planifikimit dhe kjo ka shkaktuar një përfundim të tillë. Sepse pa e merituar e pa e pasur hak, kurrkush nuk shtypet nën sundimin e atyre mizorëve. Ligjërimi i Mrekullueshëm i Kuranit urdhëron e thotë: “Dhe çfarëdo fatkeqësi që t’u bjerë mbi krye, vjen prej asaj çfarë kanë bërë duart tuaja.” [262] Pra, jemi njoftuar se edhe fatkeqësitë që na ndodhin, e kanë burimin te punët e te veprat tona. Pra, në njëfarë kuptimi, Kurani na thotë se “ato çfarë ju tjerrin mendjet, ato hile e intriga, viktimë e të cilave keni rënë, i keni bërë me duart tuaja.” Po a i bën keq njeriu vetvetes me duart e veta? Po, i bën. Sepse nëse njeriu bie në dashurinë për egon dhe e harron qëllimin për të cilin është krijuar, nëse bie në një shkujdesje që nuk i lejon të shohë as të sotmen e as të nesërmen, ahere i bën keq vetes me duart e veta. Ndaj edhe një çështje e tillë negative nuk mund t’i ngarkohet kurrsesi paracaktimit hyjnor, por vetëm neve vetë. Nëse, pavarësisht gjithë këtyre lënieve pas dore e shkujdesjeve, mbetet ndonjë bukuri a mirësi, ajo është prej Allahut. Jam i mendimit se çështjen duhet ta konstatojmë që nga fillimi e ta trajtojmë në këtë mënyrë.

Heronjtë e vullnetit që thonë: “Nuk e jap të drejtën time”

Nëse do t’i kthehemi çështjes sonë fillestare, është e vërtetë se sot, në shumë vende të botës, ju përballeni me të njëjtën tablo. Domethënë, ato klasa e grupe shoqërore që mbajnë në duar kapitalin, që kanë shtënë në dorë pushtetin, që i shohin të tjerët me vështrim përçmues e nënvlerësues, ndërsa veten e shohin plot krenari e mendjemadhësi, sikur të kishin kapur qiellin, duket sikur kanë në dorë fatin e shoqërive. E kundrejt kësaj tabloje të hidhur, ajo që duhet bërë është që udhëtarët e së drejtës e të së vërtetës, me largpamësi e guxim, t’i njohin të drejtën e t’i japin hakun vullnetin të tyre kundrejt padrejtësive. I ndjeri Mehmet Akifi nga Peja shkruan diku se ai që thotë: “Nuk e jap të drejtën time”, po tërheq vëmendjen që ka në zotërim një të drejtë. Kjo nuk do të thotë që kundrejt padrejtësive të bërtasim e të ulërasim. Sepse të gërthiturit e të bërtiturit i vetmuar, në drejtim të kthimit të së drejtës, nuk ka kurrfarë domethënieje. Ajo çka duhet bërë që në krye të punës është që njeriu, në çështje të ruajtjes së të drejtës së vet, të mbajë një qëndrim të zgjuar, syçelë e të vendosur. Nëse pavarësisht gjithçkaje, individit ia rrëmbejnë të tjerët të drejtën, atëherë ai, në përpjekjen për të rifituar atë që i takon, duhet të marrë parasysh çdo sakrificë, me largpamësi e guxim, brenda kufijve të drejtësisë e duke respektuar ligjin, dhe në mënyrë të vendosur, duhet të bëjë përpjekjet e veta për të rimarrë të drejtën që i takon.

Veç kësaj, në këtë çështje, kurrsesi nuk duhet të biem në humbje të shpresës. Sepse nëse merret parasysh historia e njerëzimit, do të vërehet se grupimet që kanë jetuar në kurriz të njerëzve të tjerë nuk e kanë ruajtur dot përgjithmonë pozitën e tyre dhe se gjithnjë ka ardhur dita që udhëtarët e së drejtës e të së vërtetës, pas shembujsh të bukur të përfaqësimit, e kanë kuptuar se ku kanë gabuar dhe kështu, janë rikthyer prej rrugës së gabuar e ia kanë dorëzuar vetveten drejtësisë dhe të vërtetës. Për shembull, nëse vështrojmë kohën e Profetit tonë të nderuar, bëhemi dëshmitarë të ndryshimeve e të shndërrimeve të tilla. Siç e dini, mes njerëzve të parë që i besuan të Dërguarit të Dy Botëve (s.a.s.), kishte njerëz si Bilal Habeshiu, Zejd ibni Harithe, Ammar ibni Jasiri, që prej shoqërisë së kohës nënvlerësoheshin e fyheshin. Veç kësaj, Abdullah ibni Mesudi, që mund ta cilësojmë si themelues të Mektebit të Kufës, prej të cilit kanë mësuar e përfituar imamë të shquar të tabiinëve si Ibrahim en-Nehai, Eused ibn Jezid, Akame ibni Kajsi, kur u njoh me Islamin, e siguronte jetesën duke punuar si çoban. [263] Edhe Aliu (r.a.), që ishte ndër besimtarët e parë, [264] ishte një njeri ndër më të varfrit. [265] Edhe gjendja e Xhafer ibn Ebi Talibit (radijallahu anh) nuk ishte e ndryshme nga ajo e Aliut (r.a.). Siç shihet, brenda asaj radhe të parë të njerëzve që i besuan që në fillim të Dërguarit të Allahut, kishte plot njerëz që jetonin në varfëri, që shtypeshin e dëboheshin.

Po kështu, siç tregohet në librat e hadithit e të Sijerit, kur Herakliu shkoi në Antioki, i Dashuri ynë e Kreu i Krijesave (alejhi elfu elfi salatin ues'selam) dërgoi tek ai në emër të vet Dihjen e nderuar (r.a.). Në atë kohë, atje ndodhej Ebu Sufjani. Herakliu i bëri shumë pyetje Ebu Sufjanit në lidhje me Zotërinë tonë, të Dërguarin Fisnik. Njëra prej këtyre pyetjeve ishte edhe se kush ishin ata që i besonin të Dërguarit të Allahut. Ebu Sufjani iu përgjigj kësaj pyetjeje me fjalët: “Me të bashkohen të varfrit e popullit.” [266] Ebu Sufjani, që ishte prej fisit të Beni Umejes, në atë kohë ishte armiku i betuar i të Dërguarit të Allahtu (s.a.s.). Por pavarësisht kësaj, Ebu Sufjani iu përgjigj drejt e pa gënjeshtra pyetjeve që i bëri Herakliu.

Prijësit si Kozroi dhe zemrat që zbuten

Por siç do të shihet me kalimin e kohës, ata që kanë qëndruar pa u tutur, sado të varfër të ketë qenë në fillim, ka ardhur dita dhe kanë nisur të formojnë parinë e shoqërisë, individët që ne i kemi cilësuar si heronj, duke filluar të grumbullohen në rrethin e ngushtë të Kreut të Krijesave (alejhi elfu elfi salatin ues'selam). Për shembull, një njeri shumë i nderuar si Hamzai (r.a.), një ditë, kundrejt fjalëve të pahijshme e të pavend që thuheshin kundër Zotërisë sonë, Profetit, u ndez në zellin e tij njerëzor dhe, në një mënyrë, ngriti krye kundër padrejtësisë. [267] Kjo do të thotë se një prirje e tillë ekzistonte në natyrën e në shpirtin e tij prej xhevahiri. Ndoshta kishte përjetuar një ngurrim të përkohshëm. Por kur erdhi koha, u lidh në një mënyrë të tillë pas çështjes së Allahut, saqë ju e dini se si fluturonte ai në Betejën e Uhudit. Ashtu që Zotëria ynë, Profeti (s.a.s.), na bën të ditur se emri i tij në qiej është shkruar si “Luani i Allahut”. [268] Madje edhe Ebu Sufjani, që deri në çlirimin e Mekës jetoi gjatë gjithë kohës në perversitet, pas asaj dite zuri vendin e tij pranë të Dërguarit të Allahut. [269] Edhe bijtë dhe nipat e tij, po kështu, i dolën zot çështjes së Islamit.

Nga ky këndvështrim, brenda asaj pakice oligarkike që e sheh veten në shkallën më të lartë të sistemit të kastës dhe që sillet sikur të ishte e drejta e saj që të shkelë të drejtën e të tjerëve, do të dalin “sa e sa shpirtra të dëlira, sa e sa mbretër me fytyrë të trëndafiltë, sa e sa prijës si Kozroi”, të cilët do t’i vënë shpatullat çështjes së njerëzimit. Edhe në ditët tona, në raste nga më të ndryshmet, mund t’i shihni shenjat e kësaj dukurie. Ndoshta edhe në mos qoftë si shi, një pikël vese e rënë mbi gjethnajë mund të shihen si shenja të tilla. Për shembull, edhe ju keni qenë dëshmitarë se si disa individë nga shtresat më të larta të shoqërisë, duke e vlerësuar lëvizjen e arsimit, të nisur prej njerëzve të Anadollit, kanë ofruar ndihmesën e tyre duke thënë: “Nëse më lejoni, do të doja edhe unë të hap diku një shkollë që t’i shkojë për shtat kërkesave të kohës!”

Po, po. Hidhuni një sy qyteteve si Stambolli, Ankaraja, Izmiri, shkoni në Gaziantep, që andej në Ankara e pastaj në Antalja, në viset e ndryshme të vendit tonë, dhe do të shihni se njerëz nga shtresa nga më të ndryshmet u kanë dalë për zot njerëzve të vënë në shërbim të arsimit. Për shembull, pak kohë më parë, shokët tanë, në një vend diku në zonën e Mesdheut, më kishin thënë se një person kishte hapur i vetëm një universitet dhe një tjetër individ që e kishte parë atë, kishte ofruar ndihmesën e tij duke thënë: “Edhe unë dua të hap një universitet.” Me sa duket, njerëz që kishin parë se çështjes së arsimit, gjer më sot, nuk i ishte dalë për zot në mënyrë serioze, kanë vërejtur se në ditët tona, investimet e bëra në arsim janë përdorur siç duhet, nuk janë shpërdoruar, se me to është rritur një brez i ri si xhevahir, plot dashuri e tolerancë, i pajisur me dije e me edukim të mirë, ndaj edhe kanë krijuar bindjen për vlerën e kësaj pune dhe kanë lidhur zemrat me të.

Qëllimi se pse i them të gjitha këto, është ky: mbartja e paragjykimeve negative për njerëzit që kanë pasuri tokësore dhe janë të rrethuar nga të mirat materiale dhe, për këtë shkak, shmangia e vendosjes së lidhjeve me ta, nuk janë produkt i një këndvështrimi të drejtë. Për ta thënë ndryshe, është e gabuar që në një çështje që i intereson gjithë shoqërisë, siç është arsimi, t’i kërkohet ndihmesë vetëm fukarasë së Anadollit apo njerëzve të shtresës së mesme. Ndoshta në një kohë të caktuar, ky ishte një orientim i domosdoshëm. Ashtu ishte e nevojshme atëherë. Ata të varfër që u kemi thënë “njeriu i Anadollit”, në krye të punëve, bënë çdo sakrificë e vullnetarizëm; në fillim, ata e pëlqyen e i dolën për zot lëvizjes së dijes e të edukimit. Por sot, për mendimin tim, duhet të lartësojmë edhe më përpjekjen dhe duhet të bëjmë që çështja e arsimit, që mund ta cilësojmë si çështjen kryesore të kombit, të mbërrijë te gjithkush.

Në mos Ebu Xhehli, shpëtoi Ikrimja

Për ta përmendur si shembull, po them: Tabloja e Krenarisë Njerëzore (alejhi elfu elfi salatin ues'selam), kush e di sa herë ka trokitur në derë të “Atit të Injorancës”, siç i kemi thënë Ebu Xhehlit, dhe pavarësisht të gjitha të këqijave, sa e sa herë ia ka paraqitur atij mesazhin e vet. Sepse Ebu Xhehli i përkiste parisë së Beni Mahzumit. [270] Nëse ndodhte që ai të pranonte Islamin, i gjithë fisi do ta ndiqte atë nga pas. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (alejhi ekmelut'tehaja), në emër të idealit që mbartte, nuk u thye kurrë përpara tij dhe politeistëve të tjerë, punoi me mish e me shpirt dhe duke vlerësuar çdo rast që i jepej, shfaqej vazhdimisht në prag të derës së tyre. Po, po. Ai sulltan i botëve, Prijësi i Dy Botëve, që yjet do t’i shtroheshin si gurë kalldrëmi nën këmbë, vente e vinte për t’u përcjellë atyre mesazhin. Po edhe pse nuk ishte e shkruar që Ebu Xhehli të fitonte besimin, Zotëria i Zotërinjve (alejhi salauatullahu ues'selamuh), me mirësjelljen, dashamirësinë dhe dhembshurinë e tij, ndikoi te biri i tij, Ikrimja, dhe ky i fundit një ditë besoi. [271] Pastaj deshi të vinte në vend atë burrëri, që në kohën e vet nuk kishte mundur ta përmbushte. Si për t’i fshirë të gjitha gjurmët e papastërtisë së të shkuarës, shpërfaqi një guxim e trimëri të tillë duke marrë, ndoshta, pesëdhjetë plagë gjersa në Betejën e Jermukut ra dëshmor. [272] Unë habitem se si është e mundur që një njeri, brenda dy a tri vitesh, të arrijë një përsosje të tillë njerëzore? Siç e dini, përpara se të ndërronte jetë, Ikrimen e plagosur e mbartën në çadër dhe e shtrinë aty. Mbi krye i qëndroi nusja e tij, që qe bërë shkak për pranimin e Islamit prej tij dhe pastaj e kishte marrë për dore e e kishte dorëzuar te Zotëria ynë, I Dërguari Fisnik. Për një çast, Ikrimja (r.a.) e drejtoi pak trupin, ngriti kryet dhe tha: “Ti erdhe, o i Dërguar i Allahut? A e kreva detyrën?” Sepse ai, kur ishte dorëzuar bashkë me shpatën e vet te Zotëria ynë, Profeti (salallahu alejhi ues'sel'lem), i kishte dhënë Atij fjalën se do t’ia jepte shpatës hakun.

Pranimi i Islamit prej asaj parie njerëzish që mund t’u themi heronj, pati ndikim edhe te njerëzit e tjerë dhe kjo gjendje u bë shkak që ata të hyjnë turma turma në Islam. Kështu, pas çlirimit të Mekës, kur i panë krejt grupimet e fiset të bashkohen në mënyrë të veçantë rreth Kreut të Krijimit (alejhi efdalut'tahij'jat ue ekmelut'teslimat), edhe fiset më të largëta thanë: “Meqë paria e Mekës, udhërrëfyesit, krerët e pishtarët tanë kanë pranuar Islamin, atëherë edhe neve na ka ardhur radha të hyjmë në Islam.” Dhe kështu, u bënë myslimanë. [273] Nga ky këndvështrim, individi mysliman e ka për detyrë që t’i vlerësojë të gjitha mundësitë, të ecë me shumë alternativa dhe pa u mërzitur, pa u zhgënjyer, pa u hidhëruar e pa u ndier keq, të ndalet e të trokasë në portën e gjithkujt. Ndoshta kur ju ta bëni këtë, dikush mund t’ju quajë të prapambetur apo fanatikë, apo ndoshta edhe me fyerje të tjera. Por kjo është një çështje e tillë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me të fituarit apo me humbjen e jetës së përjetshme prej njerëzve.

E pra, nëse mesazhi juaj është një shkak i fshehtë i i magjishëm, një çelës që ata të fitojnë jetën e Parajsës, në mënyrë që ta vëmë këtë çelës në duart e tyre, për mendimin tim, ia vlen edhe që të puthen pesëdhjetë herë duar e kinde rrobash. Nga kjo pikëpamje, shërbëtorët e Kuranit, duke u sjellë “pa duar ndaj atij që i godet, pa gjuhë e pa zemër ndaj atij që i fyen”, nuk duhet të kapen pas këtyre gjërave. Nuk mund të mendohet që zemrat që kanë besuar të mos ndihen keq kur shahen Allahu apo Zotëria i Zotërinjve (alejhis'salatu ues'selam). Por për t’i shkulur kësi lloj negativitetesh, kësi lloj sharjesh nga zemrat e atyre njerëzve që nuk i njohin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, duhen përpjekje e mundime të mëdha dhe lipset të qëndrojmë të vendosur. Ju, pa ditur të zhgënjeheni e të mërziteni, duhet të tregoheni aq këmbëngulës në këtë çështjes, saqë ndoshta bashkëbiseduesit tuaj të mund të thonë: “Prapë ju?” Dhe ju, duke buzëqeshur, do të thoni: “Po, prapë erdhëm ne!” Gjithmonë do të trokisni në dyert e tyre me diçka të re. Në paçi shkuar një herë me një pjatë supë, për së dyti të shkoni me një tas hashure. Një tjetër herë trokituni në derë me një enë me byrek. E një tjetër herë shkoni e u thoni: “Dëgjova diçka të bukur për ty. Erdha të ta them që të të gëzojë zemra.” Shkurt, duke përdorur gjithmonë nganjë argument të ri, për t’u bërë shkak për shpëtimin e atyre njerëzve dhe në këtë mënyrë, për të fituar kënaqësinë dhe dashamirësinë e Zotit të Madhëruar, pa u mërzitur, pa u zhgynjyer, do të vijoni të trokisni.


[262] Shura, 42/30.

[263] Ahmed ibn Hanbel, El-Musned 1/379; Ibn Hibban, Es-Sahih 15-536.

[264] Tirmidhi, Menakib 20; El-Bezzar, El-Musned 9/322; Ibn Ishak, Es-Sire 2/118.

[265] Shih: Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 7/174.

[266] Buhari, Bed’u’l-vahj 6; Muslim, Xhihad 74.

[267] Shih: Ibn Ishak, Es-Sire 2/151-152; Ibn Hisham, Es-Siratu’n-nebeviyye 2/129.

[268] Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 3/149; el-Hâkim, El-Mustedrek 3/149.

[269] Shih: El-Bejhaki, Delailu’n-nubuvve 5/102; Ibn Asakir, Tarihu Dimashk 23/458.

[270] Shih: Ibn Ishak, Es-Sire 4/191; Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef 7/255-256.

[271] Shih: Ibn Asakir, Tarihu Dimashk 41/55-56.

[272] Shih: Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef 4/227; El-Hakim, El-Mustedrek 3/270; Ibn Abdilberr, el-Istiab 3/1084.

[273] Shih: Ibn Hisham, Es-Siratu’n-nebevijje 5/248-249; Ibnu’l-Esir, El-Kamil fi’t-tarih 2/157-161.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.