Një lutje kundër fatkeqësive tokësore e qiellore

Një lutje kundër fatkeqësive tokësore e qiellore

Pyetje: Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.) ka urdhëruar e thënë: “Kush e bën këtë lutje tri herë në ditë, atëherë atij asgjë s’i bën dëm.” Çfarë veçantish përmban kjo lutje?

Përgjigje: Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (alejhis’salatu ues’selam), me këtë lutje të bekuar që shpreh nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor, pra, Duke nisur me të përmendurit e Emrit të Madhërishëm e të Lartësuar të Hyjnisë; dhe më pas duke thënë: “në vendin ku përkujtohet Emri i Tij i Madhërishëm, kurrgjë, as në tokë e as në qiell, nuk e dëmton njeriun.”, strehohet në mbrojtjen e Allahut (xh. xh.) kundrejt të gjitha rreziqeve, shpirtërore e materiale, të kësaj jete e të jetës tjetër. Ndërsa në fund, duke pohuar, e plotëson duanë duke përmendur dy emra që i përkasin Zotit të Madhëruar. Pra, në përfundim të duasë, thuhet: “Zoti i Madhëruar është Ai që, kundrejt të gjitha rreziqeve që mund të shfaqen prej tokës a të zbresin prej qiellit, e dëgjon më së miri përgjërimin dhe lutjen e brendshme të robit që i kërkon me një qëllim të dëlirë mbrojtje, që e njeh më së miri në gjithëdijen e Vet këtë lutje të njeriut të nënshtruar ndaj vullnetit hyjnor.”

Kjo lutje mund të bëhet duke marrë parasysh qëllime të caktuara për sëmundje e simptoma sëmundjesh; dhe Zoti i Madhëruar, me çfarëdo qëllimi që të lexohet ajo, mund të ketë mirësinë që t’ia përmbushë dëshirën robit të vet. Por mes dijetarëve ka një mendim të përhapur se kjo lutje mund të bëhet kundër paralizës. Këtë hadith e ka transmetuar Eban ibn Osmani, babai i Hazreti Osman ibni Afanit (radiallahu anh). Zotërinjtë tanë, sahabët fisnikë, për të cilët kishte shumë rëndësi që sapo të dëgjonin e të mësonin diçka prej fesë, ta vinin menjëherë në jetë, këtë lutje e shqiptonin mëngjes e mbrëmje dhe e këshillonin për të mos rënë në paralizë. E pra, kur shpallej një ajet prej Kuranit apo kur dëgjonin një hadith prej Profetit (sal‘lallahu alejhi ue sel‘lem), atëherë ata bisedonin me njëri-tjetrin rreth atij ajeti a hadithi, si dhe përpiqeshin ta kuptonin e ta zbatonin atë në jetën e vet.

Kështu, transmetuesi i këtij hadithi fisnik, Eban ibni Osmani (radiallahu anh) një ditë paralizohet. Dikush që e kishte dëgjuar këtë hadith prej tij, kur pa Eban ibn Osmanin në gjendje paralize, nisi ta shohë me habi. Kur Hazreti Eban ibn Osmani e vuri re, e sqaroi kështu atë njeri: “Hadithi është ashtu siç e kam transmetuar. Po ja që unë, në ditën kur u preka prej kësaj fatkeqësie, nuk e kisha bërë atë lutje. Dhe Allahu (xh.xh.) kështu urdhëroi e caktoi për mua.” [99]

Siç shihet, zotërinjtë tanë, sahabët fisnikë, e kishin pranuar si qëllim të jetës së tyre që çdo urdhër hyjnor që u mbërrinte, ta përvetësonin e ta përthithnin menjëherë. Sa keq që sot, ne gjendemi të privuar prej një vetëdijeje të tillë.

Mbi botën tonë të ndjenjave e të mendimit kaloi një krasitje e tillë dhe mbetëm të ekspozuar ndaj një periudhe të tillë kapërcimi, saqë kjo gjendje rrëmbeu, fshiu, largoi, mori tutje gjithçka. Në këtë mënyrë, ne u larguam prej bukurive të fesë sonë, prej vlerave të trashëguara prej paraardhësve, duke u kthyer sakaq në të huaj ndaj tyre. Veç kësaj, edhe të mosditurit e gjuhës së fesë sonë përbën një dizavantazh serioz për ne. Sepse në fund të fundit, që një njeri të recitojë në mëngjes e në mbrëmje një lutje të tillë, nuk ka pse të jetë ndonjë punë e vështirë.

E pra, prijësit tanë si yje, sahabët, e lexonin paprerë, mëngjes e mbrëmje, këtë lutje dhe besonin me shpirt se njeriu që e bënte atë nuk do të mund të sëmurej nga paraliza. Duke qenë se ai që vëzhgon e mbron është Allahu, në këtë pikë nuk duhet të jepemi pas shkaqeve. Që prej shekujve të fundit, ato që i quajmë shkenca pozitive, krahas sjelljes së plot dobive në të mirë të njerëzimit, fatkeqësisht mbështeten në një koncept që gjithçka e kërkon te lënda dhe e lidh me shkaqet. Kështu, një mendësi si kjo, duke na ulur edhe ne në sjelljen e njerëzve që gjithçka e ngrenë mbi racionalizmin, na ka shtyrë edhe ne në një hon të tillë. Në përfundim, edhe ne kemi ardhur në një pikë që nuk i shohim disa mirësi e urtësi hyjnore, të cilat qëndrojnë mbi shkaqet. Në kuadrin e shkaqeve, një sëmundje si paraliza ju mund ta lidhni me tensionin, me teprimin në përdorimin e kripës, mund ta shihni si gjenetike, të ardhur prej prindërve apo prej yndyrës në enët e gjakut, duke gjetur në këtë mënyrë shkaqe nga më të ndryshmet. Mirëpo nuk duhet zgjatur për të pohuar se Allahu është Shkaktari i çdo shkaku. Ai, gjithçka të planifikuar a të zbatuar përmes shkaqesh, me forcën dhe caktimin e Tij mund ta ndryshojë si të dëshirojë, mund t’i prishë të gjitha sistemet dhe të shpalosë vullnetin e Vet hyjnor. Po, po! Ai, në pastë dëshirë, me ndihmën dhe mbrojtjen e tij sublime, ju sheh, ju vëzhgon dhe nuk lejon që ju të pushtoheni prej një sëmundjeje të tillë. Ndoshta ata që kanë një këndvështrim materialist, pozitivist dhe natyralist, kundrejt gjithë këtyre çështjeve që përmendëm mund të rrudhin buzët e të vështrojnë me qesëndi, por një besimtar besoj në pushtetin e në vullnetin e pafund të Zotit të Gjithëfuqishëm në një formë të prerë që nuk do t’i krijonte asnjë hapësirë një mundësie të kundërt.

Nga ky këndvështrim, këshilla e duhur është që kjo lutje të bëhet mëngjes e mbrëmje, siç thoshin të parët, qoftë kundër të këqijave qiellore, qoftë kundër të ligave tokësore, e veçanërisht kundër paralizës. Nëse e ndiejmë veten keq, për shembull nëse tensioni na rritet, nëse ndiejmë ngrirje a dridhje në fytyrë, atëherë menjëherë të kërkojmë mbrotje me këtë lutje te Zoti ynë. Pasi trupi ynë, në vende të ndryshme të tij, në njëfarë mënyre, mund të na dërgojë sinjale të caktuara duke nxitur disa ndjesi “matëse” të shëndetit e të jetës. E pra, në një gjendje të tillë, ç’të keqe ka të përdoret një recetë kaq e thjeshtë si kjo! Pra, kundrejt shqetësimeve të ndryshme që na vënë në vështirësi, mund të kërkojmë mbrojtje në mëshirën e pafundme e në fuqinë e paanë të Zotit të Lartësuar. Siç është përmendur shpesh në sqarimet rreth lutjes, mendimi se gjithçka do të arrihet menjëherë dhe në formën e kërkuar në lutje, nuk është një konceptim i saktë. Sepse Zoti i Madhëruar nganjëherë na dhuron pikërisht atë që i kërkojmë e nganjëherë, mbështetur në urtësi e arsye të ndryshme, na dhuron edhe më mirë se ajo, por duke qenë se njohja jonë është e kufizuar, ne këtë nuk mund ta dimë. [100] Por mbi këtë përfundim, nëse kur mbetemi nën peshën e një vështirësie i drejtohemi menjëherë lutjes, atëherë ne e kemi vlerësuar rastin siç duhet dhe kemi hyrë në qarkun e një adhurimi (ibadet), të një përkujtimi (dhikr) e të një meditimi (fikr).

Të këqijat që mund të vijnë prej Qiellit

Në hapësirën e shprehjes në qiell, mund të bëjnë pjesë të këqijat që mund të na vijnë prej krijesave të tjera shpirtërore dhe prej xhindëve. Sepse ashtu sikurse oksigjeni, dioksidi i karbonit dhe plot e plot gazra të tjera pluskojnë në atmosferë, edhe xhindë e krijesa të mira qarkullojnë vazhdimisht aty. Në thelb, nuk mund ta dimë nëse ato qenie metafizike përbëhen apo jo vetëm prej aso gazesh të larmishme. Sepse në ajetin kuranor ato qenie përshkruhen si të krijuara prej zjarri pa tym. [101] E ne nuk mund ta njohim plotësisht brendinë e zjarrit pa tym.

Një prej interpretimeve rreth shtatë palë qiejve [102] ndalet te shtatë shtresat e atmosferës sonë. Atmosfera, nga nivelet më të ulëta gjer te më të lartat, ndahet në shtresa të ndryshme. Në këto shtresa janë vendosur sipas mundësive e prirjeve të tyre të natyrshme xhindë, si dhe, krahas tyre, engjëj e krijesa shpirtërore. Siç tërhiqet vëmendja në tefsirin e shkruar nga Elmallëllë M. Hamdi Jazëri, disa dukuri atmosferike si rrufeja, bubullima e zhurmat qiellore mund t’i shohim edhe si shprehje e shfaqje në botën fizike të disa dukurive të lidhura me qeniet engjëllore e shpirtërore. [103]

Kur bëjmë fjalë për qiellin, nëse nisim duke vështruar kah qielli i kësaj bote, çështjen mund ta shtrojmë nga një perspektivë më e gjerë. Rreth kësaj çështjeje, njëri nga interpretimet e Bediuzaman Said Nursiut, sikurse edhe i i nderuaru Elmallëllë M. Hamdi Jazërit, është ky: qielli që ne shohim dhe që është i stolisur me yje, është shtresa e parë qiellore. Për sa i përket të dytës, të tretës, të katërtës, të pestës, të gjashtës e së fundi të shtatës, ato ne nuk mund t’i shohim. [104] Sipas këtij interpretimi, mijëra rrugët e galaktikave që vezullojnë krahas Rrugës së Qumështit janë qielli i parë. Ndoshta mbi të ka një tjetër qiell prej eteri që nuk e shohim; ndoshta ka edhe qiej të tjerë prej lëndësh që mund të përbëjnë lëndën thelbësore edhe për eterin. Ato nuk janë gjëra që ne të mund t’i shohim as me teleskopët, as mikroskopët tanë e as me rrezet iks. Pra, bota e jetës së varrit ka një qiell të sajin, bota e shëmbëlltyrave ka një qiell të sajin, Xheneti ka një qiell tijin dhe Xhehenemi ka një qiell të tijin gjithashtu.

Kur lexojmë shkrime rreth astronomisë dhe astrofizikës, mësojmë se edhe prej planetesh më të largëta rruzulli tokësor pëson ndikim. Për më tepër që edhe në rastin e këtij ndikimi, nëse e vështrojmë vetëm në kontekstin e ndikimit fizik, sërish e ngushtojmë shumë çështjen. Sepse në të mund të kenë rol edhe krijesat e tjera shpirtërore, xhindët, ifritët, apo të tjera krijesa të paperceptueshme prej nesh. Siç shprehet Bediuzaman Said Nursiu, prej asaj bote në këtë botë zbresin vazhdimisht krijesa shpirtërore dhe shpirtra të ligj. [105] Madje edhe meteorët apo gurët e mëdhenj qiellorë, mund të jenë njëfarë goditjeje e tyre ndaj tokës.. [106]

E pra, duke i marrë parasysh të gjitha këto, në këtë gjerësi duhet ta perceptojmë qiellin. Sikurse ka gjëra që prej qiejve më të largët mund të vijnë në qiellin e botës sonë, edhe prej atmosferës sonë ka gjëra që mund të vijnë në botën tonë. Nga ana tjetër, kundrejt thënies së djallit: “Do t’u dal para e pas, majtas e djathtas, duke nxitur dyshime do të ngre pusi, dhe Ti shumicën e tyre nuk do t’i kesh robër mirënjohës.”, Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.), në një lutje të tij urdhëron e thotë: “Allahu im, mbromë (prej rreziqeve që mund të më vijnë) nga para e nga pas, nga e djathta, nga e majta e nga lart. Mbështetem në madhështinë Tënde prej rrënimit nën veten time (duke u rrëzuar përdhe).” [107] Në këtë mënyrë, pra, ai i kërkon mbrojtje Zotit prej rreziqeve që mund t’i vijnë nga përpara, nga pas, nga e djathta, nga e majta, nga poshtë e nga lart. Prandaj, siç mund të ketë rreziqe prej përplasjesh me atë çka mund të na vijë nga qielli, ka rreziqe edhe prej përplasjesh me atë çka na vjen nga toka. Në të njëjtën mënyrë, mund të ndodhin edhe përplasje me shpirtra të ligj e me djallin. Për nga kuptimet simbolike, mund të bëhet fjalë edhe për goditje nën brez. E pra, kjo lutje e shprehur nga Tabloja e Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.) me fjalët e Tij të pakëta e kuptimplota, ka anë të ndryshme për nga ajo çka shpreh, nënkupton, argumenton, kërkon. Për ta prekur çështjen në të gjithë gjerësinë që Ai ka synuar përmes shprehjes, duhen mbajtur parasysh të gjitha këto shtresa të kuptimit. Përndyshe, nëse do ta prekim temën vetëm nga një këndvështrim pozitivist e natyralist, atëherë do ta largojmë çështjen nga thelbi i së vërtetës së saj dhe do ta burgosim atë në ngushtësinë e konceptimit tonë të kufizuar.

Ringjallja e Sunetit

Në disa vende është bërë traditë që kjo dua të lexohet para sures “Hashr”. Për shembull, në Erzurum, para se të kalohej në leximin e sures “Hashr”, thuhej tri herë: ْمdhe pastaj, duke shprehur besmelenë, kalohej tek ajetet. Në të vërtetë, në burimet ekzistuese, as në kohën e shpalljes hyjnore dhe as në periudhën e Kalifëve të Drejtë, nuk hasim në ndonjë praktikë të tillë. Mirëpo disa dijetarë, me mendimin e ringjalljes së çështjeve që kanë bazë në Kuran ose në Sunet, nuk kanë parë ndonjë të keqe që ajo çka është e vërtetë, të shndërrohet prej njerëzve dhe të formulohet prej tyre. Në këtë pikë, edhe ata që e kanë parë çështjen në mënyrën më negative, e kanë cilësuar këtë vetëm si një risi të mirë (bidat hasene). [108] Për shembull, zotëria ynë, Omeri i nderuar (r.a.), kur pa se namazi i teravive po falej me xhemat, urdhëroi e tha: “Sa bidat i bukur që qenka ky!”, [109] sepse Profeti ynë (s.a.s.) vetëm tri herë e ka falur namazin e teravive me xhemat. [110] Kur pa një vrull të madh nga ana e popullit për të bërë të njëjtën gjë, ai e braktisi faljen e namazit të teravive me xhemat.

Arsyeja ishte sepse sjelljet e Profetit tonë të Nderuar ishin shumë të rëndësishme në lidhje me ligjvënien. Veprat e të Dërguarit përbënin një burim për caktimin e një ligjësie në fe. Pra, në se Zotëria ynë, Profeti, do të vazhdonte ta falte me xhemat namazin e teravive, atëherë edhe myslimanët do ta pranonin këtë dhe do të mbeteshin përballë detyrimit që të vepronin gjithnjë të njëjtën gjë. Prandaj edhe Tabloja e Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), mbështetur në lehtësimin që është në shpirtin e fesë, [111] për të mos i vënë besimtarët përballë një detyrimi të tillë, pasi e fali për tri ditë namazin e teravihëve me xhemat, hyri në dhomën e tij të lume, që është më e bekuar se Xheneti i Firdeusit, dhe doli që aty. Më pas, urdhëroi e shpjegoi arsyen e kësaj sjelljeje. [112]

E pra, thelbi i lutjes, gjen vend në hadithe të mirënjohura dhe mbështetet në këshillat e të Dërguarit të Allahut, por pavarësisht kësaj, njerëzit janë treguar të pakujdesshëm dhe e kanë braktisur këtë sunet. Për këtë, në disa vende janë bërë përpjekje që kjo lutje të ringjallet duke u kënduar para sures “Hashr”. Pra, është vepruar me mendimin: “Imami ta lexojë këtë dua, xhemati ta dëgjojë dhe kështu, kjo këshillë e Zotërisë sonë, Profetit Muhamed (s.a.s.) të vihet në vend.” Sidoqoftë, sipas mendimit tim, në këto çështje dhe në të tjera të ngjashme me të, dera duhet çelë me kujdes. Veçanërisht në vendet ku kjo praktikë nuk ndodh, nuk i duhet krijuar hapësirë mendimit “Ç’bëni, po nxirrni diçka të re, të paqenë më parë?”.


[99] Po në to.

[100] Shih: Bediüzzaman, Fjalët f. 337-339 (Fjala e Njëzetetretë, Nënkreu i parë).

[101] Shih: Rrahman, 55/15.

[102] Shih: Bekare, 2/29; Fussilet, 41/12; Talak, 65/12; Mulk, 67/3; Nuh, 71/15.

[103] Shih: Elmalılı Hamdi Yazır, Fe e së vërtetës gjuhë e Kuranit 1/249-252.

[104] Shih: Elmalılı Hamdi Yazır, Fe e së vërtetës gjuhë e Kuranit 1/294.

[105] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 191 (Fjala e Pesëmbëdhjetë, Shkalla e pestë).

[106] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 194 (Fjala e Pesëmbëdhjetë, Shkalla e shtatë).

[107] Ebu Davud, Edeb 100; Ahmed Ibn Hanbel, El-Musned 2/25; En-Nesai, Es-Sunenu’l-kubra 6/145.

[108] El-Ixhi, Kitabu’l-Mevakif 1/159; El-Gazali, Ihjau ulumi’d-din 1/275, 2/256.

[109] Buhari, Teravih 1; Muvatta, Ramadan 3.

[110] Shih: Buhari, Xhuma 29, Tehexhxhud 5, Teravih 1; Muslim, Salatu’l-musafirin 177.

[111] Shih: Buhari, Iman 29; Nesai, Iman 28.

[112] Shih: Buhari, Xhuma 29, Tehexhxhud 5, Terauîh 1; Muslim, Salatu’l-musafirin 177.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.