Ndërthurja mendim-veprim
Pyetje: Zhvillimi i lëvizjeve dhe i veprimeve sipas një planifikimi paraprak përmendet si një disiplinë e rëndësishme. Nga ana tjetër, bëhet fjalë edhe për ekzistencën e një mendimi që i jep përparësi veprimit. Kundrejt këtyre hollësive, si duhet kuptuar dhe zbatuar një mendim që i jep përparësi veprimit?
Përgjigje: Çdo individ që do të prodhojë një veprim tokësor a shpirtëror afatgjatë, të sigurt e të qëndrueshëm, që t’u sigurojë njerëzve dobi, duhet ta bëjë këtë duke u mbështetur në një plan e program të caktuar. Për një njeri që beson, kriteret për këtë janë ato që i quajmë argumentet thelbësore, si Libri, Suneti, njëmendja e umetit dhe analogjia e fakihëve (interpretuesve të ligjit). [113] Krahas kësaj, janë edhe ato që mund t’i quajmë argumente dytësore apo të përkohshme , të lidhra me punët, pëlqimet dhe zakonet e përditshme. [114] Në lidhje me këto, ka mendime të lira dhe interpretime. Por nuk duhet harruar se të gjitha këto mendime të lira e interpretime realizohen duke vlerësuar pikat lidhëse në burimet thelbësore. Edhe zotërinjtë tanë, muxhtehidë të nderuar, nuk kanë nxjerrë gjykime të pabazuara e si t’u thotë mendja, “min indi enfusihim”. Nëse do të shpreheshim me një term nga metodologjia e fikhut, ata, duke u mbështetur në një përngjasim, kanë shkuar drejt një analogjie apo kanë shprehur një gjykim të tyrin. Veç kësaj, duhet të pohojmë edhe se këtë punë me peshë e shumë të vështirë, ata njerëz të mëdhenj e kanë kryer me një përkujdesje të jashtëzakonshme gjer në hollësitë më të imëta.
Plani i përgjithshëm
Duke iu kthyer temës kryesore, paraprakisht duhet bërë një plan brenda kriteresh të caktuara. Por unë i varfri gjithmonë e shoh atë plan me një vështrim të përgjithshëm. Ashtu sikurse edhe njeriu, kur pranon të besojë, më së pari hyn në kufijtë e besimit me një dije të përgjithshme. Pra, në fillim, ai e pranon çështjen me anë të një njohurie të përgjithshme, duke thënë: “Allahu ekziston, Ai është Krijues Madhështor, Krijues i botës.” Por me kalimin e kohës, sipas nivelit, moshës dhe aftësive mendore, duke pranuar e përvetësuar edhe interpretimin e ligjësive të natyrës, shkon përmes rrugësh të tjera argumentimi edhe në sqarime të hollësishme, madje përpiqet të thellohet në çështjet përkatëse. Po kështu, njeriu, para se të vërë në jetë një veprim apo veprimtari, paraprakisht duhet të zotërojë një plan e program të përgjithshëm për çështjen dhe që këtej duhet të nisë rrugën e tij.
Por çfarë nënkuptojmë me cilësimin “i përgjithshëm”? Për shembull, një besimtar ka një numër vlerash themelore që i ka besuar e përvetësuar. Ai, duke dëshiruar që këto vlera e bukuri t’i njohë gjithkush, thotë në çdo çast: “Sikur atë që unë dua, ta donte mbarë njerëzia / E të mos bëhej fjalë për tjetër veçse për të..!” Tani, kjo gjendje tregon se ai besimtar, në mënyrë që të gjitha zemrave, të gjithë njerëzimit t’ia paraqesë e t’ia bëjë të ditura këto vlera e këto hijeshi, ka një mendim e një plan paraprak. Mirëpo në çdo gjeografi bëhet fjalë për kushte, mjedis kulturor, tradita e zakone të veçanta dhe të mbash qëndrim duke i llogaritur të gjitha këto, është e lidhur me një mendim të hollësishëm, me një plan e program të hollësishëm. E pra, ajo që e quajmë “mendimi që i jep përparësi veprimit”, në thelb, është ky. Pra, mbartja dhe vënia në jetë e njohurisë, e planit dhe e programit të përgjithshëm duhet kthyer në veprim energjik. Dhe si përfundim, kjo do të thotë se veprimi duhet t’i shërbejë si udhërrëfyes planit dhe mendimit të hollësishëm, duhet të gjendet para tij.
“Këta janë trashëgimtarët e Tij”
Nëse dëshironi, nisur nga shembulli i dhënë, mund të përpiqemi që temën ta zgjerojmë disi edhe më tej. Le të themi se atij sistemi vlerash hyjnore, që i ka ardhur njerëzimit si dhuratë nga përtej qiejve ju i besoni nga thellësia e shpirtit dhe ndieni me të vërtetë se ato kanë zënë vend thellë në kraharorin tuaj. Natyrshëm, rezultati i një imani të tillë është që ju, si të pushtuar prej një dashurie të marrë, keni dëshirë që atë sistem vlerash t’ia bëni të ditur gjithë botës. Duke bërë këtë, nuk është fjala as për ndonjë qëllim si të bërit propagandë, as për veprimtari misionare dhe as për t’u imponuar të tjerëve besimin e për të futur botën në fenë tuaj, sepse nëse fenë që ju i besoni nuk e paraqisni me ngjyrat dhe tablonë e vet, puna që bëni nuk do t’ju sjellë tjetër përfundim përveçse do t’ju bëjë të gënjeni veten! Për këtë arsye juve ju thuhet që t’i lini shpjegimet tuaja dhe të lejoni që sjelljet tuaja të flasin vetë. Përsosmëria në sjelljet tuaja le të ushtrojë ndikim në zemrën e palës përballë jush. Atyre që ju shohin, që dëshmojnë veprimet e sjelljet tuaja, vajtjet e ardhjet tuaja, shikimi e fjalët tuaja, bëjini që ato le t’u sjellin përherë ndërmend Allahun e le t’u thonë gjithmonë “Allah”; t’u thonë e t’i bëjnë që në zemrat e bashkëbiseduesve tuaj të mbruhet mendimi: “Diç duhet të ketë pas këtyre njerëzve, këta nuk i hedhin më kot hapat e tyre.” E pra, gjërat që u lihen amanet të tilla rregullave e të tillë qëndrese, edhe në u përballshin me një tërmet dhjetë ballë të shkallës Rihter, me lejen dhe mirësinë e Allahut, nuk lëkunden. Por një ftesë në besim, që mbështetet edhe në fjalët më të bukura e në shprehjet e retorikës më të lartë, nëse nuk thellohet në përfaqësim të mirë, mund të rrënohet edhe me tri ballë tronditje. Prandaj, mund të thuhet se fjala nuk ka shumë rëndësi. Fjala fiton një vlerë relative vetëm si shprehje e sjelljeve dhe e veprimeve. Vetëm ai përfaqësim që është bërë pjesë e natyrës, që është rrënjosur në thellësinë e saj, zgjon një interes të madh dhe ushtron ndikim tek të tjerët. Për shembull, nëse ju nuk e çoni dorën tek e ndaluara as edhe sa për një kokërr elbi. Madje edhe në paçi një nevojë shumë të madhe, tregoni vullnetin tuaj dhe shpërfaqni të njëjtën sjellje. Nëse kjo ndodh një herë, dy, tri... dhe më në fund, kjo gjendje juaja do të ftojë shikimin e kujdesshëm të të tjerëve. Nëse ju kujtohet, kur Bediuzaman Said Nursiu kalonte bashkë me Sejid Tahanë dhe Haxhi Iljasin në Gjirin e Bosforit, ai ulte kryet dhe i mbante sytë gjithnjë poshtë. Kundrejt kësaj, Sejid Tahai dhe Haxhi Iljasi i shprehën habinë e tyre Mësuesit të nderuar, ai u dha atyre këtë përgjigje: “Përfundimi i kënaqësive të padobishme, kalimtare e mëkatare janë veç dhembje e shqetësime, ndaj s’dua që t'i kem.” [115]
E pra, që gjatë gjithë jetës të tregosh një qëndrim e një sjellje të tillë, është shumë e rëndësishme. Po, po! Pasi për dyzet vite ta ndjekin në heshtje sjelljen tuaj, njerëzit duhet të mund të thonë: “Lavdi Allahut! Këta janë njerëz me sjellje si prej profeti. Gëzojnë cilësi prej profeti si jeta e pamëkatshme, besnikëria, siguria (mbajtja e fjalës dhe amanetit), komunikimi, zgjuarsia dhe mendja e hapur. Duke qenë se pas Vulës së Profetëve, Muhamed Mustafasë (s.a.s. ), nuk do të vijë profet tjetër, do të thotë se këta janë trashëgimtarët e Tij.” E pra, duhet të përpiqeni që të arrini atë pjekuri e të prekni atë horizont që t’i bëjë bashkëbiseduesit tuaj të thonë të tilla fjalë.
Aq më tepër sot, që bëhen përpjekje për ta nxirë fytyrën e ndritur të Islamit, në mënyrë që të korrigjoni e të rregulloni një numër gabimesh, në përfaqësimin e drejtë të vlerave që ju përkasin, ju duhet të bëni një mundim e përpjekje përtej të zakonshmes. Për shembull, kundrejt atentateve vetëvrasëse aq të patolerueshme, kundrejt shpalljeve të luftës që disa i lëshojnë me mendje të vet si t’u shkrepet, kundrejt hedhjes së papërgjegjshme të dy-tri raketave sa andej këndej në kushtet kur për baraspeshë forcash as që mund të bëhet fjalë dhe me ato dy-tri raketa shkaktohen mijëra të vdekur të pafajshëm duke u bërë shkak për lëshimin e qindra raketave të tjera, ju duhet t’i shpjegoni gjithkujt e kudo, se këto sjellje nuk pajtohen assesi me të qenët mysliman. Sepse Islami nuk ka lënë të zbrazur asnjë fushë të jetës. Ai e ka sqaruar në mënyrë krejt të qartë se si duhet të mbrohemi brenda kufijve të legjitimes përkundër dhunës e padrejtësive. Për shembull, siç ndodhi në Luftën e Pavarësisë, përfaqësuesit e kombit mblidhen e krijojnë një komision, ku edhe vendosin shpalljen e luftës. Individët, më pas, e pranojnë këtë vendim dhe e zbatojnë atë në të katër anët e vendit duke nisur një betejë brenda kufijve të së lejueshmes.
E pra, për t’i treguar botës fytyrën e ndritur e të dëlirë të Islamit, që disa e kanë përlyer, duhet të kemi një plan të përgjithshëm. Për të ardhur, më pas, te zbatimi i tij hollësishëm, duhet të shpërndahemi në të katër anët e botës dhe duke e përfaqësuar Islamin drejt, duhet të mund t’i bëjmë njerëzit të thonë: “Paskësh edhe myslimanë të tillë!” Pa dyshim që nëse do të nxisnim që të thuhen fjalë të tilla për veten tonë, kjo do të ishte përpjekje për t’u dukur e për të rënë në sy (rija), por nëse fjala është për t’i bërë njerëzit që të flasin mirë për Islamin, atëherë kjo është detyrë. Domethënë, e kemi për borxh që atë Islam që na e kanë lënë amanet Tabloja e Krenarisë Njerëzore dhe Kalifët e Drejtë – shpirti ynë u flijoftë për shpirtrat e tyre – t’ia bëjmë të njohur krejt botës në identitetin e tij të vërtetë. Po, po! Njeriu i shekullit tonë duhet ta pastrojë imazhin e avullt, të mjegullt, të oksiduar të Islamit dhe ne, me thellësinë e duhur të të vërtetave të brendshme, të nxjerrim në pah fytyrën e vërtetë e plot dritë të identitetit të vërtetë mysliman.
Për shembull, duke hapur në të katër anët e botës shkolla e qendra kulturore, duke i parë ata nxënës e prindër në ato institucione si një urë e mundësi komunikimi, duke shkuar në shtëpitë e tyre, duke vlerësuar edhe ditë të veçanta, duke gatuar herë hallvë, herë hashure, herë byrek, herë kadaif, dhe duke treguar se “këto janë produkte të rëndësishme të kulturës sonë, me këto gostitim fqinjët”, mund të vendosni ura me njerëz të kulturave nga më të ndryshme, mund të afroheni me ta dhe mund të përpiqeni të mbyllni ato hendeqe që janë krijuar më herët prej mendimesh të gabuara. Kështu, duke ngritur ura mbi rrjedha, duke vendosur shtigje mes malesh, duke mbërritur edhe një herë në zemra për t'i larguar pengesat mes zemrave dhe Allahut, mund të përpiqemi edhe një herë për të siguruar natyrshëm afrimin e njerëzve me Allahun.
Mendime dhe projekte alternative
Po, po. Njerëzit në vendet ku shkoni, pavarësisht nëse ju e vini apo nuk e vini re, ju vëzhgojnë dhe jua masin pulsin pesëdhjetë herë. Për shembull, kur disa njerëz qëllimkëqij ju kanë ndjekur e përgjuar jashtë vendit, përgjigjja që kanë marrë është kjo: “Kemi dhjetë vjet që i dëgjojmë këta njerëz. Asgjë nga këto që thoni ju s’e kemi vënë re tek ata. Nuk kemi rastisur në kurrfarë aritmie. Pulsi u rreh po njëlloj.” Siç shihet, me këto fjalë, ata u kthyen thuajse në mbrojtësit tuaj. Nëse duke vështruar në disa vende është vërejtur ndonjë bllokim, arsyeja e kësaj është sepse ne nuk kemi qenë në gjendje ta tregojmë vetveten siç duhet dhe kemi pasur ndonjë mangësi në të shprehurit tonë. Në këtë pikë, mund të tërheqim vëmendjen edhe tek kjo hollësi: në mënyrë që negativitetet që shfaqen të mund t’i kthejmë në pozitivitete, që negatives të mund t’i shtojmë pozitiven, gjithmonë duhet të kemi plan dhe programe alternative.
Pra, përkundrejt rrethanave që ndryshojnë, në mënyrë që ta vlerësojmë edhe një herë gjendjen ekzistuese, duhet të ndërtohen plane dhe projekte alternative sipas atyre rrethanave të reja, çka mund ta quajmë plan të hollësishëm. Njëkohësisht, kjo do të thotë edhe mendim që ka si përparësi veprimin. E pra, nga njëra anë duhet të keni një plan të përgjithshëm dhe një numër të dhënash kryesore, në mënyrë që punët e veprimtaritë tuaja t’i ndërtoni mbi to. Por krahas kësaj, duhet të ruani edhe një numër fijesh të lira për t’ia lënë kohës dhe të ndërtoni plane e projekte alternative për t’i vënë në zbatim sipas rrethanave. Duke marrë parasysh kulturat e ndryshme, duke i njohur njerëzit nga këndvështrimi i gjuhëve, i besimeve, i botëkuptimeve, i sendeve e i dukurive të ndryshme, brenda veprimit tuaj, duhet të jeni në gjendje të thoni: “Këtu mund të ndodhë diçka e tillë, aty mund të ndodhë diçka tjetër.” Dhe kështu, sipas kushteve të vendit ku keni shkuar, duhet të prodhoni alternativa të ndryshme dhe me ndihmën dhe mirësinë e Allahut, duhet të jeni në gjendje të zhvilloni disa sisteme të reja të të menduarit.
Shkurt, një njeri që në fillim mendon thjesht dhe drejtpërdrejt, në përfundim do të mendojë më gjerë e më thellë. Nëse do të shpreheshim me fjalët e përdorura prej poetit Zija Gëkalp në lidhje me padijen, kush mendon thjesht në nisje, duke shkuar drejt fundit do të fillojë të mendojë në mënyrë të ndërlikuar – për çka ju mund të përdorni edhe shprehjen “të shumëfishuar” – e në shumë shtresa. Pra, duke menduar, do ta marrë në shqyrtim çështjen përmes alternativash, duke thënë: “Mund të ndodhë kjo, mund të ndodhë ajo, por mund të ndodhë edhe diçka tjetër”; dhe kështu, do të vihet në zotërim të një gjerësie horizonti që do ta shtyjë të fusë në llogari të gjitha alternativat. E pra, të gjitha këto, në njëfarë kuptimi, janë hollësitë në të cilat duhet ndaluar në kuadrin e mendimit të hollësishëm, të planit të hollësishëm, të projektit të hollësishëm.
[113] Shih: El-Pezdevi, El-Usul 1/221; Es-Serahsi, El-Usul 1/279.
[114] Shih: Mehmed Sej'jid, Medhal f. 323.
[115] Bediuzaman, Jetëshkrimi f. 504-505 (Periudha e Emirdağ-ut).
- Publikuar më .