Nënshtrimi dhe asketizmi

Nënshtrimi dhe asketizmi

Pyetje: Si duhet kuptuar asketizmi në drejtim të përmbushjes së adhurimeve me ndezullinë për Xhenetin, me frikën prej Xhehenemit, me ndjenjën e dashurisë dhe me vetëdijen e adhuruesit kundrejt të Adhuruarit? Nga ky këndvështrim, ç’janë kategoritë e sikurtregtarëve, të trupnorëve, të ndijesorëve dhe të të apasionuarve?

Përgjigje: Siç e kemi shprehur edhe më herët në raste të ndryshme, dëshira për Xhenetin, të kërkuarit e Xhenetit, është tjetër çështje, dhe lidhja e adhurimeve me një dëshirë e me një kërkesë të tillë është krejt tjetër çështje. Po, njeriu duhet të ushqejë dëshirë për Xhenetin. Por ibadeti nuk duhet assesi të kryhet me dëshirën për Xhenetin dhe nuk duhet parë si një shkak e shkallë për të hyrë në Xhenet. Ndoshta detyrat dhe përgjegjësitë tona si robër, përulja që ne i paraqesim Fuqisë së Pafundme dhe Mëshirës së Paanë duhen parë sipas shkallës së nënshtrimit. Ndërsa çështja e hyrjes në Parajsë duhet pritur veçmas si një mirësi prej Zotit të Madhëruar. Në një hadith fisnik që e pohon këtë, Zotëria ynë, Profeti (sal‘lallahu alejhi ues’sel‘lem) urdhëron e thotë: “Kurrkush nuk hyn dot në Xhenet me veprat e veta.” Kur dëgjuan këtë, sahabët e nderuar pyetën: “As Ti, o i Dërguari i Allahut?” Fakti që sahabët e nderuar iu drejtuan Profetit me një pyetje të tillë për të përcaktuar gjendjen e vet, tregon shumë për mençurinë e tyre. Pra, nëse çështja testohej te Zotëria ynë (alejhis’salatu ues’selam), do të ishte më e lehtë për ta që të kuptonin gjendjen e tyre. Dhe Profeti ynë u përgjigjet duke thënë: “Po, as unë nuk hyj dot në Xhenet vetëm falë veprave të mia. Veç nëse Zoti i Madhëruar më fal mëshirën e më lartëson me mirësitë e Tij.” [21]

Në pyetje përmendet edhe përmbushja e adhurimeve me dashuri krahas ndezullisë për Xhenetin dhe frikës prej Xhehenemit. Ta pohojmë sakaq se krahas dëshirës për Xhenetin dhe frikës prej Xhehenemit, vënia në vend e adhurimeve duke u strehuar në dashurinë, madhështinë dhe lartësinë e Zotit të Gjithëfuqishëm është një hollësi që duhet pranuar deri në njëfarë mase. Ne i lutemi e i përgjërohemi Zotit tonë dhe na i mbushtë Ai zemrat e secilit prej nesh me ato ndjenja të frikës e të respektit që duhen ndier ndaj Lartësisë së Tij të paanë! Përmbledhtazi, mund të themi se përballë madhështisë dhe lartësisë së Allahut, në një drejtim, ndjenja e të qenit i nënshtruar mbart më shumë rëndësi sesa të kërkuarit të Xhenetit dhe të larguarit prej Xhehenemit.

Ai nuk e lë në baltë askënd që i mban sytë nga qielli

Ndërsa hollësia e fundit që është përmendur në pyetje është çështja e përmbushjes së adhurimeve me vetëdijen e adhuruesit kundrejt të Adhuruarit. Në këtë pikë, nëse më lejoni, do të shpreh edhe një herë një çështje ashtu siç shprehet për të Zotëruesi i së Vërtetës: Zoti është i adhuruar për arsyen se është Zot. Pra, duke qenë se Allahu është i Adhuruari Absolut, Pikësynimi i Natyrshëm, i Dashuri i Vërtetë, ne e adhurojmë Atë. Në fakt, për shkak të pamjaftueshmërisë së termave, këtu përdorëm fjalën “është”, që shpreh qenie. Ndoshta kjo e vërtetë do të ishte e drejtë të shprehej në këtë mënyrë: Allahu është Allah dhe për këtë arsye nënshtrimi ynë në robërim ndaj Tij është e drejta e Tij, ndërsa për ne kjo përbën borxh dhe detyrim.

Tani, duke e parë çështjen nga ky këndvështrim, atyre që i lidhin adhurimet e tyre me dëshirën për Xhenetin u themi tregtarë, atyre që marrin si thelbësore frikën prej Xhehenemit u themi trupnorë ndërsa atyre që janë në gjendjen e nënshtrimit me ndjenja të frikës e të dashurisë u themi ndijesorë. Tregtarët gjenden në kuadrin e shkëmbimit e të tregtimit. Mendësia e tyre është: “Unë po kryej adhurim, po fal namaz, po mbaj agjërim, po jap zekat, andaj Ti më jep Xhenetin.” E në fakt, siç shprehet edhe në ajetin e shenjtë, “Vërtet, Allahu u ka dhënë si shkëmbim Xhenetin teksa u ka blerë besimtarëve shpirtrat dhe pasuritë e tyre.” [22] , atë që gjithë ç’ka ia jep gjithçka Allahut, edhe Allahu nuk e lë kokulur.

“Të Madhin Zot në e do,

Ai vetë si mos të të dojë?

Kujt rend kah kënaqësi e Tij

I Larti a s’ia jep kënaqësinë?

Në derë të Perëndisë

Shpirt e xhan në flijofsh,

Në bëfsh siç ka urdhëruar,

Allahu a të lë pa shpërblyer?

Si ujë në gurgullofsh,

Si Ejubi në lotofsh,

Kraharorin në e ndezsh,

Hallin a nuk ta qan?”

(Muhamed Lutfi Efendiu i Allvarit)

Po, po! Zoti i Madhëruar nuk lë askënd duarbosh e kokulur. Krahas kësaj, nëse i lidh adhurimin e nënshtrimin tënd me mendimin për Xhenetin, je si një ndër tregtarët që merren me shitblerje në treg. Mirëpo veprat e kryera prej teje nuk e kanë vlerën e mirëfilltë të mirave që ti kërkon.

Kategoria e të apasionuarve

Ndërsa atyre që, duke qëndruar jashtë konceptit sikurtregtar dhe trupnor, nuk e lidhin vetënënshtrimin e tyre me asnjë pritshmëri, që nuk vihen në pritje të ndonjë shpërblimi, por i qëndrojnë thjesht mendimit “Dashuria ndaj Zotit është e drejta e Tij dhe detyra jonë”, u themi të apasionuar. Mexhnuni nuk rendi pas Lejlës që ajo t’i jepte diçka. Edhe dashuria e Ferhadit ndaj Shirinit, që çau malet për të arritur pranë asaj që dashuronte, nuk mëtonte asfarë shpërblimi material. Po kështu mund të mendoni edhe për sa e sa të tjerë, të dashuruar. Po, po! Me qindra të dashuruar, pa pritur kurrfarë dëshire për përfitim, janë ndezur prej ndjenjave të dashurisë. Madje shumë herë, ata të dashuruar, pasi i kanë arritur ato që kanë dashur plot pasion, janë zhgënjyer. Për shembull, në historinë e Fuzuliut, të shkruar përmes thellësisë së mistikës, mbërritja e njëri-tjetrit prej Mexhnunit dhe Lejlës nuk qe veçse një pengesë mes të dyve, sepse Lejla që ai dashuronte ishte veç Lejla e ëndrrave të tij. Ai, në ndjenjat e veta dhe në gjerësinë e botës së tij të brendshme, ishte Mexhnuni i marrë i Lejlës që i kishte dhënë shpirtin e i kishte rrëmbyer zemrën. Sa bukur shprehet kjo në disa vargje: “I Lejlës është Mexhnuni, i Shirinit Ferhadi / E unë jam mjerani i dashurisë së marrë.” Po, po! Duhet të jemi mjeranët e dashurisë së marrë. Veç duhet vajtuar për Të, dhe kjo s’duhet lidhur me interesin që tregojnë të tjerët.

Asketizmi dhe largimi prej vetjes

Për të ardhur tek asketizmi, në Kuranin e Shenjtë, në ajetet e para që kanë mbërritur që me suren “Muzem’mil”, [23] ai është një ndër çështjet e para që i është urdhëruar Zotërisë sonë [24] Profeti ynë (alejhis’salatu ues’selam), kundrejt vështirësisë së zbulesës, tjetërsimit të botës, ndryshimit të dimensioneve, hapjes së portave të botës shpirtërore, dalëngadalë po rehabilitohej prej Zotit të Madhëruar në marrëdhënie me mesazhin që do t’i jepej. Sepse detyra që do t’i ngarkohej, për shkak të nevojave njerëzore, ishte shumë e rëndë. I Dërguari i Allahut (sal‘lallahu alejhi ues’sel‘lem), pavarësisht të qenit i pajisur me cilësitë më të përkryera, kur i erdhi zbulesa e parë ndjeu emocion e ndoshta, në njëfarë mënyre, edhe drithërima në zemër. Për këtë arsye, u struk nën mbulesë dhe tha: “Më mbuloni, më mbuloni!” [25] E atëherë, Allahu (xhel‘le xhelaluhu) zbriti ajetin fisnik: “O i mbuluar, ngrihu, kaloje i zgjuar, në adhurim një pjesë të vogël të natës!” [26] dhe në të njëjtën sure, duke iu drejtuar Atij, urdhëroi e i tha: “Dhe kushtoju Atij me vetëdorëzim!” [27]

Vetëdorëzimi, apo asketizmi, duke qenë se përdoret në një kapitull që shpreh rëndesë, mbart këtë kuptim: “Mos u mjafto duke i prerë lidhjet me lëndoren veç një herë të vetme, por tregohu i qëndrueshëm e këmbëngulës në këtë rrugë dhe shtrëngoje veten. Pavarësisht se mund të kesh dëshira, familje, që gjenden të rrënjosura në natyrën e qenies e të krijimit, ti mos i burgos këto në botën tënde njerëzore të mendimit e të vetëdijes; bëji, por çliroji prej materiales, zhvishi prej ekzistencës fizike, duke u ngjitur në orbitën e zemrës e të shpirtit, me gjithë individualitetin tënd drejtoju Allahut, shih dhe rend kah Ai.” Siç do të kuptohet prej fjalës së fundit të ajetit, përtej tebettulit të qëllimshëm e thelbësor, shfaqja e cilësisë së ndërprerjes së lidhjes me gjithçka është vetëdorëzimi i plotë. Dorëzim që vjen në trajtë të përforcuar gjuhësore, është për bollëkun. Mirëpo zbatimi i braktisjes së dëshirave egoiste bëhet vetëm në sajë të asketizmit. Pra, mbërritja në horizontin e ndërprerjes së lidhjes me gjithçka, arritja e asaj maje, realizohet vetëm përmes rrugës së asketizmit. Atë që e arrin këtë majë e quajmë “betul”. Kjo është arsyeja se pse nënën tonë, Merjemin, e kemi quajtur Betul. [28] Ajo, megjithëse përreth kishte gjithçka, nuk pa kurrgjë tjetër veç Allahut, e vështroi Atë me sytë e besimit, u fokusua, u përqendrua dhe duke prerë të gjitha lidhjet me botën, u mbyll në mihrab dhe në saj të këtij veçimi nisi të ushqehet me frytet e amshimit. Kurani Fisnik e shpjegon këtë gjendje duke shprehur këto fjalë: “Zekerija, sa herë që hynte në dhomëzën brenda faltores ku ndodhej ajo, gjente aty ushqime të freskëta.” [29] Kur Zekerija fisnik pyeste: “O Merjem! Ku i gjen këto ushqime?” [30] , merrte këtë përgjigje: “Këto më dërgohen prej Allahut. Pa dyshi që Allahu, kujt të dëshirojë, i dhuron pa masë” [31] Po, po! Kur shkëputesh e i pret lidhjet prej botës, gjithçka vihet në shërbimin tënd. Në këtë çast, mund t’i kujtojmë edhe një herë fjalët e Imam të Allvarit:

“Si ujë në gurgullofsh,

Si Ejubi në lotofsh,

Kraharorin në e ndezsh,

Hallin a nuk ta qan?

Për dertin Shërim është ky dert Dertliun e do m’i Madhi,

Për hallin shërim i Vetmi,

A s’mbërrin tek ti Mirësi e Tij?”

E pra, Nëna jonë, Merjemi, prej domosdoshmërisë së çuarjes në vend të detyrës e të misionit për të qenë nënë e Mesisë së nderuar dhe për t’u mbarsur me një shtatzëni hyjnore, i ndërpreu lidhjet me gjithçka. [32] Kur ajo i ndërpreu marrëdhëniet me botën, edhe Allahu (xhel‘le xhelaluhu) urdhëroi e i dha asaj një fëmijë më të vyer se mijëra, miliona njerëz, siç ishte Mesihu i nderuar.

Të dëlirësohesh e të veçohesh

Nëna jonë Merjemi, në çështjen e ruajtjes së nderit ishte aq e ndjeshme, saqë edhe kundrejt një qenieje shpirtërore u drithërua e tha: “Mbështetem në mbrojtjen e Zotit prej teje. [33] Për shkak të këtyre veçorive, asaj i janë dhënë emrat “Betul” dhe “Azra” (e dëlira). [34] E pra, pavarësisht ekzistencës, duhet prerë lidhja me gjithçka dhe duhet të dëlirësohemi e të veçohemi kësisoj, të orientuar nga njësia hyjnore. Kur Bediuzaman Said Nursiu hapte kuturu “Mektubatin” e Imam Rabbaniut, duke synuar të nxirrte mësim prej tij, Imam Rabbaniu i thoshte: “Drejtohu kah njësia!” [35] duke e orientuar kështu më së miri. [36] Pra, mos u huto duke parë herë në këtë e herë në atë drejtim. Nëse një herë bie pas dëshirash për të ardhmen, një herë pushtohesh prej pasionit për famë, një herë lidhesh pas dëshirës për karrige apo drithërohesh prej frikës e shqetësimit, atëherë hutohesh dhe humbet. Në të vërtetë, të gjitha forcat dhe energjitë ti duhet t’i përqendrosh në një pikë të vetme, duhet ta shposh atë çka duhet shpuar, ta thyesh atë çka duhet thyer dhe kështu, duke u zhveshur prej zhguallit, të gjesh Atë. E pra, asketizmi është pikërisht titulli i të ecurit në një udhë e në një rrugëtim të tillë.

Zoti i Madhëruar, pasi e lartësoi Tablonë e Krenarisë Njerëzore me misionin e vështirë, thotë: ky mision është një peshë aq e rëndë, saqë nëse nuk bën asketizëm, nuk e ngrë dot. Ti mund të gjendesh brenda botës. Po, ti mund kesh një bashkëshorte të mirë që quhet Hatixhe, mund të kesh bija të bekuara si Zejnebi, Rukija, Umu Gulsumi. Por ato, për sa u përket statusit të tyre, në familjen Tënde të lume janë veç nganjë amanet. Të drejtat e tyre do t’i respektosh vetëm në këtë kuadër. Përtej kësaj, Ti duhet të vështrosh vetëm kah Allahu. Shikimet e tua të thella duhet të kërkojnë kudo Allahun dhe në çdo rrugë duhet të ecësh drejt Tij. Në çdo vend duhet të largohesh prej vetes dhe t’i afrohesh Atij. Kjo mund të realizohet vetëm me asketizëm. O Profet famëlartë i strukur në mbulojën tënde! Çohu dhe mbarte atë barrë të rëndë të njerëzimit, rrëfeju atyre të vërtetat dhe rrugët që çojnë në Parajsë. Hapua sytë dhe mundësou që ta lexojnë mirë ekzistencën.

E pra për këtë, Zoti i Madhëruar urdhëron e thotë: [37] Përmende emrin e Madhërishëm të tët Zoti, kujtoje Atë sa më shpesh dhe më pas, për të arritur dorëzimin e plotë, hyr në rrugën e asketizmit. Përfitoje dorëzimin e plotë tek Allahu në atë rrugëtim. Shih t’i afrohesh horizontit, majës apo lartësisë së ndërprerjes së lidhjeve me botën. Sepse që atje do të këndellesh duke e par[ ekzistencën tënde krejt ndryshe, do ta lexosh atë krejt ndryshe dhe do të jesh dëshmitar i plot e plot sendeve larushane.

Asketizmi absolut dhe relativ

Natyrshëm, siç ndodh me mirësitë dhe virtytet e tjera, edhe tebettuli mund të jetë absolut ose relativ. Më së pari Zotëria ynë, Shpirti i Ajkës së Krijesave (sal‘lallahu alejhi ues’sel‘lem) është nderuar me atë absolut. Sepse Zotëria ynë, si njeriu më i lartë e më i përsosur, krahas respektimit të të drejtave të kësaj bote e të familjes, i respektonte plotësisht edhe detyrimet e adhurimit. Sipas shprehjes së Xhiliut, Ai vërtet që është njeriu i plotë e i përsosur. [38] Po, po! Ai është bërë një pasqyrë e tillë hyjnore, që duke e parë Atë nuk është e mundur të mos e shohësh Allahun. Prandaj edhe përfaqësuesi i asketizmit në kuptimin e plotë të fjalës është pikërisht Ai. Si gra shembullore për dhënien e vetes mund të shikoni Nënën Tonë, Hatixhen fisnike, që edhe në kohën e injorancës e ruajti nderin e saj, më pas nënat tona Aishen dhe Fatmën e nderuar dhe pas tyre, sipas shkallës së vlerësimit, mund të përfshini në këtë kategori edhe bashkëshortet e tjera të dëlira. Sepse secila prej tyre ka kryer vepra të mëdha për të mbështetur e për t’i dhënë krahë misionit të profetësisë. Nëna jonë, e dlira Merjem, është ndër ato që përfaqësojnë asketizmin relativ që i afrohet më së shumti kuptimit absolut. Por siç u shpreh pak më përpara, edhe asketizmi mund të cilësohet si i përshkallëzuar dhe shkallët e ndryshme të tij, në të cilat mund të qëndrojë gjithsecili, janë nga më të larmishmet. Nëse këtë gjendje do ta përfytyronim si një spirale që ngjitet drejt lartësisë, gjithsecili ka një shkallë për të qëndruar në këtë spirale.

Kështu, ndër këta ka beqarë që i janë kushtuar çështjes së lartësimit e të përhapjes së fjalës hyjnore. Sikurse në rastin e shumë prej sahabëve dhe tabiinëve, në historinë e Islamit, që prej Imam Neueuiut e deri te Mjeshtri i madh, Bediuzamani, është bërë fjalë për plot beqarë të tillë që i janë përkushtuar tërësisht çështjes së Allahut. [39] İmam Neueuiu tregon se ushqehej me nga dy-tri kafshata në ditë, sa për të mbajtur trupin gjallë. [40] Kur pyetej për arsyen e kësaj sjelljeje, ai thoshte: “A nuk më thotë më pas Zoti: ‘Mos vallë të krijova që të hash ushqime, t’i tretësh dhe t’i nxjerrësh si jashtëqitje?’” Nga ana tjetër, thoshte edhe se të ushqyerit e shumtë do t’i sillte gjumë, ndërsa kishte shumë gjëra për të lexuar e për të shkruar, saora duke parë si përparësi vetëm shërbimin ndaj fesë. [41] Por megjithatë duhet thënë se këto shprehje, edhe në qofshin përsiatje shumë të larta, duke qenë se përbëjnë një gjykim subjektiv, nuk janë mendime që duhen zbatuar medoemos, dhe prej të gjithëve. Sidoqoftë, duke parë qëllimet e dëlira të tij dhe të personaliteteve të tjera të mëdha si ai, në këtë pikë ata duhen mirëkuptuar. Veç kësaj, ata nuk ia kanë këshilluar kurrkujt tjetër pos vetes këto gjendje dhe nuk u kanë thënë të tjerëve: “Edhe ju duhet të jetoni se s’bën kësodore.”

Në shekullin tonë, teksa vërejmë personalitetin që është në të njëjtën linjë me Imam Neueuiun, hasim në mendime të njëjta. Kur e pyesin “A ke menduar ndonjëherë për martesën?”, pasi shpreh brengosjen për braktisjen e një suneti të tillë, në një vlerësim të veçantë, thotë se të menduarit për hallet e botës islame e ka penguar prej të menduarit edhe për këtë çështjeje. [42] Duke vlerësuar këto fjalë të Saidi Nursiut fisnik, duhet ta kuptojmë atë brenda karakterit të vet. Sepse ai, brenda kushteve në të cilat ndodhej, ka parë të ngrihet flakë drejt qiellit, gjendje kundruall së cilës është shprehur kësisoj: “Kam përballë një flakë të tmerrshme. Brenda saj më digjet fëmija, më përflaket e më digjet besimi. Po rend të shuaj atë flakë, që të shpëtoj besimin tim. Rrugës del një gurë e do të më pengojë; po ç’rëndësi ka kjo? Përballë asaj flake të jashtëzakonshme, si mund të ketë vlerë një ngjarje kaq e vogël?” [43] Teksa shohim shprehjet e tij, përballemi me një karakter që vazhdimisht mendon me duart në ije dhe heq e vuan përballë vuajtjeve së njerëzimit. Ndaj edhe njerëzit që nuk e kanë këtë horizont, e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë këtë gjendje. Por le ta theksojmë edhe një herë, se këto mendime të tyre nuk janë objektive, por subjektive. Për më tepër, ata vetë këto mendime e pikëpamje nuk i kanë përgjithësuar, nuk ua kanë paraqitur të tjerëve si një rregull objektive, duke mos i kthyer ato në mënyra sjelljeje për të nxitur njerëzit rreth vetes që të bëjnë të njëjtën gjë. Për këtë arsye, edhe nëse nuk themi dot se “detyrimi objektiv është siç kanë bërë ata”, atyre duhet t’ua njohim atë që u takon, sepse në të njëjën kohë këso mendimesh janë gjykime shumë të larta e madhore, janë përfundimi i të mbyllurit brenda ndjesisë së atij që nuk jeton për vete, por që jetëson të tjerët. Prandaj edhe kjo gjendje e tyre nuk duhet menduar në një formë asketizmi të ngjashëm me murgërinë. [44]

Duhet t’ju tërheq vëmendjen dhe te një hollësi tejet e rëndësishme që kam vërejtur në lidhje me temën dhe me këtë do ta përmbyll çështjen: çështja e asaj që mund ta quajmë asketizmin absolut, apo e ndërprerjes së lidhjes me çdo send dhe të refuzuarit e çdo gjëje, edhe nëse jetohet për një kohë të shkurtër në një rrugëtim shpirtëror, nuk duhet të kthehet në një gjendje të përhershme brenda rrjedhës së natyrshme të jetës. Nëse veproni kështu, pa e kuptuar aspak, u hapni portën keqpërdorimeve të ndryshme, sepse në jetën e njeriut, brenda kufijve të së lejueshmes, duhet të ketë gjithmonë një derë gjysmë të hapur. Natyrisht që ëndjet e dëfrimet brenda kufijve të së lejueshmes janë të mjaftueshme për t’u kënaqur. Po nëse e mbyllni atë rrugë, nëse nuk lini asnjë hapësirë për ta hapur atë derë, nëse nuk u mundësoni njerëzve që të përfitojnë prej atyre kënaqësive e këndelljeje që janë brenda kufijve të së lejuarës, atëherë rrisni mundësinë që ata të shkelin në të ndaluarën.

Po, po! Nëse duam që njerëzit, duke jetuar brenda kufijve të së lejuarës, të jetojnë një jetë brenda kornizës së asaj çka ka urdhëruar Allahu (xh.sh.), nuk duhet t’i mbyllim dyert e së lejueshmes në çështje si të ngrënit e të pirit, të jetës familjare, të krijimit të familjes e lindjes së fëmijëve. Sepse një njeri i krijuar brenda natyrës, i përkundur në djepin e nënës natyrë, i mëkuar me gjirin e nënës natyrë, nuk është e mundur të ndjekë një rrugë të kundërt me natyrën. Përndryshe, e prish natyrën e vet dhe pëson shformim në natyrën e tij të brendshme. E në të vërtetë, ndryshimi më i rëndësishëm që e dallon vetëdorëzimit asket prej murgërisë është pikërisht ky. Në rastin e asketizmit bëhet fjalë që nga njëra anë, me dëshirën për të dhënë jetë, të ngresh tendën në kërthizën e jetës dhe nga ana tjetër të hapesh pafundësisht për nga jeta e shpirtit, e ndenjës dhe e ëndjes, duke u gjendur gjithmonë në marrëdhënie të pandërprera me Allahun. Prandaj edhe kjo rrugë është më e paqtë, më e sigurt dhe më e besës.


[21] Buhari, Rikak 18, Merda 19; Muslim, Sifatu’l-munafikin 71-78.

[22] Teube, 9/111.

[23] Shih: Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-eusat 2/319.

[24] Shih: Muzzemmil, 73/8.

[25] Buhari, Bed’u’l-vahj 3, Tefsiru sure (96) 1, Tabir 1; Muslim, Iman 252.

[26] Muzzemmil, 73/1-2.

[27] Muzzemmil, 73/8.

[28] Shih: Ahmed Ibn Hanbel, El-Musned 1/202; Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef 7/350; Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 2/110.

[29] Ali Imran, 3/37.

[30] Ali Imran, 3/37.

[31] Ali Imran, 3/37.

[32] Shih: Merjem, 19/16-34.

[33] Merjem, 19/18.

[34] Shih: Ahmed Ibn Hanbel, El-Musned 1/202; Ibn Ebi Shejbe, El-Musannef 7/350; Et-Taberani, El-Mu’xhemu’l-kebir 2/110.

[35] Imam Rabbani, El-Mektubat 1/87 (Letra 75).

[36] Bediüzzaman, Letrat f. 402 (Letra e njëzetetetë, Çështja e tretë).

[37] “E përmende emrin e lartësuar të tët Zoti! Dhe ndaj Tij qëndro në rrugë të tebettulit.” (Müzzemmil, 73/8)

[38] El-Xhili, El-Insanu’l-kamil 2/71-72.

[39] Shih: Abdulfettah Ebu Gudde, El-Ulemau’l-uzzab.

[40] Shih: Es-Subki, Tabakatu’sh-Shafiijjeti’l-kubra 2/153; El-Jafii, Mir’atu’l-xhinan 4/183.

[41] Shih: Edh-Dhehebi, Tarihu’l-Islam 50/252; Ibnu’l-Imad, Shezeratu’dh-dheheb 5/356.

[42] Shih: Bediüzzaman, Udhërrëfyesi i grave f. 23-24.

[43] Shih: Bediüzzaman, Jetëshkrimi f. 615 (Analiza; citimet e dhëna prej veprës së Bediuzaman Said Nursiut janë të gjitha sipas variantit të gjuhës turke).

[44] Shih: Hadid, 57/27.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.