E drejta e nderit dhe e vullnetit
Pyetje: “Ju silluni me nder e si ju ka hije ndaj grave të të tjerëve, që edhe gratë tuaja të jenë të ndershme e të sillen si u ka hije.” [160] Si duhet ta kuptojmë këtë hadith? A mund të na e sqaroni?
Përgjigje: Hadithi transmetohet në këtë formë: “Ju silluni me nder e si ju ka hije ndaj grave të të tjerëve, që edhe gratë tuaja të jenë të ndershme e të sillen si u ka hije.” [161] Për nga kriteret e hadithit, mund të ndaleshim paksa në diskutimin e vërtetësisë së tekstit. Por për sa i përket kuptimit të shprehur dhe përmbajtjes, është e dukshme se kemi të bëjmë me një fjalë ndriçuese, të bekuar e domethënëse, shembuj të së cilës kemi parë e dëshmuar shpesh mes perlave të retorikës së hijshme të Zotërisë sonë, Profetit (s.a.s.).
Arsyeja e shëndoshë dhe nderi
Në radhë të parë, në konceptimin e hadithit, sikurse kemi parë në tekstet e tjera, dua të tërheq vëmendjen te një disiplinë themelore: Njerëzit, përgjigjen ndaj veprave të tyre, në përgjithësi, e gjejnë në llojin e vet. Domethënë, nëse ju mendoni mirë për të tjerët, edhe ata mendojnë mirë për ju. Nëse ju i përqafoni njerëzit me dashuri e mirësi, edhe ata jua hapin zemrat me dashuri e mirësi. Nëse ju i vlerësoni e i trajtoni njerëzit me të mirë, edhe ata ju përgjigjen me të mirë. Sepse mirësia juaj bëhet shkak për të ndezur ndjenjën e mirësisë edhe tek ata. Këtë të vërtetë është e mundur ta nxjerrim prej pohimit lavdiplotë të Kuranit Fisnik: “Për njeriun është vetëm fryti i asaj çka ai vepron. Fryti i përpjekjes së tij pa dyshim që do të duket. Paskëtaj, atij do t’i jepet shpërblimi pa kurrfarë mangësie.” [162] Po, është e vërtetë se njeriu, shpagimin e një pjese të veprave të veta të këqija do ta shohë që këtu. Ndërsa shpagimin e të këqijave që nuk janë falur në këtë botë e të lëna për Gjyqin e Madh, do ta gjejë medoemos në jetën tjetër. Meqë ra fjala, po them se teksa mendojmë për gjerësinë dhe pafundësinë e mëshirës hyjnore, shpresojmë që Allahu (xh. xh.), të gjitha të këqijat e bëra, me mëshirën e Tij, në jetën tjetër, t’i ngushtojë e t’i mbledhë dhe të na i kthejë duke na thënë: “Haku është kaq!” Ndërsa duke ardhur tek të mirat, edhe ato, Zoti i Madhëruar, me mirësinë dhe mëshirën e Tij të pafundme, sikurse një farë e hedhur në tokë dhuron njëmijë kallinj, do t’i shumëfishojë ato e do t’ia dhurojë njeriut në jetën e amshuar. Kjo është një e vërtetë që shpreh drejtësinë absolute të treguar në ajetin e gjendur në Kuranin Fisnik: “Kush ka bërë një të mirë sa një grimcë, do ta shohë atë; dhe kush ka bërë një të keqe sa një grimcë, do ta shohë atë.” [163] Por kur e shtjellojmë çështjen me mendimin e mëshirës hyjnore dhe me emrat e Allahut që lidhen me ahiretin, mund të thuhet se nuk është e drejtë të mendohet që mëkatet e kryera në masën e një grimce do të ndëshkohen patjetër.
Pasi tërhoqëm vëmendjen te kjo disiplinë themelore, nëse dëshironi, le t’i kthehemi tekstit të hadithit. Shprehja Ju silluni me nder e si ju ka hije ndaj grave të të tjerëve, në këtë hadith, duket sikur u drejtohet së pari personalisht burrave. Pra, përmes saj, i Dërguari i Nderuar bën këtë paralajmërim: “O burra! Së pari ruajeni ju nderin dhe moralin kundrejt bashkëshorteve të të tjerëve, në mënyrë që edhe bashkëshortet tuaja të ruajnë nderin e tyre kundrejt burrave të tjerë.” Se nëse një njeri bën diçka negative dhe pavarësisht të gjitha paralajmërimeve dhe këshillave këmbëngul të mos heqë dorë, atëherë Allahu (xh. xh.), herët a vonë, e bën atë individ të përballet me pasojat e së njëjtës të keqe. Kjo gjendje i shfaqet herë te vetja, herë te bashkëshortja, herë te një tjetër i afërm, sepse ndëshkimi pësohet sipas llojit të fajit të kryer. Mes fajit dhe ndëshkimit në kuptimin, se dënimi i çdo vepre bëhet sipas llojit të saj, ka një lloj përkimi, përputhjeje e pajtimi. Kështu, Allahu na ruajtë, njeriu mund ta pësojë zhdëmtimin e mëkatit të kryer me një turpërim e koritje të ngjashme. Për birin e njeriut, që është i krijuar në gjendje të fisme, i bekuar me të fshehtën që mbartet në “ahsen-i takvim” apo në formën më të bukur, kjo është diçka shumë e rëndë. Zoti ynë mos e turpëroftë askënd me një cenim të tillë të dëlirësisë a të nderit!
Po, njeriu është krijesa më e nderuar. Ndaj edhe është shumë e rëndësishme që ai të përdorë mendjen, arsyen dhe logjikën në çështjen e të qenit i ndershëm e i moralshëm. Sepse kur i drejtohet një mendjeje të shëndoshë, njeriu e trajton çështjen nga fillimi gjer në përfundim, e peshon atë bashkë me shkaqet dhe përfundimet, i sheh që më parë përfundimet e pritshme prej veprave që do të kryejë dhe kështu, duke i dhënë hakun vullnetit të vet, u qëndron larg sjelljeve dhe veprimeve që do ta turpëronin e do ta vinin në pozitë të vështirë.
Nga ky këndvështrim, njerëzit që nuk duan t’u njolloset nderi i vet, duhet të tregohen të kujdesshëm kundrejt nderit të të tjerëve. Në fund të fundit, duke e parë nga një pikëpamje e përgjithshme, vetëkuptohet se një besimtar, që është përfaqësues i sigurisë e i paqes, kujdesin dhe ndjeshmërinë që tregon për të ruajtur nderin dhe moralin e vet duhet ta tregojë edhe në ruajtjen e nderit dhe të moralit të të tjerëve. Sipas kësaj qasjeje, një besimtar nuk duhet të thotë vetëm “nderi im”, “cipa ime”, “morali im” apo “shoqja ime e jetës”. Sepse nëse njëra është shoqja ime e jetës, tjetra është motra ime, është vajza ime, është tezja apo halla ime. E pra, një njeri që vepron duke iu nënshtruar të tilla ndjenjave e mendimeve – Allahu na ruajtë! – nuk bie në gabime që do t’i ktheheshin kundër vetes, nuk luan me nderin dhe moralin e të tjerëve, e nuk sheh askënd me sy të keq.
As edhe njerëzit e moshuar...
Atëherë, cilat janë disiplinat e imponuara prej Islamit mbi këtë çështje? Për shembull, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një rast, urdhëron e thotë: “Assesi një burrë të mos qëndrojë i vetmuar me një grua nëse ajo nuk ka pranë një të afërmin e saj.” [164] Po ashtu, Zotëria ynë, i Dërguari Fisnik (s.a.s.), në një tjetër hadith urdhëron e thotë: “Një grua, pa pasur pranë një të afërm, të mos dalë në udhëtim.” [165] Aq sa, sipas fakihëve të shkollës hanefite, qoftë edhe për kryerjen e një ibadeti të detyruar siç është haxhi, për gruan vihet si kusht prania e bashkëshortit ose e një të afërmi. [166] E pra, këto disiplina janë secila në vlerën e një barriere, të një kufizimi e të një parandalimi. Besimtari duhet të përpiqet në vazhdimësi që të ndalet para këtyre parandalimeve dhe të mos i kapërcejë këta kufij. Kjo gjendje, në një tjetër hadith, gjen shprehje në këtë formë: “Gjërat e lejuara (në një mënyrë të tillë që të mos i lënë vend dyshimit) janë të qarta dhe gjërat e ndaluara janë të qarta. Mes këtyre të dyjave, ka disa gjëra të dyshimta, që shumica e njerëzve nuk i di. Ai që e ruan veten prej gjërave të ndaluara, ka ruajtur fenë dhe nderin e vet.” [167] Të hysh në fusha të dyshimta është si të endesh në një tokë të minuar. Një njeri që bredh aty, nga çasti në çast mund të bjerë pre e një shpërthimi. Në të vërtetë, në perlat e të folurit përmes heshtjes prej Mbretit të Fjalës, pasi tërhiqet vëmendja tek ajo lloj e ndaluare që e sheh syri, tek e cila shkon këmba, të cilën e zë dora, dhe tek e cila, pas një pike të caktuar, nuk ka më kthim, këshillohet që, për këtë shkak, njeriu të largohet menjëherë prej kredhjes në një lloj përfytyrimesh të tilla të fëlliqura. Sepse njeriu, nëse vazhdon të ecë në botën e këtyre ëndërrimeve të pisëta, rrezikon të mposhtet prej natyrës e prej lëndores dhe mund të përballet me rreziqe vdekjeprurëse që mund t’ia paralizojnë botën e zemrës e të shpirtit. Madje edhe ata që janë të moshuar, tek të pesëdhjetat apo të gjashtëdhjetat, nëse nuk i ndjekin me kujdes disiplinat e caktuara prej Islamit në lidhje me këtë çështje dhe nuk tregohen parimorë në këtë temë, do të thotë që gjenden përballë po këtyre rreziqeve. Zoti ynë as të riun, as të vjetrin mos i rrëzoftë në batakun e pandershmërisë dhe mos turpëroftë askënd kësisoj! Në paçin rënë, u dhuroftë prej mirësisë së Tij rrugët e shpëtimit prej një koritjeje të tillë! Sepse siç u përmend më parë, për qenien njerëzore, që është krijesa më e nderuar, e bekuar me misterin “ahsen-i takvim-it”, një turpërim i tillë është shumë i rëndë.
Meqë erdhi fjala këtu, me lejen tuaj, dua të përsëris edhe një herë fjalët e shokut tim orëndreqës e poet, që e kam përmendur edhe më herët në raste të ndryshme: “Ia çela velat detit të rebelimit. Tani s’më lë të dal në breg.” Po. Njeriun e merr me vete një rrjedhë e tillë, që edhe nëse pendohet për ç’ka bërë dhe do të shpëtojë prej gjendjes në të cilën ndodhet, mund të mos kthehet dot më prapa. Më e mira është që njeriu të mos i ketë besë as fuqisë, as forcës, as vullnetit të vet. Ai duhet të bëjë kujdes që në krye të punës që të mos bjerë pre e një rrjedhe të tillë. Allahu na ruajtë, nëse ka ndodhur që, prej disa shkaqesh, arsyesh e faktorësh është kapur prej një rryme të tillë, atëherë, në atë gjendje, duhet të thotë: “Unë nuk jam një kafshë që vepron me instinkte.” Në këtë mënyrë, duhet t’i japë hakun vullnetit të vet dhe menjëherë duhet të dijë të kthehet prapa.
Po ja që në ditët tona është fort e vështirë që të mund të thuhet se ekziston një ndjeshmëri e tillë. Gjendja ekzistuese, më së shumti, i kujton njeriut fjalët e të ndjerit Mehmet Akif:
“Turpi shpërvjelë e rënë: Pacipësi kudo...
Ç’faqe të zezë mbuluakësh perde e hollë!
Premtim e besë s’mbet, fjalë boshe amaneti;
Drejtësi s’gjen kush, tradhti e rrenë ngado.
…
Gërditen trutë, Zot, ç’rrëzim e tmerr ka ngjarë:
S’mbet besë e fe, rrënuar dini, pluhur bërë imani!
Krenitë avullofshin, zemrat mbetshin pa fjalë...
Ky zvetënim pa pushuar, egoizmi s’ka të ndalë!”
Po, po. Në ditët tona, për këtë çështje, ka shpërbërje, shpërndarje, thyerje e shformime që pasojnë njëri-tjetrin. Prandaj, në një kohë të tillë, ka nevojë për sjellje të mrekullishme, për heronj të vullnetit, që duke shpërfaqur të tilla sjellje, të mund ta kthejnë mbrapsht këtë rrjedhë. Ka nevojë për vullnete të tilla të larta të njerëzve, që nuk mendojnë vetëm për nderin e vet, por që drithërohen në emocion edhe për nderin e kombit, që synojnë t’u japin sërish jetë në jetën e tyre atyre ndjenjave e mendimeve të mirësishme e të përsosura dhe kështu, të mund ta kthejnë rrjedhën mbrapsht... I ndrituri Hazreti Piri Mugan thoshte: “Feja është jeta e jetës, edhe drita, edhe thelbi i saj. Rilindja e këtij kombi sendërtohet me rilindjen e Fesë.” [168] Besoj se me këto fjalë, ai ka prekur përgjegjësinë më jetësore.
Lartësimi vertikal
Në një hollësi të fundit, dua të pohoj se sa më e fortë që të jetë ndjenja, dëshira dhe prirja negative te një njeri, përkundrejt kësaj gjendjeje, nëse ai mbështetet te Zoti i vet dhe i jep hakun vullnetit siç i takon, atëherë Allahu (xh.xh.) e përsos atë njeri duke ia shtuar mirësitë në drejtim të kapërcimit të këtyre handikapëve që ai ka. Thuajse te gjithkush, në një shkallë a në një tjetër, ekzistojnë ndjesitë e të kryerit të disa të këqijave. Për shembull, babëzia, vënia e syrit në pasurinë e tjetërkujt, dëshira për t’u dukur, ndjenja e egoizmit, përkushtimi pas famës e pozitës, qoftë edhe në masë të vogël, në një formë a në një tjetër, janë ndjesi që mund të gjenden te çdo njeri. Por disa prej këtyre ndjenjave te disa njerëz janë më të forta. Për shembull, ka njerëz të tillë që edhe nëse i merrni t’i hidhni mes arit, ai as që prek as edhe një flori të vetëm. Në qoftë se i ka mbetur me vete gabimisht një monedhë ari dhe ka shkuar me të në një vend të largët, ai njeri, edhe në pastë bërë ditë të tëra rrugë, nuk ngurron të kthehet e ta vërë floririn në vendin e vet. Sepse ai njeri, në këtë çështje, nuk ka kurrfarë dobësie. Por nuk mund të jeni të sigurt që i njëjti njeri, në çështjen e dëshirës për kolltuk e për pozitë do të tregojë të njëjtin qëndrim, sepse në këtë rast mund të ketë një dobësi e një zbrazëti. Madje te disa mund të gjenden të gjitha njëherësh ato viruse që ka përmendur Mjeshtri në “Hücumat-ı Sitte”. [169] Tani, një njeri që do të vërë në zbatim hukmin e këtyre viruseve, duke i dhënë hakun vullnetit të tij, mund të thotë: “Unë nuk jam një krijesë e dobët, pre e kafshërores dhe e materiales. Krahas trupit, unë kam edhe një zemër e një shpirt. Më duhet të udhëtoj në atë orbitë.” Dhe kështu, duke i dhënë hakun vullnetit të vet, nëse bën një përpjekje heroike kundrejt atyre ndjesive dhe nëse u kundërvihet atyre porsi një gladiator, atëherë shpërblimi hyjnor që do t’i kthehet atij është shumë i ndryshëm. Pra, niveli i një njeriu të tillë, krahasuar me një njeri të zakonshëm që nuk i ka në të njëjtën masë këto dëshira e prirje, është shumë më i lartë dhe kjo shkallë i mundëson që të ngrihet lart në mënyrë vertikale, porsi një raketë për të mbërritur me shpejtësi horizontin e lartësimit.
[160] El-Hakim, El-Mustedrek 4/170.
[161] El-Hakim, El-Mustedrek 4/170.
[162] Nexhm, 53/39-41.
[163] Zilzal, 99/7-8.
[164] Buhari, Nikah 111; Muslim, Haxh 424.
[165] Buhari, Xhezau’s-sajd 26, Xhihad 140; Muslim, Haxh 424.
[166] Es-Serahsi, El-Mebthut 4/111; Ibnu’l-Humam, Fet’hu’l-kadir 2/421; Ibn Abidin, Hashije 2/465.
[167] Buhari, Iman 39, Buju’ 2; Muslim, Musakat 107.
[168] Bediuzaman, Fjalët f. 781 (Dritat e shkrepëtimave).
[169] Shih: Bediüzzaman, Letrat f. 465-481 (Letra e njëzetenëntë, Risaleja e gjashtë), në shqip teksti titullohet "Gjashtë sulmet e djallit".
- Publikuar më .