T’u japësh zë mirësive sipas vlerës së tyre

T’u japësh zë mirësive sipas vlerës së tyre

Pyetje: Ç’do të thotë falënderim i mirësisë? A mund të na e shpjegoni se si bëhet ky falënderim për mirësitë me gjuhën e shpirtit?

Përgjigje: Falënderimi i mirësive do të thotë që njeriu, me mendimin e mirënjohjes, t’i përmendë e t’i shprehë të mirat, bekimet e begatitë e dhuruara nga ana e Zotit të Madhëruar. Për ta shprehur më ndryshe, domethënë që begatitë hyjnore të mos përdoren si mjet krenarie; por edhe të mos bihet në gabimin e mosmirënjohjes dhe të shpërfilljes së tyre. Kjo bëhet duke mos i mohuar ato mirësi e dhurata hyjnore dhe duke ia njohur ato mirësi Zotit të Vërtetë. Pra, do të thotë, që njeriu të veprojë me mendimin: “Të gjitha këto begati që më janë dhuruar, i përkasin asaj Qenieje që më dhuron mua përmes forcës dhe fuqisë së Vet, që më jep mua aftësinë për të punuar e vepruar, që ma përforcon fuqinë time shpirtërore me shpresë, dashuri e përmallim, që më drejton në rrugët e duhura, që urdhëron për mua udhëzimin në të drejtën e në sinqeritetin.” Ndërsa burimi i këtij mendimi është ajeti i sures “Duha”, që duke iu drejtuar Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (s.a.s.), urdhëron e thotë: “Tani eja, mirësitë e Zotit tënd rrëfeji e tregoji!” [170]

Mirësitë dhe bekimet e veçanta të përmendura në suren “Duha”

Zoti i Madhëruar, që në krye të sures “Duha”, ka urdhëruar e renditur mirësitë e bekimet e veçanta që i janë dhuruar Shpirtit Fisnik të Zotërisë së Mirësive (alejhi efdalutahij'jat ue ekmelu teslimat), ndërsa në ajetin e përmendur, në fund të sures, ka kërkuar prej Tij që t’i kujtojë e t’i shprehë këto bekime. Surja nis me betimin në kohën e mëngjesit, në të cilën dielli është ngjitur e ka mbërritur gjendjen e tij të shkëlqimit të plotë, [171] ndërsa më pas është shprehur betimi në natën, në të cilën ka rënë muzgu e është errësuar krejt. [172] Të betuarit në çastin më të errët pasi është zënë be në kohën e shkëlqimit të diellit të mëngjesit, është një hollësi në të cilën duhet të ndalemi. Sepse në pikun kur errësira është në kulmin e vet, është horizonit i çeljes së dritës. Po, po. Ky çast është porsi platforma, limani apo sheshi i ndriçimit. Ajo errësirë e thellë që mbështjell mjedisin, do të thyhet me agimin. Sado që çasti më i errët pasohet fillimisht nga një agim i rremë, sipas qasjes së Mësuesit të Nderuar, agimi i rremë është shenjë e agimit të vërtetë. Sepse pas saj, nata e vazhdueshme do të marrë fund. [173]

Zoti i Gjithëfuqishëm, pasi përmend pikërisht këto dy hollësi, urdhëron e thotë: “Allahu ty as s’të ka përbuzur e as s’të ka braktisur.” [174] Shprehja "s'të ka braktisur" që është përmendur këtu, është përdorur me domethënie të përforcuar. Siç dihet, rendi i shenjimit të përforcuar shpreh përforcim në domethënie. Sipas kësaj, kuptimin e lartë të këtij ajeti të shenjtë mund ta shprehim në formën: “Allahu ty kurrsesi, assesi nuk të ka braktisur.” Nëse e shtjellojmë në koncept antonimik, atëherë nga ky ajet mund të arrijmë në përfundimin: “Allahu të ka konfirmuar kurdoherë me praninë e Vet.”

Ndërsa një ajet më pas, shprehet një tjetër sihariq plot mirësi e bekim me fjalët: “Pa dyshim që për ty, gjithmonë, fundi i çështjes është më i mirë sesa kreu, se gjendja e fundit është më e mirë se gjendja më e hershme.” [175] Kur mendojmë në kuptim të përgjithshëm, mund të themi se, së pari, e personalisht atij të Dërguari Fisnik e të Pashoq dhe së dyti, e në tërësi bashkësisë së Tij u është dhënë sihariqi i së nesërmes në krahasim me të sotmen, i gjendjes aktuale në krahasim me gjendjen e mëpasme, i çeljes së kufizuar në qendër krahasuar me shtrirjen e gjerë të rrethit, dhe në përfundim, krahasuar me këtë botë, sihariqi i Parajsës dhe kulmimi i saj me të Shikuarit e Allahut. Në rendin e mirësive e të bekimeve të veçanta që i janë falur Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik, ky sihariq zë një vend të posaçëm. Sepse sipas rregullit “Kush bëhet shkak për diçka, është si të ishte vetë realizuesi i saj”, [176] duke qenë se vargu i vlerave që gëzon sot njerëzia rrjedh në zemrat e tyre prej duarve dhe kraharorit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), mirësia e veprave të kryera prej tyre, në njëfarë mase, shkruhen edhe në librin e veprave të tij. Ndaj edhe të gjitha këto bëhen shkak për ngritjen e tij të vazhdueshme, duke u shndërruar në nganjë shkallë nën këmbët e Tij, që vazhdimisht e çojnë Atë më lart e më lart. Përfytyroni pak, që duke nisur nga ditët tona, në faqe të dheut ka një miliard e gjysmë myslimanë. Nëse prej këtyre, një miliard, pak a shumë, falin namaz, atëherë një miliard njerëz i dërgojnë përshëndetje e selame Zotërisë sonë, Nderit të Gjithësisë, pesë herë në ditë. Veç kësaj, edhe jashtë namazit, me raste e shkaqe të ndryshme, besimtarët luten çdo ditë për Të dhe i dërgojnë përshëndetje e selame.

Në të vërtetë, të gjithë profetët (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi Zotërinë tonë dhe mbi ta!), duke qenë udhërrëfyes të mirë, gjithmonë kanë përfaqësuar të drejtën dhe u kanë hequr kurdoherë udhë njerëzve me sinqeritet në të Vërtetën. Mirëpo ka pasur profetë të tillë, bashkësia e të cilëve ka mbetur e kufizuar në dy-tri njerëz. Në një hadith që gjendet te Buhariu dhe te Muslimi, urdhërohet e thuhet kështu: “M’u paraqitën umetet e shkuara. Pashë profetë që kishin pranë një grup të vogël prej tre a pesë vetësh. Pashë profetë, pranë të cilëve gjendeshin dy a tri vetë. Dhe pashë, po ashtu, profetë që s’kishin kurrkënd pranë. Ndërkohë, një grumbull i madh njerëzish doli para meje. Mendova se ishte ymeti im, por më thanë: “Ky grumbull janë Musa dhe bashkësia e tij.” Pashë sërish; një grup i madh njerëzish. “Ja, këta të gjithë janë ymeti yt. Mes tyre ka shtatëdhjetëmijë vetë që do të hyjnë në Parajsë pa llogari e pa vuajtje”, më thanë.” [177]

Ky hadith tregon se umeti i të Dërguarit të Allahut (a.s.u) është më i shumtë se bashkësitë e të gjithë profetëve. Ka edhe njerëz që, ndoshta në pamje të jashtme duket sikur janë pjesë e bashkësisë, por që në të vërtetë nuk e kanë ruajtur dot këtë pjesëmarrje. Por gjithsesi, numri i njerëzve që do të trajtohen me cilësimin e umetit dhe që mund t’i quajmë bashkësi e Muhamed Mustafasë (alejhissalatu ues'selam) do të jenë aq të shumtë sa s’do të kenë të krahasuar me asnjë umet tjetër.

E pra, duke nënkuptuar të gjitha këto mirësi që përbëjnë nganjë bekim të madh për Atë prej Zotit të Madhëruar, në fund të sures “Duha”, Allahu (xh.xh.) urdhëron e thotë: përmendi mirësitë e bekimet që të ka zbritur Allahu, i Cili të ka zgjedhur.

Të gjithë përbëhen prej një pike

Natyrshëm, shpirtrave të përkushtuara që ndjekin rrugën e Tij, që rendin e punojnë me dëlirësi e sinqeritet në shërbim të besimit e të Kuranit, që ia kanë blatuar veten kësaj rruge, mund të ndodhë që, në udhë e sipër, Zoti i Madhëruar t’u dhurojë mirësi e bekime të veçanta. Udhëtari i shërbesës, kur t’ua shohë këto mirëdashje e vlerësime të veçanta, duhet të mbushet me ndjesi të mirënjohjes e të përulet në mënyrën më të thellë. Njerëzit që nuk kanë pjesë në këto shërbime, që nuk kanë ndonjë pikësynim e pritshmëri përsa i përket këtij drejtimi, mund t’u japin zë këtyre mirësive, madje mund ta tregojnë me ngazëllim një të vërtetë të tillë porsi një thirrje minareje e ta shpallin atë me zë të lartë. Por në këtë pikë, është një çështje me shumë rëndësi që këto mirësi e bekime të mos përdoren si lëndë fame e krenimi. Sepse njeriu, nganjëherë, duke u dhënë zë mirësive e bekimeve që i janë falur, duke qenë se gjendet vetë i përfshirë në këtë mes, mund të pushtohet prej dëshirës për të shprehur vetveten, me pak fjalë për t’i dhënë zë vetvetes. Në lidhje me këtë çështje ju pata rrëfyer një ngjarje që nuk do kam për ta harruar asnjëherë. Kështu, një person që po mbante një fjalë në përurimin e një institucioni, duke treguar veprimtaritë e bëra, tha diçka, që barte një domethënie të këtillë: “Duke punuar e duke u përpjekur gjer sot, ne, shërbëtori juaj, e bëmë këtë shkollë.” Unë, këtë shprehje të çuditshme, të pazakontë e të gabuar, s’munda ta harroj asnjëherë. Sikur të mund ta harroja! Sepse sa herë e kujtoj atë fjalë, më vjen në mend folësi. Zoti m’i faltë mangësitë!

Ndërkohë që në mendimin e një njeriu besimtar nuk mund të ketë as “unë”, as “ju”, as “ne”. Ne s’jemi veçse një pikë në det, jemi veç nganjë rob e shërbëtor. Ndaj edhe një besimtar, duke folur, nuk duhet të hyjë në asnjë mënyrë në ndonjë ligjëratë që përçon ndjesinë me kuptimin: “Shihni, në këtë punë jemi të përfshirë edhe ne!” Madje edhe përtej të folurit, brenda njeriut, në thellësi të zemrës, nuk duhet të ekzistojë shqetësimi për t’u shprehur e për të treguar për vetveten. Përndryshe, edhe në qoftë fjala e bukur, nganjëherë dëshira dhe prirja e brendshme gjejnë pasqyrim në mimikë. Dhe njohësit e aftë që mund ta lexojnë mirë fytyrën, që mund të nxjerrin kuptim prej fizionomisë, e zbulojnë të fshehtën e thellë. Po, ata që kanë aftësi njohëse, prej mimikës së fytyrës, prej lëvizjeve të gojës, prej irisit të syrit, prej ngritjes së zërit valë-valë, mund ta lexojnë botën e brendshme të njeriut që ka hall të tregojë veten. Edhe engjëjt e kuptojnë këtë gjendje të tijën që pasqyrohet së jashtmi. Po në fund të fundit, Allahu, me dijen e pafundme, pa dyshim që di gjithçka. Prandaj edhe një qëndrim e mendim i tillë përbën një turp së pari përkundrejt Allahut, pastaj përkundrejt engjëjve, pastaj përkundrejt të mëdhenjve që mund të shohin disa të fshehta. Ndërkohë që ne e dimë se sukseset dhe arritjet i mundëson me mirësinë e Tij vetëm Allahu. Edhe engjëjt, si mjet i mirësisë e i bekimit të Tij, na kanë mbështetur e forcuar shumë herë me fuqi shpirtërore. Ata e kanë rrethuar krejt hapësirën qark nesh dhe kanë derdhur mbi ne qetësi e siguri. Besimtarët e përqafuar me krahët e mëshirës hyjnore, me lejen, mirësinë dhe mbrojtjen e Allahut, kanë qëndruar pa u tutur dhe nuk janë tronditur asfare.

E pra, të qenët apo jo i rrezikshëm i falënderimit të mirësive hyjnore ndryshon sipas këtyre tri mendimeve e qëllimeve. Për shembull, një njeri si Mjeshtri Bediuzaman, mund të shprehet qartë dhe hapur kundër dashamirësisë dhe lajkatimeve duke thënë: “Mua nuk më pëlqen vetja. Madje nuk më pëlqejnë as ata që më pëlqejnë mua.” [178] Por ajo çka është e rëndësishme këtu, është që njeriu çdo fjalë që nxjerr nga goja ta kontrollojë sipas kritereve të mirënjohjes dhe t’i kërkojë vetes llogari për gjithçka që thotë. Ty a të pëlqen vërtet apo jo vetja; këtë duhet ta testosh. Për shembull, nëse dikush të prek dhe ti nuk shfaq ndonjë reagim, do të thotë se ke vërtetësi në atë që thua. Ta zëmë se dikush të poshtëron duke të fyer me fjalët: “Ik, ore krimb!” Nëse kundrejt kësaj gjendjeje, ti arrin ta kapërdish egon tënde aq sa të mund të thuash: “Vërtet, më ke gjetur një fjalë që më shumë se çdokujt, më shkon mua për shtat!”, atëherë mund të thuash me plot gojën se nuk të pëlqen vetja. Ose në u ngrittë dikush të të thotë: “Ç’të mirë mund të ketë prej teje?” dhe ti nuk tregon reagim negativ, por ndihesh aq i qetë sa të mund të thuash: “Gjer më sot pse nuk u gjet dikush që të ma thoshte një fjalë kaq të drejtë?”, atëherë mund të mbërrish në përfundimin se nuk të pëlqen vetja.

Veç kësaj, për nevojë të fjalës së thënë më sipër, nuk do t’i pëlqesh as ata që të pëlqejnë. Për shembull, ta zëmë se dikush, për shkak të shërbimeve të mira që ke kryer, të vlerëson me shprehje lëvduese. Përballë një gjendjeje të tillë, nëse nuk përulesh e nuk skuqesh nga ndjesitë e turpit, nëse nuk ndien shqetësim prej atyre fjalëve, atëherë mund të gjykosh se gjendesh në një pohim kundërthënës. Madje nëse në këtë pikë, njeriu nuk e kontrollon dot botën e tij të brendshme, gjendet përballë rrezikut vrasës të një dëshire të fshehtë për t’u dukur e për të rënë në sy. Për shembull, një njeri shprehet në dukje se nuk i pëlqen vetja, ose me sjelljet e veta përpiqet të krijojë mendimin se kinse nuk i pëlqen vetja. Mirëpo këtu është fjala, thellë-thellë, për një mendim të fshehur: nën ambalazhin e përuljes e të thjeshtësisë, të investosh për të rënë në sy. Madje të sigurosh që kjo gjendje, duke u përhapur, të mbërrijë edhe tek të tjerët dhe ata të mund të thonë: “Pa shiko! Këtij njeriu nuk i pëlqyekësh vetja. As ata që e lëvdojnë nuk i pëlqyekëshin!” E pra, njeriu duhet t’i mbajë gjithmonë parasysh këto hile e kurthe të nefsit e të shejtanit; dhe qoftë edhe në qëndrimet, sjelljet e bisedat më të pafajshme duhet të kontrollojë veten me shqetësimin se mund të mposhtet qoftë edhe prej një grime. Dhe nëse në mendimet e në qëllimet e tij të brendshme ndien ndonjë mungesë kthjelltësie, atëherë mirësitë e dhuruara nuk duhet t’i shprehë përmes fjalës, por t’u japë zë përmes gjuhës së shpirtit, duke dhënë prova për to. Kjo është një rrugë më e sigurt dhe më e shëndetshme.

As engjëjt të mos e marrin vesh

Në mënyrë që ky mendim të na rrënjoset në mendje e në zemër, duhet të besojmë me shpirt se të gjitha këto mirësi e bukuri i përkasin Zotit të Madhëruar dhe të mos i krijojmë asnjë mundësi kurrfarë besimi të kundërt më këtë. Në fund të fundit, edhe Kurani, në ligjërimin e Tij të mrekullueshëm, e ka shprehur këtë me një stil shumë të qartë e të drejtpërdrejtë. Ai urdhëron e thotë: “Çdo mirësi që të vjen, është prej Allahut; ndërsa çdo e keqe që të bie mbi krye është prej vetes sate.” [179] Sipas kësaj, nëse ju ngulet një gjemb në këmbë, nëse përballeni me një fiasko në punët tuaja dhe nuk arrini të keni sukses... etj., të gjitha i keni prej vetes tuaj. Ndërsa për sa u përket mirësive, bekimeve, sukseseve e arritjeve që zbresin si shi i begatë mbi ju, të gjitha janë prej Allahut. E pra, kësaj të vërtete i duhet besuar me zemër dhe ky kriter, që ka vendosur Kurani, është i atillë që duhet përqafuar fuqishëm.

Në përfundim, njeriu duhet t’i kërkojë vetes llogari dhe ta qortojë veten ashpërsisht; porsi një enë e shpuar, e cila, vajin që i hidhet brenda, do ta shpërndajë gjer në çastin që ai të zbrazet krejt. Nga ana tjetër, në një kërkesë të thellë llogarie ndaj vetes, pa iu hapur të tjerëve, pra, duke folur me fjalën e shpirtit, do të shpërfaqë në falënderim mirësitë hyjnore duke thënë: “O Zoti im, lavdi e mirënjohje të qoftë Ty për të gjitha bukuritë e mirësitë që ne kemi arritur!” Pa folur gjuha, zëri i zemrës do t’i drejtohet Allahut, i mbushur plot e përplot me ndjenja të brendshme të mirënjohjes e të falënderimit, dhe kështu, do t’u jepet zë mirësive e bekimeve të dhuruara prej Zotit të Gjithëmëshirshëm përmes mendimesh të brendshme. Madje duke shprehur së brendshmi gjithë këtë, duhen bërë përpjekje që të mos lihen hapësira, në mënyrë që as engjëjt të mos e marrin vesh. Njeriu duhet të thotë: “O Zoti im! Nuk dua, që as engjëjt të mësojnë për këtë. Kam dëshirë që ta dish vetëm Ti. Mijëra lëvdata të qofshin Ty, që të Dashurit Tënd i the: “E tani eja e rrëfeje mirësinë e Zotit tënd!” [180] dhe bashkë me të, na dhe një shenjë edhe ne për këtë çështje. Edhe unë, duke iu përshtatur asaj shenje, bëj falënderimin e të mirave që të janë dhënë duke pohuar mirësinë e dhuruar prej Teje. Por këtë nuk dua që ta mësojnë as engjëjt mbrojtës e as ata shkrues. Sido që të jetë, kjo çështje është mes meje dhe Teje. Mua më mjafton që ta dish veç Ti.”


[170] Duha, 93/11.

[171] Shih: Duha, 93/1.

[172] Shih: Duha, 93/2.

[173] Shih: Bediüzzaman, Jetëshkrimi f. 87 (Fillimet).

[174] Duha, 93/3.

[175] Duha, 93/4.

[176] Shih: Muslim, Imaret 133; Tirmidhi, Ilm 14; Ebu Davud, Edeb 115.

[177] Buhari, Tib 17, 41, Rikak 50; Muslim, Iman 374.

[178] Bediuzaman, Letrat, fq. 388 (Letra e njëzetegjashtë, Shkalla e katërt)

[179] Nisa, 4/79.

[180] “E tani eja e rrëfeje mirësinë e Zotit tënd!” (Duha, 93/11)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.