Kredia e admirimit
Pyetje: Në intervista dhe shkrime të ndryshme keni pohuar se admirimi i njerëzve ndaj zotërisë suaj është një gabim në gjykim, që gjithsesi, në këndvështrimin tuaj, përbën një shkak sprove për ju, që ju përpiqeni ta shfrytëzoni si një kredi për të orientuar njerëzit drejt së mirës. A mund të na i shpjegoni kuptimet që i ngarkoni “kredisë së admirimit”, por edhe mënyrën si e përdorni atë?
Përgjigje: Njerëzit e dhënë pas kësaj bote e burgosin vetveten veçanërisht në egoizëm e në egocentrizëm duke ngarendur gjithmonë pas përpjekjes për të fituar admirim e duartrokitje. Në këtë kategori mund të përfshini edhe disa zotërues të arteve e të dijeve dhe një pjesë të politikanëve. Pra, ndjenja dhe mendimi mbizotërues për këta njerëz është pritshmëria e admirimit të të tjerëve. Madje në ditët tona, edhe njerëzit që syrgjynosjen e vetvetes e pranojnë si një disiplinë themelore, në sjjellet dhe qëndrimet e tyre nganjëherë tregojnë se janë të ndikuar prej kësaj mendësie. Ndërkohë që nëse hedhim një sy kah historia jonë, vërejmë se besimtarët e vërtetë që thelloheshin në besim, përpiqeshin gjithmonë që të qëndronin larg këtyre qëndrimeve e sjelljeve. Për shembull, ashtu sikurse çliruesit e Stambollit nuk kishin kurrfarë pritshmërie për duartrokitje prej atij suksesi të madh, edhe ata që u kthyen me fitore nga Beogradi nuk prisnin brohoritje. Javuzi i nderuar (aljehir’rahmetu uel-gufran), kur u kthye në Yskydar pas fushatave të Merxhidabikut e të Ridanijes, për t’iu shmangur brohoritjeve të popullit, qëndroi në Yskydar gjer në mesnatë dhe vetë pasi njerëzia kishin rënë në gjumë, pas mesnate, u nis e shkoi pa u ndier për në Sarajet e Topkapisë. Po kështu, teksa Kanuniu kthehej prej një beteje madhështore, zgjodhi ta kalonte natën duke fjetur në një vend të rëndomtë e me lagështi, ponjësoj Tarik ibni Zijadi, pasi ngadhënjeu në Spanjë, ra të flinte në një korridor të thjeshtë. Të gjitha këto ngjarje të mëdha historike duhen parë me vëmendje e duhen kuptuar po në këtë këndvështrim.
Shqetësimi për admirim e lartësim
Në terma të mistikës, këto qëndrime të shpërfaqura kundrejt egos së vet nga ana e këtyre personaliteteve të mëdha, quhen sundim i egos. Do të thotë që, , në çfarëdolloj pozite që të gjendet një besimtar, çfarëdo suksesi që të arrijë, nisur nga të drejtat e egos së tij, ai duhet ta mbajë atë nën kontroll dhe të dijë si ta nënshtrojë atë. Kësimënyre, egoja kthehet nga urdhëruese në kritikuese, mandej nga kritikuese në frymëzuese, nga frymëzuese në qetësuese dhe së andejmi në këndellëse e në burim kënaqësie, madje sipas aftësive e zotësive të individit, ajo mund ta lartësojë atë në shkallët e pastërtisë e të dëlirësisë duke bërë që t’i lërë pas edhe engjëjt. Por e gjithë kjo kalon më së pari nga rruga e të nënshtruarit të plotë të egos. E pra, një prej rrugëve të zotërimit të nefsit është të shmangurit prej admirimit të njerëzve. Edhe në qoftë se gjendemi pa dashje në një gjendje të tillë të admirimit, ajo duhet pritur me shqetësimin e lartësimit. Për këtë arsye, njeriu që ka marrë një edukatë të mirë shpirtërore, nuk e do dhe nuk e pret kurrë admirimin e njerëzve. Ndërsa kur mbetet ballë për ballë me rrethana që mund të përbëjnë një admirim të tillë, duke i hapur duart dhe zemrën Allahut, madje nganjëherë edhe pa rënë në sy me hapjen e duarve, gjatë një sexhdeje a rukuje apo gjatë tesbihëve, lutet me fjalët: “Të lutem, o Zoti im! Qoftë edhe një çast të vetëm mos më lër ballë për ballë me vetveten! Hiqma e largoma këtë ndjesi të pritshmërisë për admirim!”
Të shtypurit nën peshën e duartrokitjes
Kundrejt mundimeve dhe përpjekjeve të përbashkëta njerëzve që besojnë në drejtim të kënaqësisë së Zotit, kundrejt veprimit të tyre si një trup i vetëm, mund të ndodhë që prej Zotit të Madhëruar vijnë mirësi, ndihmë e admirim. Për shembull, mund të themi, se si pasojë e kësaj ndihme e admirimi, prej njerëzve të Anadollit janë mundësuar shërbime aq të mëdha në të katër anët e botës. I ndjeri Bylent Exhevit (qoftë i Xhenetit!), në lidhje me këto shërbime të kryera, kishte një mendim të tillë: “Shteti Osman, sipas standardeve botërore, ishte një shtet i madh për nga përmasat. Ai ishte në një pozitë që i lejonte t’u imponohej të gjitha shteteve. Por as edhe në atë periudhë nuk ka pasur një hapje kaq të madhe, të këtyre përmasave.” Kështu, përballë një shtrirjeje kaq të madhe, njerëzve mund t’u lindë një admirim i madh kundrejt njerëzve që gjenden pas kësaj hapjeje, kundrejt atyre që janë arkitektët e këtij mendimi, dhe në këtë mënyrë ata mund të nisin e t’i zmadhojnë ata në sytë e tyre. Madje nganjëherë ky admirim mund të shumëfishohet. Pikërisht në këtë rast, nëse një njeri nuk e ka sunduar dot egon e tij, nëse nuk i vendos punët në vendin e vet, nëse nuk arrin ta shohë mirësinë dhe ndihmën e Zotit të Gjithëfuqishëm pas shërbimeve të kryera, si dhe pas dinamikave si bashkërendimi, bashkëveprimi, marrëveshja, arsyetimi, atëherë mund të ndodhë që përballë të tralliset prej vlerësimeve dhe dashamirësisë së treguar prej njerëzve.
Prandaj edhe nga këndvështrimi juaj, “mospranimi i admirimit” duhet të jetë thelbësor për ju. Po, po! Çfarëdo suksesi që të arrihet në këtë rrugë, sikurse çdo mirësi e bukuri, begati e sukses, i duhet atribuuar veç Allahut dhe këtë s’duhet ta heqim asnjëherë nga mendja. Përndryshe, do të thyheni përballë admirimit, duartrokitjeve e brohoritjeve të njerëzve, duke mbetur nën peshën e këso vlerësimeve admiruese e lëvdatave ndjekëse të njëra-tjetrës. Siç mund t’ju kujtohet, kur dikush lëvdoi dikë tjetër për shkak të sukseseve në prani të të Dërguarit të Allahtu (s.a.s.), Krenaria e Njerëzimit (alejhis’salatu ues’selam) urdhëroi e i tha: “Ia theve shpinën vëllait tënd!” [54] Sepse ndoshta bashkëbiseduesi nuk është në gjendje ta mbajë atë ngarkesë. Po ja që s’keni ç’bëni dhe njerëzit nuk i pengoni dot prej këtyre lëvdatave dhe duartrokitjeve. Veç të shihni dhe krejt plaçkën e luftës që është fituar prej ushtrive e gaborreve shkojnë e ia vënë përpara një njeriu të vetëm; ia vënë përpara e thonë fjalë si: “filani çliroi, filani krijoi, filani është yll e dritë e botës, është përmendore e paqes dhe e bashkimit.” Dhe ai i mjerë, edhe pse është në gjendje ta kuptojë se nuk i meriton të gjitha këto lavde, i pranon menjëherë të gjitha ç’thuhen. E pra, për këtë arsye themi se, me sa të kemi në dorë, duhet ta thyejmë admirimin e njerëzisë dhe duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshëm për pozitën tonë prej robi e shërbëtori.
Për shembull ju, në një kohë kur janë shfaqur kërcënueshëm armët më të frikshme e më shkatërrimtare, po mundoheni e po përpiqeni që të hyni në çdo zemër, për të zbutur çdo shpirt, për të pajtuar njerëzit, duke u kthyer në shkak të paqes mes mbarë njerëzimit. Mund të ndodhë që Zoti i Gjithëfuqishëm t’jua mundësojë suksesin në një punë kaq të bukur. Prej kësaj, njerëzit shprehin admirimin e tyre ndaj jush dhe thonë “ai e bëri”, “ai e realizoi”, apo ca më keq, sipas një shprehjeje të gabuar të ditëve tona, “ai e krijoi”. Përballë gjithë këtyre mendimeve, njeriu duhet ta veçojë e ta përjashtojë veten duke mos i pranuar assesi këto lëvdata. Sepse të gjitha këto arritje janë veçse nganjë mirësi e Allahut, e dhuruar prej Tij për shkak të shprehjes së vullnetit tonë në rrethanat e pozitës sonë të ulët e të pafuqishme. Madje edhe vullneti ynë, i shprehur në nisje të punës, mund të na jetë dërguar prej Tij.
Admirimin ktheje në shërbim!
Por pavarësisht të gjitha këtyre, nganjëherë nuk jeni në gjendje ta shmangni admirimin e të tjerëve. Në kushte të tilla, duke pranuar dëmin më të vogël kundrejt një më të madhi dhe duke u kënaqur me të mirën më të vogël në pamundësi për të arritur të mirën më të madhe, duhet gjetur një mënyrë që edhe kjo të përdoret në të mirë të shërbimit. Domethënë, kur të tjerët shprehin admirim ndaj jush, nëse keni mundësi, ju duhet ta shndërroni atë admirim në kuptimin e tij të vërtetë dhe të mund ta meritoni vërtet atë. Për këtë arsye, në paçi në dorë një penel dhe teksa punoni me të nxirrni në pah një tablo mahnitëse, sërish duhet të jeni në gjendje të thoni me lehtësinë më të madhe: “Për Zotin e Madh! Këto i bën Allahu. Unë nuk kam as aftësinë, as përvojën e as horizontin e duhur për të nxjerrë në dritë një punë të tillë të përsosur.” Për shembull, Bediuzaman Said Nursiu, dashamirësve të vet që donin të vinin pranë tij për ta parë e vizituar, u thoshte fjalë të tilla, si: “Po pse të shpenzoni kot së koti aq parà rrugëve për të mbërritur tek unë! Më mirë uluni e rrini në një vend dhe lexoni veprat.” [55] Në këtë mënyrë, ai mundohej t’i largonte sytë e njerëzve prej atij vetë duke u munduar t’u tërheqë vëmendjen atyre në tjetër anë.
E pra, nëse njerëzit janë mbledhur rreth jush plot me admirim, nëse i dëgjojnë këshillat tuaja dhe ju nuk keni asnjë mundësi që ta shmangni këtë admirim të tyre, atëherë kjo dashamirësi e ky vlerësim, që vijnë si rrjedhim i një gjykimi të gabuar – ndërsa gabimet në gjykime, nëse bëhen prej vullnetit të mirë, mund të bëhen shkak edhe për të fituar shpërblime hyjnore – ju mund t’i vlerësoni duke i drejtuar për te punët që janë të nevojshme për t’u kryer. Natyrisht që njeriu që admirohet në rrethana të tilla është shumë e rëndësishme që të ketë një lidhje shumë të fuqishme me Allahun në mënyrë që të mos rrezikojë të thyhet përballë kësaj gjendjeje.
Në të njëjtën mënyrë, besimi dhe mbështetja e fuqishme te një ideal përmes një lidhjeje të thellë me të, përbën një kredi shumë të rëndësishme. E pra, kjo kredi duhet vlerësuar në të mirë të kombit tonë e të mbarë njerëzimit në mënyrën më fitimprurëse të mundshme. Për shembull, admiruesve tuaj mund t’u thoni kështu: “Institucionet e arsimit dhe mjediset kulturore kanë një rëndësi jetike për kombin tonë dhe për mbarë njerëzimin. Për këtë arsye, hapni shkolla në çdo vend, ngrini mjedise të kulturës. Nëse nuk e bëni dot të vetëm këtë, atëherë bashkojini kontributet tuaja, vlerësojini së bashku mundësitë që keni dhe kështu, nxisni punë e shërbime më të mëdha dhe në vendet e ndryshme të botës hidhni themele e ndërtoni platforma për të zbrazur në zemra frymëzimet e shpirtit tuaj!”
Përndryshe, duartrokitjet e njerëzve për ju, fakti se ata ju vlerësojnë e ju ngrenë në qiell, nuk kanë asnjë dobi në llogarinë tuaj për jetën e amshuar. Po, po! Këto për ju nuk përbëjnë kurrfarë përfitimi, por vetëm përmbushin ndjenja të egos suaj. Madje këtë, më tepër sesa një përmbushje, do të ishte mirë ta cilësonim si një stres e shtrëngesë të vazhdueshme që e shtyn njeriun përherë në të tilla pritshmëri. Po! Një pritshmëri e tillë nuk shërben për asgjë tjetër përveçse ta bëjë njeriun edhe më të uritur për admirim dhe duartrokitje. Një njeri që ka mbërritur gjer në majën e administrimit të shtetit, kur sheh një kortezh prej njëqindmijë njerëzish tek shoqërojnë funeralin e një tjetër personaliteti si ai, e pyet veten: “Vallë, kur të vdes unë, a do të ketë kaq shumë njerëz që të më përcjellin?” More, po nëse ti vdes në kuptimin e vërtetë të fjalës, domethënë nëse je në jetë, por vret shpirtin dhe jetën e zemrës, atëherë edhe në ardhshin dhjetëfishi i asaj mase njerëzish në funeralin tënd dhe nëse të gjithë falin xhenazen tënde, ç’dobi do të kesh prej tyre?! Sepse gjithçka, gjer në derë të varrit të shoqëron. Pas asaj pike, ajo që ka vërtet rëndësi është lidhja jote me Allahun. Sa ishe në jetë, e ç’përmasave ishte marrëdhënia jote me Allahun? Me sa dashamirësi hyjnore ushqeheshe? A thoshe, “O Allahu im, të lutem të jesh i kënaqur prej meje!”? A kishe ndonjë lutje si: “O Allahu im! Më çliro mua prej burgut të egos dhe bëj që të mbërrij tek Ti. Më bëj krejt të afërt me Ty! Bëj që të mbërrij miqësinë Tënde!” Nëse nuk je lutur për diçka të tillë, atëherë edhe në të ardhshin në funeral me miliona njerëz, kjo nuk të bën ty kurrfarë dobie!
Për ta përmbledhur, nga njëra anë duhet të punoni për të shmangur admirimet e njerëzve ndaj jush, nga ana tjetër duhet që ato admirime, në një mënyrë apo në një tjetër, të përpiqeni t’i bëni të frytshme. Pra, kundrejt lidhjes së njerëzve pas jush, kundrejt mendimeve të tyre të mira për ju dhe pranimit prej tyre të këshillave tuaja, edhe ju duhet të ecni rrugës së pasurimit e të dhënies vlera për jetën e tyre në botën e përjetshme. Për shembull, nëse unë do të isha inxhinier agrar, atyre që do të më shihnin me besim në dritë të syrit do t’u shpjegoja rrugët e të qenit profesionist në bujqësi. Apo nëse do të isha një kimist i mirë, do t’u shpjegoja rrugët e të përfituarit të dobisë nga anë e drejtime të ndryshme të kimisë. E pra, edhe nga këndvështrimi i profesionit tonë, orientimi i njerëzve te më e mira është një përpjekje e ngjashme. Kredia e admirimit duhet vlerësuar pikërisht në këtë mënyrë. Nëse kjo arrihet të realizohet, edhe ju shpëtoni prej së keqes, edhe ata nuk vuajnë pasojat e gjykimit të gabuar prej qëllimit të mirë, por marrin shpërblim e mirësi prej kësaj.
Por duhet pohuar edhe, se të presësh një sjellje të tilë nga gjithsecili, sidomos në ditët tona, është tejet e vështirë, sepse fama i ngjan asaj mjaltës së helmuar. Siç mund ta mbani mend, Ustadi i Nderuar, duke dashur të shprehet për këtë çështje, thotë: “Fama është pasqyrë e dyfytyrësisë, si një mjaltë i helmatisur që e vret zemrën. Ai e bën njeriun rob e skllav të njerëzve... Në rënsh në atë të ligë e fatkeqësi, thuaj: “Ne i përkasim Allahut dhe kur të vijë koha, pa dyshim që tek Ai do të kthehemi.” [56] dhe shpëto prej të keqes...” [57] Me këto fjalë, ai na tregon edhe për të keqen e famës, edhe për rrugën e çlirimit prej saj. Nga ky këndvështrim, nuk është e drejtë të mëtohet që me një lëvizje, me një frymë, njerëzit të ndryshojnë për mirë në brendinë e tyre, ta shkelin me këmbë, ta vënë në zotërim e ta kapërcejnë ndjesinë e famës. Nëse hyni në një pritshmëri të tillë, do të bini në zhgënjim. Përfundimi i duhur në këtë çështje mund të arrihet vetëm dalëngadalë, hap pas hapi dhe duke i përmirësuar njerëzit me durim.
[54] Buhari, Shehadat 16, Edeb 54, 95; Muslim, Zuhd 65.
[55] Shih: Bediuzaman, Shënimet e Kastamonusë, f. 20; Shënimet e Emirdag-ut-2 f. 169, 173, 194.
[56] “Ne i përkasim Allahut dhe kur të vijë koha, pa dyshim që tek Ai do të kthehemi.” (Bekare, 2/156)
[57] Bediuzaman, Mesnevia e dritës f. 73 (Shtojcë e piklës).
- Publikuar më .