Përkushtimi dhe çlirimi prej çdo pritshmërie

Përkushtimi dhe çlirimi prej çdo pritshmërie

Pyetje: Çfarë ndikimi kanë hyrja në një ideal përmes portës së përkushtimit e të sakrificës, dhe hyrja në atë portë e orientuar prej interesash e pritmërish, në jetën e mëpasshme të individit që ia ka dedikuar veten e tij shërbimit ndaj njerëzve? A mund të na e shpjegoni këtë?

Përgjigje: Pa dyshim, që mendimi i përkushtimit dhe shpirti i vetëflijimit janë dy dinamikat më themelore që e mbajnë në këmbë një ideal dhe që sigurojnë vazhdimësinë dhe mosreshtjen e tij. Për këtë arsye, Kurani Fisnik, thuajse sa herë që flet për të brezat e shkuar ( sabikun-u evvelun”) ndër ensarët e muhaxhirët, tregon si një brez ideal ata njerëz që thoshin kurdoherë “po”, dhuronin dhe jepnin gjithnjë prej ç’u gjendej, në një mënyrë që veprimi i tyre qëndronte përherë në majat më të larta të sakrificës përmes mendimit të përkushtimit. [1] Për shembull, në Kuranin Fisnik, në një rast, përmendet se ata, megjithëse nuk kishin mundësi të dhuronin, u mbusheshin sytë me lot prej hidhërimit, dhe ndër vete thoshin: “Ah, sikur të kishim e të dhuronim edhe ne!” [2] Edhe fjalët e ensarëve të nderuar në Besëlidhjen e Akabesë përbëjnë një shembull të mrekullueshëm për këtë. Siç e dini, në këtë besëlidhje, ata i dhanë fjalën Zotërisë sonë, të Dërguarit të Allahut (sal‘lallahu alejhi ve sel‘lem), se do ta mbronin Atë me çdo kusht, madje edhe me jetën e tyre nëse do të ishte nevoja, dhe se për çështjen e Tij, ishin të gatshëm të jepnin edhe shpirtin. [3] E pra ata, teksa jepnin një besë të tillë, as që u shkonte ndër mend pyetja: “Ç’përfitime e ç’fryte do të përfitojmë në përfundim të kësaj pune?” Ndodhi që atë ditë, atyre iu dha sihariqi i vlerësimit të veprave të tyre me Parajsën. Por mund të thuhet se fillimisht njohuritë e tyre të përmbledhura për Xhenetin nuk ishin në gjerësinë e informacioneve që na sigurohen neve sot prej shpjegimeve të Kuranit e të Sunnetit, apo prej njohurive të paraqitura prej të parëve tanë të mirë “selef-i salihinë”. Mirëpo pavarësisht gjithë këtyre, në një koncept besnikërie të plotë e vetëflijimi bujar, u shprehën se kjo besëlidhje ishte një marrëdhënie shumë e bukur dhe e pranuan atë pa kurrfarë pritshmërie, duke synuar kësodore vetëm kënaqësinë e Zotit të Madhëruar.

Atëherë, Një njeri që është dashuruar pas një ideali të lartë, që mundohet që ta rindërtojë botën e vet të mendimit medoemos sipas këtij ideali dhe kështu, përpiqet pa ndërprerje t’i jetësojë krejt njerëzimit, e më së pari kombit të vet, një ringjallje, jo vetëm që nuk bëhet/nuk duhet të bëhet pjesë e kurrfarë pritshmërie tokësore, por shumëherë ndoshta nuk duhet të bjerë as në shqetësime për pritshmëri shpirtërore prej mirësive të Zotit të Madhëruar, si hyrja në Xhenet dhe të shpëtuarit prej Xhehenemit. Në fund të fundit, siç është shprehur qartë edhe në hadithe të shëndoshë, është e pamundur që njeriu të fitojë të drejtën e hyrjes në Xhenet përmes adhurimeve që kryen. Ai mund të hyjë atje vetëm përmes mirësisë dhe mëshirës së Zotit të Madhëruar. [4]

E pra, edhe për nga drejtimi i vështrimit kah bota e ahiretit, një njeri që zotëron një koncept përkushtimi në një përmasë kaq të gjerë, kam përshtypjen se nuk do të ketë as ndonjë pritshmëri rreth çështjes nëse do të shpërblehet apo jo për shërbimet që ka bërë dhe nuk do ta vrasë mendjen për hollësi që nuk i përkasin, si “suksesi” apo “arritjet”. Po, po! Një shpirt i përkushtuar nuk do të interesohet për atë çka premton investimi që ka bërë, nuk do të rrijë të mendojë nëse farëzat që ka shpërndarë nëpër tokë do të nxjerrin apo jo filiza gjatë kohës së tij. Ai do të shohë vetëm punën e vet, do të ketë të bëjë vetëm atë që i përket dhe do të veprojë me vetëdijen se krijimi i përfundimit i përket vetëm Allahut (xh.xh.). Bediuzamani, në lidhje me këtë citon një vërejtje të goditur të Xhelaledin Harzemshahut. Teksa po nisej për udhëtim, këtij personaliteti i parathanë se ç’do të përfitonte prej rrugëtimit, por ai u shpreh se një sendërtimi i përfundimit dhe dhënia e përfitimeve është punë e Allahut, kurse ai ai do të kryente detyrën që i takonte, e kurrsesi nuk mund të përzihej në punët që i përkisnin Zotit. [5]

Lëvdata i nënshtrohet dijes

Nga ky këndvështrim, një individ që i ka hyrë që në fillim një pune me mendimin e përkushtimit, me kalimin e kohës, nuk do të hyjë në ndonjë lloj pritshmërie të lidhur me të përfituarit prej punës në fjalë. Për shembull, pritshmëritë si vëmendja mbi të, përfitimi i lëvdatave, i duartrokitjeve, i përgëzimeve të njerëzve kundrejt shërbimeve të kryera, nuk do të jenë as bujtës në botën e ëndrrave të tij. Mes popullit ekziston një fjalë e përhapur që thotë: “Lëvdata i nënshtrohet dijes.” Ndoshta në rastin e shumë njerëzve mund të bëhet fjalë për një disiplinë të tillë. Domethënë, nëse njerëzia u paraqet atyre lëvdata, disa njerëz shprehin dijenitë e veta, shpërfaqin aftësitë e veta. Për shembull, dikush që bën një pikturë, nëse vëren se ajo përbën interes për njerëzit, nis punime të tjera të ngjashme. Lëvdatat me të cilat përballet ia përndezin vullnetin dhe përpjekjet. E pra, këso lëvdatash, në një kuptim të përgjithshëm mund të shihen si një element nxitës, madje si një nevojë për njerëzit. Mirëpo për një shpirt të përkushtuar, lëvdata i nënshtrohet dijes. Nëse ju bëni atë çka duhet bërë, paraqisni atë çka nevojitet të paraqisni, në përfundim të kësaj, bota po të dojë të thurë lëvdata, po të dojë të mos thurë; ju nuk e vijoni punën lidhur veç pas syve të botës. Madje shumë herë, duke u përballur me lëvdatat e të tjerëve, ndaleni të hetoni egon tuaj dhe thoni: “Nuk jam i denjë për këtë unë ingrati, / gjithë këto hire e mirësi ndaj meje përse?” Sepse duke qenë se e shihni veten si një njeri prej njerëzve, juve ju duket sikur të tilla lëvdata nuk ju shkojnë e nuk ju përshtaten kurrkund.

Ndaj edhe të nisësh punën fillimisht pa kurrfarë pritmërie, t’ia nisësh një çështjeje duke dhënë nga vetja, të veprosh me ndjenjën e përkushtimit, përbën një burim të tillë fuqie domethënëse, saqë njeriu që i zotëron këto, me lejen dhe ndihmën e Allahut, nuk e kaplon asnjëherë mungesa e shpresës, qëndron kurdoherë i papërkulur kundrejt ngjarjeve dhe i kapërcen ato me një besim të palëkundur e gjithë shpresë. Kjo, në të njëjtën kohë, është rruga e përvuajturisë dhe e varfërisë. Domethënë, njeriu së pari do të kuptojë përvuajturinë dhe varfërinë e vet, më pas do të veprojë me mendimin e përkushtimit dhe nuk do të pushtohet prej një mendësie si “nuk u shpërbleva për sa bëra, nuk u lëvdova e nuk tërhoqa vëmendjen, çka do të thotë se nuk pata sukses.”; nuk do të pushtohet prej këso mendimesh, ndaj edhe nuk do të ankohet, nuk do të hyjë në asfarë ankthi, nuk do të përjetojë panik dhe për më tepër, nuk do të fajësojë fatin. Ai do të veprojë gjithmonë i lidhur pas mendimit:

“Në ardhtë prej Lartisë Sate zemërim

A prej hijeshisë Sate shpërblim,

Që të dyja janë t’erëndshme,

Hir e hidhërim i ke të këndshme.”

Ta pohojmë edhe këtë, që kur një njeri i lutet Zotit të Madhëruar me fjalët: “O Zoti ynë, na dhuro neve në këtë botë e në tjetrën mirësi e na ruaj nga ndëshkimi i Xhehenemit!”, [6] është tjetër çështje që ai të kërkojë mirësi për jetën e kësaj bote, sikurse është krejt tjetër çështje që të kërkojë në këtë botë shpërblimin e veprave të mira e të hijshme që kryen duke ushqyer pritshmëri për to. Për më tepër, nëse njeriu i lidh veprat e mira me përfitimin, shpërblimin dhe arritjen e suksesit a fitores absolute, por vullneti hyjnor i Zotit të Gjithëfuqishëm nuk shkon në atë drejtim, atëherë ai humbet shpresën dhe bëhet pre e zhgënjimeve të njëpasnjëshme. Veç kësaj, nëse ju veproni në këtë mënyrë mbi baza të një pritshmërie, njerëzit që ju pasojnë mund të bien në dasi e përçarje duke bërë që të lindin krisje në vlerësimin dhe mendimin e mirë që ata kanë për ju. Kjo gjendje, porsi një rreth vicioz, jua rrëmben fuqinë shpirtërore dhe kur nuk jeni të suksesshëm shfaqen ndjenjat e fajit, lëndimi, madje dhe nervozizmi.

Kështu që njeriu, duke ia lënë shpërblimin e veprave parajsore hirit dhe mirësisë së pafundme të Zotit të Vërtetë, nuk duhet t’i burgosë ato në përmasat e përkohshmërisë, krejt kalimtare e të ngushta të kësaj jete. Për shembull, nëse e përfytyroni çlirimin e Stambollit brenda ngushtësisë së kësaj bote, atëherë bëhet fjalë vetëm për të qenë çlirimtar i Stambollit. Vetëm nëse pritshmëritë e shpërblimit për një çlirim të tillë lidhen me vlerësimin prej Zotit të Madhëruar, atëherë përfitimi që lind prej çlirimit e ngadhënjimit në jetën e përjetshme, plaçka e luftës dhe afria e botës së engjëjve më të lartë i dhurohen njeriut jo më brenda ngushtësisë së kësaj bote, por në gjerësinë e paanë të përjetësisë. Kështu që ndërsa kemi mundësi që të themi këtu një “Subhanallah” dhe të vihemi në anën tjetër në zotërim të një kopshti parajsor, përse të mos e lidhim çështjen e suksesit në këtë jetë vetëm me përmasat e një shqiptimi të fjalës “Subhanallah” !

Nuk e dinë se ku gjen shpërblim sakrifica

Shembujt janë të atillë që mund t’i shtojmë edhe më. Për shembull, nëse ju shpenzoni një energji a përpjekje shumë serioze në mënyrë që fryma muhamedane (sal‘lallahu alejhi ve sel‘lem) të shtrijë krahët në të katër anët e botës, por nuk ia dilni dot në krye, ju nuk përjetoni ndonjëfarë pikëllimi, pasi nuk e keni lidhur veprimin dhe aktivitetin tuaj pas rezultatit të arritur. “S’kemi ç’bëjmë, kështu na ndodhi tani”, -thoni, dhe porsi Ademi (a.s.), me mendimin: “O Zoti ynë, ne bëmë padrejtësi ndaj vetvetes. Në mos na falsh e në mos tregofsh mëshirë për ne, pa dyshim që ne do të jemi prej humbësve.” [7] , kërkoni llogari prej vetes, e rishikoni gjendjen ekzistuese, më pas sërish ngriheni, sërish rimëkëmbeni dhe i viheni edhe një herë punës për të bërë gjithë ç’është për të bërë. Nga ky këndvështrim, gjendja e mospritmërisë dhe mendësia e sakrificës përbëjnë dinamika mjaft të rëndësishme e jetike, në mënyrë që ta kryejmë punën me pastërti e sinqeritet deri në frymën e fundit. Njerëzit që i janë kushtuar kësaj bote, duke qenë se nuk i njohin këto dinamika, e lidhin çështjen vetëm me lëndën, me paranë dhe përpiqen që vetëm përmes këtyre të mund ta kuptojnë përfundimin e arritur. Ndërsa sakrifica dhe mospritshmëria janë vlera të tilla që nuk është e mundur t’u gjendet barasvlera brenda përmasave materiale. Një pjesë e njerëzve të lidhur pas botës, që nuk e kapërdijnë e nuk e durojnë dot Lëvizjen e Vullnetarëve, e interpretojnë çështjen me mendësinë: “Pas kësaj pune duhet të fshihet kaq e aq kapital, sepse përndryshe nuk ka mundësi që e gjithë kjo të ecë në mënyrë kaq të përkryer!” Sepse ata nuk e kanë idenë e të dhënit pa marrë asgjë. Ata nuk e kuptojnë se gjithçka e harxhuar për hir të kënaqësisë hyjnore paraqitet si një investim, dhe kështu, Zoti i Madhëruar e kthen të paktën në të shumtë, asisoj që njëshin e bën njëmijë. Po, po! Këto dinamika barazohen me një vlerë parajsash; dhe sipas kësaj, Zoti i Madhëruar, zotërues i fuqisë e i mëshirës së pafundme, dhuron vazhdimisht fryte dhe suksese.

Një tjetër anë e çështjes është edhe kjo: ndër shokët që gjenden brenda këtij rrethi, unë mund të them se nuk njoh as një në njëmijë. Madje tani mund të them se nuk njoh as një në një milion. Deri edhe ata që në të shkuarën i kam njohur, pasi nuk më është dhënë mundësia që t’i takoj rishtazi, me kalimin e kohës ndodh që të mos i mbaj mend mirë. Prandaj, t’ia ngarkosh një individi a një grupi të vetëm shërbimet e kryera prej njerëzish që këta as që i njohin, përbën mungesë respekti e padrejtësi edhe ndaj Allahut, poende ndaj mundimeve e përpjekjeve të atyre njerëzve. Po, po! Sipas botëvështrimit tim besimor, t’ua ngarkosh të gjitha veprat një individi, një gjenialiteti, një urtësie, një mençurie apo një zgjuarsie të vetme, është njëfarë idhujtarie. Në daçin, edhe me dëshirë e mendim të mirë le të thonë të tjerët: “Përpjekja e akëcilit për këtë çështje është e plotë, nëpërmjet tij u arritën këto rezultate.” Duke thënë këtë, ata bëjnë një gabim në gjykimin e tyre individual. Zoti i Ligjësisë Hyjnore premton se do t’i falë gabimet e bëra në gjykimin individual. Ndërsa ajo që na mbetet neve është që të veprojmë gjithmonë me vetëdijen e përuljes dhe, kurrsesi të mos u dalim për zot të tilla lëvdatave dhe mbivlerësimeve.

Veç kësaj, siç shihet qartë, çështja është hiperbolizuar aq shumë, ka hedhur rrënjë aq thellë dhe ka marrë një pamje aq të gjithësishme, saqë është e pamundur t’i ngarkohet një apo disa individëve apo një grupi të caktuar të vetëm. Ka mundësi që, pas një moshe të caktuar, që përmes ëndrrave e përfytyrimeve të mia të mos vij në mendimin se “edhe unë diç bëra” e të mos bie kësisoj në idhujtari, i Madhi Zot pati mëshirë për mua dhe në fund të jetës më shpërnguli këtu. Tani ka plot djelmosha që e çojnë përpara atë punë me tërë pastërtinë e nevojshme. Zoti ynë i nderoftë ata me dëlirësi e qëndrueshmëri të plotë!

Por më duhet të pohoj edhe se Zoti i Madhëruar urdhëroi e më mundësoi që për një kohë të caktuar të gjendem në vendin tim së bashku me plot shpirtra të përkushtuara. Me këtë rast, qeshë dëshmitar i plot e plot sakrificave shembullore në krahina të ndryshme të vendit. Për shembull, në anën e sipërme të Bozjakasë iu drejtuam bujarisë së njerëzve fisnikë të Anadollit. Të gjithë dhanë diçka. Më pas, shkova dhe u ula në dhomën time. Një ushtarak i dalë në pension, duke tundur çelësat nëpër duar, më erdhi pranë e më tha kështu: “Këtu gjithsecili dha diçka, por unë nuk dhashë dot. Me të ardhurat e pensionit kam blerë një shtëpi, kështu që kam vendosur ta dhuroj edhe atë. Ju kam sjellë çelësat e shtëpisë.” Natyrisht që në një situatë të tillë, detyra juaj është që të thoni: “Vëlla i dashur, secili ka përgjegjësinë për të dhuruar sipas mundësive që i janë dhënë. Ti mund të japësh gjithë ç’del prej nevojave të domosdoshme. Nuk ke pse të japësh gjithë shtëpinë. Allahu nuk e do atë prej teje.” Kështu, atij ia ktheni sërish çelësat dhe i thoni: “Shko e rri në shtëpinë tënde. Zoti bën mëshirë për ty, të çel dyer të reja e pastaj edhe vjen dita që edhe ti të mund të vish e të japësh diçka.” Sepse edhe Profeti ynë (alejhis’salatu ues’selam), sahabëve si Kab ibni Maliku [8] apo Sad ibni Ebi Uakasi [9] (radijallahu anhuma), të cilët donin që ta dhuronin krejt pasurinë e tyre, i ka urdhëruar për ta ndryshuar masën.

Tetëdhjetëvjeçarët që kërkojnë hixhretin

Përgjatë gjithë jetës jam njohur edhe me sa e sa njerëz të tjerë të sakrificës. Për shembull, shokë të moshuar që ndoshta kanë hyrë në të tetëdhjetat kanë ardhur kush e di sa herë këtu e më kanë thënë: “Të lutem, a nuk ka mundësi që, ashtu sikurse u keni bërë shenjë këtyre të rinjve kah hixhreti, të na orientoni edhe ne tregtarët drejt Hixhretit, që edhe ne të fisnikërohemi prej mërgimit në vende të tjera? Kështu, siç jemi lartësuar me nderin e të dhuruarit, i Madhi Zot të na nderonte edhe e hixhretin.” Ja pra, këto janë dinamika të tilla që nuk mund t’i vlerësojmë dot brenda përmasave lëndore dhe që janë kthyer pothuajse në një ftesë për hijeshinë dhe mirësinë e Zotit të Madhëruar. Ndoshta brenda sistemeve të ndryshme ekonomike mund të mos kuptohet se si këto dinamika kthehen në nga një vlerë. Por nuk ka dyshim se këto janë më të vlefshme se kapitali dhe se puna. Prandaj gjithkush le të thotë ç’të dojë, por përfundimi që arrihet është se ndërtimi i një mendësie të përbashkët mbi një bazë të përbashkët të përkushtimit dhe të sakrificës së njerëzve që janë bashkuar rreth së njëjtës arsye, të njëjtit mendim e të njëjtit besim është hiri e mirësia që buron prej të Madhit Zot.

Për ta mbyllur, po them edhe se për njerëzit që tregohen aktivë, që i vihen punës që në kohë të mira e të qeta dhe që e çojnë në vend një detyrë që marrin përsipër, duhet ndier respekt. Ajo që na mbetet neve është që për ta të lutemi duke thënë: “I Madhi Zot ua shtoftë dëshirën e pasionin dhe i lartësoftë përmes vijimësisë!” Po, po! Si atë që nuk ka e përpiqet gjithsesi të dhurojë, si atë që jeton në pasuri e gëzon plot të mira dhe duke dhuruar sakrifikon në një nivel të caktuar, është detyra jonë që t’i kujtojmë gjithmonë për të mirë e t’i përmendim të gjithë në lutjet tona. Ne e duartrokasim sakrificën e çdo individi që punon në të mirë të kombit tonë e të mbarë njerëzimit, ndaj edhe lëvdojmë Zotin e Madhëruar, e falënderojmë Atë dhe kështu, besojmë se në përfundim të këtyre falënderimeve e mirënjohjeve të mirat e Tij do të vijojnë të zbresin pa mbarim mbi ne.


[1] Shih: Enfal, 8/72-75; Teube, 9/19-20, 100; Hashr, 59/8-10.

[2] Tevbe, 9/92.

[3] Shih: Ebu Nuajm, Delailu’n-nubuvve, f. 302-303.

[4] Shih: Buhari, Rikak 18, Merda 19; Muslim, Sifatu’l-munafikin 71-78.

[5] Bediuzaman, Shkrepëtimat, f. 163 (Shkrepëtima e shtatëmbëdhjetë, Shënimi i trembëdhjetë, Çështja e parë).

[6] Bekare, 2/201.

[7] Araf, 7/23.

[8] Buhari, Vesaja 16, Megazi 79, Ejman 24; Muslim, Teube 53.

[9] Shih: Buhari, Xhenaiz 37; Muslim, Vasijjet 5.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.