Namazi dhe nijeti
Pyetje: Si duhet të bëjmë nijet kur nisim namazin? Cilat janë mendimet e dijetarëve të Islamit për këtë çështje? A mund të na e shpjegoni?
Përgjigje: Siç shprehet në hadithin e Xhibrilit, namazi është një ndër pesë bazat themelore të Islamit. [281] Po, ai është shtyllë e fesë, [282] është thelbi dhe baza e adhurimeve, [283] është mjeti më i rëndësishëm, i mbështetur në miraxhin, [284] që e afron njeriun tek Allahu. [285] Një ibadet kaq i rëndësishëm për besimtarin, pa dyshim që nuk është dhe nuk duhet të jetë një punë që do t’i gjendet një vend shkel e shko mes angazhimesh të tjera të kësaj bote. Jo vetëm që namazi nuk duhet lënë pas dore apo nuk duhet falur me ngut për shkak të një pune, por nëse është nevoja, gjithçka duhet sakrifikuar për të.
Një kënaqësi e pafund
Përmbajtja e namazit, në marrëdhënien e njeriut me Zotin e vet, ndihet në shkallë e cilësi të ndryshme, sipas horizontit të zemrës e të shpirtit. Namazi, i falur me një zemër të fisme dhe në dashuri e këndellje, ka cilësi e shkallë të ndryshme të të përjetuarit që nga ndjesia se gjendesh në prani të Allahut, tek të shikuarit e vetvetes duke qëndruar në saf mes engjëjve, të përfytyruarit e vetvetes si një individ që është rreshtuar pas Zotërisë së Zotërinjve (alejhis'salatu ues'selam), deri tek të ngriturit në një lëvizje të drejtpërdrejtë gjer në botët sublime dhe në vënien e kokës në mbulesën e Arshit. Që njeriu të gëzojë një arritje të tillë, kushti i parë është që namazi të kuptohet njëlloj si një miraxh apo si hija e miraxhit. Në të vërtetë, çdo namaz është për besimtarin një mundësi miraxhi. Ndaj edhe në këtë pikë, besimtarit i mbetet si detyrë që në çdo namaz, qoftë edhe në dimensione nga më të ndryshmet, të plotësojë miraxhin e vet. Për këtë arsye, në namaz, çdo tel i shpirtit duhet të tingëllojë porsi një tel basi, ashtu që sexhdja të kthehet në një kënaqësi me të cilën nuk nginjesh asnjëherë; duatë në një ushqim që nuk i mërzitet kurrë njeriut; rukuja në një ton të veçantë; kirati në një harmoni të renditjes njëra pas tjetrës të fjalëve të gjalla. Ajeti që thotë: “Ai që kur ngrihesh (në namaz nate), të sheh ty; e po ashtu edhe kur drithërohesh mes atyre që përulen në sexhde.” [286] , krahas përshkrimit të namazit të Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik (alejhis'salatu ues'selam), na mëson edhe neve se si duhet ta falim namazin. Në një kohë, mësova prej dikujt diçka në lidhje me zbrazëtinë e zemrës. Pas kësaj, me frikën se mos të gjitha namazet që kisha falur gjer në atë ditë mund të m’i përplasnin në fytyrë në ahiret, i fala sërish kaza. Sepse në një hadith, Zotëria ynë, Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi Të ) është shprehur se namazi, në jetën e varrit, do të trupëzohet dhe nëse njeriu i ka falur namazet me mangësi, këto namaze të mangëta e të paralizuara do t’i shfaqen si një shoqërues dhe njeriu do ta kalojë jetën e berzahut bashkë me këtë mik të paralizuar. Për këtë arsye, falja e kazasë së namazeve të mangëta e të paplota, në një kuptim, nuk përbën ndonjë meritë. Në daçi, atyre mund t’u thoni “imponuar prej mangësisë”. Pra, kjo do të thotë që të lidhësh me fashë një të thyer a të krisur.
Nuk ka dy pikësynime me një qëllim
Siç e shpreha pak më parë, nijeti i gjithsecilit është i ndryshëm, sipas masës së marrëdhënies me Zotin e Madhëruar. Në bazë të nijetit, sipas ixhmasë së fakihëve, është qëllimi apo kasti i zemrës. Pra, nijeti nuk përbëhet vetëm prej shprehjes: نَوَيْتُ... نَوَيْتُ... نَوَيْتُ... [287] . Është e vërtetë se fukahaja ka shprehur pikëpamje të ndryshme në lidhje me këtë temë. Disa e kanë vlerësuar si më të pëlqyeshme nijetin e shprehur me fjalë, ndërsa disa të tjerë kanë pohuar se është më mirë që nijeti të mos thuhet. Sipas këtyre të fundit, të shprehurit përmes gjuhës pengon përqendrimin e zemrës. Edhe i Përnderuari Imam Rabani, që është fakih i medhhebit hanefi dhe pranohet si muxhedid i mijëvjeçarit të dytë, e sheh si problematik të shprehurit e nijetit me fjalë dhe unë besoj se gjykimi i tij mbi këtë çështje na sjell një mendim me rëndësi. [288] Por për mendimin tim, nëse disa besimtarë e shprehin nijetin e tyre me fjalë, mjafton të thuhet se “një pjesë e fukahasë e bëjnë nijetin të mbështetur në fjalën” dhe nuk duhet ndalur mbi këtë çështje në një mënyrë që u hap rrugë debateve.
Për ne, si fillestarë e jospecialistë, me konceptin për besimin dhe për Islamin të trashëguar prej prindërve përmes imitimit, shkalla e parë e nijetit në nivele të ndryshme është qëllimi apo kasti i zemrës. Pra, që njeriu ta ketë në mendje e në zemër se do të falë namazin. Ndërsa sipas zotëruesve të dijes e të përkushtimit të lartë, nijeti është të kyçurit e njeriut në punën që do të kryejë, të qëndruarit e tij i lidhur vetëm pas atij mendimi dhe përqendrimi në të me të gjitha ndjenjat dhe mendimet. Mbështetur në këtë, për sa i përket nijetit të njerëzve, që mund ta cilësojmë si privatësi të privatësive, mund të pohojmë se nijeti i tyre duhet të ruajë vazhdimësinë edhe brenda namazit dhe kjo do të thotë që zemra të jetë e zbrazur prej gjithçkaje tjetër veç Atij. Sepse në qoftë Ai pikësynimi, në një qëllim nuk mund të ketë dy pikësynime. Pra, nëse njeriu ka pasur për qëllim Atë dhe vetëm Atë, sado pikësynime të tjera relative e reale që të ketë veç Tij, të gjitha duhet t’i nxjerrë nga mendja e t’i hedhë tutje. Nëse në këto e sipër i vjen në mend një tjetër mendim, njerëzit e atyre niveleve kthehen e marrin sërish tekbir dhe e shtrëngojnë veten gjersa në çastin që e çlirojnë zemrën prej gjithçkaje tjetër. Te Bediuzzamani i Nderuar dhe te nxënësit që e pasonin atë në rresht të parë vërehet një përpjekje e tillë. Por nuk duhet harruar se kjo përpjekje duhet të prekë vetëm formën dhe anën e jashtme. Nëse në një sjellje të tillë hyhet me imitim, në formë e në dukje të jashtme, kjo nuk do t’i sjellë kurrgjë individit përkatës.
Brenda shkallëve të nijetit, në shkallët e të qenit profan përballë Allahut dhe të fituarit të përjetësisë në Allahun, ekziston edhe gjendja e harrimit të vetvetes. Po, po. Nijetet e njerëzve që, duke e kaluar qarkun e emrave (esma) dhe të atributeve (sifat), janë shkrirë përballë fytyrës së Tij hyjnore, ndoshta në një horizont të tillë shkojnë deri në formën që njeriu s’e sheh, s’e dëgjon, s’e ndien më vetveten. Sipas atyre që gëzojnë arritjen e një horizonti të tillë, nëse e ndien vetveten, atëherë do të thotë se ende po merresh me shqetësime e pengesa tokësore. Edhe nëse unë bëj shumë kujdes që të mos them “shirk”, ata, sipas nivelit të tyre, këtë e shohin edhe me shqetësimin e të rënit në shirk. Shkurt, gjerësia e nijetit është gradë-gradë e shkallë-shkallë. Gjithsecili, sipas masës në të cilën e njeh Allahun dhe në masën në të cilën e zotëron horizontin e dijes për Allahun, kur nis namazin, edhe marrëdhënien me zemrën duhet ta sigurojë e ta ndërtojë sipas kësaj, edhe namazin duhet ta falë sipas kësaj.
Nijeti është shpirti i veprës
Bediuzamani i nderuar, në epilogun e Letrës së Njëzetë, nën dritën e ajetit: “A pëlqen ndonjëri prej jush të kafshojë kufomën e vëllait të vet të vdekur? E pra, kjo ju neveriti në çast!” [289] , teksa shpjegon fjalë pas fjale se sa vepër e shëmtuar është përgojimi, përmend se “hemzja” në krye të ajetit që përçon kuptim pyetës, shpërhapet si ujë në të gjitha fjalët e ajetit. Apo ndoshta edhe si një dritë e frymë. Edhe nijeti është pikërisht kështu. Besimtari, me nijetin e tij, shpërhap e duhet të shpërhapë dashurinë ndaj Zotit të Madhëruar në çdo rukën të namazit, duke pohuar: “Vetëm Ai është i Synuari i vërtetë, i Dashuruari i Vërtetë, i Adhuruari i Vërtetë!...” Në çdo recitim të namazit, ai duhet t’i qëndrojë besnik këtij nijeti. Veçanërisht në namazet nafile që falen individualisht, qoftë edhe në përmasa të vetështrëngimit, duhet të tregojë kujdes në këtë çështje. Ndërsa në namazet me xhemat nuk është e drejtë që të hyhet në një sjellje të tillë, sepse kjo do të nënkuptonte vështirësim në fe dhe imponim të një barre që s’mbartet dot. Por në namazet nafile që i falim vetëm për vetëm, nuk duhet të ketë ndonjë problem nëse i qëndrojmë përpjekjes dhe kërkimit për nijetin me sa të kemi në dorë, për ta kryer këtë punë nga fillimi gjer në fund duke e lidhur atë me mendimin e pranisë hyjnore. Namazi është miraxhi i besimtarit. [290] Zoti i Madhëruar, në ajetin ku tregon për miraxhin, urdhëron e thotë: إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ “Nuk ka kurrfarë dyshimi se Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” [291] Këtu, përemri هُ (hu) mbart në referimin e tij dy interpretime. Në njërin interpretim, përemri i referohet Zotit të Madhëruar. Por në një tjetër interpretim, cilësorët Dëgjues i gjithçkaje dhe Shikues i gjithçkaje shprehin gjendjen e Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik. Tani, nëse me dy emra prej emrave të bukur, si “Semi’” dhe “Basir”, është cilësuar Kreu i Qenieve të Krijuara (alejhis'salatu ues'selam), do të thotë se këtu tërhiqet vëmendja te një e vërtetë e rëndësishme. Do të thotë se Zotëria ynë (s.a.s.), gjatë Miraxhit, gjithçka që i është paraqitur syrit dhe veshit të tij, përmes aftësisë për të perceptuar e ndier, e ka përthithur më së miri. Nuk ka humbur as sekondën, as të dhjetën e as të qindtën e Miraxhit. Që prej fillimit e gjer në fund, gjithçka ka kaluar thuajse nëpër kullesën apo filtrin e ndërgjegjes së Tij.
Sulejman Çelebija thotë: “Miraxhin e umetit e fala namaz.” Ndërsa Imami Allvarit shprehet: “Anijen e fesë e bën të ecë namazi, namazi në krejt ibadetin është i pari.” Duke qenë se namazi është miraxhi i besimtarit, në namaz besimtari duhet të ketë në zotërim veshin dhe syrin e vet. Ai vesh e sy duhet të dëgjojë vetëm ç’duhet dëgjuar, të shohë vetëm ç’duhet shikuar. Said Nursiu e shpjegon këtë në “Fjalën e Shtatëmbëdhjetë” me këtë shprehje të Mevlana Xhamit: “Vetëm Njërin të duash, vetëm Njërin të thërrasësh, vetëm Njërin të kërkosh, vetëm Njërin të shohësh, vetëm Njërin të dish, vetëm Njërin të thuash.” [292] Sipas kësaj, besimtari duhet të shohë Njëshin, të njohë Njëshin, të dëgjojë Njëshin, të kërkojë Njëshin, të thërrasë Njëshin, të ndiejë Njëshin, të qëndrojë i mbyllur kundrejt gjithçkaje tjetër veç Njëshit dhe të përpiqet ta arrijë këtë në të gjitha etapat e namazit. E pasi ta arrijë, duhet të thotë: “Kjo nuk duhej arritur kështu. Duhet ta arrija duke arritur vetveten, duke mos e ndier fare veten. Duhej ta harroja nëse ekzistoj apo jo.” Dhe në këtë masë, duhet thuajse të dalë prej vetes.
Ushtrim, sforcim dhe përfitim
Po e përsëris edhe një herë se të gjitha këto janë një çështje niveli. Dhe pa ushtrim, nuk është e mundur që të arrihen nivele të tilla. Pra, po s’pati sforcim në fillim, nuk ka përfitim më pas. Nga ky këndvështrim, një njeri që ua ka ngulur syrin niveleve të tilla, duhet ta shtrëngojë veten me një përpjekje të jashtëzakonshme. I Përnderuari Xhunejd el Bagdadi përdor diku një shprehje që ka pak a shumë kuptimin: “Unë e shtrëngova veten gjashtëdhjetë vite. Pas gjashtëdhjetë vitesh Allahu e dha bekimin, ahere fillova të fal namaz.” Kështu, ata si puna jonë, që nuk e arrijnë në jetë shijen e namazit të vërtetë, së paku le ta sforcojnë veten që të mund të falin nja pesë a dhjetë vite namaz.
Ndërkohë, po sjell në vëmendje një çështje të ndërmjetme. Të mos mendohet që, për shkak të hollësive që përmendëm, namazet tona gjysmake nuk janë pranuar e nuk do të pranohen nga Allahu (xh.xh.). Ne shpresojmë që Zoti ynë, që zotëron mirësi e mëshirë të pafundme, urdhëron e i pranon edhe namazet e falura në këtë nivel. Kështu që edhe me namazet tona, ai na çon në Xhenet, na i bën ata shoqërues në botën e varrit, na i kthen në Burak në urën e siratit, ndoshta edhe na i bën vetëtimë e na ndriçon me to horizontin tonë. Nga ky këndvështrim, kurrsesi nuk duhet lënë pas dore namazi, kurrsesi nuk duhet marrë namazi lehtë. Por nga ana tjetër, përpjekjet duhen mbajtur gjithnjë në shkallë të larta. Adhurimi që kryejmë ndaj Zotit tonë, Zotërues i Fuqisë e i Madhështisë, duhet të jetë të jetë në përpjesëtim të drejtë me Madhështinë e Tij. Ibadeti që i bëjmë Atij duhet të mbartë kuptimin e një qëllimi të mirënjëhohjes e të falënderimit për bekimet e mirësitë e shumta e të panumërta që Ai na dhuron. Ndaj edhe një besimtar, gjatë gjithë jetës së vet, duhet të përpiqet të gjejë hakikatin e namazit.
Një tjetër hollësi e rëndësishme në rastin e nijetit është që ibadeti, në të gjitha ruknet dhe pjesët e tij, ta bëjë të ndihet qenien e vet në një gjendje të gjallë e plot jetë. Besimtari, nijetin e nisur në përqendrim të plotë, pra, atë kast absolut, prirje absolute e vështrim absolut, ta ndiejë në ndërgjegjen e vet në çdo rukën të namazit dhe të ngrejë krye kundër gjithçkaje tjetër veç këtyre. Po, po. Besimtari, në namazin e vet, duhet të shqetësohet prej çdo lloj mendimi tjetër veçse për Atë dhe këtë shqetësim duhet ta tregojë përmes reagimit në botën e vet të jashtme. Për shembull, nëse një njeri, duke thënë: “Ai është Bamirësi i Pashoq, Mëshiruesi i Pashembullt.” [293] , nuk ndien në vetëdijen e vet që prej mëshirës së pafundme hyjnore të ngrihen dallgë të shpërfaqura në lartësi të ndryshme që vijnë e përqafojnë gjithçka, atëherë duhet të mund t’i thotë vetes: “Shumë keq, burracak!”
Asnjëra prej këtyre nuk është e parealizueshme. Sepse të gjitha këto i kanë përjetuar me mijëra e miliona njerëz. Mijëra e miliona të tjerë, gjithashtu, pritet t’i përjetojnë. “Nëse dikush i vihet pas diçkaje dhe tregon seriozitet në këtë çështje, pa tjetër që e arrin atë që kërkon.” [294] Ndërsa sjellja e kundërt në marrëdhënie me këtë fjalë nënkupton: “Nëse nuk e ka gjetur, ahere nuk i është vënë pas; edhe në i qoftë vënë pas, nuk ka treguar seriozitet.”
[281] Buhari, Iman 37, Tefsiru sure (31) 2; Muslim, Iman 5, 7.
[282] El-Bejhaki, Shuabu’l-iman 3/39; El-Hakim Et-Tirmidhi, Nevadiru’l-usul 3/135, 136.
[283] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 132 (Fjala e Njëmbëdhjetë).
[284] Shih: Fahruddin er-Razi, Mefatihu’l-gajb 1/214; Es-Sujuti, Sherhu Suneni Ibn Maxhe f. 313.
[285] Shih: Muslim, Salat 215; Ebu Davud, Salat 148; Nesai, Meuakit 35, Tatbik 78.
[286] Sirka Shuara, 26/218-219.
[287] E bëra nijet... E bëra nijet... E bëra nijet...
[288] Shih: Imam Rabbani, El-Mektubat 1/160 (Letra 186).
[289] Huxhurat, 49/12.
[290] Shih: Fahruddin er-Razi, Mefatihu’l-gajb 1/214; Es-Suyûtî, Sherhu Suneni Ibn Maxhe f. 313.
[291] Isra, 17/1.
[292] Bediuzaman, Fjalët f. 231 (Fjala e Shtatëmbëdhjetë, Mekami i dytë).
[293] Fatiha, 1/3.
[294] Shih: Ibnu’l-Xheuzi, El-Mud-hish f. 490; Ibn Haxher, Mukaddimetu Fet’hu’l-bari f. 14.
- Publikuar më .