Ftesë me urtësi
Pyetje: Në ditët e sotme, teksa kulturat dhe konceptet e larmishme janë trazuar me njëri-tjetrin dhe bota është kthyer në një fshat të përbashkët, në përpjekje për t’u përçuar të tjerëve frymëzimet e shpirtit tonë, në cilat çështje duhet bërë kujdes për të mos u keqkuptuar dhe për të mos shkaktuar reagime negative? A mund të na e sqaroni këtë?
Përgjigje: Kurani Fisnik, në ajetin që vijon, në suren “Jusuf”, urdhëron e thotë: “Thuaj: Kjo është rruga ime! Unë ftoj për tek Allahu me urtësi (e jo verbërisht); edhe ata që më pasojnë mua, gjithashtu...” [275] Me këtë ajet, tërhiqet vëmendja e Zotërisë sonë, të Dërguarit të Nderuar (s.a.s.), për kryerjen me urtësi e përkujdesje të detyrës së udhërrëfimit e të thirrjes në besim. Në ajet, pasi pohohet, “Kjo është rruga ime!”, urdhërohet e thuhet: “Unë ftoj për tek Allahu me urtësi.” Këtë shprehje mund ta kuptojmë në këtë formë: “Ftesa ime për tek e vërteta, udhërrëfimi dhe thirrja ime, mundësitë që kam paraqitur për të nxitur e frymëzuar mirësitë dhe bukuritë, nuk janë të kundërta me mendjen njerëzore, me logjikën njerëzore, me të kuptuarit dhe me vetëdijen njerëzore.” Domethënë që kur u bëjmë thirrje njerëzve për në besim, nuk duhen lënë pa marrë parasysh nivelet e tyre të vetëdijes, aftësitë e tyre për të kuptuar, mjediset kulturore ku ata janë zhvilluar, qëndrimi i tyre vetjak. Për ta shprehur ndryshe, të lexuarit e saktë të karakterit të përgjithshëm të shoqërisë së cilës i drejtohemi, si dhe të shpjeguarit e çështjeve në përshtatje me gjendjen e tyre të veçantë dhe me nivelin e tyre kulturor, janë shumë të rëndësishme në udhërrëfim e në ftesën për në besim.
Mësuesi i nderuar, Bediuzamani, në lidhje me Kuranin, përdor shprehjen: njerëzit, duke tërhequr, kështu, vëmendjen se fjala hyjnore u drejtohet njerëzve duke marrë parasysh e respektuar nivelin e njeriut. [276] Pra, në Kuranin e Shenjtë, në mënyrë që ne të mund ta kuptojmë atë, është përdorur një stil i tillë, që ne të mund ta kuptojmë, që mendimtarët me dije të gjera dhe kërkimtarët e thellë të kuptojnë shumë prej tij dhe njëkohësisht ta vlerësojnë atë shumë e shumë më lart sesa niveli i tyre i të kuptuarit dhe po ashtu, edhe njerëz fillestarë si ne, të kuptojnë njëfarësoj diç prej tij sipas nivelit të tyre; të kuptojnë dhe të përfitojnë prej tij në të mirë të lumturisë së tyre në këtë jetë dhe në jetën e amshuar. Ndaj edhe çdo njeri pa paragjykime, pavarësisht nga niveli i tij, përfiton prej Kuranit dhe, për të arritur në të vërtetat e tij, ndien nevojën e vazhdueshme për të kapërcyer një shkallë më lart e për të rritur nivelin e vet.
Në vazhdim të ajetit, urdhërohet e thuhet: "Mua dhe atyre që më ndjekin mua." Sipas një interpretimi, kuptimi i kësaj është ky: “Ashtu sikurse unë thirrem në urtësi, edhe ata që më pasojnë mua bëjnë thirrje në urtësi.” Nisur nga ky interpretim, mund të themi se sado trashëgimtarë të çështjes profetike që të vijnë gjer në Ditën e Gjykimit, sado njerëz të ketë si interpretues të së vërtetës e të hakikatit, të gjithë këta duhet ta ushtrojnë me urtësi thirrjen e tyre në besim.
Për çfarë thonë zemrat “po” dhe për çfarë “jo”
Në ditët tona, njerëzit që janë shpërndarë në të katër anët e botës, pa dyshim që përballen me njerëz të rritur në mjedise shumë të ndryshme kulturore. Madje edhe kur biem në kontakt me shoqëritë me të cilat në të shkuarën, për një kohë të gjatë, kemi ndarë të njëjtin fat e të njëjtat të vërteta, nuk duhet të harrojmë se kemi apo mund të kemi disa ndryshime. Për shembull, sot, në gjeografinë e Lindjes së Mesme, në drejtim të shërbimeve të arsimit e të dialogut, ka një lulëzim, ka sipërmarrje shumë të bukura. Kur përballë kësaj tabloje që e mbush zemrën me gëzim, më kërkuan mendim edhe mua të varfrit, unë shpreha këto mendime: Në çdo strukturë, kundrejt të huajit ka një ndjenjë reaguese. Unë bëj dy-tri herë në ditë injeksione në trupin tim. Pavarësisht kësaj, sa herë që agia depërton, organizmi reagon dhe thotë: “Nuk mund të hysh.” Pasi depërton dhe qëndron aty për nja dy minuta, ahere nuk e lëshon e thotë: “Këtë e zgjidh unë, ti mos dil.” Kjo çështje, siç ndodh në ndërtimin fizik të një njeriu, është e njëjtë edhe në shoqëri. Domethënë, kur në një shoqëri hyn një mendim a botëkuptim nga një tjetër shoqëri, dashur pa dashur, do të ketë në mënyrë të pashmangshme një reagim të caktuar. Por kur vihen në dukje anët e përbashkëta, kur i bëhet thirrje arsyes së përbashkët, në masën që arrihet pajtim, ky reagim ndodh në nivelin minimal. Tani, nëse edhe shoqëritë shumë të afërta me ju, edhe më të afërta se afërsia vetë, janë të hapura për të tilla mundësi, atëherë, sipas mendimit tim, në gjeografi e kultura më të ndryshme ka shumë gjasë që të përballeni me një numër reagimesh edhe më të ndryshme. Nga ky këndvështrim, për arsye të vlerave universale njerëzore, në shoqëritë e ndryshme në të cilat zhvendoseni, duhet të jeni në kërkim të pikave të përbashkëta e të hapësirave të pajtimit. Për shembull, drejtimin dhe administrimin e një shkolle, të një universiteti, të një qendre kulture apo të institucioneve të ngjashme që mund të hapni, mund t’i delegoni me rastin më të parë në përgjegjësinë e njerëzve të atij vendi. Po, po. Në cilëndo shoqëri ku keni dërguar një shërbim, lërini shoqërinë vendëse dhe njerëzit e saj që ta çojnë më tutje atë punë. Në këtë mënyrë, tregoni edhe se në punët që bëni, nuk keni kurrfarë pretendimi a ambicieje që mund të vlerësohet si materiale dhe u prisni rrugën keqkuptimeve dhe perceptimeve të gabuara. Sipas mendimit tim, kjo lloj lëvizjeje është një mundësi e mirë për të mos u bërë shkak për reagime.
Është e vërtetë se sot, “Lëvizja e Zemrave” gjendet bashkë me shoqëritë e ndryshme që nga thellësitë e Afrikës e deri në Lindjen e Largët dhe nga vendet në kufijtë më të largët, nga Amerika e Jugut deri në Kanada, mes gjuhësh, besimesh e kulturash të ndryshme. Kështu, ajo çka duhet pasur kujdes përballë një tabloje të tillë, është që kur t’ua bëjmë të tjerëve çështjet të njohura, të mos biem në mangësi në mënyrën e prezantimit. Shoqëria së cilës i drejtohemi, duhet kuptuar mirë; duhet vepruar jo përmes qasjes së një njeriu të standardizuar e të njësuar, por duke futur në llogari ndjesitë e njerëzve që gjenden në mjedise të ndryshme gjeografike e kulturore. Njerëzit me të cilët bashkëbisedojmë, kur thonë “po” dhe kur thonë “jo”; kujt ia hapin zemrat dhe kujt ia mbyllin; nëse i llogaritim të gjitha këto, kjo është shprehje e të vepruarit me urtësi.
“Erdhi dita të lë nam, po ia nis me bakllavanë!”
Kur isha me detyrë në Kërkllareli, kisha dëgjuar një histori prej Furrxhi Ahmet Efendiut: na paskësh qenë një kuzhinier që përgatiste ushqime aq të shijshme, saqë po t’i vije në gojë, të vinte të kafshoje gishtat. Mirëpo ky kuzhinier nuk kishte shërbyer kurrë në jetë të vet si kamerier. Një ditë, meqë kamerieri nuk kishte ardhur, atij i ra që të shërbente. Dhe ai, pasi vuri duart në bel, tha: “Or mik, erdhi dita të lë nam; po ia nis me bakllavanë!” Edhe pse është veç një anekdotë, kjo histori shpreh shumë kuptime. E pra, ajo çka ju servirni mund të jetë një ushqim i shijshëm si bakllavaja dhe atë bakllava ju mund ta paraqisni me ndjesi njerëzore e qëllime të mira që ju burojnë prej shpirtit. Mirëpo nuk duhet të harroni se gjithçka ka një radhë dhe se njerëzit përballë jush kanë zakone të caktuara. Nga ky këndvështrim, është shumë e rëndësishme që të bëni rregullimin kohor të thënieve e të punëve tuaja. Pra, të llogarisësh fillimin dhe fundin e punës, t’i vëresh çështjet edhe në planin e tyre të pasëm, t’i shohësh ato me një vështrim të gjerë e tërësor dhe nga fillimi gjer në fund të veprosh sipas parimit shkak-pasojë, të gjitha këto janë hollësi të asaj cilësie të lartë që e quajmë urtësi.
Krahas kësaj, në kryerjen e veprimtarive shumë të rëndësishme për njerëzimin, siç janë arsimi apo dialogu, krahas planit A, gjithmonë duhet të keni edhe një plan B; kundrejt papriturave të pakëndshme që mund të shfaqen në mënyrë befas, duhet të gjeni rrugët alternative. Edhe kjo është pjesë e urtësisë. Sot, njerëzit tanë janë mirëpritur në gjeografi shumë të ndryshme, duke përçuar gëzim në zemra. Por kundrejt kësaj tabloje të bukur, është e mundur që të shfaqen një pjesë shpirtrash të pakarakter që mund të ndiejnë shqetësim prej saj dhe të mundohen të bëjnë keq. Kundrejt një ere të tillë të kundërt që mund të shfaqet, si do t’i ruajmë këto veprimtari të bukura? Si do të mund ta pengojmë shpërndarjen e këtyre të vjelave? Nganjëherë ju përpiqeni, mundoheni dhe në përfundim mund të keni grumbulluar mullarë me grurë e drithëra. Por një erë e kundërt që mund të fryjë, mund të marrë me vete gjithë të korrat që keni mbledhur dhe t’i shpërndajë ato tej. Apo një breshër që mund të bjerë, mund t’i prishë të gjithë kallinjtë tuaj. Për të mos rënë viktimë e fatkeqësive të tilla, gjithçka duhet ta mendoni gjerë e gjatë dhe krahas ndjesive tuaja të mund të lexoni drejt edhe ndjesitë e të tjerëve. Ja pra, të gjitha këto duhet t'i lexoni brenda kategorisë së atyre që i shohin gjërat me largpamësi . Për shembull, nëse në një vend keni për qëllim që të shtrini veprimtarinë tuaj në një fushë të caktuar, para së gjithash duhet të studioni terrenin dhe të veproni sipas kësaj. Edhe shokëve që duan të bëjnë tregti, para së gjithash, unë i pyes nëse e kanë hulumtuar apo jo terrenin në vendin ku do të shkojnë. U them: “Në ç’masë paraqitet gjendja e kërkesës në atë vend për prodhimin apo mallin që doni të shisni? Në fushën që keni menduar të investoni, a mos vallë atje ka konkurrentë të fuqishëm? Nëse niseni për rrugë pa i futur këto në llogari, mund t’ju shkojë puna dëm!” Edhe në shërbimin ndaj besimit dhe ndaj Kuranit, unë e gjykoj si shumë të rëndësishëm një vlerësim të tillë paraprak të terrenit. Pra, sigurimi paraprak i terrenit, shmangia e rënies në gabime që mund t’i shqetësojnë njerëzit dhe të zgjojnë tek ata ndjesinë se po u imponohet diçka, janë rezultati i të vepruarit me urtësi.
Kujdesi maksimal për të mos u bërë shkak për shqetësime të pavend
Së fundi, më lejoni të pohoj edhe këtë: njerëzit në shekuj kanë vuajtur thellësisht e kanë qenë dëshmitarë të lëvizjeve përfituese e shfrytëzuese në vende të ndryshme të botës, nganjëherë drejtpërdrejt dhe nganjëherë në rrugë të tërthorta. Këto ngjarje që janë përjetuar, kam mendimin se e shtojnë edhe më tepër rëndësinë e të vepruarit me urtësi. Sepse ata që janë bërë shkak për ngjarje të tilla të hidhura, siç kanë ecur vetë në këso rrugësh, mund ta interpretojnë në këtë mënyrë edhe ecjen tuaj të pafajshme. Ata mund të thonë: “Me sa duket, edhe këta duan të bëjmë si kemi bërë ne!” Më lejoni që ta përsëris edhe një herë një shembull që jua kam dhënë edhe më parë: një hajdut që shëtit para qepenave, gjithmonë sheh gjendjen e drynave dhe mendon: “Vallë, cili prej këtyre është më i dobët, cili më i kyçur, cilin prej këtyre e kam më lehtë që ta hap dhe të hyj e të zbraz dyqanin?” I zoti i dyqanit, gjithashtu, kalon atypari dhe mendon në mënyrë të pafajshme për dyqanin e vet: “Vallë, a e kyça derën e dyqanit tim?” Por hajduti, që e kap këtë vështrim të të zotit të dyqanit, thotë në çast me vete: “Me sa duket, edhe ky është prej tanëve!” Dhe e ndan mendjen se edhe ai është hajdut. Tani, nëse në një periudhë të caktuar, disa janë marrë me punë të liga, janë vendosur në ndjenjat e në mendjet e njerëzve e janë vendosur mbi to si baloz, do ta vlerësojnë po kështu edhe qasjen tuaj ndaj njerëzve me mendime krejt të pafajshme dhe do t’ju shohin si konkurrentë. Natyrshëm, si rrjedhim i kësaj, ata do të përpiqen të pengojnë çdo mirësi e bukuri që ju dëshironi të realizoni pa të keq e në mënyrë të pafajshme. Nga ky këndvështrim, shpirtrat e përkushtuara të ditëve tona janë të detyruar të veprojnë me sa më shumë përkujdesje, vetëpërmbajtje e urtësi. Nëse nuk tregohet një ndjeshmëri e tillë, atëherë, Zoti na ruajtë, i bëni dëm shportës së vezëve që mbani të ngarkuar mbi kurriz dhe e tradhtoni amanetin.
[275] Jusuf, 12/108.
[276] Shih: Bediuzaman, Fjalët f. 419 (Fjala e Njëzetepestë, Drita e Parë, Rrezatimi i parë).
- Publikuar më .