Shërbimi në rrugën e së drejtës, pavarësisht pengesave

Shërbimi në rrugën e së drejtës, pavarësisht pengesave

Pyetje: Cili duhet të jetë botëkuptimi për veprimin i kësaj bashkësie të përkushtuarish dhe cila filozofia e lëvizjes në ditët tona, kur po përdoren gjithfarë pandehmash dhe orvatjesh për të krijuar perceptime të gabuara që të mund të njollosen njerëzit, duke shkaktuar gjithfarë ngatërresash?

Përgjigje: Pikësëpari, ata që shërbejnë në rrugën e së drejtës duhet të pranojnë një realitet: Si dje, edhe sot, ata njerëz që zotërojnë vetitë e liga si mllefi, urrejtja, haseti dhe mosdurimi, me ato shpirtrat e tyre paranojake, do t’u shpallin armiqësi të gjithë atyre që nuk mendojnë njësoj me ta, do të sulmojnë vazhdimisht sa majtas djathtas, duke kryer gjithfarë veprimesh të ulëta e të shëmtuara për të mbrojtur përfitimet e tyre. Mirëpo shpirtrat e vetëdedikuara duhet të kërkojnë strehim veçse tek Allahu (xh.sh.), me një dorëzim dhe mbështetje të plotë vetëmse tek Ai, ta kryejnë çdo gjë të lidhur vetëmse me Të, të jenë të prirur vetëmse kah Trëndafili i trëndafilëve dhe, pavarësisht gjithë të këqijave apo pengesave, me të cilat mund të përballen, ata do t’ia hapin kujtdo kraharorin e tyre, duke vazhduar rrugën që ata e njohin si të drejtë në ndërgjegjet e tyre të thella.

Po, në këtë rrugë ju nganjëherë mund të shihni keq prej atyre që prisni që t’ju tregojnë besnikërinë e tyre, prej atyre njerëzve që keni menduar se ndani të njëjtin fat, të cilët mund t’ju lënë edhe vetëm, madje nganjëherë mund t’ju ngulin edhe thikën pas shpine. Mirëpo ju do të vijoni rrugëtimin tuaj në atë rrugë që e shihni si më të drejtën, duke kërkuar vazhdimisht dyer të reja në ndërgjegjet tuaja, pa u bezdisur, pa u lodhur, pa hequr dorë dhe pa mbetur peng i të këqijave me të cilat mund të përballeni; do të vazhdoni të shqyrtoni dinamika të tjera, që nuk i keni menduar ndonjëherë më parë dhe do të përpiqeni që ta zgjeroni qëllimin tuaj përsa i përket horizontit të ndërgjegjes dhe thellësisë shpirtërore.

Udhëzues që nuk zhgënjejnë asnjëherë

Në ato kohë kur ngatërresat tashmë ndjekin njëra-tjetrën[1] dhe që përjetohen ngatërresa dhe munxa nga më të mëdhatë dhe më të frikshmet, për të cilat flitet edhe nëpër librat e haditheve në pjesën e “Kitabu’l-fiten ue’l-melahim[1]-it, kur kryengritjet ndjekin njëra-tjetrën dhe mashtrimi shihet si të ish ndonjë aftësi e rrallë, ka nevojë më tepër se kurrë për udhëzues që nuk mashtrojnë, nuk zhgënjejnë dhe që të falin përherë besim. Andaj, ju, me fjalët, sjelljet dhe veprimet tuaja, duhet t’i jepni njerëzimit një mësim besueshmërie, pa i mashtruar ata. Asisoj, që sikur edhe për pesëdhjetë vjet rresht mbarë bota t’ju ndjekë me kujdes, të mos vërejnë te ju qoftë edhe një rrahje të vetme në pulsin apo zemrën tuaj që të lindë dyshimin se për një çast nuk keni qenë të sinqertë.

Sidomos sot, kur shumë njerëz janë në kërkim të kësaj bote dhe ç’ka brenda saj dhe gjithsecili, sipas pozicionit, në këtë apo në atë shkallë, është mbërthyer prej sevdasë për të kapur apo mbërthyer diçka prej kësaj bote, ju mund të ndieni vështirësi më shumë se kurrë që t’ua tregoni drejt veten tuaj botës. Sipas parimit “si e njeh botën? ashtu siç je edhe vetë!” ata mund t’ju shohin edhe ju si veten. Mund të zënë të kërkojnë qëllime të fshehta edhe në përhapjen tuaj në mbarë botën, edhe në përqafimin e gjithë njerëzimit me dashuri, duke krijuar atmosferë dialogu me njerëz që kanë lindur në mjedise kulturore nga më të ndryshmet dhe duke i afruar ata sa më shumë me njëri-tjetrin. Duke qenë se ata vetë e kanë të lidhur me nga një interes dhe pritshmëri të caktuar çdo veprim të tyrin, do të mendojnë se edhe ju kushedi çprej interesash përpiqeni kaq shumë. Madje mund të ketë edhe në mesin e atyre njerëzve që qëndrojnë pranë jush dhe që ju ushqeni ndjenja simpatie e dashurie karshi tyre që mund ta kaplohen prej dyshimesh dhe shqetësimesh të tilla. Ata do t’i vlerësojnë sjelljet dhe veprimet tuaja sipas ndjenjave dhe mendimeve të veta dhe do të nxjerrin gjithfarë kuptimesh së andejmi, ndaj mund edhe t’ju shohin si rrezik edhe për ata vetë. Mirëpo ju nuk duhet t’i falni shumë rëndësi diçkaje të këtillë, por të shpjegoni pa ndërprerë se nuk keni asnjë qëllim tjetër, pos kënaqësisë së Allahut (xh.sh.) dhe këtë duhet ta shfaqni edhe në çdo sjellje a qëndrim tuajin.

Ekuilibri në qëllim

As që mund të çohet nëpër mend që ata njerëz që janë përhapur në të katër anët e botës për të krijuar një botë të dashurisë dhe për t'i afruar njerëzit sa më shumë me njëri-tjetrin, duke pasur si synim të vetëm veçse kënaqësinë e Allahut, të kenë pritmëri e pritshmëri të tjera përsa i përket jetesës në këtë botë. Ja pra, këta janë njerëzit e ndezur prej dashurisë, të cilët e kanë izoluar veten veçse në kërkimin e kënaqësisë hyjnore dhe, me gjithë vullnetin dhe vendosmërinë e tyre, duan t'ia ndryshojnë çehren kësaj bote, që edhe pse mund të mos u mjaftojë forca për t'i sendërtuar të gjitha planet dhe ëndrrat për paqe dhe dashuri kudo nëpër botë, ata do të jenë përherë heronjtë e qëllimit të tyre të mirë dhe prej këtij qëllimi do t'i marrin edhe gjithë shpërblimet e merituara. Sepse, siç thuhet edhe në një hadith të bekuar, veprat vlerësohen sipas qëllimit me të cilin kryhen dhe secilit sipas këtij qëllimi ka për t'iu dhënë.[2] Me pak fjalë, faktori krysor që do të përbëjë më të madhen dobi për njeriun është ekuilibri dhe qëndrueshmëria në qëllimin e tij. Sipas tij ka për të qenë edhe përgjigjja e mëshirës dhe dhembshurisë së Allahut (xh.sh.) ndaj atij njeriu, pikërisht sipas qëllimit dhe thellësisë së ndërgjegjjes.

Për shembull, me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.xh), ju jeni nisur në këtë rrugëtim me qëllimin që t'i falni botës paqe. Me aq mundësi sa keni dhe me aq sa t'ju lejojnë edhe kushtet, kur në vendet që ju keni shkuar fillon të krijohet një atmosferë më e përshtatshme, ju nuk nisni ta lëshoni veten, por përkundrazi, e shtoni edhe më shumë shpejtësinë tuaj. Mirëpo vjen një çast që përpara mund t'ju shfaqen një varg pengesash dhe, kësisoj, nuk mund të realizoni dot as njëtëdhjetën e synimit që keni pasur. Mirëpo, duke qenë se synimi juaj ka qenë dhjetëtëdhjetat, edhe shpërblimi i Allahut (xh.sh.) sipas tij ka për të qenë. E për të pasur një fund sa më të bukur, ju duhet të jeni aq të sinqertë dhe të përzemërt në punën që bëni, saqë mendimet e llojit "vallë do të vijë dita kur të përfitoj edhe unë ndonjë post drejtues për të gjitha këto punë të bukura që kemi realizuar?" as nëpër mend nuk duhet t'ju shkojnë. Madje, nëse do t'ju vijë nëpërmend ndonjë mendim i këtillë, ju duhet ta cilësoni si një ngacmim të shejtanit dhe duhet të largoheni në atë grimë të çastit prej tij.

Kjo nuk do të thotë që disa nuk duhet të ngrihen në postet dhe pozitat që meritojnë dhe që janë njëfarësoj e drejta e tyre. Patjetër që disa njerëz do të bëhen drejtorë, disa komisarë, disa këshilltarë, disa deputetë e disa të tjerë ministra. Mirëpo ata që ia kanë përkushtuar veten shërbimit ndaj njerëzve, që ata të frymojnë veç paqe dhe qetësi dhe që nuk mendojnë asgjë tjetër përpos pëlqimit të Allahut (xh.sh.), nuk duhet të presin kurrfarë pozicioni që i përket veçse kësaj bote. Majde, edhe sikur te maja e këmbëve t'u vijë mundësia për t'u bërë ministër a kryeministër, ata nuk duhet assesi që të nguten për ta pranuar diçka të tillë. Në të kundërt, ata do t'i kenë ndotur ato mendime të bukura për të fituar kënaqësinë hyjnore në rrugëtimin e arritjes së pëlqimit të Allahut (xh.sh.), do të kenë thyer me duart e tyre tërë ndikimin e krijuar në zemrat e njerëzve, do të kenë çuar dëm gjithë besueshmërinë dhe do ta humbasin gjithë besimin dhe pritshmëritë që njerëzit kanë ndaj tyre.

Për mendimin tim, për ata njerëz që ia kanë falur zemrën një qëllimi të epërm, jo postet dhe detyrat e tilla drejtuese, por edhe dëshira për të ngadhënjyer tërë botën do të thotë të bësh disa hapa prapa nga pozicioni në të cilin gjendesh. Po, kështu është, para qëllimit të epërm për t'u ardhur në ndihmë dhe për të shpëtuar përjetësinë e njerëzve, edhe të qenët ngadhënjimtari i mbarë botës mbetet një pikël uji në oqean. Andaj, mërgimtarët e sotëm të këtij qëllimi të epërm duhet ta dinë çeljen e dashurisë për të drejtën dhe të vërtetën në zemrat e njerëzve, lulëzimin e moralit dhe virtytit në shpirtrat e tyre dhe kaplimin e mbarë njerëzimit prej dashurisë dhe krijimin e një realiteti ku të gjithë jetojnë të përqafuar me njëri-tjetrin si qëllimin më të madh të jetës së tyre dhe duhet ta skicojnë jetën e tyre pa lënë që të shkojë dëm qoftë edhe centimetri i vetëm i rrugëtimit jetësor.


[1] Kitabu’l-fiten ue’l-melahim

[2] Buhari, bed'u'l-vahj 1, iman 41, itk 6, menakibu'l-ensar 45, ejman 23, hijel 1; Muslim, imaret 155

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.