• Home
  • Veprat
  • Shtamba e Thyer
  • Planet e njerëzve të errët dhe një kurth i ri kundër lëvizjes “Hizmet”

Planet e njerëzve të errët dhe një kurth i ri kundër lëvizjes “Hizmet”

Karanlıkların suikast plânı ve Hizmete kumpas

“Besimtari është përherë njeri i sigurt, që u fal besim njerëzve që ka përreth; kurse hipokriti dhe njeriu i zhytur në mëkate është një hileqar që e shtyn gjithë jetën me lojëra të ulëta.”

Besimtar do të thotë “të jesh njeri që përfaqëson besueshmërinë në rruzull”. Besimtari, emrin dhe cilësitë e tij i merr prej emrit el-Mu’min, njëritprej 99 emrave të bukur të Allahut (xh.xh.), të cilët ju i përsëritni vazhdimisht çdo ditë. Përsa i përket Atij (xh.sh.), emri “Mu’min” bart domethënien e atij që krijon sigurinë dhe besueshmërinë, që bën të mundur mjedisin e sigurt dhe besueshmërinë në gjithësi dhe që i bën njerëzit që të falin siguri dhe besim përreth tyre. Ndërsa si emërtim dhe cilësim që u jepet njerëzve, mu’min do të thotë “njeri që u beson atyre gjërave që duhen besuar, që e lidh zemrën e tij veç me Atë dhe me gjërat që e lidhin me Atë dhe, njëkohësisht, që frymon veç siguri dhe besueshmëri në tokë, duke u kthyer në një njeri të cilit duan t’i besojnë të gjithë.

Besimtari nuk i njeh lojërat e ulëta. Besimtari nuk e di ç’është manipulimi. Besimtari nuk e di ç’është hileja. Besimtari frymon veç besim, njësoj si Salahadini që ia ktheu shpinën një gruaje fatimide dhe i tha: “Merre e ngulma thikën në shpinë, po të duash!” I tillë duhet të jetë besimtari.

Besimtari qëndron shumë larg të këqijave të llojit të “mashtrimeve” dhe “kurtheve” (si hiletë, ngritja e kurtheve apo rrëzimi nëpërmjet komploteve). Këto fjalë, të cilat përdoren sa e sa herë në Kuran – nuk di ta them tani numrin e plotë se sa herë – por përmenden në vende të ndryshme. Për shembull: “Njëherë ata mohues thurnin plane që të të lidhnin duar e këmbë e të të mbyllnin apo që të të vrisnin apo që të të përzinin nga vendi i tyre, duke të detyruar që të largoheshe. Ata le të vazhdojnë të ngrenë kurthe, sepse Allahu ua lidhte mbi kryet e tyre ato kurthe. Zaten është Ai (Allahu (xh.sh.)) që ua kthen mbi kryet e tyre kurthet që ngrenë.”[1] “(Ata që e mohojnë atë) janë të zënë duke thurur plane dhe kurthe, por, pa dyshim që Unë do t’u përgjigjem planeve të tyre dhe do t’ua kthej mbi kryet e tyre ato kurthe që ata ngrenë.”[2] Ata kapen pas mashtrimeve, pas komploteve, pas intrigave dhe pas punësh të ulëta, mirëpo Allahu (xh.xh.) u përgjigjet duke ua kthyer po atyre ato kurthe. Për të mos i lidhur fare me Lartësinë e Pamatë të Allahut (xh.sh.) cilësitë e “mashtrimit” dhe “kurthit”, nga pikëpamja gjuhësore këtu ato përdoren për të shenjuar “përgjigjen” e Allahut, duke e përdorur fjalën jo domosdoshmërisht në kuptimin që është përdorur në herën e parë... Mirëpo ne e përdorim atë me një stil më të hijshëm për të shprehur që duam të themi, duke qenë se bëhet fjalë për Allahun (xh.sh.): “Allahu ua kthen mbi kryet e tyre (shih: u përgjigjet) mashtrimet, hilet dhe komplotet që ata u ngrenë besimtarëve.”

Krenarinë e Njerëzimit (pqmT) dhe të gjithë ata që vijnë prej zinxhirit nga ka ardhur Ai ne i cilësojmë si “vargoi i smeraldtë”. E keni parasysh që te nakshitë ekziston një “vargua i artë”. Ky vargua i smeraldtë përfshin brenda tij gjithë profetët e mëdhenj, të gjithë njerëzit e kulluar fisnikë, të gjithë miqtë e Allahut (xh.sh.). Sepse ata nuk u janë përgjigjur kurrë me të njëjtën monedhë hileve, mashtrimeve dhe komploteve që u janë thurur; janë sjellë ashtu siç janë sjellë përherë, duke mbetur vetvetja dhe duke u qëndruar besnikë karaktereve të tyre.

Po, besimtari nuk e gjen zgjidhjen te lojërat. Besimtari është streha ku strehohen gjithë njerëzit që kërkojnë siguri. Ata që mendojnë se “ku të strehohem unë?” duhet të kenë mundësinë që të thonë: “Po u mbështeta te besimtari do ta ndiej veten të sigurt dhe do të kem besim tek ai!..”

“Çojeni deri në fund fjalën e dhënë, që edhe unë ta mbaj premtimin Tim. Dhe frikësomuni vetëm Mua (me vetëdije se jeni robërit e Mi dhe gjendeni nën kontrollin e fuqisë Sime).”

Në Kuranin Fisnik thuhet: “Allahu u ka blerë besimtarëve veten dhe pasurinë e tyre për t’u dhënë në këmbim Xhenetin.”[3] Fjala “blej” është përdorur në kuptime të ndryshme në vende të ndryshme në Kuran. Disa zgjedhin dhe priren kah “devijimi”, “shthurja” dhe “hiletë”; duke u bërë klientët e tyre njëfarësoj. Ndërsa për disa të tjerë, Allahu (xh.sh.) u ofron atyre Xhenetin në këmbim, duke u blerë atyre shpirtrat dhe pasurinë që zotërojnë. Shkronja “b-a” në këtë ajet fisnik bart kuptimin e këmbimit. Nëse doni, megjithëse pak mundësi ka – ju mund ta cilësoni atë edhe si një kërkim preteksti. Megjithatë duket sikur më tepër se sa kuptimi i “shkakësisë”, në të shprehet kuptimi i “këmbimit”.

Po, kështu thuhet, “Allahu (xh.sh.) u ka blerë besimtarëve veten dhe pasurinë e tyre.” Blerja e tyre prej Allahut do të thotë që njeriu t’i përdorë për hir të Allahut të gjitha, pasurinë, shpirtin, frymën dhe gjithë ç’ka. Me një fjalë, Allahu (xh.sh.) u thotë besimtarëve: “Ju më jepni mua këtë, që edhe Unë t’ju jap juve atë!”

Dhe, menjëherë në krye të sures së madhe të Bakarasë, Allahu (xh.sh.) u drejtohet bijve të Izraelit me fjalët: “O bijtë e Izraelit! Kujtoni pak mirësitë që Unë jua kam falur. Çojeni deri në fund fjalën e dhënë, që edhe unë ta mbaj premtimin Tim. Dhe frikësomuni vetëm Mua (me vetëdije se jeni robërit e Mi dhe gjendeni nën kontrollin e fuqisë Sime).”[4] Edhe këtu bëhet fjalë për një këmbim, për një përgjigje (shën. përkth. nga ana e Allahut). “Ju mbani fjalën e dhënë, që edhe Unë t’ju përgjigjem juve; ta mbaj edhe Unë fjalën që ju kam dhënë!”

Kur ju bëni një hap, ai hap është sipas kornizës, kufizimeve, vullnetit, forcës dhe fuqisë suaj. Mirëpo, drejt kujt e hidhni atë hap? Afrimin e Kujt prisni, që e thërrisni dhe e ftoni? (E kam të vështirë që t’i shpreh disa gjëra, sepse kam frikë se “do të jetë e pahijshme”, nuk e them dot pa e menduar mirë më parë.) Çfarë është ajo që kërkoni ju?!.. Sikur të kërkosh kënaqësinë e Allahut, Riduanin, Xhenetin, përjetësinë. Nëse ju përdorni të gjitha ato që keni, të cilat jua ka falur po ashtu Allahu, atëherë edhe Ai (xh.sh.) do t’ju përgjigjet siç i ka hije vetëm Atij. Ju do të hidhni veç një hap brenda kufizimeve tuaja, brenda mundësive tuaja, me gjatësinë e hapit tuaj; do të zgjasni njërën dorë, do të hidhni një shikim a do të thërrisni njëherë të vetme. Mirëpo Allahu që është Dëgjuesi, Shikuesi, i Plotfuqishmi, i Zoti i Gjithçkaje, i Gjithëdituri, i Vetmi që mund të Kërkohet, do të shfaqë një afrimitet siç i ka hije madhështisë së Tij, duke u afruar edhe më pranë Teje; ja kështu do të përgjigjet.

“Thuaj: “Unë jam i dobët, Ti je Fuqia!”, atëherë të jepet / Famëmadh ësht’ Ai që jep gjithnjë, ndaj ti kërko sa të mundesh!..”

Këtu dua të ndalem e ta shtjelloj pak më tej këtë temë duke treguar një rrëfenjë. Ju mund të gjykoni rreth vërtetësisë së rrëfenjave, mirëpo domethënia e tyre shërben fare mirë si një projektor për të ndriçuar çështje edhe nga më të mëdhatë. Një burrë, në kohën e Abasitëve, shkon në Bagdat për të vizituar mbretin. Meqë po shkon, mendon që të mbushë një shtambë nga uji i çmuar që rrjedh në tokat e tyre dhe t’ia çojë mbretit si dhuratë. Ndoshta ai ujë ishte me nam për freskinë dhe pastërtinë nga bakteriet, i kulluar. Me mendimin se ndoshta atje nuk ka ujë të tillë, shkon për në Bagdat me gjithë shtambën me ujë me vete. Diçka kaq e vogël është ajo që mund t’i çojë ai mbretit, kaq fuqi ka ai. Madje, ndërsa kalon ndanë lumit Tigër, nuk mendon fare se “pranë tyre rrjedhka vetë lumi Tigër; ku kanë nevojë për ujë ata!” Përkundrazi, “le të rrjedhë,” – thotë dhe, kësisoj, mbërrin te mbreti me shtambën e tij në dorë. Atje e mirëpresin dhe ujin e shtambës e derdhin në një enë tjetër. Mandej, kur ai vendos që të kthehet mbrapsht, për andej nga erdhi, mbreti vendos të bëjë diçka sipas mendjes së tij, ndaj thërret njerëzit e tij dhe u thotë që “t’ia mbushin me flori atë shtambë” dhe t’ia japin që ta marrë sërish me vete.

Kësodore, Allahu (xhel’le xhelaluhu) u përgjigjet njerëzve siç u ka hije, madhështisë, lartësisë, mëshirës gjithëpërfshirëse dhe thellësisë së virtytshmërisë së Tij. Ju jepni diçka dhe thoni se “me këtë do ta bëj për vete!”; “Dua të fitoj kënaqësinë dhe Riduanin e Allahut! Unë çdo hap që hedh, e hedh për të fituar Xhenetin!” Kurse Allahu (xhel’le xhelaluhu) ju fal juve, me mirësinë e Tij të pamasë, “jetën në Xhenet, e cila nuk barazohet me mijëra vjet jetë të lumtur në tokë dhe pamjen e Bukurisë së Tij, një orë vështrim i së cilës nuk barabitet as me njëmijë vite jetë në Xhenet”. Por edhe këtë është Ai që jua fal.

Siç e ndoqët historinë e treguar, një shtambë plot me florinj në këmbim të një shtambe me ujë; dy shtamba a dy ngarkesa a, dy thasë a, dy torba a, sidoqoftë. Kur dihet që edhe mundësia e tyre është e kufizuar. Megjithëse është mbreti i Bagdatit, prapëseprapë mundësitë e tij janë të kufizuara. Mendoni pak një Mbret (xhel’le xhelaluhu), një Zotërues (xhel’le xhelaluhu) të atillë që, mundësitë e Tij janë të pakufijshme, të pashtershme. Që po t’u thotë “bëhuni flori”, bëhen flori edhe malet. Një Mbreti të tillë ia jepni ju të gjitha gjërat e vogla që zotëroni... E ç’është shpirti, që të mos jepet për diçka të këtillë?! Që, nëse do të thuhej me fjalët e Fuzuliut:

“I Përshpirtshmi e kërkoi këtë shpirt, nuk bën t’mos e japësh, moj zemër,
Kot të zihemi, as i yti e as i imi nuk është ai, moj zemër!..

Që në krye, është vetë Ai (xh.xh.) që e ka dhënë atë. Tani, nëse e kërkon sërish që ti t’ia kthesh, Ai ka për të të dhënë gjëra të atilla që, në fakt, ti do të ndihesh i turpëruar, do të të vijë zor; do të thuash: “Shihni çfarë dhashë e shihni çfarë mora!” Po, shiheni se çfarë ju jepet!..

Mjafton që njerëzit të presin vetëmse prej atij “Dhënësi” (xhel’le xhelaluhu) dhe të përpiqen të hedhin çdo hap që duhet hedhur në atë drejtim.

“Thuaj: “Unë jam i dobët, Ti je Fuqia!”, atëherë të japin
Famëmadh ësht’ Ai që jep gjithnjë, ndaj ti kërko sa të mundesh!..

Famëmadh ësht’ Ai që jep gjithnjë, ndaj ti kërko sa të mundesh!” – thotë i nderuari.

Këto vargje i përkasin Mjeshtër Nexhip Fazëllit. Po të ishte për mua, në vend të foljes “të japin” do të përdorja trajtën “të jepet”.

Nga kjo pikëpamje, çfarëdo që jepet në rrugën e Allahut (xh.sh.) kthehet mbrapsht disamilionëfish. Sepse kështu përgjigjet Allahu (xh.sh.).

Shpirtrat e errët, që janë vetë të “infiltruar”, vunë në skenë planet e tyre të zeza përmes një ekipi të errët!..

Meqë tema rrodhi këtu, dua t’jua tërheq vëmendjen edhe mbi një pikë:

Disa shpirtra të zinj sterrë... kur populli jeton ditë të zeza si këto... nëpërmjet një ekipi shpirtzinjsh... përgatitën një varg skenaresh të zeza.

Në fillim, për t’i vënë kyçin qendrave të kurseve, i quajtën shërbimet e bëra si “infiltrime”. Hyrja e një biri të kombit në institucionet kryesore të atdheut të vet nuk mund të quhet kurrë “infiltrim”. Me “infiltrim” mund të cilësohet, për shembull, futja e të huajve në mesin e osmanëve. Nuk mund të quhet “infiltrim” kur dikush kërkon të punësohet në vendin e tij, për më tepër me ëndrrën “për një përpjekje të re kombëtare”. Secili ka të drejtën e vetë që të bëhet pjesë e një organizimi të atillë. Sepse vendi ka një kushtetutë, ka disa ligje dhe këta njerëz në bazë të tyre veprojnë. Nuk përpiqen që t’ia kalojnë edhe vetë shtetit; ata veprojnë në bazë të ligjeve dhe rregullave të përcaktuar. “Organizata e Bindjes Kombëtare”; pse infiltrim është ky?!. Kjo do të ishte diçka e paturpshme! Në kohën e hoxhës së ndjerë ishte krijuar një grup që quhej “Akënxhinjtë”, madje kishte edhe një përplasje të lehtë mes palëve. Këto nuk quhen “infiltrime”. Është e drejtë e tyre që të kenë mundësi të hyjnë e të integrohen në cilëndo fushë të jetës.

Disa na qenkan infiltruar... “Si e njeh botën?” “Siç je vetë!..” Disa të tjerë po, mund të jenë infiltruar ose mund të kenë depërtuar për të vënë në jetë planet e tyre të këqija dhe të urryera. Këta janë ata që mund t’i shohin si “të infiltruar” të gjithë ata që nuk mendojnë njësoj me ta. Për rrjedhojë, ka pasur njëfarë arsyeje që ata dilnin gjithnjë kundër shkollave, qendrave të kurseve dhe universiteteve. Madje pati raste kur shfaqën edhe sjellje dhe veprime, të cilat dukej që kishin si qëllim lënien në heshtje, të bënin sikur nuk ekzistonin fare ato institucioneve, në sytë e drejtuesve të atyre vendeve që shkonin për vizita zyrtare. Një rrekje kjo për të shkatërruar, mirëpo atëherë ishte tinëzare. Mbahej përbrenda, e fshehtë, dhe nuk shfaqej haptas.

Mirëpo nuk mjaftoi as kjo. Me kalimin e kohës filluan t’iu dilnin në pah një sërë vjedhjesh dhe rryshfetesh që kishin marrë; këto i gjeni ende nëpër shtypin ndërkombëtar, në rrjetet sociale, në Twitter dhe e ruajnë ende vlefshmërinë e tyre. Sepse e shikonin veten si myslimanë të thellë, me taban. Mirëpo, kur iu përplasën të gjitha në fytyrë, duke qenë se dukej që po dilnin faqe botës si gënjeshtarë, thanë: “Ky është një grusht shteti!” Ky ishte skenari i parë. Nëpërmjet tij dëshën që të baltosnin një lëvizje të bekuar, një lëvizje të përhapur thuajse në të gjithë botën, një lëvizje që nuk u realizua dot as në kohën e perandorisë së madhe osmane. Dhe derdhën kësisoj gjithë vrerin që kishin brenda.

Megjithatë, nuk mjaftoi as ajo ngjarje që njihet si “17-25 Dhjetori”. Në 15 korrik krijuan një skenar tjetër, duke nxitur të tjerë që ta vinin në skenë. Ndoshta në të morën pjesë edhe disa myslimanë të përhumbur. Myslimanë të përhumbur!.. Një skenar që nuk përputhej fare me logjikën e një grushti shteti. E gjithë bota qesh me atë që ndodhi... dhe askush nuk mendon se mund të ketë ndodhur vërtet diçka e atillë. Kësaj here vendosën që të përfitonin prej saj dhe e kthyen në dhunë gjithçka pas asaj dite. U shkaktuan vuajtje me mijëra njerëzve dhe, për rrjedhojë, me miliona të tjerëve. Sepse, ç’është e vërteta, çdo individ është njëkohësisht edhe një familje. Dhe, po të kihen parasysh edhe të afërmit dhe miqtë, kemi të bëjmë me sa e sa familje. Me mijëra njerëz... Sepse, nëse zbatohen plane të tilla zbatohen mbi pesëdhjetë apo njëqindmijë njerëz, atëherë padrejtësia u është kryer me miliona njerëzve. Pa u kërkuar atyre falje dhe pa u thënë: “Na e bëni hallall këtë padrejtësi që ju kryem.”, atëherë, edhe sikur të falin namaz, edhe sikur të agjërojnë, është e pashmangshme që do të bien në Xhehenem. Të merituarit e Xhehenemit është i lidhur me cilësinë e “mohuesit”. Nuk po i quaj “mohues”. Sepse këto që po bëhen u kanë hije vetëm cilësive të mohuesit; një besimtar nuk mund t’i bëjë.

Edhe kjo ishte diçka tjetër, mirëpo u finalizua po ashtu me dështim; bota nuk u beson e as atë nuk e besuan. Menjëherë pas saj vendosën të vinin në skenë “skenarin e ambasadorit”. Doli dikush atje, që bërtiti, dhe deshën ta lidhnin me lëvizjen “Hizmet” edhe atë. Ai foli/bërtiti, duke e bërë të qartë përkatësinë e tij. Madje edhe përfaqësuesit, të mëdhenjtë, e grupit që ishte pjesë ai e pranuan, “po, është yni,” – thanë. Prapëseprapë, megjithëse thanë kështu, i gjithë ai shirit zifti, duke dashur që t’ia faturonte me çdo kusht lëvizjes “Hizmet” edhe këtë ngjarje, menduan se do të jepnin një goditje të fortë edhe nëpërmjet kësaj. Duke qenë se në mes të popullit nuk ka mbetur më asnjë që të mund të thotë të vërtetën, sepse i është mbyllur goja çdo zëri kundërshtues, dolën disa nga ata që Xhemil Meriçi i ndjerë i quante “as andej as këtej” vendosën që të qorrollepseshin pas tyre derisa të vinte çasti e gjithçka të lidhej edhe me vetë ata. “Aman, se mos i hapim ndonjë problem vetes!” – thanë. Mirëpo, dalëngadalë rrethi u zgjerua dhe kjo çështje preku edhe shumë të tjerë.

Një vrasje e atillë që, në dukje do të vënë në shënjestër disa politikanë dhe disa shpifës nën petkun e dëshmitarit, por, në të vërtetë, do të përpiqen të qëllojnë të përkushtuarit e “Hizmet”-it.

Edhe kjo nuk qe afatgjatë. Tani, bota qesh edhe me këtë. Madje nuk e besoi as vendi që përfaqësonte ambasadori i ndjerë. Edhe në gazetat e tyre me tirazhin më të lartë, edhe në televizionet e tyre, kjo çështje u trajtua krejt ndryshe. Dhe, me këtë rast, kur më pyetën edhe mua të ngratin, dhashë edhe unë një mendim timin, të cilin ndiej nevojë që ta përsëris edhe njëherë:

Ka disa njerëz që nuk i bëjnë dot ballë trysnisë, që e kanë sistemin e tyre imun të dobët në këtë pikë. Janë gjendur në mesin e “Hizmet”-it, mirëpo për të dalë nga situata, janë bërë dëshmitarë (më saktë do të ishte shpifës)[5]. Vetëm pak kohë më parë doli në shtyp se një nga të mëdhenjtë paska thënë: “Nëse ju na tregoni emra të tjerë; i nxirrni ata, atëherë unë do t’ju liroj!” Mirëpo edhe pas kësaj nuk i pati liruar. Megjithëse ata patën dhënë sa e sa emra. Dhanë emra njerëzish të pafajshëm. U vunë në ndjekje dhe, kësisoj, u plagosën edhe sa e sa të tjerë. U dëmtuan në punën e tyre, në bizneset e tyre, në reputacionin e tyre. Ja, të tilla metoda djallëzore janë përdorur.

Tani, unë shqetësohem se mos këtyre dëshmitarëve ose, më saktë, këtyre shpifësve, do t’u ushtrohet sërish trysni dhe, duke mos e përballuar dot sërish, ata që shpifin për vëllezërit e tyre besimtarë me cilësinë e dëshmitarit... sepse janë edhe ca pena shpifëse, mund t’i bëjnë keq edhe ndonjërës prej tyre. Kësisoj, do të ngrihen sërish e do të thonë: “Ja, edhe këtë e bëri Hizmet”-i. Sepse kanë qenë pjesë e tij më parë, por i dënuan, sepse tradhëtuan duke folur!” Po e shpreh këtë shqetësim timin dhe vazhdoj ta kem ende brenda vetes.

Sepse ata që vijnë nga vende të zeza, që jetojnë nëpër mjedise të zeza; ato mendje të zeza që e diskutojnë çdo gjë veçse me shpirtra të zeza, me mendje të zeza që i gjen deri në maja, është e pamundur që të mendojnë me dritë apo të realizojnë gjëra të ndritura. Edhe këtë mund ta bëjnë. Le ta dinë të gjithë!.. Një të pafajshëm... Mund të gjejnë një të pafajshëm... Mund t’i marrin, njëri vrasës e tjetri viktima... Dhe me një vrasje që do të mbetet çështje e pazgjidhur, mund të përpiqen që të njollosin lëvizjen “Hizmet”.

Mirëpo tani ka diçka që u ka dalë në pazar: duke vrarë dikë nga MHP-ja[6] apo nga XHHP-ja[7], të krijojnë antipati ndaj lëvizjes “Hizmet”... Është marrë vendimi dhe tani mbetet vetëm të gjehet kush do të jetë viktima. “Kë të vrasim që të jetë më e goditur?!. Kë të flijojmë që të kemi goditur në dymbëdhjetëshe?!.” Ka mbetur vetëm që të përcaktohet viktima. Dhe kjo u ka dalë në pazar, sepse kanë filluar të flasin.

Paturpësia ka arritur në një derexhe të atillë, që e gjithë bota po e ndjek duke ndjerë neveri. E bëjnë edhe këtë. Dhe, duke qenë që nuk ka mbetur më asnjë zë opozitar dhe gjithçka do të trajtohet siç e duan ata vetë prej gazetave të tyre që lëshojnë vetëm zift, do t’ju shfaqin sërish si fajtorë. Kur ju, përgjatë gjithë jetës suaj – duke qenë se jam më i sigurt për ju se sa për veten po flas kështu – nuk keni shkelur as mbi milingonat me vetëdije.

Mos u trembni prej atyre që i kanë ngritur salltanetet e tyre në zgrip të greminës, sepse ato janë të destinuara të rrëzohen; ju drejtojiuni Allahut dhe përpiquni të ecni në rrugën e kërkimit të Xhenetit të amshuar!..

Ka pasur edhe fjalë të tjera: Duke e shfaqur sikur të burgosurit, me të cilët kanë mbushur çdo hapësirë të mundshme plot e përplot, po kryengrihen, do të qëllojnë mbi ta, do t’i vrasin dhe do të thonë: “Ja, jua thamë, këta janë terroristë!” Ja këto janë gjëat për të cilat flitet pa ndërprerë në atë atmosferë të zezë. Kur i ke, shpirtin, ndjenjat dhe mendimet të zeza sterrë, është e pashmangshme që të përpëlitesh në atë atmosferë hajdutërie.

Ndjeva nevojë që t’i ndaja edhe me ju të gjitha këto. Kanë diskutuar pesë-gjashtë skenare. Ngase ishin të gjithë të shkruar mbi gënjeshtra, qenë të destinuar që të dështonin. “Kush është më i mbarë, ai që e ndërton ngrehinën e tij duke iu frikësuar Allahut (me devotshmëri) dhe mbi themelet e të kërkuarit të kënaqësisë së Tij apo ai që e ngre atë në zgrip të greminës, ku është e destinuar të rrëzohet dhe që rrokulliset bashkë me të drejt Xhehenemit? Allahu nuk e udhëzon turmën e të padrejtëve dhe nuk i lejon që t’ia arrijnë qëllimit.”[8] Allahu nuk do t’i lërë të marrin frymë këtë grup zullumqarësh.

Mos u besoni, mos u besoni asgjëje ç’thonë ata. Sepse ata veç me gënjeshtra bien e ngrihen; veç me shpifje bien e ngrihen; veç me skenare bien e ngrihen; veç me komplote bien e ngrihen; veç me hile e mashtrime bien e ngrihen. Kushedi sa e sa të zeza mund t’u shkojnë nëpër mend për të bërë... edhe mund t’i bëjnë dhe t’ia faturojnë një bashkësie të pafajshme të gjitha të zezat e tyre.

Po përdorin gjithë fuqinë që kanë në duar për t’i mbyllur shkollat e hapura nëpër vende të ndryshme të botës. Po përdorin ambasadorë, të dërguar të posaçëm dhe politikanë që t’i ndalin shërbimet e ofruara nëpër ato vende. Dhe në nja dy vende ia dolën që t’ua merrnin mendjen. Ndoshta i kërcënuan, ndoshta kushedi çfarë iu premtuan. Deri më tani nuk ngjan të kenë realizuar ndonjërën nga gjërat që mund të kenë premtuar. Sepse ata e quajnë “të lejuar” gënjeshtrën... Ata e shohin “të lejuar” mashtrimin... Ata e shohin “të lejuar” manipulimin... Prandaj po kryhen të gjitha këto të zeza, që nuk lejohen kurrsesi prej Islamit, duke iu vënë vula e “së lejuarës”. Sepse njerëzit e pacipë që arrijnë të kryejnë mëkatin e konfiskimit, të zaptimit, të kontrollimit, të vënies dorë mbi pasurinë e njerëzve, pasuri të cilën ata e kanë fituar me punë e me djersën e ballit, pa iu dridhur qerpiku, nuk e kanë për gjë të kryejnë edhe gjithçka tjetër, madje fare lehtësisht.

Po, kështu është, ta dini. Edhe në ahiret kështu ka për t’u ditur prej të gjithëve. Ashtu kanë për të dalë përpara Allahut; do të dalin e do të përkulen si kërraba. Ata njerëz që këtu hungërijnë e këlthasin si gorilla, ashtu do të ringjallen në anën tjetër, si gorilla, si majmunë, si derra të egër. U mjafton kaq turp!.. U mjafton edhe ai dënim!..

Sakaq, ju vazhdoni të kërkoni atë që keni qenë duke kërkuar!.. Ata të bëjnë ç’të duan, ju nuk duhet të mbeteni hapa pas në punën tuaj!.. Ju vazhdoni të thoni: “O Zot, të lutem të më bësh që të jem i sinqertë, i pastër dhe të arrij kënaqësinë Tënde, duke qenë në çdo çast i mbushur plot dëshirë e pasion të kulluar për Ty! Falma mua këtë mirësi!” Amin! Vazhdoni të thoni: “O Zot! Të lutemi që të na falësh dashurinë dhe mëshirën Tënde e të na drejtosh veç kah Teje; të na i mbushësh zemrat veç me frymën Tënde hyjnore dhe flladitjet e përtejshme; të na shpëtosh prej vetmisë duke na falur miqësinë Tënde, siç i ka hije shoqërisë, miqësisë dhe madhështisë Sate; të na ndihmosh e të na mbështesësh si i Madhi ynë, të na mbrosh me mbrojtjen dhe përkujdesjen Tënde, duke na marrë ne brenda fortesave dhe kështjellave të Tua të shëndosha e të pakapërcyeshme shpirtërore; të na mbështesësh e të na ndihmosh ne kundër gjithë armiqve tanë dhe të na çosh drejt fitores. Para së gjithash, të na falësh dëshirë e pasion karshi Teje dhe dëshirë të zjarrtë për t’u takuar me Ty. Bëna të mundur, o Allah, që të arrijmë besimin e përkryer, që ta jetojmë Islamin në mënyrën më të përsosur, që të arrijmë sinqeritetin, besnikërinë, drejtimin, përfaqësimin, dorëzimin te Ti, shpirtin e kryerjes së gjithçkaje me vetëdijen se Ti je duke na parë, që ta lëmë në dorën Tënde përfundimin e gjithçkaje dhe besueshmërinë për njerëzit!” Amin!

Thoni kështu dhe vazhdoni të ecni në atë rrugë që ju e dini se është rruga e duhur!.. Sepse Allahu (xh.sh.) kërkon prej jush shpirtin dhe pasurinë tuaj, duke ju thënë: “Jepmini mua, që t’ju jap ato që (di të) jap Unë!”


[1] Enfal, 8/30.

[2] Tarik, 86/15-16.

[3] Teube, 9/111.

[4] Bakara, 2/40.

[5] Në origjinal përdoren fjalët itirafçı (tr. dëshmitar)dhe iftiracı (tr. shpifës, që hedhin munxa), të cilat janë fjalë të ngjashme për nga tingëllimi.

[6] Partia Nacionaiste Popullore (akronimi në turqisht: MHP)

[7] Partia Republikane Popullore (akronimi në turqisht: CHP)

[8] Teube, 9/109.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.