Nevoja për paranojë
Që në krye të herës, përfaqësuesit e dhunës që (duan të) sundojnë mbi fatin e kombeve kanë përdorur gjithnjë çdo gjë që që të mund të ndjellin frikë në mesin e turmës, për hir të ideologjisë së tyre apo për të justifikuar dhe për ta veshur me petkun e së arsyeshmes çdo të keqe që kanë bërë; me pak fjalë, kanë arritur që përmes gjepurash të llojit: "po rrezikohet ideologjia...", "po na rrezikohet moderniteti...", "shihni, ngado vetëm armiq të demokracisë..." apo "po na ikën laiciteti nga duart...", të ndjellin shqetësim dhe frikë në radhët e turmave naive të popujve, duke i kthyer vendet fund e krye në çmendina.
Ata që e bëjnë këtë, ose janë edhe vetë paranojakë, ose ndiejnë nevojë për një paranojë të tillë shoqërore, në mënyrë që t'ia arrijnë synimeve dhe qëllimeve të tyre; po, e ndiejnë, dhe përmes kësaj, nganjëherë, frymojnë ngado veç terror, duke përdorur njerëzit që kanë arritur t'i mashtrojnë apo t'i kthejnë në robotë të tyre, e nganjëherë vetëm sa shtyjnë drejt panikut dhe shqetësimit për të ardhmen masat e mbërthyera prej naivitetit; nganjëherë mendojnë se po gënjejnë/mund të gënjejnë këdo duke përdorur gënjeshtrat e armëve të shkatërrimit në masë apo të atyre kimike; nganjëherë kanë arritur që të nxisin shqetësimin dhe panikun e masave që nuk dinë asgjë, duke përhapur gjullurdinë e dëmtimit të laicitetit përmes përhapjes së fesë, duke i zvarritur ata drejt gjithfarë dyshimesh, por që me fjalë më të drejtpërdrejta do të quhej paranojë shoqërore.
Populli është përpëlitur mes dyshimesh që nuk kanë kurrfarë baze apo argumenti, shoqëria është mbërthyer nga paranoja, mirëpo kjo nuk ka kurrfarë rëndësie për ta; për ta e rëndësishme është veçse lumturia e një grushti oligarkësh, përfitimet e tyre vetjake dhe sundimi e mbizotërimi i atyre që janë më të fortët. Këta se ç'gjejnë ca arsyetime për grabitjet, zaptimet dhe pushtimet e tyre postmoderne, si psh. "u vu në rrezik i gjithë sistemi...", "po na lëkundej ideologjia kombëtare...", "bëhej fjalë për një rrezik madhor për mbarë njerëzimin, si armët bërthamore...", "po përballeshim me një realitet që nuk na ka hije..." dhe, duke i ushqyer mirë e mirë me gjithfarë gënjeshtrash të gjitha këto gjepura, plus që edhe topi edhe topuzi është i tyri, kësisoj, ata mund të shajnë këdo, mund të ndërhyjnë me lehtësinë më të madhe kudo; kryejnë krime, mbyllin dyer dhe të gjitha këto i lënë amanet te paranoja e zgjuar në shpirtrat e turmave naive.
Paranojë, mbi të gjitha, do të thotë të dyshosh për çdo gjë, të jesh vazhdimisht i kapluar prej shqetësimit se prej këtij apo atij mund të të vijë ndonjë e keqe, ta ndiesh veten të pasigurt kudo që ndodhesh dhe të biesh e të ngrihesh në çdo çast me gjithfarë sajesash në kokë. Mirëpo nganjëherë këto përzihen edhe me çështje si egoizmi, vetëpëlqimi, krenaria dhe mendjemadhësia, derisa një njeri i tillë kthehet në një të çmendur e psikopat të mirëfilltë.
Psikiatrët, kur flasin rreth njerëzve që shfaqin shenja të një paranoje të fortë në mesin e psikopatëve, nënvizojnë këto simptoma: (1) mbivlerësim i vetvetes; një lloj hipertrofie e "unë"-it, e cila shprehet me sjellje, si mendjemadhësia, egoizmi dhe vetëpëlqimi... (2) sëmundja e dyshimit të tepruar dhe ndjesisë së mosbesimit ndaj gjithkujt prej frikës se mos nga çasti në çast të tjerët do të të bëjnë ndonjë padrejtësi; (3) të jetuarit veç me dyshimin se mos ke gabuar, çka i jep formë edhe kornizës së tyre të mendimit dhe të gjykimit për çdo gjë dhe, mandej, sëmundja e sajimit të gjithfarë provave dhe gjepurave të palogjikshme për t'i përforcuar edhe më tepër dyshimet e tyre; dhe (4), si përfundim, duke qenë se këta lloj njerëzish e shohin çdokënd me njëfarë mosbesimi dhe me një paqëndrueshmëri stoike, ndiejnë brenda vetes një mospërputhje me shoqërinë dhe mungesë sigurie të theksuar. E plotë apo e pjesshme, për ta paranoja shfaqet herë me të gjitha këto simptoma, herë mund të ndihet edhe vetëm me një ose dy syresh; edhe pse mund të gjendet mes njerëzve, çmenduria e një njeriu në një gjendje të këtillë është e padiskutueshme.
Paranoja nis dalëngadalë te shpirtrat e zgjuara dhe zhvillohet mandej dalëngadalë; me kalimin e kohës, përmes një bombardimi mendimesh, ndikimesh dhe dyshimesh, nganjëherë edhe përmes gjykimesh të arritura gabim, ajo merr trajtën e një çmendurie të tejzgjatur, duke u kthyer në një rreth vicioz dyshimesh vrastare: një njeri që preket prej një sëmundjeje të këtillë, bie e ngrihet veç me dyshimin se do t'i bëhet ndonjë padrejtësi; përpëlitet veçse me frikën dhe shqetësimin se të tjerët janë duke planifikuar diçka të keqe rreth tij... duke e ngritur çdo gjykim mbi të mundshmen dhe jo mbi faktin, ai fillon t'i shohë shumicën e njerëzve si fajtorë potencialë dhe përpiqet që të hartojë strategji njëra pas tjetrës rreth asaj se si do të mund të përballet me ta; "unë duhet t'i shtyp ata përpara se ata të më shtypin mua!" dhe, kësisoj, ata i hapin luftë njerëzve të pafajshëm, derdhin gjak, pijnë gjak, derisa, me kalimin e kohës, gjithçka merr trajtën e një makthi të përgjakur për ta. Nganjëherë ata i shohin sajesat e tyre si ideale dhe mund të kryejnë gjithfarë të këqijash apo mëkatesh për t'i jetësuar, për t'i ngritur dhe për t'i paraqitur ato sa më bukur. Mirëpo nuk mjaftohen vetëm me kaq, sepse ata mbajnë vazhdimisht një qëndrim prej armiku ndaj kujtdo që e shohin si pengesë të vijimësisë së sundimit të tyre ose, thënë me fjalë të tjera, ndaj atyre që dyshojnë se mund të jenë në kërkim të pengimit të tyre; me ç'të kenë në dorë ata nuk e lënë pas dore që t'i tregojnë vendin secilit syresh.
Paranoja, përveçse është një sëmundje e frikës, dyshimit dhe vesveseve të vazhdueshme, ngjan të jetë edhe burimi i çdo qëllimi dhe pandehme të keqe rreth gjërave dhe njerëzve. Në klimën e saj fillon të marrë trajtë çdo lloj mendimi përçarës, të menduarit mes "nesh" dhe "atyre". Atje vendoset për çdo sulm të padrejtë dhe atje ngjizen të gjitha përbaltjet e fytyrave më të bardha e më madhështore. Të gjitha klishetë lidhur me "prapambetjen" që karakterizon fenë janë produkt po i kësaj atmosfere të ndyrë të dyshimit. Të gjitha trysnitë, deri edhe ato nga më të paimagjinueshmet, janë shprehje dhe vijnë si pasojë e zbrazjes dhe zbrazjes së saj në realitet.
Paranojaku nuk njeh askënd pos vetes; është i pabesë, mosmirënjohës dhe fjalës së tij nuk mund t'i zihet besë; nuk njeh kurrfarë kriteri drejtësie dhe është tmerrësisht i padrejtë karshi saj. Jo vetëm kaq, por ai e cilëson si budallallëk dhe çmenduri të jetuarin sipas këtyre vlerave fisnike. Ai nuk beson askund, edhe pse mund të thotë se beson, ndaj edhe bie e ngrihet veçse me dyshimin se edhe pas punëve më të përzemërta të besimtarëve më të sinqertë mund të fshihen disa interesa të kësibotshëm. Herë-herë ata mbyten prej vesveseve edhe nga sjelljet më të pafajshme, duke i pritur dhe i vlerësuar me njëmijë dyshime edhe përpjekjet më të dobishme.
Paranojaku është poende një njeri që sheh dhe mendon vetëm për veten, një egoist dhe një i vetëpëlqyer që rend veçse pas dëshirave të tij trupore; një narcist që ndien simpati të papërshkrueshme për veten dhe nuk i shmanget në asnjë rast shprehjes së kënaqësisë për sjelljet, veprimet dhe qëndrimet e veta; megjithëse është i gatshëm dhe i prirur që të krijojë gjithçka tjetër pos mendimeve, masave apo zgjidhjeve të ofruara prej tij. Ai i sheh si të gabuara të gjitha ato çfarë shkruhen e lexohen, pretendon se fjalët e thëna janë në mospërputhje me njëra-tjetrën, duke u orvatur që çdo gjë ta shfaqë në më të zezën e mundshme të saj, sepse askush nuk është si ai. Mendimet, masat dhe zgjidhjet e ofruara nuk kanë dalë prej mendjes së tij; nuk i ka shkruar ai ato shkrime dhe nuk i ka shprehur ai ato fjalë. Andaj, as që mund të mendohet që ndonjëra syresh të jetë e drejtë, t'ia vlejë apo të jetë me vend.
Çdo gjë, përveç paranojakut vetë, qiejt dhe toka, malet dhe gurët, ujërat e rrjedhshëm dhe zogjtë që fluturojnë, çdo gjallesë që jeton dhe lëviz me një përsosuri të pashembullt, madje edhe njerëzit e shkallëve më të larta, siç janë evlijatë apo profetët... po, çdo gjë, çdo gjë, në vështrimin e tij është ndryshe nga ç'duket dhe duhet parë medoemos me dyshim. Është e çuditshme, sepse ai nuk e ndien dhe nuk e kupton se është duke jetuar mes një mospërputhjeje shumë të fortë; nga njëra anë e sheh gjithçka, çdo send, çdo gjë dhe çdo njeri si të ndryshme nga e dukshmja dhe është një bohem i dhënë marramendthi pas vetes, që ndjek çdo mundësi për të ngarendur pas dëshirave të tij egoiste apo instinkteve trupore që e ngacmojnë dhe ai i nxit parreshtur, ndërsa nga ana tjetër është një egoist i çmendur pas interesave vetjakë; duke qenë poende një skllav i pafat që nuk e pranon lirinë i mërzisë, urrejtjes, mllefit dhe dëshirave të tij trupore përgjatë gjithë jetës: kërkon të marrë hak prej çdo gjëje që i kërkon shpirti; ngarend përgjatë gjithë jetës veçse pas dëshirave të tij, duke shfaqur një oreks gati vdekjeprurës për t'i përmbushur ato; e lëshon veten kah çdo lloj paturpësie dhe veprimi të neveristshëm... për të nuk ekzistojnë as ndrojtja, as turpi, as nderi, as kultura kombëtare e as ligjësitë e shoqërisë; ai nuk i sheh ato, nuk i merr fare parasysh, mjaft që të përjetojë, qoftë edhe për një sekondë të vetme, ndonjërën prej kënaqësive që i kërkon trupi... Egoizmi ia ka mjegulluar horizontin gjer në atë shkallë sa atë mund ta quash edhe si "fatkeqësia e vetvetes"; mendjemadhësia, dëshira për t'u dukur dhe për të lënë përshtypje te të tjerët, të parët e të tjerëve gjithnjë si më të vegjël, madje edhe duke i ulur ata në sytë e të tjerëve janë ndër gjendjet e tij të përhershme dhe të pandryshueshme; dëshira e tij për të mbizotëruar mbi çdokënd e gjithçka është kthyer për të në një domosdoshmëri të patjetërsueshme me asgjë tjetër. Po të kish mundësi, do të donte që të kishte gjithë botën nën sundim dhe, po i pati ardhur në mendjen e mallkuar diçka e këtillë, atëherë provon çdo rrugë për t'ia arritur, vlerëson çdo mundësi dhe shkak dhe nuk ka mëkat që do ta cilësonte si të tillë, nëse do t'i bënte të mundur daljen atje ku dëshiron ai: gënjen, mashtron gjithë botën, gjer edhe veten; nuk mban asnjërën prej fjalëve të dhëna; tradhton çdo amanet që i lihet; thur gjithfarë intrigash që nuk të shkojnë as nëpër mend, madje mund të marrë edhe jetë për këtë; derdh gjakun e kujtdo, pa bërë dallim mes të pafajshmëve apo fajtorëve; madje nganjëherë mund të qëllojë që të vrasë edhe ndër ata që mendojnë njësoj me të; bën ç'bën dhe krijon vazhdimisht fronte kundërshtarësh dhe, sikur të mos mjaftonin vetëm këto për t'i mashtruar njerëzit, i turret masave që kërkon të sundojë, duke ndjekur parimin se "forca ka të drejtë mbi çdo gjë tjetër", pa i bërë fare përshtypje se ç'janë nderi, cipa, drejtësia, demokracia apo të drejtat e njeriut.
Paranojaku nuk i sheh dhe nuk do që të përballet asnjëherë me vlerat universale njerëzore. Mundësisht, nëse mund t'i përdorë ato kundër frontit të shpallur armik, këto vlera ai mundësisht nuk i heq asnjëherë nga goja; krejt e kundërta, nëse sheh se ato po përbëjnë tashmë pengesë për realizimin e mendimeve të tij të pista, pa iu dridhur fare qerpku, ai është i gatshëm që të shkatërrojë deri edhe fenë, besimin, kulturën, moralin dhe drejtësinë, duke e shfaqur mandej veten si përfaqësuesin e vërtetë dhe të vetëm të tyre. Ai, thënë shkurt, është një i pacipë që nuk e bart ndjenjën e turpit; nuk turpërohet, as nga ato që bën, as nga ato që planifikon gjatë gjithë kohës; lëreni të turpërohet, por ai e quan inteligjencë, aftësi të veçantë dhe sukses të padiskutueshëm nëse arrin që të thurë komplote të suksesshme, të arrijë që t'i nxjerrë jashtë loje apo t'ua marrë gjithë ç'kanë të gjithë atyre, "të tjerëve", të cilët i ka zgjedhur për armiq; të tillë i quan dhe dëshiron ta hajë e ta përpijë çdokënd, duke i parë edhe në sy madje. Mandej, i pëlqen veçse të rrijë e të kënaqë veten në batakun e rehatisë.
Si sjelljet, ashtu edhe struktura e mendimit e paranojakut janë përherë të kapluara nga mjegullnaja dhe tërësej të paqëndrueshme: ashtu siç mund të ketë çaste që ai duket i ngrohtë sa më s'ka, poende, nuk janë të pakta rastet kur do ta shihni se është bërë akull i ftohtë. Çuditesh kur sheh se larmia e mendimeve të tyre përkon me ngjyrat e tij të njëpasnjëshme; ai arrin të marrë çdo formë, të veshë çdo petk dhe të shfaqet si përfaqësues i çdo klase shoqërore, porsi një kameleon. Nëse të dukurit si mysliman i ofron ndonjëfarë interesi të kësibotshëm, ai shfaqet menjëherë me petkat e njeriut shumë të devotshëm dhe sillet si një besimtar shembullor; por nëse zënë të fryjnë erëra të përkundërta, atëherë ai kthehet në identitet, duke shfaqur gjithë ashpërsinë që i vjen ndoresh. Kur mjedisi dhe kushti janë të përshtatshëm për të përdorur forcëën, atëherë ai nuk i jep mundësi askujt prej frontit tjetër që të marrë frymë, por i shkel dhe i shtyp të tërë. Ndërsa atje ku fillon të ndiejë dobësinë e vet dhe e sheh që nuk e përdor dot forcën, atëherë ai kthehet në një puthador të paskrupullt, duke shfaqur një nga pamjet më të ulëta të personalitetit njerëzor.
Paranojaku është i sëmurë, si në mendje, ashtu edhe nga ndjenjat. Kjo sëmundje tek ai është kthyer edhe në natyrë, por edhe në qëllim të tij; ndaj edhe, përveç se ai shfaq përherë një mungesë të theksuar karakteri, ai jeton vazhdimisht me një zjarrmi për t'i prekur edhe të tjerët me virusin e tij, njësoj siç bëjnë disa të prekur prej AIDS-it apo sifilizit; kështu jeton dhe bën çdo gjë për të krijuar një front të tërë paranojakësh: nganjëherë krijon armiq imagjinarë që veprojnë kundër tij, nganjëherë ndjell te të gjithë frikën se të gjithë janë të rrezikuar nga diçka shumë serioze; po të jetë nevoja, ai mund të shkaktojë vetë terror që ta bëjë sa më të besueshëm për masat naive të popullit "vërtetësinë" e këtij rreziku. Në çdo çast ai mendon vetëm hilen dhe lojërat mashtruese... gënjen... sillet veç me dyfytyrësi... herë-herë mund të duket prej të drejtëve, por përpjekja e tij e vetme është që t'i mashtrojë të gjithë, duke u orvatur që të jetë sa më i besueshëm karshi njerëzve, për t'ia arritur qëllimit që ka sajuar në mendjen e tij; teksa i bën të gjitha këto, kujdeset veçanërisht që të duket sa më i besueshëm dhe të falë sa më shumë siguri te njerëzit që ka pranë; si i tillë shfaqet, mirëpo nga çdo sjellje dhe çdo qëndrim i tij sheh të burojë veç mungesë besimi, panik dhe mëdyshje.
Në thelb, ai nuk është tjetër veçse një gënjeshtër; edhe kur ulet, edhe kur ngrihet, edhe kur qan, edhe kur qesh, edhe kur është i ashpër, edhe kur është i dashur dhe i dhimbsur, edhe kur është i lumtur, edhe kur është i pikëlluar, ai është mishërimi i një gënjeshtre. Ai përpiqet përherë të shfaqet ndryshe nga ç'është në të vërtet; këta lloj njerëzish nuk flasin ashtu siç mendojnë, qëllimin e tyre të mirëfilltë e mbajnë përherë të fshehtë dhe shfaqin vijimësisht karaktere nga më të ndryshmit. Dhe, duke qenë se jetojnë një jetë me luhatje të këtilla, nuk ka çast që të mos jenë të shqetësuar se një ditë do t'u dalë në dritë fytyra e tyre e vërtetë; aq shumë i tremben një dite të këtillë, saqë kushedi se sa herë vdesin dhe ringjallen prej frikës. Për rrjedhojë, edhe pse njerëzit që do të nxjerrë në pah paranojaku janë të tjerët, ai që vuan më shumë është po ai vetë, aq sa situata në të cilën gjendet ai i ngjan asaj të një njeriu të mbyllur brenda një fuçie të shtruar me gjilpëra në çdo anë. Andaj, edhe pse ai mund të përpiqet ta gënjejë veten duke u përfshirë në gjithfarë lojërash apo aktivitetesh argëtuese, për të nuk mund të thuhet asnjëherë se shijon ndopak lumturi.
Duke qenë se bota shpirtërore dhe e ndjenjave e paranojakut është përherë e pluhurosur dhe e kapluar prej tymnajës dhe ai është në çdo çast i prirur drejt ngatërresave, edhe në punët e tij më të mira dhe më pozitive mund të dalloni përherë një qëllim të keq dhe majën e një ngatërrese; mirëpo ai nuk e pranon asnjëherë që puna e tij të cilësohet si "ngatërresë" apo "dashakeqëse"; nuk e pranon, madje ai derdh mund pa fund, me gjithfarë demagogjish për ta treguar atë sa më "të mbarë". Që prej kur zgjohet e deri sa fle dëshira e tij më e madhe është që t'i ngatërrojë njerëzit me njërit-tjetrin. Nganjëherë merr klasa të ndryshme shoqërore dhe i përplas me njëra-tjetrën, ndonjëherë krijon kampe armiqësore mes tyre; mandej e përdor këtë përçarje po për interesat e veta. Të gjithë ata që nuk mendojnë si ai apo që mund të përbëjnë pengesë për arritjen e tij të interesave ai i akuzon herë si antidemokratikë, herë si rrezik për modernitetin; nëse nuk mjaftojnë as këto, atëherë ai përpiqet t'ia mbyllë gojën gjithkujt duke lëshuar kujën për "rrezikun e prapambetjes që sjell feja", duke kërkuar çdo rrugëdalje që e nxjerr tek arritja e synimeve. Të gjitha janë gënjeshtra, ngatërrestar është çdo veprim, dyfytyrësia e karakterizon çdo punë të tyren dhe një mashtrim i madh çdo qëndrim dhe mendim i tyri. Mirëpo sa njerëz ka që mund të arrijnë me të vërtetë t'i përkapin dhe t'i kuptojnë të gjitha këto!?
Paranojaku është një i marrë me tërë kuptimin e kësaj fjale; mirëpo vetëm ai nuk është i vetëdijshëm për këtë. Është krejt e kundërta, sepse ai e pandeh veten si të zgjuar dhe shumë të ditur dhe, për rrjedhojë, gjithë të tjerët i sheh si njerëz që u mungon inteligjenca dhe aftësia për të arsyetuar. Megjithëse ai pandeh kështu dhe i beson kësaj, ai nuk arrin asnjëherë që të kënaqet dhe të arrijë lumturinë; sepse ai e sheh veten të mbërthyer prej dyshimeve se është i rrethuar nga çdo anë nga një armik dhe, në arenën ndërkombëtare, nga organizata të tëra terroriste, që kërkojnë t'i bëjnë keq. Ka frikë dhe dridhet i tëri nga frika prej këtyre armiqve radhë-radhë që ka stisur me fantazinë e vet. Mendon pa ndërprerë se nuk do t'ia dalë dot, ndaj edhe provon që të kërkojë ndihmë; i duhet që t'i njohë edhe ata me armiqësinë e armiqve që i kanosen atij vetë, duke u përpjekur që t'i bindë edhe për seriozitetin e çështjes... po, ai ndien se është e nevojshme që të kaplohen të gjithë prej dyshimeve dhe frikërave që kanë pushtuar atë vetë, në mënyrë që mendimet, planet dhe operacionet e ndërmarra prej tij të bëhen legjitime; sepse për sendërtimin e ëndrrave dhe planeve të tij është e nevojshme një paranojë, e cila të ketë mbërthyer mbarë shoqërinë, madje edhe më, një paranojë ndërkombëtare. Kësodore, duhen vënë në punë të gjitha gazetat, revistat, televizionet, radiot, çdo mjet i komunikimit mediatik, në mënyrë që të vihen në lëvizje njerëzit; duhet të shfaqen sa më shumë elementë të rrezikshëm; do ndalur me çdo kusht mbi rrezikun që po iu kanoset të drejtave të njeriut dhe parimeve themelore të demokracisë e të republikës; masat dhe turmat duhen bindur se vendi është duke ikur nga duart; do zgjuar dyshimi dhe duhen çmendur masa naive e popullit, se mbarë kombi është rrethuar nga të katër anët dhe do bërë ç'është e mundur që të mos vërehet dhe, rrjedhimisht, të mos gjykohet çmenduria konstante e të çmendurit në krye.
Po, të gjithë ata që duan t'i shtypin të tjerët, të sundojnë mbi ata apo që duan të pushtojnë e të kontrollojnë ndonjë hapësirë gjeografike, kanë nevojë për zgjimin e një paranoje të këtillë në radhët e shoqërisë/ve. Për mendimin tim, rrekjet e vazhdueshme të këtyre njerëzve, të cilëve ua ka marrë mendjen mllefi, urrejtja, ambicia dhe armiqësia ndaj fesë, për t'i trembur, frikësuar, futur në panik, duke i tërhequr nga një dyshim e një mashtrim në tjetrin, vetëm e vetëm që t'i bëjnë si vetja, janë më se të logjikshme brenda logjikës së çmendurisë. Zaten do të ishte gënjim i madh i vetes që të prisje diçka ndryshe prej të tillëve.
Fatkeqësisht, sot mund të themi se në mbarë botën, nga Muri i Madh kinez e deri në Marakesh, nga Kapadokia deri në vendet përtej oqeanit, është duke u përjetuar një paranojë që nuk njeh kurrfarë caku dhe që nuk dëshiron të lejojë askënd që të marrë frymë i lirë. Nëse për këtë janë të nevojshëm një duzinë terroristësh, pushtuesit që përpëliten prej varësisë që kanë ndaj nevojës për paranojë, përfaqësuesit e dhunës, që duan të sundojnë mbi mbarë botën, kjo lloj fare kolonialistësh postmodernë, ashtu siç mund t'ia arrijnë qëllimit duke përdorur disa vrasës gjakatarë, të cilët mund të merren lehtësisht me qira, mund ta bëjnë këtë edhe më lehtë, duke mashtruar apo duke kthyer në robotë nja 4-5 njerëz të gjorë, duke prodhuar gjithfarë terrorizmash, sipas ngjyrës dhe motivit të kërkuar në atë kohë.
Tani për tani, edhe pse pjesërisht, duhet ta pranojmë se ia kanë arritur qëllimit. Po, sepse nëse arrin të gjesh kaq shumë njerëz që blihen e shiten lehtësisht, vrasës gjakatarë me pagesë apo njerëz të pashpresë që nuk gjykojnë dot, atëherë mund ta ndezësh kudo zjarrin e ngatërresave, duke përdorur emrin e terrorit, duke planifikuar vrasje apo duke provokuar disa mendje të cekëta përmes ndjeshmërisë dhe mendimeve fetare; kësisoj, edhe e tërheq mbarë shoqërinë, madje nganjëherë edhe mbarë njerëzimin, drejt dyshimit dhe mashtrimit, edhe gjejnë justifikimin e nevojshëm, megjithëse mund të jetë i dobët, për ata që kanë rrëzuar, kanë vrarë e prerë apo u janë hedhur sipër e i kanë shtypur.
Nuk ka shumë rëndësi, nëse janë paranojakë apo psikopatë, të gjithë ata që planifikojnë gjëra të kësaj natyre në rrafsh botëror. E vërteta e vetme, e cila është më se e dallueshme, është kjo: që përfaqësuesit e dhunës në rajone të ndryshme të botës, me ambiciet e tyre për të sunduar botën dhe për ta vënë gjithçka nën kontrollin e ideologjive të tyre dhe disa të tjerë, inatçorë në mohimin e tyre, të mund ta vazhdojnë mohimin, inatin dhe armiqësinë e tyre ndaj fesë, besimit dhe Kuranit Famëlartë, është e nevojshme që masat të tërhiqen kah dyshimi, kah mashtrimet masiv dhe të përjetojnë një paranojë të gjerë mbarëshoqërore. Mua vetë më duket se edhe sikur e gjithë shoqëria të jetë duke përjetuar një gjendje marrëzie kolektive, përfaqësuesit e dhunës, nuk do të heqin kurrë dorë prej të gënjyerit, mashtrimit të popullit, pompimit veçse të dyshimeve në mendjet e tyre dhe përpjekjeve për t'i bërë të gjithë që të mendojnë si ata vetë.
- Publikuar më .