Rruga e dobësisë dhe varfërisë

Si njerëz ne kemi punë dhe ngarkesa nga më të ndryshmet në përditshmërinë e jetës së tyre, bëjmë zgjedhje nga më të ndryshmet dhe nuk mund ta dimë nëse e kemi apo jo pëlqimin e Allahut të Madhërishëm në ato zgjedhje që bëjmë. Ndoshta, pa vetëdije ne mund të përfshijmë edhe egoizëm në mesin e punëve tona. Duke pretenduar se po tregojmë për Allahun mund të pretendojmë nga pak se jemi të ditur.. guxojmë që ndihmesën hyjnore, e cila na vjen në formën e mbështetjes dhe përbashkimit, t'ia atribuojmë aftësive dhe kapacitetit tonë personal... Dhe kushedi në sa e sa gabime të tjera si ky mund të biem gjatë ngarendjes sonë të përditshme. Të gjitha këto rreziqe të fshehta janë realitet për shumëkënd që përpiqet ta jetojë Islamin ashtu siç duhet, njësoj siç edhe është tejet e vështirë që t'u qëndrojnë larg këtyre rreziqeve të gjithë ata që nuk e jetojnë jetën rreth boshtit të vetëllogarisë dhe ballafaqimit të vazhdueshëm me veten, të cilët nuk e shumëzojnë veten me zero disa herë në ditë përpara Allahut.[1]

Në të vërtetë, nëse ne e konsiderojmë si horizont për veten që të mendojmë pak për ekzistencën tonë, për se ku është pozicioni ynë përpara Allahut, atëherë mund të qëndrojmë larg nga shprehjet dhe sjelljet që shprehin hipokrizi të fshehtë dhe duke i kuptuar mirësitë që na ka falur Allahu, në vend të "bëj unë", fillojmë të themi "na bën Ai që t'i bëjmë". Mbase kuptojmë se vendosmëria, vullneti, përpjekja dhe mundimi ynë nuk janë gjë tjetër veçse një hije e hijes së hijes së shfaqjes së Tij. Ka shumë për të bërë për sa i përket kësaj. Përcaktimi i qëndrimit të duhur të të qenit rob i Allahut, sipas pozicionit që kemi përpara Tij, kërkojnë një përpjekje dhe vendosmëri serioze. Në të kundërt, pa e kuptuar fare ne mund të biem në gabimin që t'ia atribuojmë vetes të gjitha mirësitë sa na ka falur Allahu i Madhërishëm (xh.xh.). Dhe ky është një ndër llojet e hipokrizisë (idhujtarisë) për t'i shpallur Atij ortakëri në atë çfarë nuk është veçse zotërim i Tij.

 

Të mirat e falura

Ne gëzojmë mirësi të panumërta e të jashtëzakonshme, të cilat na i ka falur Allahu. Para së gjithash, nuk kemi mbetur në hiç, por jemi shfaqur në ekzistencë. Nuk na është mjaftuar vetëm ekzistenca, por jemi të gjallë. Jo vetëm që kemi frymë e jemi të gjallë; jemi pajisur me arsye, vetëdije dhe vullnet. Krahas kësaj, ne jemi nderuar që të jemi rob të Allahut të Lartësuar dhe umet i Profetit tonë (pqmT). Njëkohësisht, në një kohë kur Feja Madhështore e Islamit është lënë pre e përçarjes, ne gjendemi të pozicionuar në radhët e atyre që duan mirëkuptimin dhe paqen. Edhe sikur të gjithë pjesën e mbetur të jetës ta kalojmë pa e ngritur asfare kokën nga sexhdeja, ne prapëseprapë nuk e kryejmë dot siç duhet falënderimin e nevojshëm për të gjitha këto mirësi. Mirëpo, nëse nuk ia dimë vlerën dhe rëndësinë të gjitha këtyre mirësive, ky mohim, kjo mosmirënjohje, mund ta çojë njeriun drejt një rrëzimi tatëpjetë të pashmangshëm.

Zoti i Madhërishëm, disa njerëzve, u ka falur edhe sa e sa mirësi edhe më të veçanta. Disave u ka dhënë plaçkë e pasuri, disave poste dhe pozita, disave forcë dhe pushtet, disave emër dhe famë. Ata dalin të fituar nëse e dinë se nga kush u kanë ardhur gjithë këto mirësi dhe vetëm nëse i drejtohen Atij me mirënjohje dhe falënderim. Përndryshe, nëse ata ia njohin vetes meritën e tyre, duke u treguar mosmirënjohës, kësaj here, bashkë me këtë, ata e çojnë veten drejt shkatërrimit. Njësoj si në jetët e Belam ibni Baura dhe Bersisës, që janë për të marrë mësim, të cilat shfaqen në burime të ndryshme. Sa e sa Belamë dhe Bersisa duhet të kenë ardhur e të kenë kaluar gjatë historisë së njerëzimit, që i kanë keqpërdorur të mirat dhe dhuntitë që u ka falur Allahu, e janë shkatërruar për këtë arsye.

Në fakt, për të parë këtë, nuk ka nevojë të shkojmë deri në skutat e largëta të historisë. Mjaft të shohim në ditët e sotme, se si shumë njerëz që Allahu u ka falur forcën, fuqinë, pushtetin, famën, emrin dhe reputacionin, të cilët vetëhelmohen duke i ditur ato nga vetja. Mashtrohen nga vlerësimi dhe duartrokitjet e njerëzve, kaplohen nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi, aq sa mund ta konsiderojnë vetveten një qendër të botës. Dëshirojnë si e si që çdo gjë të lidhet me ta, të pyeten ata për çdo çështje, t'u kërkohet atyre zgjidhja e çdo vështirësie dhe askush të mos dëgjojë asgjë, përveç fjalës së tyre. Kësisoj ata shtohen si një faqe e shëmtuar në librat e historisë, duke ia shkatërruar vetes si këtë botë, ashtu edhe jetën e përtejme.

Çdokush mund të humbë, nëse nuk bën kujdes. Poende ata që ia kushtojnë vetes një kauze të shenjtë mund të përballen me rreziqe të ngjashme. Nëse do t'i hidhnin një sy rrugëtimit jetësor të tyre, njerëzit që i kanë dhënë zemrën kauzës së shërbimit për besimin dhe Kuranin do të shohin se Allahu u ka falur atyre sa e sa mirësi, të cilat ata as që nuk i kanë pritur ndonjëherë. Allahu i nderoi heronjtë e shërbimit me aq shumë të mira, sa që, pikë së pari, ata arritën në një pikë që ata nuk e kishin pritur kurrsesi në ditët e para të tyre. Ne e konsideronim si një gjë shumë të madhe dhe fluturonim nga gëzimi, kur hapnim një-a dy shtëpi të reja ku mund të rrinin nxënës. Kur shtëpitë u shndërruan në konvikte dhe numri i konvikteve nisi sa vinte e të shtohej, habiteshim edhe më shumë. Fill pas tyre u hapën me qindra shkolla, jo vetëm në Turqi, por në vende të ndryshme të botës. Shkollat u pasuan nga qendra kulturore, institute të dialogut dhe sa e sa institucione të rëndësishme të tjera. Dhe nuk mund ta dimë ende se ku mund të shkojë, sepse Allahu që dha të gjitha këto dje, nesër nuk dihet se ç'mund të falë tjetër.

Gjithë shërbimet e bëra gjer më sot nuk mund t'i referohen kurrsesi inteligjencës sonë personale, fuqisë minimale që kemi ne, e aq më pak pushtetit. Po ta bëjmë këtë, do të vërejmë një asimetri, një mospërputhje, shumë të madhe mes shkaqeve dhe pasojave. Këtu sigurisht që është mirësia e ndihmesës së Allahut. Për rrjedhojë, detyra jonë e robërimit karshi Allahut na kërkon që t'i drejtohemi Atij me falënderim dhe lavdërim për të gjitha këto mirësi të jashtëzakonshme. E, prapëseprapë, sado që të bëjmë në emër të falënderimit, ne nuk e kryejmë dot të plotë e ashtu siç nevojitet atë. Sikur të falim namaz gjer në agim, të mos e ngremë asfare kokën nga sexhdeja, të agjërojmë pa pushuar asnjë ditë, të shkojmë në Haxh çdo vit, ne nuk e përmbushim dot falënderimin e të mirave të pafundme, për të cilat Allahu i Madhërishëm na ka parë të denjë. Andaj, çfarëdo që të bëjmë ne për Allahun, neve na takon që t'i shohim adhurimet tona si të pamjaftueshme dhe të themi vazhdimisht: "O i Adhuruari i Vetëm, o Qëllimi i Vërtetë, ne nuk të adhuruam dot siç i kishte hije madhështia dhe lartësia Jote. O Ti që je Ekzistenca më e Dukshme, ne nuk të njohëm dot ashtu siç duhej. Zoti ynë, që je i Vetmi që meriton të falënderohesh, ne nuk të falënderuam dot ashtu siç duhej. O Ti që përmendesh në çdo gjuhë, ne nuk të përmendëm dot ashtu siç duhej. O Zot, që je qendra e tërë lavdeve e lavdërimit, ne nuk e bëmë dot lavdërimin ashtu siç Ty të takonte! O Ekzistenca më e Lartë e Supreme, që çdo gjë në qiej, në tokë e gjithë ç'ka në to të përmend e të përlavdëron Ty, ne nuk të përmendëm e nuk të respektuam dot ashtu siç duhej."

 

"Nëse falënderoni, jua shtoj..."

Njeriu, të gjithë jetën duhet ta jetojë brenda qerthullit të ndjenjave të dobësisë e varfërisë, me ndjenjat e dashurisë dhe falënderimit për Allahun; sa herë që mund t'i vijë në mendje mendimi "unë bëra diçka", ai duhet t'i drejtohet e t'ia shprehë Allahut gjendjen e tij me fjalët e mësipërme. Nëse arrin të bëjë një jetë të këtillë, nëse ne i qasemi jetës me ndjenjë falënderimi për të mirat që jemi parë të denjë, edhe Allahu i Madhërishëm (xh.sh.) do të na i shtojë ato të mira. Sepse Ai thotë: "Nëse falënderoni, jua shtoj."[2] Por, nëse nuk veprojmë në këtë mënyrë dhe ia atribuojmë vetes të gjitha sa ndodhin, duke rënë në mosmirënjohje prej pandehmës se ato vijnë nga forca apo pushteti ynë, atëherë ne do të ngelemi të privuar nga bujaria e patëmetë e Allahut. Themi edhe ne pastaj siç thoshin disa, "i përkasim një race që krijon heronj" dhe themi edhe ne "i përkasim një komuniteti që hap kaq e aq institucione arsimore në të gjithë botën" - ia atribuojmë vetes të gjitha gjërat e bukura të realizuara sakaq. Por, duke i ditur nga vetja të gjitha këto bukuri, atëherë duhet të dimë edhe se jemi bashkëbisedues të qortimit në fjalët hyjnore në vazhdim: "Por nëse tregoheni mosmirënjohës, ta dini se ndëshimi Im është shumë i ashpër." Nëse duam që bujaria e patëmetë e Allahut të jetë e vazhdueshme, atëherë ne duhet fillimisht që ta shohim mirë se kush është zotëruesi i vërtetë i asaj të mire, ta shohim dhe ta përmendim me nderim dhe të dimë të themi: "Çdo gjë është prej Teje, Ti je që na pajis me çdo gjë, o Zot, drejt Teje u kthye fytyra ime sërish."

Veçanërisht kur gjendesh përballë fjalëve mburrëse dhe vlerësuese të të tjerëve, për njeriun është shumë e vështirë që të mos ia atribuojë vetes gjithë të mirat dhe mirësitë që i ka falur Allahu. Kjo është një çështje serioze, që kërkon shumë kujdes dhe maturi. Kur dikush zë t'ju mburrë disa virtyte dhe aftësi që ju i keni, më së paku mund të ndodhë që juve t'ju ndoten mendimet dhe imagjinata. Mund të harroni Allahun dhe t'ia njihni vetes meritat. Për mendimin tim, këto lloj mendimesh, të cilat mbajnë erë idhujtarie, nuk duhen bujtur as si mysafirë në botën tuaj të mendimit. Madje, nëse doni që t'ju them diçka që është edhe më e vështirë. As kur bini në gjumë, as ëndrrat e këtyre mendimeve nuk duhet t'i shihni. Sepse, nëse do t'i qasemi edhe pak në mënyrën e Frojdit kësaj çështjeje, disa prej ëndrrave mund t'i konsiderojmë edhe si paraqitje asaj që është në nënvetëdijen e njeriut.

Sakaq, të gjitha këto përbëjnë domosdsohmëri të rrugës së dobësisë, varfërisë, dëshirës dhe falënderimit, të cilat Bediuzamani i nderuar i paraqet duke u nisur nga parimet themelore të Kuranit dhe Sunetit. Vetvetiu nuk është virtyt që njeriu ta shohë veten si një i dobët, dora e të cilit nuk arrin dot te asgjë; si një të varfër, që nuk mund të ketë dot asgjë, sepse kjo është vetëm një deklaratë e së vërtetës dhe gjendjes së përgjithshme. Njeriu që di se si ta pozicionojë vetveten përpara Allahut, e ka të pamundur të ketë mendime të ndryshme me këtë.

Ai që arrin t'i shohë mirësitë e parreshtura që vijnë prej Allahut, nuk e humbet lehtë shpresën. E pse të bie në pesimizëm unë, kur e shoh se çdo gjë është në dorën e Tij, çdo gjë vjen prej Tij dhe po tek Ai do të kthehet një ditë! Panorama aktuale mund të jetë pikëlluese. Megjithatë, nëse është Ai që i hap rrugët, që të udhëzon, që tregon itinerarin e duhur të rrugës dhe na i largon të gjithë përbindëshat që shfaqen për të na prerë rrugën, atëherë pse ta humbas shpresën unë! Nëse unë besoj me gjithë zemër se është po Ai që më jep, po Ai që ma merr dhe po Ai që do të më japë sërish, si mund të ndodhë që unë të mbyten në batakun e pesimizmit! Përkundrazi, unë përqafoj fort vullnetin tim dhe nuk mbaj veçse rrugën e dëshirës për Të, që është poedhe një nga kriteret e kësaj rruge.

Nuk ka asnjë të metë, nëse i shihni punët e bëra nga ky prizëm: Allahu ka një plan dhe skenar të caktuar në rrafshin e kaderit. Edhe ne jemi vënë në skenë, secili si një aktor i veçantë, fare pa e kuptuar dhe na është dhënë detyra e restaurimit të një ndërtese tërësisht të rrënuar e të shkatërruar. Nëse e shihni kësimënyre çështjen, nga njëra anë do të prireni kah falënderimi, duke thënë: "Mijëra falënderime e lavde Allahut, që na ka ngarkuar me një punë kaq të bukur." - ndërsa, nga ana tjetër do të thoni: "A po e bëj dot siç duhet unë atë që më ka ngarkuar Allahu, a jam duke e vlerësuar me rendiment pozicionin në të cilin më ka vendosur Allahu?" - duke kryer njëfarësoj edhe llogaridhënien me veten.

Të marrësh meritë për mirësitë që të ka falur Allahu (xh.sh.), nuk është vetëm një idhujtari e fshehtë dhe grabitje e një të drejte që i përket vetëmse Atij, por poedhe mosmirënjohje për faktin që bën sikur nuk e sheh se si është e vërteta. Të dyja janë gabim. Më e drejta është që të jemi të vetëdijshëm për mirësitë që na janë falur dhe t'i përmendim, si mirësi që meritojnë gjithë nderimin e nevojshëm dhe të mund të themi: "Mijëra herë falënderime dhe lavdërime Allahut, i Cili na ka ngarkuar ne me punë kaq të bukura."

Ekuilibri i mendimit

Mirëpo, siç e shprehëm edhe më parë, nuk është edhe aq e lehtë ruajtja e ekuilibrit të mendimit në këto çështje. Kjo është e mundur vetëm me hyrjen në rrugën e drejtë. Megjithatë, edhe kur hyn në rrugën e drejtë, mund të mos ruhet dot kriteri i të ecurit drejt; mund të përjetohen zikzake, e mund të bëhet fjalë edhe për rrëshkitje. Duke ecur kështu mund të mos ruhet dot etika e të ecurit në këtë rrugë. Mund të mos vlerësohen siç duhet mirësitë hyjnore. Si rrjedhojë e këtyre mund të vijnë shuplaka të dhembshurisë dhe mund të përballeni me vështirësi, të cilat shërbejnë si një tërheqje veshi. Allahu mund t'ju nxjerrë përpara disa nga të padrejtët. Mund të përjetohen përndjekje, kërcënime, mohime të së drejtave, pushime nga puna, padrejtësi nga më të shumta, heqje të lirisë etj. Nëse ne i shohim sakaq me syrin e shuplakës së dhembshurisë, të gjitha këto vështirësi na shtyjnë ne që t'i drejtohemi Allahut me pendesë, shpresë dhe vetëdije për t'u kthyer nga gabimi. Shprehim pendesë, jo njëherë, por njëmijë herë, nëse kemi pasur sjellje dhe qëndrime, të cilat nuk i pëlqejnë Zotit.

 

Nëse vlerësohen kështu, me të tilla mendime, të gjitha padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave, me të cilat përballemi, atëherë ndjenjat që kemi përballë dhimbjes e hidhërimit të përjetuar, shndërrohen nga mllefi dhe urretja, nga dëshira e padrejtë e përgjigjjes me të njëjtën monedhë, në dhembshuri dhe keqardhje, sepse njerëzit që do të regjistrohen në faqet e historisë si një njollë e zezë janë vetëm se për të ardhur keq.

Deri më sot, Allahu u mundësoi shërbime mjaft të bukura të dedikuarve të shërbimit ndaj besimit dhe Kuranit. U dha atyre mundësinë që të përfaqësonin vlerat e tyre nëpër vende të ndryshme të botës, të pastronin sadopak ziftin e hedhur mbi fytyrën shkëlqyese të Islamit, të ndryshonin ca nga paragjykimet e krijuara rreth fesë dhe të ndërtonin ura paqeje mes njerëzve nëpërmjet dialogut. Edhe sot vijon të ecet nëpër të njëjtën rrugë. Ne kemi shpresë tek Allahu, se këto shërbime do të vazhdojnë të kryhen duke u shumëfishuar edhe në të ardhmen. Nëse jeni të sigurt për rrugën nëpër të cilën ecni, vetëm ju vjen keq për çdokënd që bën propagandë kundër jush, apo që përpiqet t'ju largojë nga rruga në të cilën jeni duke ecur. Ditën që kjo do të prekë në krenarinë e Allahut, ju e dini se Allahu i Madhërishëm është më i miri për t'ua prerë frymën të padrejtëve, ndaj edhe mendoni dhe ju vjen keq për ata ata që sot ç'nuk i bëjnë njerëzve dhe nesër vjen dita që do të dalin përpara gjykimit të Allahut, për të dhënë llogari.

 

[1] Fjalë të përdorura në rrafsh terminologjik të metafizikës, për të shprehur dobësinë dhe varfërinë e njeriut përpara Allahut.

 

[2] Ibrahim, 14/7.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.