Llogaridhënia dhe kërkimi i faljes

Krenaria e Njerëzimit (s.a.s) thotë në një hadith të Tij: "Çdo njëri prej jush është bari dhe përgjegjës për të gjithë ata që ka nën kujdesin e tij."[1] Sipas fjalëve të këtij hadithi, çdokush ka një hapësirë në të cilën është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësitë e tij. Për shembull, ai që gjendet në krye të një fshati, një rrethine a një prefekture, apo edhe të një shteti mbarë, është përgjegjës për mëkëmbjen e së drejtës dhe drejtësisë, arritjen dhe ruajtjen e rendit dhe përkujdesjen që ato t'i prekin të gjithë njëlloj e me përpikëri. Për rrjedhojë, kjo kategori njerëzish duhet t'i kërkojnë vetes llogari për çdo gjë negative që ndodh në vendin ku ata janë përgjegjës. Një sjellje e këtillë është shprehje e largpamësisë, drejtpeshimit të fortë dhe frikës nga Allahu. Ndërsa dalja e tyre, për ta kërkuar fajtorin jashtë vetes, pa i kërkuar njëherë llogari vetes, janë të gjithë tregues të mosmirënjohjes dhe verbërisë.

Në mënyrë të veçantë është shumë e rëndësishme që njerëzit e dedikuar, të cilët ia kanë bërë vetes qëllim frymimin e shpirtit ringjallës mbarë njerëzimit, të veprojnë me të njëjtën ndjeshmëri si Omeri i nderuar (radijallahu anh), një njeri i vetëllogarisë aq të thellë, sa që edhe thatësirës i gjente shkak mëkatet e veta. Dëshira ime nga Allahu është që edhe në mesin e atyre njerëzve të kauzës, të cilëve u është dhënë mundësia të bëjnë shërbime të rëndësishme, të jenë përgatitur njerëz që e kanë arritur të shohin drejt një horizonti të këtillë, që janë ngjitur në këtë nivel. Janë njerëzit e këtillë që do t'ia tregojnë njerëzimit rrugën që çon drejt "burimit të jetës" dhe janë po ata që do të bëhen shkas për një ringjallje të re. Nëse jeni një njeri i atillë i vetëllogarisë, saqë ta dini nga vetja çdo gjë të keqe që ndodh dhe keni një lidhje shumë të fortë më Allahun, ju duhet ta dini mjaft mirë, se edhe nëse Allahu i Madhërishëm do t'ju lërë herë-herë përballë pëllëmbave të dhembshurisë, ato do të vijnë e ikin, pra do të mbeten kalimtare, dhe nuk ka dyshim që pas netëve të errëta dielli do ta ndriçojë sërish horizontin tuaj. Ne nuk e dimë se ç'mund të lindë ende pa lindur dita.

Po, çështja tek e cila duhet të ndalemi është ajo që t'i bëjmë llogarinë vetvetes. Disa mendime, të llojit "Ne ishim njerëz të rregullt, po ecnim në drejtpeshim në rrugën e drejtë, duke u shërbyer njerëzve dobishëm, tani, pse na ndodhën gjithë këto vështirësi?" - mund të na çojnë drejt një rruge të gabuar. Në këtë aspekt mendimi si besimtarë duhet të jetë: "Ka gjasë që kishim edhe ne disa anë të shtrembëra. Ndoshta nuk i drejtoheshim Allahut tërësej. Ndoshta nuk besonim tek Ai ashtu siç duhet të besohet. Ndoshta kishim mangësi në kryerjen e punëve të mira. Ndoshta nuk e përdornim siç duhej pozicionin në të cilin ishim vendosur. E ndoshta nuk i vlerësonim siç duhej mundësitë që na kishte falur Allahu i Madhërishëm..." Në çdo rast ne duhet të përballemi me veten duke menduar kësisoj dhe t'i drejtohemi Allahut me pendesë duke i kërkuar falje. Një qëndrim i këtillë është një nga mjetet shumë të rëndësishme për të mbetur të pastër dhe të qashtër përpara Zotit. Kështu kanë arritur të mbeten të qashtër të gjithë ata që kanë mbetur të tillë. Nëse ju nuk e mbani veten vazhdimisht nën kontroll, nëse nuk i kërkoni llogari vetes, atëherë rrugët e lartësimit bllokohen, ju e keni të pamundur të krijoni një marrëdhënie me Allahut, nuk ia ndieni dot aromën pranisë së Tij, duke mos ditur më se ç'janë pasioni dhe emocioni i marrëdhënies me Të.

Mëkati është më larg se largësia prej Krenarisë së Njerëzimit (sal'lallahu alejhi ues'sel'lem). As në të shkuarën Allahu nuk lejoi që ai të përjetonte as më të voglën imagjinatë të mëkatit dhe, për më tepër, ia kishte mbyllur edhe çdo portë që mund ta çonte drejt mëkatit në të ardhmen. E megjithatë Ai i kërkonte Allahut falje plot shtatëdhjetë herë në ditë. Iu bëfsha kurban unë Atij, përse kërkoje falje Ti? Kitmiri; nuk i jap mundësi unë që as në imagjinatë nuk vinte dot e të të përplasej Ty mëkati. Në një pikë që edhe i Dërguari i Allahut sillet kështu, nëse kjo është sjellja që ndiqni edhe ju, i atillë do të jetë edhe shikimi i Allahut të Lartësuar kah ju. Nëse ju jetoni gjithmonë brenda një mendimi për t'u pastruar, për t'u kulluar e për të qenë të qashtër, Ai vendos që t'ju mbrojë e të mos lejojë as pluhurin e mëkatit të bjerë mbi ju.

"Allahu është për atë që është për Allahun." Domethënë, kush ia ka kushtuar Allahut veten e tij, bie e ngrihet duke menduar Allahut, duke menduar dhe dukje rrokjezuar veçse mendime për Të dhe e kalon natën me këto mendime, edhe Allahu nuk e lë atë vetëm e nuk ia kursen ndihmesën dhe mbështetjen në çdo hap të hedhur. Kjo është arsyeja pse ne themi: "Allahum'me kun lena uela tekun alejna" - në lutjet tona. Me një fjalë, "dërgona o Zot reflektimet e mbështetjes Tënde, drejtohu nga ne dhe mos na qëndro jo nesh!"

Detyra e besimtarit është që në çdo kuadrat të jetës të dijë se ku qëndron në marrëdhënie me Allahun dhe ta kalojë jetën si një njeri i llogaridhënies. Tek e fundit, nëse e bëni që këtu llogarinë, në jetën e përtejme shkoni me llogari të mbyllur. Ju jepet një pasaportë e veçantë në duar, ju thuhet "kalo" pa ju kërkuar llogari dhe, kësisoj, ju kapërceni jetën e varrit, kaloni sheshin e gjykimit, fluturoni mbi urën e Siratit, hyni në Xhennet dhe shpërbleheni me shikimin e bukurisë së pashoqe. Prandaj edhe Omeri i nderuar (radijallahu anh), që e kishte devizë të jetës ndarjen e së drejtës nga e padrejta, thotë: "Përpara se t'ju kërkohet, kërkojini vetë vetes llogari!"

Nëse ju e jetoni jetën me llogari, përlesheni vazhdimisht me egon tuaj dhe kohën e kaloni sa me meditim, sa me përmendjen e Allahut dhe frikësim prej Tij, nëmos sot nesër, nëmos nesër pasnesër, ju do ta meritoni kënaqësinë e Allahut. Por, nëse nuk ia bëni vetvetes llogarinë, atëherë do të merreni vetëm me llogarinë e të tjerëve. Thënë më saktë, djalli do t'ju bëjë ju ta kaloni kohën duke u marrë me të tjerët. Rrjedhoja e kësaj është që ju nuk arrini dot në destinacionin e synuar. Nëse ju nuk jetoni brenda një jete lëmsh përsa i përket botës suaj shpirtërore, duke u marrë me anët e shtrembëra e të shëmtuara të të tjerëve do t'ju bëhet edhe ju akoma më e vështirë që ta mblidhni veten.

Njeriu duhet ta kontrollojë vazhdimisht ritmin e zemrës së tij duke mbajtur një llogari sa më të imtësishme të jetës së vet. Në të kundërt, ai bëhet i cekët në një kohë shumë të shkurtër; sa më i cekët bëhet, mbetet i kapur e i penguar pas mangësive të të tjerëve, nuk merret me gjë tjetër veçse të numërojë se sa të meta e mangësi kanë ata, e kjo bën që ai të harrojë vetveten. Dhe ai që harron vetveten, fare pa e kuptuar, hyn vetë në gabime sa e gjithë bota... duke u marrë me këtë botë harron tjetrën... duke u marrë me të sotmen kthehet në një njeri pa të nesërme.

Në dhjetëra ajete të Kuranit Fisnik besimtarëve u tregohet horizonti i llogaridhënies dhe ai i kërkimit të faljes. Për shembull, në ajetin e fundit të sures "Bakara", që Profeti ynë (sal'lallahu alejhi ues'sel'lem) na këshillon që ta lexojmë çdo mbrëmje para se të biem për të fjetur, thuhet: "O Zoti ynë! Nëse ne harruam dhe gabuam pa dashje, mos na mbaj ne përgjegjës për të! O Zoti ynë! Mos na ngarko ne shumë, me barrë si ato që ngarkove ata që ishin përpara nesh! O Zoti ynë! Mos na mbaj ne përgjegjës për gjëra që nuk nuk ia kemi fuqinë! Falna ne, të lutemi na i fal gabimet dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë, Ai që mund të na ndihmojë! Ti na ndihmo ne përballë bashkësive të mohuesve!"[2]

Edhe në suren Al-i Imran është treguar një nga veçoritë më të rëndësishme të njerëzve që ia kanë kushtuar Allahut të Madhërishëm veten e tyre. Atje tregohet se si ata tregojnë rezistencë ndaj armiqve: "Kanë ikur e kanë ardhur sa e sa profetë që bashkë me ta luftuan shumë njerëz të Zotit, që veten ia kishin kushtuar vetëmse Atij. Ata kurrë nuk u dorëzuan përballë vështirësive që hasën në rrugën e Allahut, nuk shfaqën dobësi dhe nuk i ulën kryet përballë armiqve. Allahu i do të duruarit e këtillë."[3]

Në fund të ajetit përmendet edhe kërkesa për ndihmën dhe mbështetjen e Allahut. Por, përpara kësaj thuhet se "ata ~ shih. shumë" ballafaqohen me veten, pendohen për gabimet dhe mëkatet e tyre dhe pastrohen. Por, a i lë pa ua përmbushur kërkesën Allahu atyre që vijnë e strehohen tek Ai e kanë nevojë për ndihmë? Nuk i lë. Në një ajet më pas, na jepet e shprehur edhe se si i përgjigjet Allahu këtyre kërkesave e lutjeve të tyre: "Allahu u dha atyre më të bukurin e shpërblimeve, edhe në këtë botë, edhe në jetën e përtejme. Sepse Allahu i do njerëzit e së mirës."[4] Allahu (xhel'le xhelaluhu) nuk i privon të këtillët nga mirësia, bujaria, virtytet dhe ndihmesa e Tij; i bën ata që jo vetëm të arrijnë çdo qëllim që kanë në këtë botë, por u fal atyre edhe mirësitë më të bukura të përjetësisë.

Sakaq ne kuptojmë se një nga parakushtet e arritjes së mirësive të Allahut janë pastrimi, pendesa dhe kërkimi i faljes. Nga ky këndvështrim, çdo njeri që ka besuar duhet të ketë vullnet dhe vendosmëri të prerë dhe të bëjë çdo përpjekje e mundim për t'ia arritur pastrimit. Për ta arritur këtë synim, ai duhet të merret me vetveten e ta kalojë vetveten përmes një kërkese llogarie dhe llogaridhënieje shumë serioze, duke ditur medoemos se nëse ka diçka që mund të ankohet, pikësëpari ajo duhet të jetë egoja e tij. Sado pastër të jetojë njeriu, drejtimi i tij kah Allahu me një ndjenjë të tillë llogaridhënieje është shumë e dobishme. Sepse kjo tregon lidhjen e tij të fortë me Allahun, sinqeritetin në robërimin karshi Tij. Veçmas, një sjellje e këtillë të mbron edhe nga hedhja e baltës së mëkatit ndaj të tjerëve, nuk pengohesh në gabimet e të tjerëve dhe heq dorë së e kërkuari fajtorin veç jashtë vetes.

Si përfundim, ai njeri që ka një vetëdije të këtillë, jo vetëm gjen mundësinë për t'i riparuar e shëruar sa më shpejt të thyerat e krisjet në shpirtin e vet, por di edhe se, siç përmendet edhe në ajetin fisnik, vetëm këta njerëz, të tillët, do ta arrijnë lumturinë në këtë botë dhe në përjetësi.

 

[1] Buhariu, xhuma 11; Muslim, imare 20.

[2] Bakara, 2/286.

[3] Al-i Imran, 3/147.

[4] Po aty, 3/148.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.