Ajo çfarë do Zoti është themelore
Njeriu që ka besim tek Allahu, përqafon fort vullnetin dhe bëhet njësh me urtësinë, nuk ka dyshim që në fund do të dalë medoemos fitimtar. Nëmos sot, nesër, nëse jo këtu, do të dalë fitimtar matanë. Mirëpo, ja që njeriu ka një natyrë të prirur nga ngutja dhe do që të gjitha gjërat e bukura që dëshiron ai të realizohen menjëherë, e gjithë mirësitë e premtuara të realizohen sa hap e mbyll sytë. Kur kjo nuk ndodh, ai shumë herë humb shpresën dhe bie në pesimizëm. Nëse nuk e ka besimin të fortë, ai e kalon dëshirën e tij përpara dëshirës së Zotit, duke u përfshirë në ndjesi dhe mendime, me të cilat Allahu nuk është i kënaqur.
Zemra jonë do që të mirat e patëmeta të Allahut të Madhërishëm e çdo prirje hyjnore të bjerë pa pra mbi kryet e mbarë besimtarëve. Ndihmesa hyjnore të jetë përherë me ta dhe Ai të mos i lërë ata asnjëherë vetëm dhe në pezulli. Mendime të këtilla janë rrjedhoja të besimit që ka njeriu si besimtar tek Allahu, e pritjes së ndihmës dhe mbështetjes vetëm se nga Ai, e nuk ka asgjë të mangët te kjo. Mjaft që të marrim atë që kërkon Allahu si kriter kryesor, ta mbajmë përherë përpara dhe sipër dëshirave dhe kërkesave tona. Të marrësh si kriter themelor atë kërkesë të patëmetë është tregues respekti për të vërtetën e shprehur me fjalët, "Jemi të kënaqur me Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin e nderuar (s.a.s) si Profet."
Sa shumë duam ne që t'u qeshë buza besimtarëve, të cilët qajnë prej disa shekujsh. Të marrin edhe ata diçka nga mëshira hyjnore, siç përfituan të parët e tyre. Të marrë fund kjo gjendje e rëndë dhe ata ta mbledhin edhe njëherë veten. Edhe sikur kjo të mos ndodhë në rrafshin origjinar e absolut, në një rrafsh më relativ të jetohet edhe njëherë periudha e Kalifëve të Mëdhenj. Mbi tokë të sundojë edhe njëherë e vërteta, drejtësia dhe liria. Edhe ne, të gjitha këto i shohim si nga një qëllim imagjinar, e nga njëra anë ngarendim e përpiqemi për t'i bërë edhe njëherë realitet, nga ana tjetër i lutemi dhe përgjërohemi Allahut duke u lutur lutje pas lutjesh.
Mirëpo, edhe në këto kërkesa tonat, të cilat mund të duken të drejta dhe plotësisht me vend, nganjëherë mund të përfshihet egoja. Kur themi, "Të bjerë me rrebesh mbi myslimanët prirja e Allahut", mund të nxjerrim pjesë edhe për egon tonë. Edhe te veprimet që mendojmë se i kemi bërë për Allahun mund të ketë një ngacmim a shtytje e shejtanit. Ne nuk jemi të sigurt nga mashtrimet dhe kurthet e tyre. E si mund të jemi, kur edhe profeti Jusuf ka thënë: "Unë nuk e nxjerr të pastër egon time. Sepse, nuk ka dyshim që egoja nuk të urdhëron veçse për keq." - duke na bërë të ditur se egos nuk i kihet besim. Prandaj, as ne nuk duhet të ndihemi të sigurt nga egoja jonë. Ai që ndihet i sigurt për egon e tij, humbet sigurinë e vet.
Kjo nuk do të thotë që ne të mos e vëmë në pah dëshirën tonë për umetin e Muhamedit (s.a.s.) dhe mbarë njerëzimin. Patjetër, një besimtar dëshiron që myslimanët, të cilët përpëliten nga vuajtjet në zemrat e tyre që prej dy-a tre shekujsh, të shpëtojnë e të largohen një orë e më parë nga çdo vështirësi që kanë përjetuar gjer më sot. Do që të zbërthehen e të dalin edhe njëherë agimet, të lindë edhe njëherë dielli në botën e viktimave të padrejtësisë, shkeljes dhe dhunimit. Për këtë i lutet dhe i përgjërohet Allahut. Ia kërkon Atij ç'ka për të kërkuar duke besuar fort te thellësia e bujarisë dhe mirësisë së Tij, te gjerësia gjithëpërfshirëse e mëshirës së Tij. Por, në të njëjtën kohë, as nuk harron që thelbësor është dëshira e kërkesa e Allahut, andaj nuk lë asgjë të mangët në asgjë që reflekton apo vendos Ai.
Veçanërisht ata që ia kanë kushtuar veten kauzës së besimit dhe Kuranit duhet të kalojnë një jetë që ka për kriter themelor dëshirën hyjnore. I vetmi burim ku mund të mësojmë dëshirën hyjnore është revelacioni hyjnor, me një fjalë Kurani Fisnik në krye, e pas Tij edhe Suneti i Bekuar. Nuk ka detyrë më të rëndësishme për ta se sa kuptimi, jetësimi dhe përçimi edhe te të tjerët i këtij mesazhi hyjnor. Siç shprehet edhe në një hadith të bekuar, ata nuk i kushtojnë rëndësi kësaj bote as sa krahu i një mize. E çfarë rëndësie mund të ketë në fund të fundit kjo botë, përpara kënaqësisë, pëlqimit dhe pamjes së Allahut, si edhe lumturisë së përjetshme që na ka premtuar Ai! Prandaj edhe përgjërohen në lutjet e tyre, duke thënë: "O Zot, na i mbush zemrat me dashuri e dëshirë që të takohemi një ditë me Ty, të takohemi një ditë me të Dashurin Tënd, të takohemi një ditë me ata që Ti i do." Unë kam mendimin se njerëzit që kanë vendosur ta ringrenë statujën e shpirtrave tona edhe njëherë mbi Tokë, nuk mund të kenë shqetësim tjetër përpos këtij.
Në të njëjtën kohë, njerëzit që e adhurojnë këtë botë, duke qenë se nuk e dinë, nuk e njohin, qëllimin tuaj të vërtetë; nuk e dinë se pas çfarë gjëje ngarendni ju, mund të pandehin se edhe ju vraponi si ata pas gjërave të kësaj bote. Mund të thonë, mos këta e kanë syrin te marrja e pushtetit, mos këta janë në kërkim të lavdisë dhe famës, mos duan edhe këta të ngrenë e të jetojnë nëpër saraje e pallate, etj.. Lëruani paditurisë së tyre këto vlerësime kaq të gabuara dhe mirëkuptojini. Madje lutjuni edhe Allahut për ta, që t'i udhëzojë e të shohin të vërtetën; lëriani Atij të gjithë ata që nuk e kanë aftësinë për të qenë të udhëzuar. Mos u merrni me ta. Më e rëndësishmja është që njerëzit që e kanë marrë përsipër kauzën e përçuarjes së fjalës së Allahut te njerëzit, të vazhdojnë të ecin përpara pa përjetuar asnjë lloj zikzaku në itinerarin e tyre dhe duke pasur përherë si kriter themelor dëshirën hyjnore në çdo lëvizje të tyre. Ne nuk mund ta dimë, por njerëzit që nuk u janë bjerrë plotësisht të gjitha aftësitë dhe shqisat e tyre, edhe pse mund të sorrollaten një farë kohe sa këtej andej, të ecin nëpër shtigje qorre, apo të ecin këmbadoras nëpër kodra e përrenj më kot, vjen një ditë, dhe ata rikthehen e fillojnë të ecin sërish në rrugën e hapur nga Profeti ynë i Dashur, Muhamedi (paqja qoftë mbi Të).
- Publikuar më .