Detyra e arkitektëve të rizgjimit

Pas shumë prej problemeve të Islamit në ditët e sotme qëndrojnë myslimanët e formës, të cilët nuk e kanë fituar dot brenda vetes Islamin e vërtetë dhe nuk janë shkrirë dot me vetëdijen e sinqeritetit dhe mirësisë (ihsan[1]). Sjelljet e tyre, që bien ndesh me kriteret e vëna në pah nga Islami, mosnjohja e kufijve të qartë mes së lejuarës dhe së ndaluarës, hedh baltë mbi emrin e mbarë myslimanëve, duke e prishur edhe qëndrimin e tyre. Detyra më e parë që duhet të përmbushin kalorësit e rizgjimit është rigjallërimi edhe njëherë i vlerave që kemi humbur për sa i përket jetës sonë të shpirtit dhe zemrës, për të mundësuar që kjo të kthehet në natyrë të tyre me gjithë gjallërinë e vet. Nga kjo varet edhe të qenët myslimanë formalë dhe në dukje të njerëzimit. Dhe në krye të gjithë këtyre vlerave vjen sinqeriteti.

 

Sinqeriteti dhe pëlqimi i Allahut

Nëse do ta përfytyrojmë përmbajtjen e Islamit si një poezi, rima e tij është sinqeriteti dhe kjo do të thotë që çdo hap i hedhur të hidhet me një vetëdije të thellë adhurimi dhe lidhja e padiskutueshme e çdo veprimi vetëm se me Allahun. Ne e dimë, sinqeritet do të thotë që çdo gjë ta bësh ashtu siç e bën vëtëm se ashtu ka urdhëruar Allahu, duke mos synuar asgjë përveç pëlqimit të Tij. Siç e thotë edhe Bediuzamani i nderuar në Fjalën e Parë, që njeriu të veprojë për Allahun, të fillojë për Allahun, të takohet për Allahun, të veprojë në boshtin e pëlqimit e kënaqësisë së Allahut, pra, me pak fjalë, çdo gjë ta bëjë vetëm se duke pasur parasysh vetëm pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut. Sa herë që t'i ngremë duart që të lutemi, të kërkojmë nga Zoti pëlqimin, kënaqësinë e Tij dhe sinqeritet. Aq shumë e rëndësishme është kjo çështje, sa që vetëm "O Zot, dua prej Teje të më japësh sinqeritet dhe pëlqimin (kënaqësinë) Tënd." - prapë mbetet pak. Sepse përftimi i një vetëdijeje të pastër dhe të kulluar robërimi, aq sa ta shtyjë tej çdo mendim të kësibotshëm, është synimi më i madh i krijimit të njeriut. Nga kjo pikëpamje, jo vetëm pritmëritë e kësibotshme, por të mos dojë as arritjen e majave të robërimit karshi Allahut, duke mos pritur asgjë as për sa i përket jetës së përtejme, por ai duhet ta bëjë çdo gjë vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Megjithatë, ne duhet të dimë se kapja e këtij horizonti nuk është e lehtë. Ah sa shumë gjëra ka që i kanosen sinqeritetit, që e shpojnë dhe e plagosin atë, që e brejnë atë si mola! Dëshirat njerëzore, ndjesia për t'u prirë nga rehatia dhe moskokëçarja, dëshira për emër, përfitimet në këtë botë etj., na largojnë ne nga sinqeriteti dhe përzemërsia, krijojnë barriera që ne të hapemi nga përjetësia dhe engjëllorja, duke bërë që ne të humbasim gjërat më të shtrenjta, për të cilat jemi të denjë. Edhe njerëzit që kanë hyrë në rrugën më të drejtë, nëse nuk jetojnë të matur e të kujdesshëm, për shkak të ndjenjave të ulëta dhe përfitimeve kalimtare mund të përjetojnë thyerje të sinqeritetit; edhe pse mund të pandehin se janë duke ecur në rrugën e Allahut, ata mund të mbeten vetëm me rrënimin, pra të dalin të humbur në rrugën e fitores.

Nuk është ndofarë aftësie të bësh shumë punë, të arrish gjëra, apo të kapërcesh vështirësi të mëdha; aftësi e vërtetë është të mundësh që çdo gjë ta lidhësh me kënaqësinë e Allahut. Sepse nuk ka gjë më të lartë sesa të jesh i lidhur fort me pëlqimet e Allahut. Nëse nuk e arrini dot sinqeritetin në punët dhe shërbimet tuaja, ju prapëseprapë jeni të humbur, sikur edhe krejt botës t'i ndryshoni ngjyrën. Mund të dukeni sikur keni fituar shumë në pamje të jashtme, mirëpo tek Allahu përfshiheni në kategorinë e fatkeqëve. As punët që pandehni se ia keni dalë me sukses nuk do ta kenë jetën të gjatë. Vijnë e ikin, njësoj si flaka e kashtës. Andaj, ju duhet të përpiqeni të kapni sinqeritetin në çdo punë e veprim tuajin, duke e mbajtur të pandërprerë përpjekjen për këtë brenda vetes.

 

Si fitohet sinqeriteti

Njeriu e arrin sinqeritetin në bazë të thellësisë së arritur në kuptimin e Artit të Allahut të Madhërishëm. Arritja e sinqeritetit të vërtetë është e lidhur me njohjen e Allahut[2], me sundimin e kësaj të fundit mbi tërë qenien e tij.

Një njeri i tillë, edhe kur hap gojën, edhe kur flet, edhe kur pulit sytë, edhe kur lëviz dorën apo këmbën, ai e bën këtë me vetëdijen se gjendet përpara Allahut, duke mos e hequr për asnjë çast nga mendja këtë fakt. Shikimet i ka të thella, sjelljet serioze, qëndrimin kryerëndë dhe fjalët plot edukatë... Çdo sjellje dhe qëndrim e ka të udhëzuar nga besimi në Zot, njohja e Zotit dhe respekti për Allahun (ai ka besuar tek Allahu, e njeh Atë dhe është i mbushur plot respekt karshi Tij). Nuk ka sjellje dhe qëndrime të pahijshme tek ai. Nëse njohja e Allahut e rrethon qenien e njeriut në këtë masë, duke mbizotëruar tek ai, atëherë besimi i tij bëhet i thellë dhe veprimet me sinqeritet.

Detyra themelore që duhet të përmbushin të gjithë ata që vrapojnë pas përfaqësimit edhe njëherë sa më denjësisht të një lëvizjeje të re të rijetësimit të njerëzores dhe Islamit është pikërisht jetësimi i kësaj vetëdijeje adhurimi të Allahut të Madhërishëm (xh.sh.). Çështja nuk është vetëm t'i mësosh njerëzit me namazin; nëse mund të thuhet, t'i bësh ata "të marrë pas namazit". Aq të marrë pas namazit, sa që, siç thuhet edhe në hadithin e bekuar, dalin nga faltorja, por zemrën e lënë aty, në faltore, dhe mezi e presin namazin e radhës, sikur të donin ta afronin me duar. Asisoj që, aq të fiksuar duhet të jenë pas namazit, sa që, për shembull, kur dalin nga namazi i drekës, të thonë, "po këta muezinët pse nuk e thërrasin sa më parë edhe ezanin e ikindisë! Sikur ta kishin thirrur dhe të shkonim edhe njëherë të qëndronim gatitur e duarlidhur, të robëruar përpara Allahut, t'i vinim kryet përdhe dhe fytyrën ta bënim njësh me pragun e portës së Allahut, e t'i shprehim vogëlsinë tonë madhështisë së Tij!" Jo vetëm të namazit, por ata duhet të jenë të marrë pas çdo adhurimi. Ata duhet të jenë shumë të vendosur në realizimin me sinqeritet dhe vetëdije për të gjitha adhurimet.

Ndërsa, e kundërta e vetëdijes së adhurimit kaq plot sinqeritet është realizimi i tyre me vetëdijen kryerjes së tyre sa për t'i hequr nga radha. Me një fjalë, të bësh adhurime pa t'u drithëruar zemra, pa e ndjerë në të gjithë neuronet e trurit adhurimin e kryer, madje duke e kryer atë në një përhumbje, sa që nuk je i vetëdijshëm se përpara kujt je duke qëndruar. Të paktën në kryerjen e adhurimeve me vetëdije të plotë njeriu duhet të ketë qëllim dhe përpjekje të mirëfilltë. Në krye ai mund të mos e ndiejë thellësisht atë. Sepse kjo varet edhe nga vendosmëria dhe përpjekjet serioze dhe të vazhdueshme. Xhunejdi Bagdadiu shprehet se e ka arritur horizontin e dëshiruar të adhurimit dhe njohjes së Allahut vetëm pas gjashtëdhjetë vitesh. Njëkohësisht, Bediuzamani i nderuar tregon se vetëm aty nga fundi i jetës ka arritur ta përmendë Allahun si njerëzit që i kishte zili për përmendjet që i kishin bërë Allahut, aq sa është ndierë sikur e tërë ekzistenca të thoshte "Subhanallah" së bashku me të. Rrjedhimisht, e rëndësishme është që njeriu të jetë kërkues i një horizonti të këtillë dhe të bëjë përpjekje për ta arritur atë.

Nëse ju synoni që të hapeni nëpër thellësi dhe gjerësi në adhurimet tuaja, të arrini horizontin e sinqeritetit dhe mirësisë, nëmos sot nesër, nëmos nesër pasnesër, ju mund ta arrini qëllimin tuaj. Gjëja tjetër që duhet bërë pas kësaj, t'ua tregojmë edhe të tjerëve ato që kemi ndierë vetë. Kjo është përgjegjësia që bie mbi supet e ndjekësve të lëvizjes së rijetësimit. Siç e kemi thënë edhe në krye, kjo është përgjegjësia e shpëtimit të njerëzve nga të qenët mysliman formal, për t'i çuar ata drejt të qenit mysliman i vërtetë, duke i drejtuar ata kah jeta e zemrës dhe shpirtit. Sot, largimi i shumë njerëzve nga tortura e politikës së përditshme lidhet me forcimin e marrëdhënies së tyre me Zotin nëpërmjet kësaj rryme shpirtërore.

Njeriu, për nga natyra është i prirë ndaj gabimit, të gjithë mund të gabojnë. Mirëpo, njerëzit me një pjekuri të këtillë pak herë dalin gënjeshtarë me veten. Edhe kur zhgënjejnë, ata i drejtohen Allahut menjëherë, i shprehin gjithë ç'kanë në zemër e në shpirt, pastrojnë me pendesë dhe duke kërkuar falje njollat, papastërtitë dhe ndryshkun që kanë lënë gabimet dhe mëkatet tek ata, duke u pastruar. Nëse krijohet një bashkësi me cilësi të këtilla në një vend, ata shndërrohen në një farë majaje, derisa kjo gjendje fillon të përhapet ngado porsi dallgët.

Ja, për një rizgjim të tillë ka nevojë njerëzimi i sotëm. Ka nevojë për njerëz që do ta ndiejnë dhe do ta jetojnë fenë siç e patën ndjerë dhe jetuar Ebu Bekri, Omeri, Osmani dhe Aliu i nderuar (radijallahu anhum exhmain)[3]. Ajo çfarë na mbetet neve është të biem e të ngrihemi përherë me këto mendime të epërme, të përpiqemi që t'i realizojmë ato dhe t'i lutemi Allahut me përgjërim. Gjithçka tjetër jashtë këtyre për ne është çështje e dorës së dytë.

[1] Terminologjikisht, bëhet fjalë për vetëdijen në besim sipas së cilës edhe pse njeriu mund të mos jetë duke e parë Zotin, Zoti e sheh atë në çdo veprim të tij.

[2] Shën. përkth. - Me njohje të Allahut (marifetullah) bëhet fjalë për tërësinë sistematike të dijes të përftuar nga njeriu, e cila i shërben diturisë për Zotin, pra njohjes së Tij.

[3] Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.