Kuptimi i leximit

Një prej gjërave më të rëndësishme që duhet t'i japim fëmi­jës, është edhe arsimi si dhe, krahas këtij, dëshira dhe edukata për të lexuar dhe mësuar. Fëmija duhet të mësojë të shkruajë e të lexojë me një qëllim dhe synim të caktuar dhe, duke u shkë­putur nga mediokriteti, të ngjitet drejt vle­rave. Pra, aq sa ç'ka rëndësi mësimi i shkrimit dhe leximit ose, më saktë, sa ç'ka rëndësi leximi e studimi, ka rëndësi qëllimi për të cilin bëhet. Poeti kombëtar turk Junus Emre thotë:

Dituri do të thotë të dish,
Do të thotë veten të kuptosh;
E nëse ti veten s'e kupton,
Ç'të vlen kaq shumë të lexosh?..

Duke ia hyrë kësaj çështjeje, le të përpiqemi së bashku t'u ja­pim përgjigje këtyre pyetjeve: Ç'është dija? Ç'është dituria? Cili është synimi i diturisë? Pse lexohet libri? Ç'është ajo gjë që kër­kohet të arrihet pas gjithë leximit e studimit?

Ndërkaq, është e dobishme që, para se t'u përgjigjemi këtyre pyetjeve, ta kujtojmë këtë veçanti:

Po qe se një njeri thellohet në matematikë pa menduar as­pak për t'i vënë në jetë njohuritë ose për ta zhvilluar atë më tej me teori apo hipoteza të reja, do të thotë se s'ka vë­në ndonjë qëllim apo synim, ose, e thënë ndryshe, vepron pa ndonjë që­llim apo synim. Kjo vlen edhe për atë që the­llohet në stu­dimin e shkencave mjekësore, etj. Ndërkaq, edhe mbetja e njo­hurive të marra në kujtesë bëhet e diskutueshme. Në fakt, siç shprehet edhe poeti, synimi thel­bësor i marrjes së diturive është vetë­njo­hja. Kështu, është krejt e qartë se një dije, një shkencë ku ne nuk e gjejmë dot veten, as neve nuk do të na sjellë dobi, as të tjerëve!

a) Leximi dhe shkrimi

Eshtë një e vërtetë e konfirmuar se, në shkrim dhe lexim, Kur'ani zë radhën e parë. Ndërkaq, le ta theksojmë këtu se ne nuk e miratojmë hamallëkun e kujtesës së mbyllur ndaj mësimit të qëllimeve hyjnore. Fëmija duhet kapur për dore, i duhet zgju­ar kureshtja për Kur'anin, i duhet futur Kur'ani në shpirt, në mënyrë që edhe ai, në të ardhmen, të përpiqet për të mësuar se ç'kërkon Allahu. Për fat të keq, në ditët to­na, ne kapemi pas iluzionit se, po ta bëjmë fëmijën të thotë "bismil'lah", kemi zgji­dhur gjithçka. Në fakt, "besmele-ja" është shumë e rëndësishme dhe mund të zgjidhë shumë çështje, por ç'e do se përtej saj ësh­të mësimi i "qëllimit hyj­nor", qoftë edhe në mënyrë të përmble­dhur, që, për men­dimin tim modest, është pikërisht gjëja që du­het mësuar!

Historia e islamit është e mbushur plot shembuj të mësi­mit të sipërfaqshëm të Kur'anit, gjë që ka çuar në armiqësi e konflikte të rënda mes vetë muslimanëve. Këtë gjë e pati pa­rashikuar edhe Profeti i cili, në një hadith të përcjellë nga Huzejfe b. el-Jeman (r.a.), thotë kështu:

"Nga gjërat që kam frikë për ju është edhe kjo: dikush kën­don aq shumë Kur'an, sa ajo cilësia syverbuese e tij i pasqy­rohet në të gjitha qëndrimet dhe sjelljet. Atëherë, islami bëhet për të një rrobë. Dhe ai e mban sipër atë gjer në një afat që e di Allahu, pastaj, Allahu na ruajttë, e zhvesh dhe e hedh tutje në një qoshe. Pastaj hidhet me shpatë mbi të vëllanë duke e aku­zuar atë për herezi (shirk-politeizëm)!"

Pas kësaj shprehjeje të Profetit, Hz. Huzejfe (r.a.) e ka pye­tur:

"O i Dërguari i Allahut, kush është më afër herezisë, i akuzu­ari për herezi (shirk), apo akuzuesi?"

"Akuzuesi!" – Ka thënë Profeti.[1]

Edhe sot ka shumë e shumë persona me tituj që nuk e dinë Allahun (xh.xh.), që nuk e njohin Profetin (s.a.s.), që notojnë në injorancë. Çfarëdo emri dhe titulli të kenë ata që nuk janë në gjendje të mendojnë përballë mijra provave dhe argumenteve në gjithësi, që nuk janë në gjendje ta përdorin fuqinë e analizës dhe sintezës, që jetojnë si shurdhër e të verbër përballë qenieve dhe dukurive, janë në një injorancë të thellë! Ne i themi dije, dituri vetëm asaj që e ndriçon bo­tën mendore e ndjesore të nje­riut; tjetrës i themi hamallëk kujtese!

Mesazhi i parë i Kur'anit është shfaqur në formën "lexo me emrin e Zotit tënd..." (Kur'ani, Alak, 96/1) Fjala e parë që i ka drejtuar Allahu (xh.xh.) Profetit (s.a.s.), ka qenë "lexo". Allahu nuk thotë "lexoje Kur'anin" dhe as "lexojeni librin që ju është dhënë". Kuptimin e fjalës "lexo" e shtjellon vetë Kur'ani kur thotë:

"Lexo me emrin e Zotit tënd që ka krijuar!" (Kur'ani, Alak, 96/1)

Me këtë, Kur'ani vë nën vëzhgim dukurinë e krijimit. Ai e ka fjalën edhe për "leximin" e argumenteve të krijimit.

Më poshtë, Kur'ani thotë:

"Lexo me emrin e Zotit tënd bujar që e mësoi njeriun të shkruante me kalem!" (Kur'ani, Alak, 96/3-4)

Siç shihet, këtu, elementët lexim dhe shkrim përmenden një­ri pas tjetrit. Po, njeriu do të lexojë dhe shkruajë edhe për argu­mentet e krijimit, edhe për ndërtimin e vet të brend­shëm, edhe për ta kuptuar thelbin e Kur'anit.

b) Dituria të çon te frika ndaj Allahut

Në një ajet tjetër të Kur'anit thuhet: "Nga Allahu, vetëm nje­rëzit e ditur frikësohen!" (Kur'ani, Fatir, 35/28) Ashtu është! Vetëm dijetarët tregojnë respektin e duhur para Alla­hut, sepse ndjenja e respektit para kuadrit hyjnor varet nga dija, nga njo­hja e tij. Eshtë e qartë se ata që s'e njohin Alla­hun (xh.xh.) dhe nuk janë kompetentë të kuadrit hyjnor, janë të mangët në nde­rim dhe respekt.

Duke u nisur nga kjo pikë, njëri prej hapave që do të he­dhim për t'i përgatitur fëmijët të plotësuar nga ana e jashtme dhe e brendshme, është, pa dyshim, t'i bëjmë ata që të kenë një besim të shëndoshë. Argumentet që njihni ju mbi Qenien e Domosdo­shme, janë të varura nga niveli juaj kulturor, gjë që vlen edhe për ata. Kështu, nëse disa argumente janë të mjaftue­shme për ju për të mënjanuar lëkundjet tuaja përkatëse, mund të jenë të pamjaftueshme për fëmijët tuaj për shkak të ndryshi­meve mo­shore dhe kulturore mes jush. Atëherë themi se duhen përdorur rehabilitime më të specializuara.

Një specifikë tjetër është hyrja ndër zemra e jetës së be­kuar të Profetit (s.a.s.), dashuria ndaj tij dhe sundimi i tij ndër zemra. Le ta kujtojmë se kjo specifikë është trajtuar gjerësisht në librin "Dritë e pashuar".

c) Sheshimi i lëkundjeve

Sot hasim në shumë pyetje të tilla si, "mirë që gjithësinë e krijoi Zoti, po Zotin, kush e krijoi?" Shumica e këtyre pyetjeve tregon se fëmijëve nuk u është dhënë një ide e saktë mbi Alla­hun, Zotin e gjithësisë. Edhe pas pyetjes se pse Profeti është martuar me shumë gra qëndron motivi themelor i mu­ngesës së njohurive të sakta mbi Profetin (s.a.s.).

Po kështu, dikush mund të thotë: "Profeti ka qenë një njeri shumë i zgjuar. Edhe ndryshimet dhe transformimet që kreu ai qenë vepër e zgjuarsisë së tij!" Kuptohet se ai që bën vlerësime të tilla, ka boshllëqe të mëdha në edukimin fetar si dhe nuk ka fare njohuri mbi kuptimin e profetësisë.

Ndërkaq, nëse madhësisë së plagëve të tilla, i shtohet edhe një ndërhyrje e gabuar, gjendja ndërlikohet akoma më shumë. Prandaj, pikësëpari na duhet ta dimë shumë mirë se jemi të detyruar ta përshtasim nivelin e besimit mbi Allahun (xh.xh.) me strukturën ideore dhe shpirtërore të fëmijës. Për shembull, në lidhje me krijimin, mund t'ia sheshojmë lëku­n­djet fëmijës duke i bërë një arsyetim të tillë: "Edhe një gjilpërë s'mund të bëhet vetvetiu, askush nuk e shkon, madje, nëpër mend një gjë të tillë. Ajo prodhohet nga mjeshtri me ndih­mën e veglave apo makinerive të ndryshme. Atëherë, edhe gjithësinë është dikush që e ka krijuar dhe ai është Allahu, Zoti!" Duke e ndihmuar fë­mijën me një recetë të tillë, ju do ta rrafshoni lëkundjen në me­ndjen e tij kur ajo s'ka gjetur ende mundësi për t'u zhvilluar më tej.

Sipas burimeve fetare, zoroastrianët ose adhuruesit e zjarrit i patën drejtuar shumë pyetje imam Adhamit. Ata i patën thënë atij se nuk e besonin Allahun. Kufeja, ku ndodhej imam Adha­mi, banohej nga shumë adhurues të zjarrit.

Imam Adhami ua tregoi atyre gjërat me një mënyrë shu­më të thjeshtë. Ai u tha: "Ta zëmë se ju vini re se në det të hapur është një anije që po vjen drejt bregut. Megjithëse de­ti ka shu­më dallgë, anija lëviz drejt, pa e humbur orientimin, dallgët nuk ia ndryshojnë dot drejtimin asaj. A do të kishit dyshim ju që anija nuk është pa njeri, që ajo nuk lëviz nga ta çojnë dallgët, por e drejtuar nga një dorë mjeshtërore?" "Jo!" – I thanë ata pa lëkundje. "Atëherë, - vazhdoi imami, - si mund të mendoni se gjithë këta yje, tërë kjo gjithësi, kjo tokë lëvizin pa e prishur rregullin vetvetiu, pa i drejtuar di­kush?" Dhe adhuruesit e zjarrit thanë: "La ilahe il'lallah, Muhammedun resulullah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Mu­hammedi është i dërguari i Allahut!"

Ky quhet bashkëbisedim sipas nivelit të bashkë­bi­se­du­e­sit. Dikujt mund t'i duket i thjeshtë, vulgar, kurse dikujt, i mja­f­tueshëm. Pavarësisht nga përmasat e logjikshmërisë së kë­tij stili, ai mund të jetë i mjaftueshëm për njerëz të një ni­ve­li të caktuar. Në moshat më të avancuara, mund të thek­sohet qëndruesh­mëria e të njëjtave parime duke u përqë­ndruar mbi çështje me përmasa ideore më të thella. Mund të jepen si shembull gjithë­sia, njeriu dhe struktura e jashtme dhe e brendshme e njeriut. Truri i njeriut, syri, mekanizmi i brendshëm, qelizat, sistemi qeli­zor, anatomia dhe fiziologjia e tij janë krijuar me një jashtëza­konshmëri marramendëse. Po qe se, në përputhje me moshën, pjekurinë dhe nivelin kulturor të fëmijës apo të cilitdo bashkëbi­sedues, secili prej këtyre çështjeve diskutohet në kuadrin e pari­meve shkenco­re, pandeh se mjafton.

Po kështu, për një bashkëbisedues tjetër mund të trajto­hen çështje të tjera, si, p,sh., ajri, uji, drita, vitaminat e ndry­shme, proteinat, karbohidratet ose qeniet mikros­kopike. Në këtë rast ndoshta do të ndryshojë vetëm forma e dhënies së mësimit, ku­rse struktura e tij themelore do të mbetet po ajo.



[1] Ibni Kethir, Tefsiru'l-Kur'an, 3, 509.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.