Debatimi i argumenteve
1. Sipas një hadithi të nivelit hasen, Profeti (s.a.s.) porosit:
"Martohuni e shtohuni; unë do të krenohem ditën e kiametit me shtimin tuaj!"[1]
2. Edhe sipas një hadithi tjetër, Profeti (s.a.s.) porosit:
"Martohuni me femra pjellore!"[2]
3. Lidhur me këtë çështje, në një ajet kur'anor thuhet:
"Martojini beqarët mes jush me skllavet dhe shërbëtoret tuaja të përshtatshme (nëse s'keni mundësi me të lira). Po qe se këta beqarë janë të varfër, Allahu, me favorin e vet, i bën të pasur. Allahu është mirëbërës i madh dhe di çdo gjë!" (Kur'ani, Nur: 24/32)
Sa për personin që nuk ka mundësi të lidhë kurorë, domethënë, të mbajë e ushqejë familje ose që nuk mund të japë garancinë e kurorës, ai duhet të durojë virtytshmërisht gjersa Allahu t'i japë mundësitë e duhura, të jetojë ndershmërisht dhe të mos bëjë veprime të ndaluara (haram).
Edhe nëse argumentet profetike e kur'anore në fjalë dhe komenti i tyre duket sikur në pamje bien në kundërshtim me argumentet e tjerë, nuk ka dyshim se, përsa i përket idesë themelore, ato theksojnë të njëjtat të vërteta.
Duke bërë analogjitë, pranimet dhe përjashtimet e duhura logjike, porosia profetike, "Martohuni e shtohuni; unë do të krenohem ditën e kiametit me shtimin tuaj!", mund të thuhet se na kujton këto gjëra: Po qe se me martesën nuk kihet për synim një brez me të cilin Profeti të krenohet, ajo martesë ose ai shtim nuk ka asnjë kuptim. Sigurisht, është krejt e qartë se Profeti nuk do të krenohej me një brez të përlyer me terrorizëm ose dëfrim, me njerëz që s'u bie balli në sexhde, me ndërgjegje të ndryshkur e me sy të përgjakur! Brezi, shtimin e të cilit ai e dëshiron, duhet të jetë brezi i pranuar edhe në lartësinë e Allahut, që përpiqet të fitojë pëlqimin e Tij, që e jeton dhe e mban gjallë fenë e cila e ndan të mirën nga e keqja (dini mubin). Me deklaratat e tij dritëshpërndarëse, Kur'ani është referenca më e shëndoshë e kësaj konsiderate: "Pasuria dhe fëmijët janë për ju stoli e jetës së kësaj bote, kurse punët që premtojnë amshueshmëri, janë, në lartësinë e Allahut, më të dobishme për të mirë dhe më të denja për të lidhur shpresën ndaj tyre." (Kur'ani, Kehf: 18/46) Po, nëse punët tuaja shohin kah amshueshmëria, thuhet se keni hyrë në një rrugë, nga e cila edhe Zoti juaj do të jetë i kënaqur nga ju, edhe ju do të jeni të kënaqur nga Zoti juaj!
Përfundimi që arrijmë me këtë konsideratë, është ky: Synimi thelbësor në martesë është rritja dhe përgatitja e një brezi që do t'i bënte të kënaqur Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Prandaj, njerëzit që përqëndrohen me kujdes të veçantë mbi edukimin e fëmijëve fetarë e besimtarë, atdhedashës e të lidhur fort pas familjes, pavarësisht nga mendimet e ndryshme të shtrembra, kurrsesi nuk duhet të lëkunden të kenë fëmijë me rrugë të rregullta e legale. Shtimi i një brezi të tillë ka për ta bërë të qeshur fytyrën e bashkësisë muhammediane.
Lidhur me konsideratat e parashtruara gjer këtu, është mjaft me rëndësi edhe kjo këshillë dhe porosi e Profetit (s.a.s.) për të rinjtë:
"O ju të rinj! Ata prej jush që kanë mundësi për martesë, të martohen, kurse të pamartuarit ende, të agjërojnë, sepse kjo është pritë ndaj haramit (gjërave të ndaluara)."[3]
Së pari, në kuptim të përgjithshëm, agjërimi është një pehriz. Duke i marrë nën kontroll, bashkë me stomakun, edhe ndijimet dhe ndjenjat e tjera njerëzore, lehtëson përdorimin e saj në drejtimin e urdhëruar nga Zoti.
Së dyti, martesa është një gjë serioze. Ajo s'është një punë e thjeshtë që njeriu mund t'ia hyjë duke marrë vendim në çast, pa e menduar e pa e peshuar. Mosmarrëveshja dhe mungesa e qetësisë në martesat e nxituara, të bëra pa kaluar nëpër filtrin e arsyes e logjikës, është një ngjarje e shpeshtë. Në mënyrë të pashmangshme, fëmijët e rritur në një familje ku sundojnë mosmarrëveshja e grindja, nuk do të marrin edukatën e duhur, do të rriten me prindër, por si jetimë dhe, disa herë, do të rriten të pandjeshëm e armiq, ndaj prindërve, madje edhe ndaj shoqërisë.
Në shumicën e vendeve perëndimore gjendja përqëndrohet në këtë pikë.
Në këto vende martesa nuk trajtohet si një çështje serioze dhe nuk realizohet brenda disiplinave të duhura. Kjo ngjarje tejet serioze dhe jetësore shihet si një mundësi konkrete për plotësimin e disa nevojave njerëzore, për t'u ushqyer e pushuar, kuadri i synimit përfundimtar të saj ngushtohet dhe i zhvishet krejtësisht kuptimshmëria. Evropa e sotme po vërtitet sot buzë greminave ku qe vërtitur Roma e djeshme dhe po i afrohet vdekjes hap pas hapi, sepse asnjë komb me familjen të prishur e me individët të degjeneruar nuk ka mundur të qëndrojë në këmbë.
Unë nuk e di ç'mendon kisha përballë këtij problemi, ç'thonë sociologët, ç'pikëpamje kanë edukatorët. Nëse di diçka, di se me këtë pandjeshmëri e me këtë mungesë logjike, shoqëritë e sëmura nuk do ta kenë të gjatë.
Kutubi i ndjerë, një mbresë të tij lidhur me këtë çështje, e përcjell kështu: "Në Amerikë, duke shqyrtuar jetën e tyre fetare, unë u përballa me gjëra interesante. Një radhë, erdhën në kishë shumë meshkuj e femra së bashku dhe bënë aty adhurimet e duhura. Pas lutjes, prifti i futi ata në një sallë tjetër ku do të dansonin, do të dëfreheshin e do të bënin edhe gjëra të tjera. Prifti shuajti dritat dhe nisi argëtimi. Duke ndjekur argëtimin e tyre, prifti thyhej më dysh nga kënaqësia dhe emocioni. Po, prifti qe shumë i kënaqur që i kishte sjellë ata në kishë!"
Mirëpo, ashtu siç vajtja në kishë nuk është qëllim në vetvete, nuk është qëllim në vetvete as vajtja në xhami, madje tavafi rreth Qabes. Qëllimi është ta bësh të kënaqur Allahun dhe të jesh në rrugën që thotë Ai!
Një shoku im mjek pati shkuar në Amerikë për specializim. Kur u kthye, m'i përshkroi kështu mbresat e tij:
"Në Amerikë, shumica e njerëzve që shkojnë në kishat e qendrave të qyteteve, në tregjet dhe ndanë rrugëve me publik të dendur, janë pleq të moshuar, të kërrusur, që dremisin ku të ndodhen. Dhe mendova: Mos vallë rinia Amerikane është prishur krejt?
Pastaj shkova në një kishë jashtë Nju Jorkut. Kisha ndodhej në një majë. Kur arrita, pashë se të rinjtë pothuajse rridhnin si lumë për atje, se atje shkonin të gjithë, burra e gra. Prifti u jepte këshilla të vazhdueshme, por ata as që ua vinin veshin fjalëve të tij. Secili shihte qejfin e vet. Edhe prifti, duke menduar se, sidoqoftë, ardhja e tyre në kishë ishte fitim, mbyllte sytë para bëmave të njerëzve. Dikush përdorte heroinë, dikush, morfinë, dikush merrej me punë të tjera."
Nuk e di, ç'dobi mund të ketë një vajtje e tillë në kishë? Po qe se shkuarja në kishë nuk ia pasuron botën shpirtërore njeriut, nuk ia vë në lëvizje ndjenjat njerëzore dhe nuk e shtyn të jetojë si njeri, do të thotë se ajo s'ka ndonjë synim për të qenë, prandaj s'ka as edhe kuptim!
[1] Abdurrezak, Musannef, 6/173; Axhluni, Keshfu'l-Hafa, 1/318, 319.
[2] Ebu Davud, Nikah, 3; Nesei, Nikah, 11.
[3] Buhari, Nikah, 2; Muslim, Nikah, 1, 3; Sijam, 43; Ibni Maxhe, Nikah, 1.
- Publikuar më .