Parimet e krijimit në martesë

a) Kreu i çdo mbarësie: Bismil'lah

Bashkëshortët që kanë arritur të ngrenë një fole familjare brenda kritereve tona, quhet se kanë realizuar një ngjarje me rëndësi shumë të madhe. Një fole e tillë, kur duhet, shërben si faltore, kur duhet, si shkollë dhe shërben si një "Shtëpi e Zotit" që i fryn ringjallje tërë një kombi! Fole të tilla të lidhura ngushtë pas parimeve të vëna nga Allahu, disa herë kanë shërbyer si një DNA për të gjithë shoqërinë.

Këtu kërkoj t'ju tërheq vëmendjen edhe mbi një moment tje­tër. Kur nisim të hamë bukë, ne themi "Bismil'lahi'r-rah­mani'r-rahim". Madje besojmë se, po ta themi nga zemra, na shtohet bereqeti, begatia. Mes nesh, ata që besojnë mirë, shumë herë edhe e kanë parë haptazi këtë bereqet.

Po kështu, në shumë punë, ne mbështetemi te Allahu nga e keqja e shejtanit (djallit) dhe i lutemi Atij të na mbrojë. Kësaj disipline i kushtojmë kujdes në çdo çështje, gjer në ato më in­timet. Dhe besojmë se fëmijët që do të na vijnë në botë si re­zultat i mbështetjes sonë te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, do të bë­hen të mirë dhe se djalli nuk do të mund të fusë gishtin në këtë rezultat.

Atij që nuk e bën këtë mbështetje te Zoti duke e kërkuar ndih­mën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, i bien në kokë, si rezultat i nënvleftësimit të kësaj gjëje që mund të duket si e vogël, shqetësime të tilla që ai nuk e di se nga i vijnë, por ama she­mbet nën peshën e tyre! Në këtë çështje, njeriu nuk duhet të nënvleftësojë asnjë moment. Duhet ta kryejë çdo gjë të madhe ose të vogël që është ngarkuar për ta kryer, duhet t'i plotësojë të gjitha kushtet e provës para së cilës është vënë. Duke çuar në vend përgjegjësitë që ia ka ngar­kuar feja, duhet të sillet jashtë­zakonisht i kujdesshëm e i ndjeshëm për të mos rënë kurrë në indiferentizëm e befasi.

Disa herë, një çast plogështie mund të japë si përfundim një fatkeqësi të tillë si ajo që jep plogështia dhe mungesa më e vo­gël e vëmendjes së njeriut që ndodhet në timon. Po, besimtari duhet çdo çast të mbështetet te Allahu, të stre­hohet te Ai! Po me këtë ndjenjë duhet vepruar edhe në ku­rorën që duket si një trajtim i thjeshtë. Kurora lidhet në emër të Allahut. Nuk mund të mendohet që kurora e lidhur pa u mbështetur te Allahu, të ketë begati, të bëhet pretekst për dobi. Sigurisht, kurora është një li­dhje shpirtërore, subli­me; edhe perspektiva e saj varet nga ra­po­r­­tet me Allahun.

Nisur nga kjo, kurora do të lidhet në emër të Allahut që të ke­të begati. Brenda saj do të ketë lutje dhe do të rea­lizohet bre­nda kuadrit të parimeve të vendosura nga Allahu, madje do të përcaktohet garancia e kurorës në mënyrë që të premtojë per­spektivë. Allahu (xh.xh.) e bën kurorën e lidhur në emër të Tij, të bekuar e të lumtur. Një kurorë e tillë është nën garancinë e Allahut (xh.xh). Ajo premton mundësi e perspektivë dhe bëhet pretekst për shkuarje mirë dhe harmoni mes bashkëshortëve.

Në ditët tona po bëhemi dëshmitarë të ndarjeve të shpe­shta dhe në martesat po shihet një pashkuarje, një mungesë mbarë­sie e qetësie serioze. Fakti që punët nuk bëhen në emër të Alla­hut, që janë spontane e pa synim, që çdo gjë lidhet me parimin e kënaqjes vetëm të ndjenjave epshore dhe hedhja pas krahëve e të gjitha vlerave njerëzore, ashtu siç e ka tronditur nga theme­let sistemin familjar perëndimor, ashtu na ka shkundur edhe ne. Gjendja e përgjithshme këtë tregon. Zoti na ndihmoftë!

b) Zgjedhja bashkëshortore

Çështja e parë që mendon personi që niset të martohet, ësh­të të kërkojë një bashkëshorte në përshtatje me ndjenjat dhe me­ndimet e veta. Në këto kohë, shumë të rinj e vlerë­sojnë këtë punë jetësore vetëm me ndjenja dhe përpiqen të krijojnë folenë familjare me dikë që kanë njohur në rrugë, në treg, në shëtitje. Eshtë e qartë se martesat e bëra duke lënë mënjanë gjykimet mbi kuptimin, natyrën dhe rëndësinë e martesës e të ngritjes së folesë familjare, sjellin fatkeqësi. Ndërkaq, po qe se para këtij ha­pi të madh do të kërkohej ndihma e mendimeve dhe pikë­pamjeve të një personi të tretë i cili do ta shihte çështjen me një sy tjetër dhe do të bënte llogari e vlerësime duke iu referuar momenteve dhe analogjive të tjera, rezultati do të ishte krejt i ndryshëm dhe përfitimi, i madh.

Disa herë, martesa e bërë me një trajtim sensualist, fole­në fa­miljare të konsideruar si një kënd xhenneti mund ta shndërrojë në një gropë xhehennemi. Ka shumë njerëz që i njohim e i di­më, përkushtimi fetar i të cilëve është i njohur, por që si familje, për shkak të indiferentizmit apo llogarive të gabuara të bëra në pragun e ngritjes së familjes, jetojnë në krizë të thellë dhe kaos.

Në një familje të tillë, fërkimet dhe përplasjet nuk ndër­priten kurrë. Burri kërkon ta jetojë fenë, gruaja shqe­tësohet. Ose e ku­ndërta. Për rrjedhojë, në një familje të ti­llë, burri dhe gruaja ku­rrë nuk mund të përbëjnë një unitet, nuk mund ta bëjnë fa­miljen të përbashkët, nuk mund të bëjnë një ndarje të përba­shkët të detyrave, përgjegjësive, të të drejtave dhe respektit per­sonal. Përkundrazi jetojnë si pole të kundërta. Në një familje të tillë, lexohen dy libra e dy gazeta të ndryshme, dy lloj tregimesh rrëfehen, dy lloj mbledhjesh familjare bëhen. Gruaja kërkon një gjë, burri e kundërshton. Gruaja kërkon besim, moral, kurse bu­rri i kthen këto në shkaqe grindjesh. Kështu, në një familje të tillë, bëhet një jetë dualiste, në i thënçin një jete të tillë, jetë!

Në mjedisin e një përplasjeje dhe përfytjeje të tillë, fë­mijët di­sa herë lidhen pas njërës anë, kurse, disa herë, mbe­ten në mes të pandjenjë e indiferentë ndaj ç'ndodh, por ar­miq të familjes e shoqërisë. Prandaj, duke hedhur hap drejt martesës, mashkulli dhe femra duhet ta mendojnë shumë mirë këtë çështje e, po të jetë nevoja, duhet ta këshillojnë me ata që kanë përvojë dhe t'i për­ca­ktojnë shumë mirë shkaqet e parapëlqimit të tyre.

Lidhur me këtë çështje, Profeti Muhammed (s.a.s.) kon­klu­don kështu: "Gruaja merret për këto katër gjëra: për pa­surinë, fisin, bukurinë dhe besimin. Ti zgjidhe atë që ka be­sim që të gjesh lumturinë!"[1]

Feja dhe besimi janë shkaku më i rëndësishëm për para­pël­qim. Po qe se para një mashkulli paraqiten dy kandidate nga të cilat njëra shumë e bukur, kurse tjetra, me bukuri mesatare por me ndjenjë besimi të lartë, epërsia morale dhe fetare duhet të bëhet shkak për parapëlqim. Jeta familjare nuk i përket vetëm kësaj bote, ajo vazhdon me bijtë, nipërit e mbesat dhe e ru­an këtë unitet edhe në jetën tjetër. Në të vërtetë, ndërsa një fole familjare e mirë mund të jetë në këtë botë një kënd parajse, ka ndodhur që, si rrjedhojë e disa gabimeve, të kthehet në varr dhe t'i mbyllë e t'i shembë edhe rrugët që çojnë në lumturinë e së përtejshmes së na­tyrshme.

Nisur nga kjo, pa tjetër i duhet kushtuar vëmendje men­dimit, veprimit e, veçanërisht, besimit fetar të bashkëshortes së ardh­shme. Personi që i jep vajzën një mashkulli me të meta dhe ga­bime në besim, quhet përgjegjës për të gjitha pa­sojat negative të mundshme. Kjo është e vlefshme edhe për femrën me të me­tat dhe gabimet përkatëse. Ndërkaq, po qe se mashkulli ka ndo­­një problem serioz besimi, do të thotë se çështja është negative që në themel, sepse besimi është një element themelor i vlef­shmërisë së kurorës. Njeriu që nuk i beson Allahut, që i nënvlef­tëson urdhrat fetare, ka një problem serioz besimi. Për rrjedho­jë, mungon elementi më i rëndësishëm për lidhjen e aktit të ku­rorës.

Eshtë e qartë se në martesën e bërë për pozitë, post, për­katësi familjare e fisnore, famë e popullaritet, para, rrogë, etj., feja dhe besimi janë nënvleftësuar dhe autorët, në vend që të fitojnë, kanë humbur. Së pari, cilësia e kërkuar me përparësi në martesë është karakteristika fetare. Themeli i fesë është besimi. Martesa me një njeri pa besim kurrë nuk është një martesë në kuptimin e plotë të fjalës, ajo është thjesht një bashkëjetesë.

Konkluzionet tona janë, sigurisht, për njerëzit fetarë dhe për ata që i pranojnë ligjet dhe kriteret fetare. Le ta bëjmë të qartë edhe një herë këtë që martesa është një mbështetje shumë e rëndësishme e lumturisë materialo-shpirtërore. Ai që bën gabim në një çështje të tillë të rëndësishme, ia ka nxirë vetes që të dyja botët.

Para çdo gjëje tjetër, po qe se mjedisin jua kanë rrethuar fë­mijë të paushqyer mirë me ndjenja fetare, do ta keni shumë të vështirë ta drejtoni situatën. Ndërkaq, po qe se një dorë bujare ju vjen në ndihmë në mënyrë mrekullore dhe i ndreq çrre­gu­llimet që kanë pasuar nënvleftësimet dhe ga­bimet tuaja, themi "ndihma e Allahut" dhe lutemi për më tej. Por ç'e do se kjo mund të mos ndodhë gjithmonë...

c) Rritja dhe përgatitja e fëmijëve të mirë

Në çështjen e rritjes dhe përgatitjes së fëmijëve, nëna dhe ba­bai pa tjetër duhet të jenë në të njëjtën mendje. Fëmijët që ndodhen nën prindësinë e një nëne pa aftësi për të rritur dhe përgatitur fëmijë ose të aftë por që nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi, dhe të një babai që nuk merret me asnjë problem të tyre, janë jetimë edhe pse me nënë e baba.

Nëna, të cilën Allahu e ka pajisur me mëshirë, dhemb­shuri, ndjeshmëri e delikatesë, aftësinë e së cilës për të rritur e për­gatitur fëmijë e ka kthyer në një cilësi të thellë të na­tyrës së saj, këtë potencial të shpirtit të saj duhet ta përdorë pa tjetër për t'i lartësuar ata në vlerat si njeri. Fundja, për nga krijimi i saj, nëna është mësuese, edukatore dhe udhë­rrëfyese. Detyra më e rëndësishme e saj duhet të jetë për­gatitja e fëmijës së vet. Edhe porosia profetike, sipas së cilës, "atë që i ndan nënën me fë­mijën nga njëri-tjetri, në ditën e kiametit Allahu e ndan nga nje­rëzit e dashur"[2], e shtron në shesh në mënyrë mjaft të qartë rolin përjashtimor të nënës në edukimin e fëmijës.

Duke e sjellë në vend nëna domosdoshmërinë imediate të pa­jisjes së saj, edhe babai, ashtu siç e kërkon krijimi dhe pozi­cioni i tij, duhet të jetë gjithmonë i matur, serioz, i zgjuar dhe i vëmendshëm. Babai merret me politikë, nëpunësi, tre­gti, buj­qësi etj. dhe, pak edhe si domosdoshmëri e natyrës së tij, mbush në familje një zbrazëtirë të posaçme. Sigurisht, ai, me forcën, qëndresën dhe strukturën e tij të veçantë, është i caktuar për punë të veçanta. Fundja, qysh në krye të herës ai ka qenë gjithmonë njeriu i një përgjegjësie të posa­çme dhe si i tillë ka ardhur gjer në ditët e sotme. Nisni me prerjen e druve në pyll, me plugimin e tokës, me mbjelljen dhe vjeljen e të lashtave e gjer te punët e rënda të ndërtimit ose industrisë, çdo gjë është kryer dhe çuar para duke u lidhur me qenien e tij e duke u mbë­shtetur te ai. Sipas meje, burri duhet ta ruajë vendin e vet të qëndresës ndaj punëve të tilla të rënda në saje të trupit dhe vullnetit të vet dhe s'duhet femërzuar me punë femrash; po kështu edhe femra nuk duhet vënë në punë të rënda që e ka­përcejnë forcën fizike të saj.

Sidomos, mashkulli është monument qëndrese, por jo hero dhembshurie! Dhembshuria është thellësia më e rën­dësishme e femrës. Ajo e shëtit fëmijën në bark për nëntë muaj. E sjell në botë me njëqind mundime, kujdeset dhe e rrit me një mijë vë­shtirësi. Kur fëmija rënkon natën, nëna ngrihet dhe i shkon me­njëherë në ndihmë dhe, kur qan, e merr në gji. Me një dëshirë dhe instinkt të buruar prej naty­rës së saj, nëna jeton për ta mbaj­tur gjallë atë. Ja, pra, nga njëra anë femra e nga ana tjetër mashkulli, me unitetin fa­miljar të përbërë prej tyre, ngrenë një fole familjare që të ku­jton pallatet parajsore, në fytyrën e së ci­lës mund të sodisin botën përtej!

Në Perëndim, burri punon në një vend pune e gruaja në një vend tjetër. Në këto kushte, fëmijët ndodhen ose pranë dikujt tjetër ose në çerdhe apo kopshte. Kështu, kur punojnë edhe babai, edhe nëna, fëmijët braktisen, në një farë mase, në vetmi, në pakujdesi. Pastaj, këta njerëz ngushëllohen kë­shtu në vetve­te: "Atje ka njerëz shumë të dhembshur e të mësuar. Ata kuj­desen për fëmijët tanë më mirë se ne!" Kur­se përtej kësaj ek­zistojnë edhe shumë gjëra për të cilat ka nevojë fëmija!

Në çerdhe apo kopësht, fëmijës mund t'ia lajnë rrobën, mund t'ia japin ushqimin në kohë, mund ta nxjerrin jashtë, kur duhet, për pushim ose shëtitje në ajër të pastër ose ta çojnë për të dëfryer në një park lojërash. Por ata që i bëjnë të gjitha këto, kurrë nuk mund të bëhen nëna dhe babai i fëmijës, nuk mund t'ia japin atij dhembshurinë për të cilën ka nevojë më tepër se për çdo gjë tjetër. Dhembshuria është interesimi, lidhja e bash­këlindur të cilën fëmija e lexon në sytë e nënës, e gjen në gjirin e saj, e ndjen në prehrin e babait. Po qe se institucionet në fjalë s'ia japin dot këtë, nuk mund ta kënaqin fëmijën me asnjë lloj fantazie tjetër!

T'i lëmë fëmijët e vegjël të braktisur në çerdhe apo kop­shte e të shohim se ç'ndodhte me fëmijët e rritur të dorëzuar ustait apo kallfës në periudhën e çirakllëkut. Po qe se ustai apo kallfa do të ishin të mangët nga dhembshuria dhe pak edhe të ashpër, këta fëmijë të trajtuar vazhdimisht me ash­përsi, me kohë do të bë­heshin aq të pa ndjenjë, aq zemër­gurë e aq të pamëshirë, sa­që jo vetëm ndaj të huajve, por edhe ndaj prindërve do të sille­shin trashë. Dhe kështu, po qe se ndikimi negativ i ushtruar nga njerëz të tillë të ashpër si ustai dhe kallfa të periudhës së çi­rakllëkut në shpirtrat e butë të atyre fëmijëve të pafajshëm do të lindte rezultate ne­gative të këtyre përmasave, nuk do të ishte e vështirë të përcaktonim se ç'ndryshime pësojnë nën ato vësh­trime të huaja fëmijët tanë të sotëm që i dorëzojmë në çerdhe apo kopshte ende pa lindur ose pa u rritur mirë!

Allahu i Lartë (xh.xh.) që gjithmonë na e prezanton neve veten si Mëshirues (Rahman) dhe Bamirës (Rahim), që na i tregon mëshirën dhe bamirësinë e Tij brenda fjalës së lartë, "Bismil'lahi'r-rahmani'r-rahim, Me emrin e Allahut Mëshiru­es e Bamirës" e cila përsëritet në Kur'an njëqind e katër­mbëdhjetë herë, duket sikur me këto atribute dhe cilësi të bekuara shfaqet te nëna. Po, shfaqjen e Allahut (xh.xh.) me mëshirën dhe bami­rë­sinë e Tij në një banesë mund ta le­xojmë në përqëndrimin e nënës me një mijë kujdesje mbi fëmijën dhe shërbimet e saj për të. Nuk ka dyshim se një dinjitet dhe meritë e tillë është aq e lartë sa të mos mund të shkëmbehet me asgjë tjetër në botë!

Në një periudhë, pati ca të rinj që kishin mbaruar univer­sitetin, madje që kishin bërë studime pasuniversitare ose ki­shin doktoruar, por që kishin rënë në duar të qendrave te­rroristike dhe u rritën breza pa ndjenjë e pa mëshirë që i bënin prindët të qanin e që ua copëtonin zemrën. Vetëm se këta qenë një për­jashtim dhe jo gjëra që do të përbënin ar­gument kundër më­simit dhe arsimimit. Askush nuk e rrit dhe përgatit fëmijën që të vritet me një plumb ose që ta prishë qetësinë e shoqërisë; nuk e rrit, por disa herë edhe nuk e parandalon dot që fëmija të rrë­mbehet nga rryma të papritura. Ja, pra, qoftë para gjërave të tilla negative të pa­pritura, qoftë para rreziqeve të mundshme, nëna dhe babai gjithmonë duhet ta përdorin folenë familjare si një serë mbrojtëse, edukimin moral të fëmijëve duhet ta bëjnë synim përparësor dhe s'duhet t'i japin rast humbjes së fëmijëve!

Si përfundim, mund të themi se nëna dhe babai duhet të bëjnë gjithçka që duhet për rritjen dhe përgatitjen e një brezi të ndjeshëm, të vetëdijshëm, të lidhur fort pas atdheut, ko­mbit dhe fesë dhe nuk duhet të japin rast që ai të përjetojë boshllëk mendor, ndjesor, logjik. Po qe se prindët do të jenë besimtarë, të lidhur pas Kur'anit dhe njohës të islamit, edhe fëmijët, në dashtë Zoti, do të rriten dhe përgatiten të vetë­dijshëm dhe do ta bëjnë të ndriçojë yllin e kombit të tyre!



[1] Buhari, Nikah, 15; Ebu Davud, Nikah, 2; Nesei, Nikah, 13; Ibni Maxhe, Ni­kah, 6.13
[2] Hakim, Mustedrek, 2/55.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.