Kushtet e martesës

Çështjes së martesës feja i jep rëndësi më shumë se sa mund të merret me mend. Paralel me këtë, edhe juristët is­lamë e kanë trajtuar kurorën si një çështje të rëndësishme, kanë shkruar vë­llime të tëra rreth saj duke qëndruar mbi të posaçërisht. Juristët e kanë ndarë kurorën në kategoritë de­tyrim (farz), domos­dosh­mëri (vaxhib), traditë (sunnet), nda­lim, shkelje (haram) dhe pa­pëlqyeshmëri (mekruh) si dhe e kanë kushtëzuar pak edhe me gjendjen specifike të per­so­nave. Kjo do të thotë kështu: Askush nuk mund të martohet si t'i vijë për mbarë; personi i ardhur në një nivel të caktuar, është i detyruar të martohet; madje, ndërsa martesa e disa­ve është domosdoshmëri (vaxhib), martesa e disa të tjerëve, për shkak të gjendjes së tyre të posaçme, është e pa­pëlqy­e­shme, e shëmtuar (mekruh).[1]

Gjithsesi, vetëm duke mbajtur parasysh kuadrin fiziolo­gjik e material të njeriut, kuptohet pa mëdyshje se ai që martohet, do t'i përftojë shoqërisë një familje ose një fëmijë.

Nga juristët islamë, hanefitët dhe malikitët konsiderohen të afërt me njëri-tjetrin lidhur me këtë çështje; dallimet mes tyre kanë të bëjnë me hollësitë. Po qe se do ta parashtronim çësh­tjen e martesës sipas përcaktimeve të këtyre juristëve të më­dhenj islamë, do të na dilte parasysh, në vijat kryesore, një kla­sifikim i tillë si më poshtë:[2]

a) Martesa e detyrueshme (farz)

Personi që ka rrezik të bjerë në adulter dhe, përgji­thësisht, në situata të ndaluara fetarisht (haram), e ka të de­tyruar (farz) të martohet nëse ka mundësi ta paguajë gara­ncinë e kurorës (mihr) dhe të sigurojë mjetet për mbajtjen e familjes. Sipas di­save, duhet të martohet edhe nëse nuk agjëron dot (me qëllim për të mposhtur dëshirat seksuale).

Me fjalë të tjera, martesa për të mos rënë në faj (haram) ësh­të parim dhe martesa duhet të jetë zgjidhja e vetme për dikë që përballet me rrezikun për të rënë në faj. Largimi, ikja nga mar­tesa me rrugë të panatyrshme është kundër­shtim i natyrës dhe shpallje lufte asaj dhe disfata e atij që tenton të luftojë kundër natyrës, është e pashmangshme!

b) Martesa e domosdoshme (vaxhib)

Martesa e personit që ka mundësi ta paguajë garancinë e ku­ro­rës dhe ta mbajë familjen, ndërkohë që nuk ndodhet para ndo­një rreziku imediat për të rënë në faj me përjashtim të një dyshimi, është e domosdoshme. Edhe kjo formë është e disa juristëve, nuk përbën pikëpamje dhe opinion juridik të përgjith­shëm.

c) Martesa traditë (sunnet)

Eshtë traditë (sunnet), domethënë normale dhe e mundsh­me martesa e personit që nuk ka asnjë rrezik apo shqetësim dhe që ka dëshirë dhe është i interesuar të martohet.

d) Martesa e palejueshme, e ndaluar, e dënueshme (ha­­ram)

Eshtë e palejueshme, e ndaluar dhe e dënueshme mar­te­sa për personin që do ta shtynte në veprime të fajshme, që do ta detyronte të përdorte rrugë të ndaluara e të dënue­shme për ta mbajtur familjen. Një martesë e tillë është, më e pakta, e pa­pëlqyeshme dhe e shëmtuar (mekruh). Ka juristë që e quajnë të ndaluar ose të papëlqyeshme edhe martesën e një mashkulli me çekuilibër mendor-shpirtëror të tillë që do ta kaqtrajtonte të shoqen.

e) Martesa e papëlqyeshme (mekruh)

Sipas disave, është e papëlqyeshme edhe martesa e dikujt për të cilin rreziqet për të rënë në faj, për të përdorur dhunën nuk janë kategorike por vetëm paraqiten si mundësi.

f) Martesa e zakonshme (mubah)

Martesa e një personi të matur e serioz i cili fiton me të drejtë (hallall), për të cilin nuk ekziston mundësia të bjerë në adulter, i cili ka mundësi ta japë garancinë e kurorës dhe të mbajë famil­je, është e pëlqyeshme (memduh) ose e zakon­shme, asnjanëse (mubah). Një person i tillë po deshi, mar­tohet, po s'deshi, s'ma­r­tohet.

Imam Shafiiu (r.a.) thotë se martesa është, në vetvete, një akt i zakonshëm, domethënë një akt neutral (mubah). Ndërkaq, është e domosdoshme (vaxhib) të shmanget nga fajësia (ha­ram). Në të vërtetë, këtu, edhe shkolla shafiite parashtron një pikëpamje të afërt me konsideratat hanefite. Imami Ahmed b. Hanbel mbron pikëpamjen se, përballë rrezikut për të rënë në adulter, martesa është e detyrueshme për çdo njeri, pavarësisht nëse ai mundet apo jo ta sigurojë jetesën e familjes e ta japë ga­rancinë e kurorës. Në fakt, kur këto pikëpamje shqyrtohen me hollësi, kuptohet se nuk janë shumë larg njëra-tjetrës.

Me këto çështje specifike, u përpoqëm të tregojmë se ç'lloj që­llimesh e synimesh ndjek feja, se martesa nuk është një çësh­tje e thjeshtë dhe sensuale. Po qe se kjo punë e rë­ndësishme nuk kushtëzohet me parime të shëndosha në mënyrë që të mos u japë shkas zbrazëtive logjike e sensuale, fundi i saj i pashma­­n­gshëm do të jenë dyert e gjyqeve dhe vargjet e grave të veja e të pazot, të fëmijëve të mbetur në mes të udhës! Duke ngritur pritë që në krye të herës para këtyre, feja e pengon martesën, për­fundimi i së cilës është zvarritje në këto lloj situatash nega­tive e të rënda, duke e kategorizuar si haram (e ndaluar, e pale­juar, e pabekuar), mekruh (e papëlqyeshme, e shëmtuar); në një çështje ku mbisundon ndjenja, feja i jep prioritet rrugës së arsyes, logjikës dhe gjykimit.

Specifika që ne deshëm të theksonim këtu, është që mar­tesa është një institucion shumë serioz, që me të formohet dhe ngri­het familja si elementi më i rëndësishëm i shoqërisë. Nisur nga kjo, kur mendohet e flitet për martesën, nuk du­het menduar e folur për të si për një situatë mediokre të lidhur vetëm me sen­sua­litetin e individit, por si një çështje fetare, kombëtare dhe gjithënjerëzore që ka lidhje me lu­m­turinë e një shoqërie a të një grupi shoqëror, madje të gjithë një kombi. Sa për specifikën se­n­sualistike dhe egoistike të martesës, kjo është vetëm një "para­pagesë dhe bakshish" i Zotit për njeriun për të siguruar arritjen e "synimit të madh" përfundimtar. Në qoftë me vend të shpre­hemi kështu, kjo duhet vlerësuar si një "paradhënie" dhe duhet parë si "shpërblim në dorë" për shërbimin e rëndësishëm që i sjell individi me martesën vazhdueshmërisë së brezit njerëzor dhe rritjes e përgatitjes së individëve me karakter të lartë që bëhen garanci e vitalitetit të një kombi!

Ç'është e vërteta, mund të thuhet se feja islame i jep mjaft rëndësi kësaj çështjeje. Në përgatitjen e martesës çdo gjë do të mendohet me hollësi, do të bëhen një mijë e një llogari dhe do të sillet me një kujdes që nuk do t'i linte ha­pësirë asnjë gabimi në mënyrë që foleja familjare e ngritur të mos prodhojë shkaqe që do të çonin në shembjen e saj.



[1] Këtu autori bën fjalë për nivelet e martesës në islam sipas së drejtës juridike-fetare islame (përkthyesi).
[2] shih Vehbe Zuhayli, İslam Fıkhı Ansiklopedisi, 9/28-31.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.