Parimet morale
Ç'shohim të mirë e ç'shohim të keqe? Si mendojmë t'i rrisim fëmijët? A ka në këtë drejtim ndonjë plan dhe projekt të përgatitur për ta realizuar?
Si mendojmë ta rrisim djalin? Pasi themi se "kështu dua ta shoh djalin", ç'bëjmë për ta arritur këtë? Si e vështrojmë faktin që ai e kalon kohën jashtë gjer në orët e vona të natës? Dhe, a do t'ia hapim derën e do ta përqafojmë pavarësisht se në ç'orë kthehet në shtëpi?
Ç'gjë e pranojmë dhe gjer ku e pranojmë? Ç'gjë quajmë moral dhe ç'gjë mund ta konsiderojmë si jashtë moralit? Ç'gjëra i shohim me sy të mirë e ç'gjëra i shohim me sy të keq?
Gjer ku do t'i lejojmë fëmijët tanë? A do të kemi një parim mbi ndërhyrjen në veshjen dhe pamjen e jashtme të tyre?
Nëse s'jemi të kënaqur prej tyre, ç'kemi menduar gjer tani? A ndodhi që t'i drejtohemi ndonjë zgjidhjeje? Në rrugën e kërkimit të zgjidhjes, në sa dyer trokitëm, sa specialistë pyetëm, sa pika loti derdhëm? Kjo çështje që na intereson ne, mund t'i interesojë edhe një të afërmi, një fqinji ose edhe krejt kombit, mirëpo a i hymë ndonjë kërkimi për të?
Po s'patëm ndonjë llogari, ndonjë plan rreth kësaj çështjeje, do të thotë se, ashtu siç shprehet Profeti (s.a.s.), s'kemi bërë e s'bëjmë gjë tjetër veçse të ndjekim hap pas hapi qorrazi paraardhësit tanë duke u zvarritur drejt gropës së tyre. Në fakt, në themel të të gjitha këtyre qëndron nënshtrimi ndaj dëshirave dhe pasioneve tona duke i shtyrë mënjanë Allahun, të Dërguarin e Tij dhe parimet e Kur'anit.
Sot, pothuaj të gjithë ne kemi një fëmijë për të cilin ankohemi pak a shumë. Ç'mendojmë, vallë, ne, para një sërë zigzagesh të tij? Edhe vetëm mendimi, madje, është shumë i rëndësishëm. Sigurisht, kështu apo ashtu, patjetër na duhet të mendojmë! Duke u kthyer nga vetvetja, duhet të përqëndrohemi mbi pyetjen: "Me të vërtetë, ç'mund të bëjmë ne në këtë drejtim?" Natyrisht, edhe veten duhet ta gjykojmë nëse jemi të mirëkuptueshëm, të ashpër apo indiferentë, nëse gjërat që na ngjajnë në shtëpi, mjaftohemi t'i shohim në një pandjeshmëri dhe heshtje të vdekuri apo çdo ditë kërkojmë një zgjidhje.
Këto pyetje mund t'i shtojmë edhe më. Për shembull, a bëjmë përpjekje për ta ndjekur nga pas fëmijën tonë për ta njohur atë me të cilët ai ka lidhur shoqëri? A mundemi t'i përgatisim atij çdo herë një mjedis të mirë? Me ç'shokë e njohëm atë gjer këtë ditë? Po s'e patëm njohur ne, me kë shëtit dhe e kalon kohën ai? A është e mjaftueshme vetëm ta regjistrojmë në shkollë, t'ia dorëzojmë një mësuesi apo ta regjistrojmë në një kurs Kur'ani? Ose a është e mjaftueshme vetëm t'ia tregojmë xhaminë e ta njohim me imamin?
Krahas këtyre pyetjeve të ndërthurura me njëra-tjetrën, krahas kërkimit të përgjigjeve për to, kanë shumë rëndësi edhe rregullsia, thellësia, sinqeriteti, vendosmëria e jetës sonë si dhe sa na tërheq ne ajo.
- Publikuar më .