Mënjanimi i pikëpyetjeve qysh në fillim
Fëmija mund të ketë disa pikëpyetje mbi namazin dhe çështjet fetare përtej tij. Veçanërisht fëmijët e mbyllur në vetvete ka shumë mundësi që të mos ua hapin këto lloj pikëpyetjesh fetare prindërve. Ka shumë rëndësi që, duke gjetur pretekste dhe mjete të ndryshme, të arrihet që fëmija të zbërthehet, ta derdhë zemrën e të hapet. Po qe se me rritjen e fëmijës, rritet edhe pikëpyetja brenda tij, me kohë, çdo dyshim, çdo lëkundje, çdo çështje fetare e pa shpjeguar, çfarëdo çështje besimore me kuptim dhe urtësi të pakuptueshme kthehet në një gjarpër, në një akrep që ia kafshon zemrën.
Disa herë këto pikëpyetje në botën e tij të brendshme rriten, si një plagë, me aq shpejtësi, saqë e shtrijnë për tokë atë të mjerë pa i rënë ne dot në të! Ai vjen çdo ditë në xhami, i kryen rregullisht të gjitha gjërat bashkë me ju duke dhënë përshtypjen sikur gjithçka është në rregull, kurse, në të vërtetë, ai u është nënshtruar lëkundjeve e dyshimeve dhe tretet çdo ditë brenda qerthullit të tyre. Po qe se kur e dërgojmë fëmijën në një universitet për t'ia krijuar të ardhmen, nuk ia mjekojmë në kohë problemet e mundshme, bëhet e pashmangshme që, si rrjedhojë e pikëpyetjeve me karakter fetar, të na dalë para një ditë me një sërë ndjenjash, mendimesh e sjelljesh që s'do t'i kishim përfytyruar për të! Prandaj fëmija kurrë nuk duhet të lihet pa u ushqyer mendërisht e shpirtërisht, gjë që duhet bërë sipas moshës dhe veçorive individuale të tij. Në të kaluarën, njerëzit tanë ua dorëzonin fëmijët edukatorëve ose edukatoreve dhe ata, duke hyrë në botën shpirtërore të tyre, përpiqeshin që, brenda anatomisë shpirtërore të tyre, t'u gjenin zgjidhje halleve të tyre. Në të vërtetë, këtë edukim duhet ta bëjnë prindërit. Po qe se nuk e bëjnë dot, duhet të gjejnë edukatorë dhe edukatore me kulturë për ta bërë këtë edukim dhe kurrsesi s'duhet t'i lënë shteg humbjes së fëmijës. Një besim i shëndoshë, një konsideratë adhurimi e përvetësuar thellësisht dhe një moral i përkryer i shndërruar në një aspekt të natyrës sonë mund të realizohen vetëm me një ndjeshmëri të këtyre përmasave!
- Publikuar më .