Të falemi dhe lutemi në një mjedis ku të na shohë fëmija

Brenda shtëpisë duhet të ketë edhe vend, edhe kohë të ve­çuar për falje e lutje. Po të ketë mundësi, namazet e pesë kohë­ve të falen në shtëpi ose, ndryshe, të merret fëmija për dore e të çohet në xhami. Kjo e dyta, më shumë në peri­udhat kur nëna nuk mund të falë namaz. Nuk i duhet lënë shteg mundësisë që fëmija, duke parë nënën që s'falet, të mësohet, dashje pa dash­je, me idenë se mund të bëhet edhe pa namaz, edhe pa lutje. Në librat e të drejtës islame (fikh) kjo çështje trajtohet edhe kështu: Kur femra, nëna, kalon një periudhë kur nuk mund të falë namaz, ajo mund të marrë abdest, të ulet në sexhade, të hapë duart për lutje dhe t'i lutet Zotit.[1] Kështu, edhe ajo nuk do të shkëputet plotësisht nga adhurimi, edhe fëmija nuk do të vërë re një ndryshim të theksuar në adhurimet e saj. Megjithë­këtë, si në këto periudha të veçanta, ashtu edhe zakonisht, vaj­tja në xhami ruan vlerat e veta të veçanta. Kështu, do të vijë një ditë që, kur të këndohet ezan, fëmija, krejt si një orë e kur­disur, do t'ju paralajmërojë: "Baba, namaz!" Dhe, ndërsa dikur e pa­ralajmëronit ju atë, tani do të jetë ai që do t'ju bëjë zë juve kur të jeni i zënë me punë apo kur të mos e keni dëgjuar ezanin!

Përveç kësaj, ju duhet të keni një orë të caktuar të ditës për t'iu lutur në mënyrë të posaçme, "private" Allahut. Ajo do të je­të "ora juaj". Atëherë ju do t'i shfaqni Zotit tuaj ndjenjat tuaja, do t'ia qani hallet tuaja, duke treguar praktikisht se Krijuesi i Lartë është gjithë kohës një derë e hapur ku mund të drej­toheni, ku mund të mbështeteni. Esh­të e dobishme që lutjet e kësaj ore private t'i bëni me zë të lartë. Ja, kështu i patën dë­gjuar dhe mësuar sahabet lutjet me zë të lartë të Profetit (s.a.s.), që i njohim dhe i përdorim edhe ne. Shumë lutje të tilla i ka përcjellë Hz. Aisheja (r. anha). Ka edhe lutje të përcjella nga Hz. Aliu dhe Hz. Ha­sani e Hz. Hyseni (r. anhum).

Edhe ju mund t'ua bëni të njohura lutjet mjedisit tuaj duke synuar që edhe ata t'i mësojnë. Po qe se dëshironi që fëmija juaj të bëhet i ndjeshëm, që të dridhet kur të dëgjojë se për­mendet emri i Allahut, duhet që të jeni së pari vetë një njeri i ti­llë!

Po, ka shumë rëndësi që prindërit ta përcaktojnë mirë dety­rën e tyre brenda në familje. Ka shumë rëndësi që fëmija t'ju shohë se si, në një orë të caktuar, ju qëndroni para Zotit dhe ia hapni zemrën Atij, se si rënkoni para Tij, se si i luteni me zë të lartë Atij! Fëmijës suaj nuk do t'i shlyhet kurrë nga kujtesa pa­mja juaj tek përpiqeni për të nesërmen e pasosur që është një nga çështjet tuaja më të mëdha, tek e mendoni atë dhe qani me shpresë për të!

Në fakt, ne jemi të detyruar të falemi e lutemi para Zotit sikur jemi duke e parë Atë. Sipas një hadithi të dobët, Pro­feti ka thë­në: "Unë kam me Allahun një çast, kur as engjëjt e mëdhenj, as dhe tjetërkush mund të më afrohet!"[2] Po, ne duhet të kemi me Zotin tonë një çast, një orë të tillë të ndritshme që fëmija të mos i harrojë kurrë ato tabllo që do të shohë dhe, kur t'i vijë koha, t'i bëjë material për adhu­rimin e vet. Veç kësaj, kur të ndodhet, në të ardhmen, ba­llëpërballë me rreziqe për t'u thyer, këto tab­llo t'i shkojnë në ndihmë e ta kapin për dore për të mos e lënë të rrëzohet.

Nuk duhet ta marrim me shumë rezerva këtë çështje se­pse edhe Kur'ani na parashtron një lëkundje psikologjike të tillë në suren "Jusuf". Ç'është e vërteta, ne nuk mendojmë se Hz. Ju­sufi qe lëkundur para një femre, por Kur'ani thotë: "Po sikur të mos e kishte parë provën e Zotit?" (Kur'ani, Jusuf, 12/24)

Sado e diskutueshme të jetë vërtetësia e komentuesve të Kur'anit të cilët thonë se me "provë" këtu është fjala për faktin që Hz. Jusufit iu paraqit i ati, Hz. Jakubi, i cili ia vuri gishtin në buzë duke i thirrur: "Jusuf!" Dhe, kështu, i pa­ralajmëruar prej të atit, Hz. Jusufi u tërhoq dhe tha: "Unë e kam frikë Allahun!" (Kur'ani, 12/23)[3]

Ja, kështu edhe ju, me shembullin tuaj, do të zini vend në nënvetëdijen e fëmijës, i cili, para çdo të keqeje, do t'ju shohë juve nga dritarja e hapur në përfytyrimin e tij tek ia tërhiqni vë­mendjen duke i thënë: "Ç'po bën ashtu, biri im?" Dhe, kështu, ju do të jeni në jetën e tij për herë një udhëzues dhe një dorë ndihme e zgjatur për tek ai për ta kapur dhe mbrojtur nga rre­ziqet!



[1] Ibni Abidin, Reddu'l-Muhtar, 1/291.
[2] Axhluni, Keshfu'l-Hafa, 2/173-174.
[3] Ibni Kethir, Tefsiru'l-Kur'an, 4/308-309; për njohuri të gjera në lidhje me këtë çështje, shih edhe M. F. Gylen, Dritë e Pashuar, vëll. II.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.