Komanduesi i Trurit dhe Trupit Eshte Shpirti

Eshtë një komandant që i urdhëron dhe i drejton të 60 trili­on qelizat që funksionojnë secila si një shtet më vete. Ai është shpirti!

1. Shpirti është ose sunduesi i trupit, ose i burgosuri në trup.

Në trupin ku hyn shpirti, duken shenja gjallërie, kurse kur ikën shpirti shkaktohet decentralizim dhe në mekanizëm fillon prishja dhe qelbja, qelizat shpërbëhen, çdo gjë zbërthehet e mbaron. Kjo do të thotë se shpirti është një esencë, një element esencial, kurse truri, gjymtyrët, ndjenjat dhe të gjitha vepri­mtaritë e trupit s'janë gjë tjetër veçse funksione të atij elementi esencial. Shpirti zotëron mbi të gjitha fakultetet e trupit të njeriut, mbi të gjitha qendrat dhe zonat e trurit dhe mbi të gjitha organet duke u dhënë atyre aftësi jetësore. Shpirti vë në fun­ksion mendjen, zemrën dhe ndjenjat. Ndërkaq, shpirti që është sunduesi dhe urdhëruesi i trupit, përballë shqetësimeve dhe fattkeqësive të ardhura nga Zoti, përballë sëmundjeve dhe çrre­gullimeve fiziologjike, bie në gjendjen e të dënuarit, e të bur­gosurit, paralizohet. Fundja, me të vërtetë, kur shpirti nuk mbë­shtetet te Zoti, fuqia e pafundme, i cili e ka krijuar dhe e mban në këmbë, është një rob me krahë dhe këmbë të lidhura.

2. Funksionet e trurit kryhen me anë të reaksioneve në qelizat nervore.

Funksionet e trurit janë reaksione biokimike që zhvillohen në qelizat nervore. Ne dimë se këto funksione kanë karakter elek­trokimik. Vendimi që marrim, iu përcillet muskujve me anë të rrymave biokimike; në tru hyjnë në reaksion dopa, nxitësi do­pamin ATCH dhe lëndë të tjera dhe, si rezultat, ndodhin analiza ose sinteza. Disa molekula oksidohen, disa të tjera, reduktohen, elektronet merren dhe jepen dhe, në përfundim, në organe dhe gjymtyrë shkon rrymë elektrike dhe kryhen veprimet dhe lëvizjet e duhura.

Në trupin e gjallë, brenda gjashtë muajsh, të gjitha qelizat ka­në ndryshuar. Në gjak, në çdo sekondë, vdesin një numër qelizash të kuqe, të quajtura eritrocite, dhe, në vendin e tyre, lindin të reja. Jetëgjatësia e një eritrociti është 28 ditë. Në një qelizë, në çdo sekondë krijohet një sintezë, gjë që do të thotë dyzet e pesë mijë sinteza në orë. Kjo do të thotë, se, me këtë aspekt tonin, ne ndryshojmë çdo çast, pra, e thënë në mënyrë të thjeshtuar, një çast më pas nuk jemi më ai që kemi një çast më parë! Siç ndërrojmë këmishën ose xhaketën e vjetëruar, ndërrojmë vazhdimisht edhe mishin dhe kockat.

Para reaksionit, në tru ka disa lëndë që, kur hyjnë në rea­ksion, shkaktojnë rrymë bioelektrike, me anë të së cilës vendi­met u përcillen muskujve dhe, kështu, kryhen veprime të ndry­shme. Po qe se çështjen e vlerësojmë me këtë aspekt të saj që reflektohet jashtë dhe pranojmë se ata që i bëjnë veprimet, janë me të vërtetë gjymtyrët e trupit (kurmit) tonë, atëherë, sistemin e sotëm juridik e bëjmë rrëmujë. Sepse, sipas vlerësimit të më­sipërm, do të duhej që sistemin e sotëm ta hiqnim nga fuqia dhe, në vend të tij, të vendosnim një sistem krejt tjetër. Po de­shët, le ta përfytyrojmë sikur po hyjmë bashkërisht në një sallon gjyqi. Atje do të dëgjojmë bisedën si më poshtë dhe vendimin e dhënë:

Gjykatësi e pyet të pandehurin:

"Kur e bëre këtë krim?"
I pandehuri i përgjigjet:
"Një vit më parë, zoti gjykatës!"

Vendimi është i qartë: i pandehuri do të falet! Gjykatësi le­xon vendimin:

"Meqë ka kaluar një vit nga dita e kryerjes së krimit dhe të gjitha qelizat e gishtit që ka hequr këmbëzën e armës, madje, të gjitha qelizat e trupit të të pandehurit janë ndërruar, për pasojë, meqë është e pamundur të dënohet vrasësi i vërtetë, juria ve­ndosi njëzëri t'i japë lirinë të pandehurit!"

Natyrisht, në botë nuk ekziston një e drejtë penale e tillë!

Ose le të shohim se ç'mbrojtje i bën vetes një i pandehur në një gjykatë tjetër.

"Të nderuar anëtarë të jurisë,

Me të vërtetë, këtu jemi para një krimi, por autori i tij s'jam as unë, as ndonjë tjetër. E para, këtë krim më detyruan ta kryej një sërë molekulash dhe reaksionesh të trurit. E dyta, nga dita e ngjarjes kanë kaluar plot tetë muaj dhe ju, të nderuar anëtarë të jurisë, e dini mirë se të gjitha qelizat e mia kanë ndryshuar. Kë­shtu, nga nga ai njeriu i para tetë muajve s'ka mbetur gjë. Pra­ndaj, qelizat e mia të sotme nuk mund të mbajnë përgjegjësi për një krim që s'e kanë kryer. Duke u mbështetur në parimin se askush s'mban përgjegjësi për fajin e tjetrit, ju lutem të më nxirrni të pafajshëm e të më ktheni lirinë!"

Dhe, tani, po qe se nuk pranojmë se është shpirti që e me­riton të dënohet, a nuk do të ishte i drejtë një gjykim i tillë? Si­gurisht, po qe se e mendoni njeriun vetëm si materie, në këtë përfundim do të arrini. Por, në fund të fundit, njeriu nuk është identitet i materies, por i shpirtit, dhe autori i vërtetë i ngjarjeve është shpirti që drejton të gjitha sistemet e organeve, të ndiji­meve e të ndjenjave, që i urdhëron ato. Trupi është vetëm një mjet i shpirtit, një zbatues, një ekzekutues, prandaj dënimi i du­het dhënë shpirtit e jo trupit.[1]

3. Po qe se njeriu do të ishte identitet vetëm i mate­ries, do t'i humbte prindërit.

Po qe se njeriu pranohet vetëm si identitet i lëndës dhe qeli­zave që ndërrohen vazhdimisht, a nuk i humb prindërit shumë shpejt? Gjashtë muaj pas lindjes sonë, nëna jonë nuk është më nëna e trupit tonë "të ri". Mirëpo në këtë mes është një element themelor i ekzistencës sonë që nuk ka ndryshuar dhe që nuk ndryshon kurrë, shpirti ynë. Po kështu, edhe tek nëna jonë, është shpirti i saj, personaliteti i saj që nuk ka ndryshuar, ai shpirt dhe personalitet për të cilin thuhet se "xhenneti (parajsa) është nën këmbët e nënave!" Përkatësia dhe lidhjet prindërore, birësore dhe vëllazërore mbështeten jo mbi trupin, por mbi shpir­tin dhe dihet se ato vazhdojnë të ekzistojnë, pranohen dhe njihen edhe shumë shekuj pasi trupat të jenë tretur në tokë ose, më saktë, për sa i përket kësaj bote, sa të ekzistojë kujtesa e nje­rëzimit.

4. Po qe se njeriu do të ishte vetëm një qenie mate­riale, atëherë morali, karakteri dhe aftësitë e tij do të ndryshonin bashkë me ndërrimin e qelizave.

Ndërsa qelizat na ndërrohen, morali, karakteri, mundësitë dhe aftësitë, veset dhe shprehitë, parimet, idetë dhe mendimet, ndijimet dhe ndjenjat, dijet dhe cilësitë dhe vetitë që kemi fi­tuar, profesioni, pozita dhe posti, popullariteti dhe vendi ynë në shoqëri, në ndryshofshin, nuk ndryshojnë paralelisht me qelizat dhe në vartësi të tyre, pra, nuk varen nga ndërrimet dhe ndry­shimet qelizore-lëndore të trupit tonë.

Takohemi shumë vjet më pas me një shokun tonë dhe i themi: "S'paske ndryshuar fare!" Me këto fjalë ne duam të vë­më në dukje se ai ka mbetur po ai si karakter, si shpirt. Por po të duam të vëmë në dukje se ai s'ka ndryshuar si trup, i themi, për shembull,: "S'qenke plakur fare!" Pra, ne, në takimin me shokun tonë pas shumë vjetësh ndarjeje, mund të kemi vënë re se ai nuk ka ndryshuar si moral. Edhe po të kishte ndryshuar, kjo do të kishte ndodhur jo paralel dhe për shkak të ndry­shimeve materiale (fiziologjike) në trup; shoku ynë, pas shumë vjetësh, mund të na dilte para me një moral më të përsosur, por edhe i rënë poshtë moralisht! Përgjithësisht, morali i mirë ose i keq i fituar mund të ndryshojë, po kështu dhe cilësi të tjera të fituara me kohë, kurse karakteri ose, më drejt, disa tipare të karakterit, të trashëgueshme, nuk ndryshojnë kurrë ose ndry­shojnë me shumë vështirësi. Pak a shumë e njëjta gjë mund të thuhet edhe për veset dhe shprehitë. Por po qe se tek njeriu do të bëhej fjalë vetëm për lëndën dhe për psikologjinë të varur vetëm nga lënda ose, e thënë ndryshe, nga proceset dhe ndry­shimet fiziologjike, morali dhe karakteri i njeriut do të ndry­shonin për çdo vit![2]

Pse s'ndryshon së bashku me qelizat një shprehi e duarve dhe një aftësi e arritur për vite me radhë? Pse duhen përpjekje shumëvjeçare për të zhvilluar një aftësi? Dhe pse një art, një mjeshtëri, një profesion i fituar nuk harrohet më?

Dhe tani le ta shohim çështjen nga një aspekt tjetër.

Në idetë dhe mendimet personale, me kohë, siç është e na­tyrshme, mund të ndodhin ndryshime dhe zhvillime pavarësisht nga ndryshimet qelizore apo fiziologjike, por idetë dhe mendi­met e buruara nga revelacioni hyjnor dhe tradita profetike nuk ndryshojnë kurrë. Po kështu, edhe parimet që çdo njeri, sipas tij, i ka pranuar si të dhëna një herë e përgjithmonë e të pa­ndryshueshme, nuk ndryshojnë aq lehtë. Qelizat ndryshojnë, fi­ziologjia pëson ndryshime, por ato mbeten ato që janë. Mirë, po cila është ajo forcë që i përcakton parimet dhe i akordon mendimet?

Edhe nëse disa prej njohurive që merren gjatë studimit shu­mëvjeçar, me kohë harrohen, në dijet e njeriut dhe në aftësimin e tij arsimor e kulturor nuk ndodhin ndryshime të përvitshme ose, e thënë ndryshe, në vartësi të ndryshimeve fiziologjike të rregullta të trupit.

5. Në kundërshtim me ngjashmëritë e rregullta mes njerëzve në qelizat dhe funksionet trunore, dallimet e mëdha mes tyre në mendje, arsye, vullnet, vetëdije, me­ndime dhe ide tregojnë se nuk janë funksionet apo ndryshimet qelizore dhe fiziologjike ato që përcaktojnë identitetin e njeriut.

Fakti që, megjithëse tek të gjithë njerëzit janë po ato qeliza dhe funksioneve cerebrale, tek secili njeri ka mendje, vullnet dhe vetëdije tjetër, që mes njerëzve ka dallime të thella idesh e mendimesh, që mes tyre duken ndryshime të mëdha arsimore e kulturore, megjithëse mund të kenë marrë të njëjtin arsim e të njëjtën kulturë, si dhe, krahas kësaj, ndryshime në mundësi, af­tësi e talente, a mund t'u dedikohet ky fakt, pra, qelizave të tru­rit, ndërrimit të tyre dhe molekulave të lëndëve që marrin pjesë në përbërjen e trurit? Nga makinat e endjes që përdorin të njëj­tën lëndë të parë dhe punojnë në të njëjtat kushte, del i njëjti mall. Fabrika e tekstilit nuk prodhon çimento, në laboratorët e kimisë nuk piqet bukë! Në është kështu, edhe nga funksioni i qelizave të trurit duhej të dilte i njëjti prodhim! Mirëpo, ja ku janë njerëzit dhe gjithë këto dallime mes tyre! Kjo do të thotë se është e veçanta e shpirtit që e bën çdo njeri një qenie të posa­çme në vetvete. Truri dhe funksionet e tij janë të njëjtë, por "ur­dhërat" që i jepen trurit, të ndryshme. Dhe, megjithëse tek të gjithë njerëzit qelizat ndërrohen e përtëriten si një ligj i për­gjithshëm, idetë dhe mundësitë, të ndryshme nga një njeri tek tjetri, e shfaqin këtë ndryshueshmëri jo në vartësi të qelizave te çdo njeri, por vetëm për shkak të faktorëve që burojnë nga shpirti!

6. Përparimi i njeriut me anë të ndjenjave, ndijimeve dhe njohjes drejt të vërtetave të gjera, përsosja e tij me anë të meditimit objektiv dhe subjektiv si dhe përpje­kja e tij për t'i thurur hojet e besimit me anë të përpje­kjeve për t'i njohur emrat (atributet) hyjnore e me anë të mundësive të tij kulturore e shpjeguese, nuk mund të arsyetohen me anë të strukturës së tij lëndore.

Fakti që njeriu i ndjen në çast bukuritë e shkëlqyera kulmore të materies dhe dukurive, që, duke i kaluar ato nëpër distilatorët e kuptimit, i rivlerëson brenda sintezave të reja, që disa herë, me një fjalë ose me një fjali, hap krahët e ngjitet drejt horizo­nteve të gjera të të vërtetave që s'i nxënë as librat, që, me anë të meditimit objektiv, arrin në sinteza të reja, që, me një dukje dhe frymë që mund t'i realizojë jo vetëm ai që shkruan e lexon, por edhe ai që jeton dhe dëgjon, flet për Zotin, emrat dhe atri­butet e Tij, që i nisur nga një botë për të udhëtuar dhe vëzhguar në mijëra botë dhe që i thur hojet e besimit me tufat e kulturës dhe zgjuarësisë të fituara në atë udhëtim, të gjitha këto, me ç'molekula mund të shpjegohen?

Si mund t'ua dedikojmë atyre molekulave të vdekshme mijra lloje zërash që dëgjojmë, shumë shije që shijojmë, bukuritë që sodisim, cilësi që i quajmë e ëmbël, e hidhur, e bukur, e shë­mtuar, estetike, ndjenjat dhe veprimet tona moralo-shpirtërore, si dashurinë, pëlqimin, dëshirimn, neverinë, frikën, drojtjen, ha­renë, pendimin dhe entuziazmin?

Njeriu disa herë bie në një gjendje të tillë shpirtërore që gji­thë kjo botë e gjerë i duket e ngushtë dhe shtypëse, që tërë gji­thësia në sytë e tij duket e veshur në të zeza. Kurse disa herë ngjitet në një gjendje të tillë shpirtërore që edhe mes katër mu­reve të shtëpisë e ndjen veten në parajsë duke i harruar fëmijët, familjen, fqinjët, çdo gjë! Vijnë kohë që njeriu i jep një një të shtyrë kësaj bote dhe, duke përdorur si shkallë yjet dhe gala­ktikat, fluturon hapësirave kozmike. Dhe vijnë kohë që njeriu, nën ndikimin e një gote pijeje ose të një shikimi në rrugë, të rrë­zohet poshtë e më poshtë dhe rrëzimi i tij të mos mbarojë. Nje­riu dëshpërohet, hidhërohet, qan, mërzitet, përpëlitet në ankthe e vuajtje ose gëzohet, qesh, ndjen kënaqësi e prehje dhe s'e nxënë botët. Ose mbetet vetëm dhe mbytet në vetmi ose hyn në një kuvend shokësh si trëndafilishte dhe, me largimin e reve dhe kthjellimin e qiellit sipër tij, çel si një trëndafil. Dhe me ç'gjë do t'i shpjegojmë të gjitha këto, a mos vallë përsëri me mole­ku­lat?

7. Kush lodhet, shpirti apo kurmi (kufoma)?

Me kalimin nga gjendja në gjendje para Zotit duke i vënë në veprim aktivitetet e posaçme të botës së tij, udhëtimet, flutu­rimet në botët e larta, delikatesat e veta e të zemrës, shpirti bie i lodhur. Pastaj, duke u rikthyer në botën e dëshmisë, mund t'i lehtësojë peshën dhe shqetësimet me anë të marrëdhënieve de­likate në një kuadër legjitim. Ky është njëri aspekt i çështjes. Por çështja ka edhe një aspekt tjetër.

Ta zëmë se punuat gjatë gjithë ditës për 8-10 orë rresht dhe u lodhët. Prandaj edhe doni të uleni e të çlodheni, edhe e keni të nevojshme këtë. Mirëpo ja tek ju vjen një njeri me një lajm shumë të gëzuar, ose, mos e thëntë Zoti, shumë të hidhëruar. Ç'do të bëni ju? A mos do t'i thoni lajmësit ose vetes, "prit pak të pushoj"? Apo, nën veprimin e atij lajmi të papritur e të ja­shtëzakonshëm do ta hidhni tej lodhjen truporedhe do të vra­poni në vendin e ngjarjes? Natyrisht që do të bëni të dytën! Ta­ni, ç'është këtu ajo gjë e cila, pavarësisht nga lodhja trupore, vazhdon të mbetet në këmbë dhe e freskët? Po, ka ndodhur që, para një ngjarjeje serioze, njeriu të mos flerë 2-3 net radhazi. Edhe nëse trupi është i lodhur e i rënduar, trupi është i pa­lodhur, në këmbë e plot gjallëri!

8. Ndërsa qelizat na ndërrohen pandërprerë, fytyra dhe pamja na mbeten të pandryshuara, gjë që tregon se secili ka një shpirt të posaçëm për vete.

Megjithëse qelizat na ndërrohen dhe përtërihen pandërprerë siç mund të ndërrohet tullat e një muri, pse fytyra s'na ndry­shon dhe në bazë të ç'programi na mbeten të pandryshuara ve­tullat, sytë, hunda, goja, lëkura? A e dini se edhe sikur të pla­goset gishti, e ripërtërin konfiguracionin e vijave duke e ruajtur origjinalitetin e tij të papërsëritshëm? A e dini se, tashmë, shke­ncëtarët thonë se, veç vijave të gishtave, njeriu ka të veçantë edhe ndërtimin e syrit dhe se, për përcaktimin e identitetit të personit ka filluar të përdoret edhe kjo veçori? A nuk tregojnë këto se çdo njeri ka një shpirt të posaçëm për vete dhe se, me anë të fuqisë së Zotit, shpirti ruan fytyrën, pamjen dhe stru­ktu­rën e vijave të gishtave e të syve të personit të cilit i përket?

9. Fytyra është pasqyra e pandryshueshme e shpirtit.

Fytyra nuk ndryshon sepse është pasqyra e pandryshueshme e shpirtit. Po, fytyra është një dritare e hapur për në botën shpirtërore të njeriut. Vijat dhe linjat e fytyrës tregojnë se të ç'vlere e ka shpirtin dhe ç'njeri është ai njeri. Struktura fizike, fytyra dhe pamja e njeriut janë si tregues të vlerave dhe për­masa të shpirtit të tij.

Për ta qortuar dikë se ju ka shqetësuar duke bërë zhurmë, ju mund t'i thoni thjesht: "na shqetësuat me këtë zhurmë", por edhe në një mënyrë tjetër për ta theksuar ndjenjën e pa­kënaqësisë dhe qortimit: "na shurdhuat veshët me këto rropa­ma"! Pra, ju përpiqeni të zgjidhni fjalët më të përshtatshme që mund ta shprehin me efektin më të drejtë ose më të lartë me­ndimin ose ndjenjën tuaj. Në të njëjtën mënyrë, vijat dhe linjat e vendosura në fytyrën tuaj janë përmasat dhe veshja e shpirtit dhe karakterit tuaj që ndodhen brenda trupit tuaj. Ka njerëz të aftë që mund t'jua kuptojnë vlerën vetëm duke ju parë në fyty­rë. Po, fytyra është si një libër i shkruar me argumentet e kri­jimit![3]

Psikologët thonë se shkrimi i njeriut, madje mënyra se si ko­llitet dhe fshin hundët zbulojnë karakterin e tij. Dhe aq ligje të sakta janë parashtruar rreth kësaj çështjeje, sa me një vështrim mund të thuhet me shumë afërsi se sa vlen.

Ata që bëjnë operacione estetike, edhe kryejnë mëkatin e ndërhyrjes së natyrën e krijimit, edhe i prishin lidhjet me shpir­tin e vet, veçanërisht, edhe i mashtrojnë njerëzit që i njohin ose u dalin përballë. Nga ky aspekt, kjo është një çështje që e vlen për t'u përqëndruar mbi të.

10. Krijimi i lidhjeve të shpirtit të ardhur nga bota e urdhrit, me botën materiale, është i mundur me anë të mjeteve të tilla si dora, krahu, gjuha dhe syri që zgjaten në botën e dëshmisë.

Çdo pozitë kërkon një shfaqje të caktuar. Që shpirti i ardhur nga bota e dëshmisë të krijojë lidhje me botën materiale, ka ne­vojë për ndërmjetës materialë sepse për ta realizuar këtë lidhje, shpirti nuk mjafton. Ashtu siç trupi e ka të pamundur të krijojë lidhje me botën e shembëllimit, edhe shpirti ka nevojë për ndër­mjetës materialë si dora, krahu, veshi, gjuha, syri, këmba, me anë të të cilëve përcepton dhe hyn në lidhje me gjërat, dukuritë dhe ngjarjet.

Meqë shpirti bën punën e një drejtuesi qëndror, po qe se në njërin nga organet dhe gjymtyrët ndodh ndonjë prishje, nuk kri­jon dot lidhje me të.

Si rezultat i kërkimeve mbi trurin, është arritur që, me ngac­mimin e disa qendrave, në gishta dhe duar të kryhen disa lë­vizje të thjeshta e të pavetëdijshme, të paafta për të mbërthyer edhe një kopsë. Kjo është si të prekësh pa i njohur tastat e pi­anos e të nxjerrësh tinguj të parregullt e të pakuptimtë. Prandaj truri që është si pianoja, ka nevojë për një qenie të vullnetshme e të vetëdijshme, të aftë për të nxjerrë nga tastat e tij melodi, pra, për shpirtin!

Në fakt, është shpirti që i bën sytë të shohin, jo truri. Tregu­am se si shohim në ëndërr kur i kemi sytë të mbyllur. Kështu, ndodh që jo në ëndërr, por zgjuar, të shihet me sytë të mby­llura.

Po marrim një rast përsëri nga Rusia, nga një botë vulgare që mohon çdo gjë jashtë materies. Siç tregohet në librin "Kthi­mi te Zoti në Rusi", në vitin 1962, në qytetin Nizhni Tagil, mje­kët kanë bërë prova me një të vajzë të quajtur Roza që ia kanë mbyllur sytë dhe kanë vërejtuar se si ajo ka dalluar ngjyrat dhe ka lexuar me anë të prekjes me majat e gishtave.

Drejtori i spitalit Pesavo në Itali, prof. Lambrozo tregon në li­brin e tij: "Kisha një vajzë të sëmurë në moshën 14 vjeçe. Kur e kapnin krizat nervore, as sytë nuk i shihnin, as hunda nuk i nu­haste. Në vend të tyre, ajo shihte dhe lexonte letrat me anë të majës së hundës dhe bulës së veshit, kurse me thembrat e kë­mbëve nuhaste me lehtësi.

Përveç rasteve të veçanta, është vërejtur gjerësisht dhe është e njohur edhe në popull se, kur një organ ose gjymtyrë dë­mtohet pjesërisht ose plotësisht duke e humbur aftësinë për të kryer detyrën e vet, ndonjë prej organeve të tjera, disa prej tyre ose të gjitha bashkë fitojnë aftësi të jashtëzakonshme për ta zë­vendësuar organin ose gjymtyrën e dëmtuar dhe dihet se nje­rëzit e gjymtuar arrijnë të kryejnë me organet apo gjymtyrët e shëndosha veprime që s'u përkasin, që njerëzit e zakonshëm s'kishin për t'i kryer dot kurrë.

Po ç'gjë sheh kur sytë janë të mbyllur? Shpirti është drejtuesi kryesor i përbashkët i trurit, i sistemit nervor dhe i të gjitha or­ganeve dhe gjymtyrëve. Gjithashtu, me anë të tyre, shpirti hyn në lidhje me botën materiale të dëshmisë. Kështu, syri është një dritare përmes së cilës shpirti vëzhgon botën e jashtme. Por edhe sikur të mbyllet ajo, shpirti mund të gjejë dritare të tjera për të parë. Kjo bëhet ose me anë të seancave spiritiste, ose me stërvitjen e gjymtyrëve të tjera, gjë që është, në fakt, aftësim i shpirtit, ose me dëshirën e Allahut i cili ia favorizon shpirtit aftë­sinë përkatëse...


[1] Në fakt, po të shihet me kujdes historia e njerëzimit, do të vërehet se në të gjitha kohët, në të gjitha sistemet shoqërore dhe besimet, qofshin ato pagane, politeiste e monoteiste, dënimet dhe ndëshkimet kanë synuar shpirtin e jo tru­pin, edhe në rastet kur, për shkak të formës shumë të rëndë të ndëshkimit, duket sikur është synuar trupi. Dënimet dhe ndëshkimet kanë synuar mundi­min, poshtërimin ose asgjësimin e shpirtit, personalitetit. Edhe në rastet e vra­sjeve masive dhe, madje, gjenocidit, synimi ka qenë ndëshkimi, poshtërimi dhe asgjësimi i një shpirti dhe personaliteti të caktuar. Kurse në flijimet, shpesh herë synimi ka qenë lartësimi i shpirtit dhe personalitetit, ndërsa vetë­flijimet kanë pasur gjithmonë si synim lartësimin e shpirtit dhe personalitetit të vet nga personi që bën vetëflijimin. Edhe sot, kjo çështje vazhdon të qëndrojë po kështu.

[2] Duhet të kihet parasysh se sot është një fakt shkencor i provuar se, te njeriu, për të cilin po bëhet fjalë, sistemi endokrin dhe hormonal përcakton shumë aspekte të psikologjisë dhe gjendjes psikologjike të njeriut. Gjithashtu, nga ana tjetër, studimet shkencore mbi trashëgiminë, kanë treguar për elementë të rë­ndësishëm të psikologjisë, të trashëgueshëm, për pasojë, të pandikueshëm nga sistemi endokrin dhe hormonal dhe nga ndryshimet fiziologjike. Ndërkaq, gjatë mëse njëqind vjetëve të fundit, në trajtimin e kësaj çështjeje janë mbajtur edhe qëndrime të skajshme si ato që pasoi pozitivizmi i shek. XIX, ku doli në pah Frojdi me teorinë e tij të determinizmit sensual-seksual, por që, pikërisht pse ishin qëndrime të skajshme, e humbën shpejt vlefshmërinë.

[3] Në origjinal: ajat-i tekvinijje.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.