Çeshtje te Ndryshme
1. Ndërgjegjja dhe krijimi kurrë nuk gënjejnë. Ndërgjegjja e një njeriu që nuk i është prishur natyra e krijimit, e gjen dhe e njeh Zotin e vet.
Ndërgjegjja dhe natyra kurrë nuk gënjejnë. Sigurisht, ligjet e krijimit nuk gënjejnë! Cilësitë dhe veçoritë që ndodhen në natyrën e gjërave, nuk e gënjejnë njeriun. Për shembull, po qe se bota thotë "rrotullohem", rrotullohet. Fara ju thotë: "Hidhmëni në tokë. Kur të plotësohen kushtet e përshtatshme, unë do të mbij, do të nxjerr filiz, do të rritem e bëhem pemë dhe do të jap fruta!" Dhe ashtu bën. Po qe se uji ju thotë se ngrin nga të ftohtit dhe bëhet akull, me të vërtetë ngrin dhe bëhet akull. Po qe se zjarri ju thotë se ju djeg, tërheqja e tokës ju thotë të mos e lëshoni veten në hapësirë se rrëzoheni e vriteni, bilbili ju thotë se këndon, gjarpëri ju paralajmëron se ju kafshon, ashtu bëjnë. Asnjë natyrë krijimi nuk bën ndonjë deklaratë kontradiktore.
Ndërsa lëndët pa jetë, bimët dhe kafshët, megjithëse s'kanë shpirt dhe ndërgjegje që hyn nën propozim[1], në natyrën e tyre krijimore nuk gënjejnë, a mund të gënjejë krijimi i njeriut i cili ka ndërgjegje, për rrjedhojë, edhe vetëdije dhe aftësi njohëse? Po qe se vetëdija si një rregullues, është në veprim, atëherë edhe ndërgjegjja e kryen funksionin e vet në përshtatje me natyrën e vet. Zemra është një element i rëndësishëm i ndërgjegjes, e cila është një thesar potencial që u përfton kahje dhe kuptim mendjes, vetëdijes, ndjenjave dhe delikatesave, kurse shpirti është urdhëruesi i saj, nga i cili ajo merr fuqi. Sigurisht, edhe nëse njeriu të cilit nuk i është prishur krijimi dhe vetëdija e kryen detyrën e vet, nuk i lexon librat si dhe argumentet e shkruara në faqet e gjithësisë, siç thonë edhe shumë mendimtarë, prapëseprapë, ndërgjegjja që nuk di ç'është gënjeshtra, e gjen Zotin e vet dhe e njeh. Ndërkaq, ta pranosh ndërgjegjen brenda një organizmi të panjohur pa llogaritur shpirtin, është mungesë ndërgjegjeje dhe shpirti.
2. Një nga pikat ku njeriu veçohet nga kafshët është edhe konceptimi i kohës nga shpirti.
Njëra nga pikat e shumta që e ndajnë njeriun nga bota e kafshëve, është lidhja e tij me të shkuarën dhe të ardhmen. Kafsha jeton vetëm me shijimin e çastit. Siç nuk preket nga ngjarjet e së kaluarës, kafsha nuk është e pajisur as me veçoritë për t'u mërzitur, për t'u shqetësuar, për t'u gëzuar, për të ushqyer qëllime e synime për të ardhmen dhe për të bërë plane rreth saj. Një njeri s'mund ta hiqni mënjanë qoftë edhe për t'i dhënë një shpullë, pa ia mbushur mendjen që të dalë mënjanë. Kurse kafshët nuk e dallojnë dot as vdekjen që mund ta kenë nën hundë. A do të gjenit dot kafshë në therrtore sikur ta kuptonin ato se ku po i çojnë? Në jetën tjetër, kafshët do të bëhen dhé sepse s'kanë asnjë përgjegjësi. Kjo do të thotë se, edhe nëse njerëzit u ngjajnë kafshëve nga qelizat, mes këtyre dy qenieve ka dallime të rëndësishme si ndërgjegjja, mendja, vetëdija dhe njohja. Si këto, edhe mendimi mbi pafundësinë, dëshira për t'u bërë i përjetshëm, frika nga asgjësimi dhe konceptimi i kohës si dhe ndikimi nga e kaluara dhe përjetimi i frikës dhe gëzimit për të ardhmen janë veçori njerëzore që nuk ndodhen te kafshët.
3. Ndjenja e përjetësisë dhe dëshira për të qenë i përjetshëm i përkasin shpirtit i cili është kandidat i përjetshmërisë.
Ndjenja e përjetësisë dhe dëshira për të qenë i përjetshëm mund t'i përkasin vetëm shpirtit i cili është kandidat për të kaluar në përjetësi. Lënda e konsumueshme dhe e vdekshme kurrë nuk mund të bëhet burimi dhe mbështetja e mendimit mbi pafundësinë. A mund ta mbajnë këtë mendim telat e hollë elektrikë, rryma e tensionit të lartë? Në botën materiale nuk ka ndonjë model që të reflektojë në pasqyrën dhe mendimin e brendshëm të njeriut dëshirën për të jetuar pafundësisht dhe për të tharmuar tek ai një ndjenjë të tillë, që të thuhet se njeriu e mori prej atij modeli dëshirën për të jetuar pafundësisht. Atëherë. themi se, përtej qelizave të trupit të vdekshëm dhe atomeve të gjithësisë, është shpirti, i pasionuari i përjetësisë, ai që thotë kështu për të: "I vdekshëm jam, vdekëtarin s'e dua, i dobët jam, të dobëtin s'e dua; dua, një Mik të Pavdekshëm dua, një botë të përjetshme dua!"
4. Ndërprerja e funksioneve jetësore dhe vdekja shkaktohen nga largimi i shpirtit prej trupit.
Sytë e të vdekurit mund të jenë edhe të hapura, por pse nuk sheh? Pse s'kupton se ç'po bëni dhe pse s'ju jep përgjigje? Pse u shthurën ushtarët qeliza të garnizonit trup dhe pse nuk i kryejnë më detyrat e tyre? Përgjigjja është mjaft e thjeshtë: Sepse komandanti i braktisi dhe shkoi, dielli shpirt perëndoi, zogu iku nga kafazi-trup dhe fluturoi në pafundësi, miku kalimtar i shtëpisë prej mishi e kockash mblodhi plaçkat e doli për ta vazhduar rrugën e vet drejt pafundësisë... Shpirti mbetet shpirt, kurse trupi që qëndroi në këmbë për 60 vjet me radhë, as 60 ditë s'u bën dot ballë mikrobeve dhe kalbet! Më thoni o sytë e mi, më thuaj, o drita e syve të mi, pse s'm'i tregon qoftë edhe për disa minuta miqtë, librat dhe lulet e mia?
5. Shpëtim nga vdekja s'ka!
Njeriu që e quani të vdekur në bazë të rrahjeve të zemrës, mund të kthehet në jetë me anë të masazheve, të elektroshokut, të ilaçeve dhe aparateve të përsosura, por kjo s'do të thotë aspak rikthim në jetë i një njeriu të vdekur. Në kushte të tilla, edhe nëse disa funksione trupore duket sikur janë ndërprerë, njeriu nuk ka vdekur, sepse shpirti nuk është larguar ende prej trupit. Me gjuhën mjekësore, kësaj i thonë "vdekje klinike", prej së cilës njeriu mund të kthehet në jetë. Kjo mund të quhet gjendje kalimtare mes jetës dhe vdekjes. Por kur shpirti të jetë larguar prej trupit, ndodh vdekja e vërtetë dhe atëherë rikthimi në jetë është krejtësisht i pamundur!
6. Kujdesi që tregohet për të vdekurin, nuk është për kufomën që do të kalbet e tretet.
Po qe se e marrim dhe e trajtojmë çështjen nga aspekti i të drejtës islame, veprimet e larjes, qefinosjes, faljes funerale dhe varrimit pasi shpirti ta ketë lënë trupin dhe njeriu të ketë vdekur me të vërtetë, ndenjja pa gjumë, vrapimet andej-këtej, qarjet dhe vajtimet, lajmërimet dhe ftesat, mbledhja e jashtëzakonshme e fqinjve dhe farefisit, bartja e tabutit pa e tronditur, ngritja në këmbë në shenjë respekti kur kalon kufoma, të gjitha këto a mos janë për kufomën që do të kalbet e do të bëhet dhé? Vizitat në varre, këndimet nga Kur'ani, lutjet, fshehja si kujtim e disa gjërave të mbetura nga i vdekuri, fotografitë e varura në mure dhe psherëtimat duke i vështruar ato, a mos janë për qelizat e shkrira në tokë qëkuri? Edhe në botën e mosbesuesve, madje, bëhen shumë veprime përkujtuese, si balsamosja, ngritja e busteve dhe përmendoreve dhe lënia e luleve para tyre me raste të ndryshme përkujtimore, përkulja ose përgjunjja para varreve, monumenteve dhe përmendoreve, a mos janë për ato mbeturina të dekompozuara? Prej nga vjen urdhri për veprim i shifrave gjenetike që e përfaqësojnë çdo gjallesë me tërë imtësinë e saj? Ç'është ajo që siguron dhe rregullon jetën dhe veprimtarinë e DNA-së, RNA-së dhe qelizave si dhe veprimtarinë e atomeve? Ndërsa të gjitha shkaqet dhe pretekstet lëndore-materiale janë gati, pse pas shumë e shumë kërkimesh pohohet se "qelizës nuk mund t'i jepet jetë"? A nuk janë ekzistenca e Allahut, jeta pas vdekjes dhe shpirti që do ta mbajë atë jetë, të vërteta të lidhura me njëra-tjetrën? A nuk janë e vërteta e shpirtit, ideja e ringjalljes dhe llogaridhënies, besimi se fajtori dhe viktima përkatësisht do të ndëshkohen dhe shpërblehen, një frenim, një disiplinë dhe shkak ekuilibri dhe lumturie në jetën shoqërore për fëmijët, të rinjtë, pleqtë, të sëmurët, të shëndoshët, shkurt, për çdo njeri që beson?
A nuk kemi ne të drejtë t'i themi kështu mohuesit: "Ta zëmë se s'ka ditë ringjalljeje dhe llogaridhënieje, ç'humbim ne duke besuar dhe ç'fiton ti duke mohuar? Ndërsa jemi ende në këtë botë, besimtari ka fituar vlera dhe virtyte morale e njerëzore, ka fituar lumturi, po ti, ç'ke fituar? Ç'mund të thuash për hallin tënd? Mirë, po të ketë ditë të llogaridhënies, pa mendo se ç'do të fitojmë ne e si do të jetë fundi yt!"
7. Pse shpirti është bërë i panjohur e i padukshëm?
a) Shpirti i cili mbështetet në emrin "i gjallë"[2] të Allahut dhe, për rrjedhojë, është jetë dhe esencë e jetës, është krejtësisht i pavarur nga lidhjet shkak-pasojë dhe marrëdhëniet e kushtëzuara. Me urdhrin "bëhu!" dhe me frymën hyjnore, shpirti kalon nga bota e urdhrit, në botën e dëshmisë ku sundojnë shkaqet. Me aspektin engjëllor që ka shpirti, në paraekzistencën dhe themelin e ekzistencës së tij nuk ka ndonjë shkak material që ai të mund të shihet e të njihet nga njerëzit!
b) Shkaqet dhe kjo botë lëndore-materiale janë një pikë uji e dënuar me avullim mes brigjeve të para dhe pas amshueshmërisë. Natyra e kësaj bote përsa i përket kohës, është vetëm një hije, një vezullim mbi lumin që rrjedh pandërprerë dhe një iluzion optik në shkretëtirë. Në këto kushte, gjëja që mund të duket e njihet, është vetëm gjëja e të njëjtës natyrë, kurmi, kufoma, kurse të padukshmen dhe të panjohurën e përfaqëson vetëm e padukshmja dhe e panjohura...
c) Në këtë botë të ardhur nga botë të padukshme e të panjohura, sundon vazhdimisht një prirje për hollim, rrjedhje, avullim, transparencë dhe një orientim drejt së panjohurës... Drejt së panjohurës së njohur! Kur hekuri nxehet në temperatura të larta, shkrihet, fiton rrjedhshmëri dhe plasticitet. Duke u djegur, copërat e drurit bëhen flakë dhe karbon (qymyr). Uji është i rrjedhshëm e i tejdukshëm dhe ka për prirje të natyrshme të avullohet, pra, të lartësohet drejt së padukshmes. Në temperatura të ulta të caktuara, uji ngrin, pra ngurtësohet dhe bëhet i patejdukshëm, por kjo nuk është prirja e tij[3]. Po të zbrisni te atomet, përballë do t'ju dalë përsëri para, përtej grimcave lëndore, një energji që nuk do që të duket. Edhe ju, po të doni të lartësoheni, lartësoheni dhe, në zona të quajtura "vrimë e zezë" ngaqë në sytë përmes të cilave shihet fytyra njerëzore, ka errësirë, vëzhgoni një plasticitet. Për të përfituar nga rryma elektrike që nuk duket, por thotë "jam", ngrihen diga, ndërtohen hidrocentrale, ngulen shtylla dhe zgjaten tela. Eshtë një goxha histori e jetës suaj e mbyllur, tashmë, në dimensionet shumë të vogla të qendrës së kujtesës në trurin tuaj! Dhe shpirti i padukshëm, me hedhjen e tij të fundit e më tërheqëse nga trampolina "vdekje", shkon në botën e padukshme ku ka për t'u dukur dhe ka për t'u bërë i përjetshëm.
Përfytyroni sikur një tel enigmash pa skaje është kaluar nëpër një skenë me qëllim për ta parë njerëzit dhe në të janë varur disa llamba. Një qenie elektrike ose të ngjashme me të e cila nuk duket dhe së cilës nuk i dihet natyra, do ta shihni dhe njihni vetëm me anë të shfaqjes së saj në llambën elektrike. Mirëpo as nuk do të thoni dot "s'ekziston", as nuk do të thoni dot "ja, kjo është"![4]
8. Me argumentet që e vërtetojnë, shpirti argumenton Krijuesin e vet dhe lajmëron me zë të lartë se Ai ekziston!
Janë edhe shumë e shumë gjëra që ende nuk i kemi parashtruar, të cilat argumentojnë për shpirtin dhe e tregojnë të padukshmen. Po, me të gjitha argumentet mbi të, shpirti argumenton Krijuesin e vet, e pohon dhe e lajmëron Atë!
a) Ashtu siç ka nevojë trupi për një shpirt që t'i vërë në lëvizje dhe t'i drejtojë mekanizmat e tij, ashtu dhe çdo gjë në gjithësi ka nevojë për Allahun që t'i krijojë dhe drejtojë botën e ekzistencës dhe shpirtin. Çdo gjë që ekziston te njeriu, ekziston edhe në gjithësi.
b) Ashtu siç ka vetëm një shpirt në trup e jo dy, edhe Zoti ynë është një i vetëm, pa partner.
c) Në trup nuk ndonjë pjesë për të cilën të mund të thuhet "ky është vendi i shpirtit", por ai e bën të ndjehet kudo prania dhe veprimi i tij. Meqë nuk është i përbërë prej mishi e kockash, pra dhe nuk është i kufizuar nga dimensione materiale e kohore, shpirti mund ta lërë trupin e të ndodhet kudo që të dojë. Në mos qoftë i gabuar përngjasimi, edhe Zoti ndodhet kudo i gatshëm për të vepruar, por është i lirë prej kufizimeve të kohës dhe hapësirës.
ç) Përsa i përket vullnetit dhe fuqisë, njëshi me njëmijën, e largëta me të afërtën janë të barabarta. Dielli e tregon veten në të njëjtën kohë edhe një një copë qelqi, edhe në një mijë copa, dhe është po aq afër ndaj njërës sa ç'është afgër ndaj të gjithave një për një dhe së bashku. Në të njëjtën mënyrë, edhe raporti i shpirtit ndaj një qelize është i njëjtë me raportin e tij ndaj triliona qelizave, raporti ndaj një gjymtyre është i njëjtë me raportin ndaj ço gjymtyre dhe të gjithave së bashku. Edhe Zoti ynë e administron çdo gjë dhe të gjitha gjërat si një gjë të vetme. Megjithëse ne jemi larg tij në distancë të pafundme, Ai është për ne më afër se damari i qafës që na rreh. Veçanërisht, na njeh më mirë se ç'e njohim ne veten!
d) Ashtu siç trupi di për çdo gjë që është dhe ndodh në trup dhe asgjë nuk mbetet e fshehtë prej tij, ashtu dhe Zoti – megjithëse përngjasimi nuk është i mirë – di çdo gjë dhe çdo gjë është e fiksuar në dijen e Tij!
dh) Ashtu siç është shpirti te trupi urdhëruesi dhe drejtuesi i organeve dhe gjymtyrëve që janë mjete për të bërë mirë dhe për të bërë keq, për të vrarë dhe për t'i përtëritur zemrat me anë të besimit, edhe krijuesi i të mirës dhe të keqes është Allahu.
e) Shpirti tregon se botët para dhe pas ekzistencës trupore të njeriut janë eternale (të pafillim dhe të pambarim), argumenton për Zotin si i Vërteti Eternal, ekzistenca e të cilit nuk ka fillim dhe fund.
ë) Shpirti nuk shihet me sy dhe nuk i njihet natyra. Po kështu, Allahu është përtej dhe i ndryshëm prej çdo gjëje që mund të shkojë në mend.
f) Përsosmëria e aftësive (kapaciteteve) të shpirtit dhe shfaqjet e tij në botën e dëshmisë të sjellin ndërmend emrat, atributet dhe shfaqjet e Zotit.
g) Meqë shpirti është e pamundur të shihet e të njihet se ç'natyrë ka, ne ia njohim qenien dhe ia pranojmë ekzistencën me anë të veprave.
9. Etapat që do të kalojë shpirti pas vdekjes.
Meqë krijimi i njeriut ndryshon nga krijimi i kafshëve në entitet dhe veçori, edhe vdekja e njeriut është e ndryshme nga e kafshëve. Shpirtin e njerëzve e merr ose vetë engjëlli Azrail, ose ndihmësit e tij, shpirtrat e kafshëve i merr vetë Zoti. Profetëve u ka shkuar Azraili dhe shpesh i ka njoftuar që më parë. Kështu ka ndodhur me profetin Adem, me profetin Musa dhe me profetin Muhammed. Madje, siç pohohet në një hadith autentik, engjëlli Azrail i ka kërkuar leje profetit Muhammed për të hyrë në dhomën e tij e për t'ia marrë shpirtin. Në rastet kur shpirtin nuk e merr Azraili, ose shkon një ndihmës i tij, ose në prani të tij, shpirtin e merr ndihmësi.
Fakti që çdo njeriu i dërgohet një engjëll i veçantë, tregon për respektin që i bëhet njeriut. Eshtë një engjëll i ngarkuar me punë për çdo njeri për t'ia marrë shpirtin, sepse njeriu është krijesa më e nderuar, më fisnike dhe më e përkryer. Një individ njerëzor shihet si i njëvlershëm me të gjithë individët e një lloji tjetër gjallesash. Ndërsa është një lloj, njeriu ka vlerë sa të gjitha llojet dhe çdo njeri jeton me kaderin, fatin e vet të paracaktuar. Njeriu ka një libër të veçantë dhe 360 engjëj të ngarkuar me punë. Meqë njeriu, krahas të gjitha gjërave për të cilat është parë i merituar, bart edhe një shpirt të lartë kandidat për në përjetësi, vdes në emër të jete të pasosur që i shtrohet para gjer në pafundësi... Si një përfundim i përputhshëm me këtë entitet dhe pozitë të tij të posaçme, shpirti i merret personalisht nga Azraili ose nga një engjëll i ngarkuar me punë.
Kurse për kafshët, siç u tha më lart, jepet një konkluzion i thjeshtë e i përgjithshëm dhe shpirtrat e tyre i merr Zoti drejtpërdrejt. Sepse kafshët, jo vetëm që s'janë përgjegjës si njerëzit, por nuk kanë as mendje, vetëdije, njohje dhe një shpirt që të ketë lidhje me përjetësinë. Ata nuk do të jetojnë jetë të amshuar në botën tjetër (ahiret) dhe, edhe nëse ringjallen përkohësisht se ashtu e do drejtësia hyjnore, për ta si individë nuk do të ketë xhehennem dhe xhennet. Vetëm qeni Kitmir i shokëve të shpellës[5], deveja e profetit Salih, zogu korier i profetit Sulejman dhe trungu i hurmës ku qe mbështetur profeti Muhammed do të hyjnë në xhennet ku do të përfaqësojnë llojet e veta.
10. Si merren shpirtrat?
Njeriu që e krahason engjëllin me veten, nuk mundet ta kuptojë veprimin e engjëllit me anë të fuqisë së vullnetit të vet të kufizuar. Me cilësinë si qenie shpirtërore, engjëjt nuk janë të kufizuar nga koha dhe hapësira, kështu që mund të shembëllehen në të njëjtin çast në shumë vende. Kjo është si shembëllimi i njeriut që hyn në një dhomë ku ka me qindra pasqyra, në të gjitha pasqyrat. Kështu është edhe marrja nga Azraili e më shumë se një shpirti në të njëjtën kohë.
Eshtë vetë Allahu që e vdes njeriun. Por që shëmtia e fytyrës së vdekjes të mos i dedikohet Allahut, për rrjedhojë, të mos u jepet shkak mendimeve të pakëndshme mbi Individualitetin e Shenjtë, Allahu e ka maskuar veprimin e Tij me anë të Azrailit.
Në çastin e vdekjes, secili hyn në kontakt me Azrailin. Sapo të shfaqet ndonjë sëmundje, fatkeqësi, aksident, shkurt, ndonjë shkak, menjëherë hyhet në lidhje me Azrailin. Prandaj s'është nevoja të kërkohet. Ta zëmë se përgatitet një aparat (stacion) që emeton valë me frekuenca të ndryshme dhe, me një buton, të emetojë valë në frekuencën 1000 herc. Kështu, në të njëjtin çast, me të do të hynin në rezonancë të gjithë aparatet marrës që punojnë në frekuencën 1000 herc. Një lehtësi e tillë ekziston në veprimtarinë e Allahut. Kjo është njëlloj me vënien në lëvizje të një mijë ushtarëve me një urdhër ose të reflektimit të diellit në një mijë pasqyra. Kështu, të gjithë njerëzit që ndodhen në një çast në të njëjtën frekuencë të vdekjes, e japin shpirtin sapo që Azraili të "transmetojë frekuencën përkatëse". Krejt si shuarja në një çast e qindra llambave elektrike me shtypjen e butonit të çelësit të vetëm që i komandon.
11. Si duket engjëlli në çastin e vdekjes?
Çdo njeri ka një nivel dhe pozitë të caktuar, të posaçme vetëm për të. Pozita në fjalë fitohet me të mirat dhe të këqijat. Pikërisht në atë pozitë takohet njeriu me Azrailin. Në çastin e vdekjes së një njeriu të mirë, atë e rrethojnë një sërë engjëjsh me pamje të qeshura dhe qëndrime shpresëdhënëse. Pastaj duket zotëria i atyre engjëjve, i përcjell njeriut përshëndetjen e Allahut dhe i thotë se ka për t'ia marrë shpirtin. Shpirti i mirë merret me të mirë.
Kurse në çastet e agonisë së një njeriu të keq, mëkatar e të ndyrë, engjëjt vijnë me pamje dhe qëndrim të pakëndshëm, tronditës, frikësues dhe tmerrues. Me t'i parë ata, njeriu në agoni tmerrohet. Pastaj vjen Azraili me një pamje që përhap tmerr, i ulet te kryet dhe e trajton sipas botës së tij të brendshme.
12. Si hiqet shpirti prej trupit dhe si merret?
Në agoni, çdo njeri ndjen diçka të veçantë dhe, meqë askush nuk ka gjetur dot mundësinë për ta shprehur atë që ka ndjerë, gjer tani nuk ka qenë e mundur të mësohet se ç'ndjehet. Megjithëkëtë, disa gjëra të përgjithshme mund të thuhen.
Ata që kanë jetuar si njerëz të mirë, ndjejnë gjëra të mira, kurse ata që kanë jetuar si njerëz të këqinj, ndjejnë gjëra të këqija. Ai që ka jetuar si njeri i mirë, shkon duke vëzhguar gjëra të mira e të bukura dhe duke buzëqeshur. Ndërsa shpirti ndahet e shkon, kurmi që lë pas, buzëqesh. Si fëmija i cili po bëhet synet që nuk kupton gjë se i kanë futur në gojë një llokum, kur u merren shpirtrat profetëve dhe dëshmorëve, hapen dritaret e xhennetit, parajsës, dhe, sipas shprehjes së Profetit, shpirtrat e tyre dalin me lehtësi siç rrjedh uji nga shtamba dhe, ndërsa shpirti u del, trupi u gëzohet dhe u buzëqesh duke soditur vendin ku do të shkojnë. Për njeriun e mirë, vdekja nuk është aspak e tillë siç kihet frikë, përkundrazi, është shumë e ëmbël dhe e shijshme, po ashtu dhe ç'vjen pas saj...
Profeti i tha kështu Xhabirit për të atin, Abdullah ibni Amr që ra dëshmor në Uhud: A e di se si e priti Allahu tët atë? Në një mënyrë që nuk përshkruhet. Në një mënyrë që as sytë s'e kanë parë, as veshët s'e kanë dëgjuar, as ndonjë njeri s'e ka kujtuar! Yt atë tha: Zoti ynë, më kthe në botë që t'ua tregoj edhe atyre që kanë mbetur pas harenë e kësaj vdekjeje të ëmbël!" Por Allahu i tha: "Tani s'ka të kthyer më pas! Atje një herë shkohet dhe mbaron. Por Unë u tregoj atyre për gjendjen tuaj!" Pastaj zbriti ky ajet:
"Mos i pandeh të vdekur ata që kanë rënë në rrugën e Allahut! Ata janë të gjallë dhe po shpërblehen pranë Zotit të tyre!" (Al-i Imran, 3:169)
Ky është, pa dyshim, një sihariq për të gjithë ata që bien dëshmorë në rrugën e Allahut.
Në prag të vdekjes, secilit që i shkonte pranë, Profeti i thoshte: "Namaz, namaz!..". Edhe Hz. Omeri vdiq duke thënë, si ai, "Namaz, namaz!.." Në çastet e vdekjes, Halid b. Velidi rënkonte: "Kali im, shpata ime... sillmini t'i shoh edhe një herë!.." Hz. Osmani vritej duke kënduar Kur'an, kurse Hz. Aliu, duke shkuar në xhami... Në kundërshtim me këtë, shumë vetë jepnin frymën e fundit në tavolinën e pijes, duke luajtur bixhoz, në folenë e prostitutave... Po, siç kishin jetuar, ashtu vdisnin!
Shpirtrat e faraonizuar tërhiqen si fijet e zëna nëpër ferra. Ndërsa dublantët i lënë dhe ikin, pas lënë dëshpërim dhe fytyra të thartuara. Engjëjt i marrin me shumë mundim shpirtrat e tyre. Shpirtrat e tyre shkëputen me shumë vështirësi nga trupi, siç shkëputet pambuku i zënë në ferra!
13. Ç'ndjejnë kafshët duke ngordhur?
Meqë nuk janë të përgjegjshëm dhe përgjegjës si njerëzit, kafshët ndoshta nuk ndjejnë dhimbje fare kur u merret shpirti. Kundërveprimi që tregojnë është muskulor, nervor dhe, mbase, shprehje e një gjendjeje që ne s'e kemi shijuar. Kush e di, mbase në atë përpëlitje ndjejnë një kënaqësi që është e posaçme vetëm për botën e tyre. Meqë është vendi, le të përmendim një mendësi dhe praktikë të vendeve europiane.
Siç dihet, perëndimorët nuk i therin kafshët si muslimanët; ose i vrasin me goditje elektrike, ose duke i shpuar me hell në fyt. Nuk e dimë nëse edhe kjo mënyrë therjeje është shprehje e kundërvënies së tyre kryeneçe ndaj muslimanëve! Në lidhje me këtë, ata përligjen dhe mbrohen kështu: "Kafsha që theret sipas mënyrës suaj, ndjen dhimbje dhe kundërvepron. Ne veprojmë kështu që kafsha të mos ndjejë dhimbje." Mirëpo ata nuk e kuptojnë një të vërtetë. Para së gjithash, gjaku, i cili pranohet edhe nga shkencëtarët se është i dëmshëm, derdhet plotësisht nga trupi nën ndikimin dhe shtytjen e kundërveprimit muskulor dhe fizik që bën kafsha e therur duke iu prerë enët e gjakut. Kurse gjaku i mbetur në trup të kafshës së therur me goditje, kalon edhe në trupin e ngrënësit, kurse ne e kemi të ndaluar (haram) edhe ngrënien e një pike gjaku si dhe të falemi me rrobë të spërkatur me gjak. Ashtu siç u ndalua më 1989 në Angli shitja e veshkave, do të vijë një ditë që edhe ata do ta kuptojnë çështjen dhe do të kthehen në mendësinë dhe praktikën tonë.
E dyta, na thonë se, me therje, vdekja e kafshës zgjat, kafsha kundërvepron dhe vuan për rreth 15-20 minuta. Po ku e dinë ata se kafsha ndjen dhimbje dhe vuan?
Nuk është kusht që çdo kundërveprim të bëhet për shkak dhimbjeje. Siç u përmend edhe më lart, situata e vëzhguar te kafsha e therur përbëhet krejtësisht prej kundërveprimesh nervore dhe muskulare. Gjithashtu, ku e di ai që s'është kafshë se kafsha ndjen dhimbje dhe vuan? A mos vallë çdo gjë është ajo që sheh ti me sy dhe siç e sheh ti me sy?
E treta, te çdo qenie e gjallë në gjithësi ka një prirje dhe dëshirë të vazhdueshme për t'u ngjitur në një gradë më të lartë. Bimët pothuajse bëjnë garë që t'i hanë kafshët dhe njerëzit dhe, kështu, t'u lartësohet grada e jetës. Edhe kafshët bëjnë garë sikur të donin që, duke kaluar në trupin e njeriut, ta vazhdonin jetën në një trup të vetëdijshëm dhe kandidat për t'u bërë i përjetshëm. Sigurisht, te kafshët nuk ka mendje, vetëdije dhe njohje, por edhe kafshët bëjnë sipas ligjeve të Ligjvënësit të Lartë. Në është kështu, lini kafshët po shihni njerëzit se si përpëliten nga gëzimi se po u shkojnë miq!..
E katërta, ndoshta kafsha përpëlitet si shprehje e një kënaqësie që është e posaçme për botën e vet. Le ta nënvizojmë këtu këtë ide: Si njeri i dorëzuar te Zoti, muslimani sakrifikon çdo gjë në rrugën e Allahut dhe bie dëshmor. Ndërkaq, të rënët dëshmor është një lloj flijimi. Ashtu siç e shprehëm edhe më lart, dëshmorët ndjejnë një kënaqësi krejt të veçantë që po bëhen fli, por, në dukje, edhe ata përpëliten, kurse e vërteta qëndron ndryshe. Po qe se për kafshën e dërguar me dorën e engjëllit për t'u flijuar në vend të robit të shquar të Zotit, Hz. Ismailit, themi se është dëshmore e botës së kafshëve dhe se nuk ndjen dhimbje e nuk vuan, por, ndoshta, ndjen një kënaqësi të veçantë, gjithsesi gjykojmë dhe mbajmë një qëndrim më afër të vërtetës. Fundja, ne kurbanin (flijimin) e bëjmë për adhurim!
14. Ç'ndodh me shpirtin pas vdekjes së njeriut?
Pas vdekjes së njeriut, shpirti ngjitet gjer te Zoti. Sipas deklaratës së Profetit, pas daljes së shpirtit, engjëjt e mbështjellin me një copë atllas dhe e çojnë gjer në kuvendin e engjëjve të lartë[6]. Në çdo shtresë dhe nivel, pyesin se kush është shpirti që po e çojnë dhe engjëjt e bëjnë të njohur atë me cilësitë më të mira me të cilat është njohur në botë. Më në fund, shpirtin e ngjisin mbi qiejt, në Audiencën e Zotit të Botëve[7]. Zoti e pranon në audiencë dhe pastaj i porosit engjëjt: "Çojeni prapë në varr dhe vendoseni në kokë të kufomës që të jetë gati për t'iu përgjigjur pyetjeve!" Dhe engjëjt ashtu veprojnë. Pastaj ai fillon t'u përgjigjet pyetjeve: Kush është Zoti yt? Kush është profeti yt? Cila është feja jote?..[8]
Kurse shpirti i njeriut të keq pritet kudo keq. Ai kujtohet në qiell me neveri. Ai hidhet nga Audienca e Lartë me kokë poshtë. Ai nuk është në gjendje t'u përgjigjet engjëjve Munker dhe Nekir, sepse në këtë botë e ka kaluar kohën me gjëra të panevojshme. Dhe kështu ai heq vuajtje të ndryshme gjer në kiamet.
Në varr ka marrje në pyetje, ka shtrëngim, por llogaridhënia e vërtetë bëhet në Gjykatën e Madhe. Sipas shprehjes së hadithit, varri të zë ngushtë, të shtrëngon, por llogaridhënia e vërtetë do të bëhet pas ringjalljes dhe grumbullimit. Do të ngrihet Peshorja, do të shpërndahen librat e llogarive, do të kalohet Sirati dhe pastaj do të bëhet një bartje e gëzueshme dhe e frikshme për në xhennet dhe xhehennem.
Varri është, në të njëjtën kohë, vendi ku bëhet llogaria dhe pastrimi i disa mëkateve të papastruara në botë. Krahas krimeve dhe fajeve të mëdha që i lihen Ditës së Llogarisë, një pjesë e mëkateve dhe njollave të konsideruara si të parëndësishme, lahen në kohën e varrit.
Analistët, duke u mbështetur në Kur'an dhe Sunnet, thonë kështu: Një pjesë e të metave dhe gabimeve të njerëzve që kanë edhe mëkate të vogla krahas mëkateve të mëdha, pastrohen qysh në këtë botë me anë të shqetësimeve, sëmundjeve dhe fatkeqësive të vuajtura. Një pjesë tjetër mëkatesh shlyhen në çastin e vdekjes dhe pjesa tjetër, për të mos iu lënë Gjykatës së Madhe, kur është e mundur një gjë e tillë, kaloönë nëpër një proces të tretë pastrimi në varr. Mëkatet e mëdha e të fryra që nuk mund të pastrohen në varr, do të pastrohen në të ardhmen në sheshin e grumbullimit pas ringjalljes, pranë Peshores, në Sirat e, më në fund, në xhehennem.
Siç mësojmë nga disa hadithe, me gjithë dëshirën e madhe, Hz. Abbasi mundi ta shihte Hz. Omerin në ëndërr vetëm gjashtë muaj pas vdekjes dhe e pyeti: "Ku ishe, o Omer?" "Mos pyet!" – Iu përgjigj Omeri. "Sapo munda ta mbaroj dhënien e llogarisë!" Ndoshta Zoti e ka trajtuar kështu atë që të mos i mbetej sipër as dhe shenja më e vogël. Shtrëngesa dhe vuajtja e varrit luajnë një rol të madh për pastrimin e gabimeve dhe mëkateve të vogla. Një ilaç i hidhur, por që pasohet nga shërimi i xhennetit.
Shtrëngimin e varrit e shohim edhe te Sad b. Muadh, një sahabi, shok i Profetit, dhe njeri me nivel të lartë shpirtëror. Sipas burimeve të haditheve autentike, pasi e varrosën Sad b. Muadhin, Profeti tha: "I madhëruar qoftë Allahu, në e shtrëngoftë varri edhe Sad b. Muadhin!.." Domethënë se nuk ka njeri që të mos e shtrëngojë varri!
15. Ç'bën shpirti në botën e pritjes?[9]
Duke lënë një lidhje me varret ku u ndodhen kufomat, shpirtrat shkojnë në Berzah që është pjesë e botës së varrit dhe një botë e ndërmjetme para ringjalljes dhe gjykimit të fundit, një sallon pritjeje. Pas varrimit të kufomës, shpirtrat përballen me një sërë shembëllimesh dhe pasazhesh. Punët që kanë bërë në këtë botë u dalin para në formë shembëllimesh a pasazhesh. Namazet, këndimet e Kur'anit, shërbimet në rrugën e Allahut, tesbihet, etj., i gjejnë atje si shokë të afërt, si miq të gëzuar. Atje u hapen dritare që shohin në xhennet dhe, nëpërmjet tyre, u shpalosen parasysh peizazhet më të bukura e më të hijshme. Kurse shpirtrave që kanë jetuar në këtë botë si njerëz të këqinj, që kanë bërë punë të këqija e të shëmtuara, u paraqiten shembëllime dhe pasazhe të këqija e të shëmtuara dhe u tregohet xhehennemi. Ndërsa disa dëshirojnë të shpërthejë kiameti një çast e më parë, disa të tjerë dëshirojnë të mos shpërthejë kurrë. Vetëm Allahu e di se sa do të qëndrojnë shpirtrat në botën e pritjes pas shpërthimit të kiametit.
Shpirtrat e vendosur në pritje në Berzah, mund të na dëgjojnë ne, kurse ne s'mund t'i dëgjojmë. Po të mos dojë Allahu, as ata s'mund të na dëgjojnë dhe, po të dojë, edhe ne mund t'i dëgjojmë. Ka njerëz me nivel të lartë shpirtëror që kanë dalluar se ç'ndodh në varre. Pas mbarimit të luftës së Bedrit, Profeti qe afruar në buzë të gropës ku qenë hedhur kufomat e politeistëve dhe pati thënë: "A i patë gjërat që ju pati premtuar Allahu?"
Ka nga ata njerëz të lartë që kanë hyrë në lidhje me shpirtrat e botës së ndërmjetme. Muheddini Arabiu bën fjalë për faktin se ka hyrë shpesh në lidhje me shpirtrat e lartë. Imam Sujutiu tregon se është takuar 70 herë zgjuar me Profetin, kurse Ahmed Rufai tregon se ka pasur nderin të hyjë në lidhje me shpirtin e Profetit. Tregohet se Imam Buhariu, pasi merrte abdest dhe falte namaz, ia parashtronte Profetit me rrugën e meditimit dhe përqëndrimit të lartë vërtetësinë apo jo të rrëfimeve[10]. Takimi nëpërmjet ëndrrave e thamë që është i mundur. Sa për shpirtrat e këqinj, njerëzit e mirë të këtushëm s'kanë përse të takohen me ta!
Meqë nga një aspekt, shpirtrat i kanë të lidhura këmbët me një farë lloj zinxhiri shpirtëror, nuk mund të kthehen më në botë. Prandaj, në seancat e thirrjes së shpirtrave, nuk vijnë shpirtrat, por xhindet ose djajtë. Ndërkaq, ndërsa shpirtrat e këqinj absolutisht nuk mund të vijnë, shpirtrat e mirë mund të shëtisin në çdo kohë nëpër botë, mund të ndjekin zhvillimet fetare dhe mund t'i vazhdojnë lidhjet me varret.
Hadithet profetike i ftojnë muslimanët të tregohen të ndjeshëm e të kujdesshëm ndaj varreve dhe atyre që ndodhen në varre. Veçanërisht sot është edhe opinioni i parapsikologjisë se shpirtrat mbajnë lidhje me atomet e kufomave të tyre, për çka i vizitojnë varret herë pas here. Prandaj, ndërhyrjet në varrin e një shpirti të shquar e të shenjtë që i vazhdon lidhjet me kufomën e vet, sidomos ndërtimi mbi varre i ndërtesave të ndryshme dhe kryerjes së mëkateve në to, e shqetësojnë rëndë dhe, në një kuptim, e përdhunojnë atë. Shpesh dhe në vende të ndryshme njerëzit janë bërë dëshmitarë të ngjarjeve që e mbështesin këtë opinion. Për shembull, diku, në mes të një qyteti, gjatë hapjes së një trualli për ndërtim ose diçka tjetër, buldozeri nuk ka mundur ta shkulë një varr. Njerëzit kanë parë me
- Publikuar më .