Endrrat

1. E vërteta dhe llojet e ëndrrës. Shpirti në ëndërr sheh të ardhmen.
2. Endrrat e vërteta ose besnike
3. Disa shembuj lidhur me ëndrra besnike.

Vjen nata dhe ju bini në gjumë. Kapakët e syve ju mbyllen dhe ju nuk shihni, veshët nuk ju dëgjojnë, gjuha nuk ju flet, dora nuk ju kap dhe këmba nuk ecën dot më. Po qe se ju af­rohet dikush pranë dhe ju flet, ju as e shihni, as e dëgjoni. As ai nuk di gjë se ç'shihni e ç'dëgjoni ju. Pastaj, pasi ngriheni në më­ngjes dhe, pas faljes, në vend që të kërkoni të hani, silleni rrotull plot emocion nën ndikimin e ëndrrës që keni parë dhe kërkoni t'ia tregoni dikujt që e keni më të afërtin e më të dashurin dhe që i besoni më shumë. Pse veproni kështu ndërsa e keni barkun bosh? Ja, pra, në jetën e përditshme të njeriut ka ngjarje të tilla që e bëjnë ta harrojë urinë dhe që ushtrojnë mbi të ndikim të madh. Të gjitha këto janë kundërveprime të shpirtit.

1. E vërteta dhe llojet e ëndrrës. Shpirti në ëndërr sheh të ardhmen.

Njeriu që kridhet në gjumë është si njeriu që kridhet në det ose në hapësirën e kozmosit. Ose kridhet me sy mbyllur dhe kthehet prapë pa parë agjë, ose jepet pas lodrave që ka marrë me vete dhe, nën ndikimin e tyre, nuk sheh dot asgjë, ose sodit fosforeshencën e dallgëzimeve të detit dhe veprimtarinë enig­matike që zhvillohet në hapësirëh qiellore dhe i bart ato në bo­tën e vet. Ja, në këtë kategori mund t'i trajtojmë ëndrrat.

Janë disa që s'dinë gjë tjetër veçse të bien në gjumë e të zgjohen. Janë sikur të jenë zhytur me sytë lidhur në errësira dhe kthehen në botën e vet pa parë asgjë!

Disa herë ndodh që ngjarje të hedhura në nënvetëdije, ngja­rje emocionante të jetuara dhe çështje të ngarkuara vetëdijes duke u përqëndruar shumë mbi to, duke i menduar gjatë e du­ke u rikthyer disa herë tek to, gjatë ëndrrës dalin në vetëdije. Të këtij lloji janë ngjarje të tilla si ngritja nga gjumi në gjendje të trembur e të emocionuar për muaj me radhë i dikujt që posa është kthyer nga lufta.

Janë edhe ëndrrat e para për shkak të sëmundjeve, shqe­të­simeve, gjendjet shpirtërore të sëmura dhe dëmtimet psikike. Kështu, dikush që bie të flerë pasi ka ngrënë gjëra të kripura, sheh në ëndërr sikur ndodhet në buzë të një liqeni, dikush që fle i zemëruar, sheh ëndrra me grindje dhe zënie, një tjetër që bie të flerë duke menduar skena me epshe, sheh ëndrra të këtij lloji, etj. Personi që shtihet vazhdimisht pas ëndrrave, që bie të flerë për të parë ëndrra, që jepet pas imagjinatës dhe iluzio­neve, që bie në gjumë sikur bie klloçkë dhe që vepron sipas shenjave të ëndrrave, do të thotë se ka rënë i sëmurë pas ën­drrave.

2. Endrrat e vërteta ose besnike

Janë ëndrrat që shihen papritmas, me ndjenja krejt të pastra, jo si rezultat i ndonjë sëmundjeje dhe pa rënë në iluzione, si, p.sh., ëndrrat e profetëve, të njerëzve të urtë e të mirë. Disa he­rë, ëndrra të tilla shohin edhe njerëz të radhës, besimtarë, ma­dje edhe mosbesimtarë.

Endrrat e vërteta ose besnike mund të jenë një sihariq, një nxitje, një frymëzim dhe udhëzim i favorizuar nga Zoti, por mund të jenë edhe si paralajmërime, qortime dhe mësime prej Tij me qëllim orientimi. E veçanta mbi të cilën do të përqëndro­hemi këtu, janë ëndrrat mbi të ardhmen që shprehin një lidhje të avancuar e të lartë të shpirtit.

Këto ëndrra janë informacione të ardhura në formë valësh në këtë botë dëshmie ku jetojmë nga botët e varrit dhe të për­jetësisë ku s'ka dyshim se do të shkojmë. Dritaret e mbyllura për botën e dëshmisë si rezultat i prerjes së lidhjeve të shpirtit me botën e dëshmisë dhe hyrjes në lidhje me botën e fshehtësisë me anë të mbylljes së pesë shqisave ndaj botës së dëshmisë që ka cilësinë e një membrane të hollë dhe të daljes vetvetiu të mekanizmit të ngacmimit nga veprimi, hapen, tani, për botën e shembëllimit. Dhe, nga këto dritare të hapura, hyjnë, së bashku me shembëllimet e botës së shembëllimeve, simbolet e kuptimit e të së vërtetës, pamjet e reflektuara nga bota e varrit, tabllotë që i ofrohen shikimit dhe parashikimit, faqet e ngjarjeve të së ar­dhmes. Nisur nga kjo, ëndrrat mund të quhen kabina enig­matike ose tunele kohe që e bartin njeriun nga kjo botë për në botë të tjera.

Le ta trajtojmë çështjen nga një këndvështrimi tjetër. Çdo ndodhi e ka identiken e vet të fiksuar para se të ndodhë. Me fjalë të tjera, çdo gjë dhe çdo ngjarje ekziston në mënyrë të pa­raqenë në diturinë hyjnore. Pastaj të gjitha këto, me vullnetin dhe fuqinë hyjnore, përcillen në botën lëndore. Ndërkaq, mes dy botëve ekziston bota e ndërmjetme e shembëllimeve. Ja, pra, shpirti i çliruar nga lëndorja, i shpëtuar përkohësisht nga li­dhja me kurmin, fillon të ngjitet drejt botës së shembëllimeve edhe pa e braktisur kurmin plotësisht. Dhe, kur ngjitet në atë botë, del nga dimensionet materiale dhe hyn në dimensione krejt të tjera. Brenda këtyre dimensioneve, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ndërthuren me njëra-tjetrën dhe shpirti atje mu­ndet t'i shohë të gjitha kohët e shkuara e të ardhme. Në të njëj­tin çast mund ta vëzhgojë natën e parë të Kadrit dhe t'i jetojë dy bajrame të Kurbanit menjëherë. Ndërsa ndodhet në she­kullin e njëzetë, mund ta shohë veten si sahabi në shekullin e Profetit. Mos thoni "si ka mundësi"! Për shembull, personi që ndodhet në rrëzë të një mali konik ose në një shtëpi fshati, mund të vështrojë në atë çast vetëm mjedisin e tij të ngushtë. Por, po të ngjitet lart me një teleferik ose avion, mund t'i shohë edhe majën e malit, edhe tërë anët e tij, dhe jo vetëm një shtë­pi, por të gjithë shtëpitë e atij fshati ose disa fshatra bashkë. Kë­shtu ndodh edhe në ëndrra. Dublanti i shpirtit në gjendje kali­mtare, duke u ndarë prej vetes dhe duke u futur në dimensionet e botës shembullore, mundet të ndjejë të njëjtat gjëra.

Kështu, njeriu që vëzhgon gjërat e përcjella në shpirt nga bo­ta e shembëllimeve me anë të ëndrrave, i vëzhgon ato si në një perde kinemaje. Ai mundet t'i shohë në të njëjtin çast atë që ka ndodhur, që ndodh e që do të ndodhë. Dhe, disa herë, këto pamje janë aq të qarta, sa mund të kuptohen shumë lehtë. Disa herë shembëllimi mund të jetë në formë simbolesh dhe të kër­kojë interpretim. Për shembull, një pikë ujë që e patë në botën e shembëllimeve, në realitet mund të jetë mollë. Jashtëqitja që e patë në botën e shembëllimeve, në realitet do të thotë pasuri, para. Po qe se kjo jashtëqitje është e dikujt tjetër, është për ju para haram, kurse po qe se është e juaja, është hallall. Po qe se në botën e shembëllimeve ju hipin mbi kalë, kjo do të thotë se keni për t'ia arritur qëllimit. Prandaj, mos u përpiqni t'i inter­pretoni ëndrrat tuaja vetë, por kërkoni t'jua interpretojnë njerëz që e njohin botën tuaj shpirtërore, që nxjerrin kuptim nga shi­kimi juaj dhe që jua lexojnë fatin nga linjat e fytyrës.

3. Disa shembuj lidhur me ëndrra besnike.

Në tefsirin e tij, Prof. Sejjid Kutub tregon: "Ndërsa ndo­dhe­sha në Amerikë, pashë në ëndërr në sytë e time motre që ndo­dhej në Kairo, aq gjak sa ia pengonte shikimin. I shkruajta letër dhe mora përgjigje ku më tregonte se me të vërtetë kishte ka­luar një hemoragji në sy dhe ishte mjekuar."

Sejahatnamen[1] e tij, Evlija Çelebi tregon: "Vajza e Meh­metit IV, Kaja Sulltan, e sheh gjyshin e vet, sulltan Ahmetin, në xhennet, parajsë. I gjyshi i thotë të mbesës: "Mbesa ime, kur po ndërtohej Xhamia e Re, pata mbajtur gurë, prandaj Zoti më ve­ndosi në xhennet. Eja dhe ti!" Kurse i ungji Mustafa që ndodhej aty, i thotë sulltan Ahmetit: "Mos u nxito kaq shumë për Kaja­në! T'i bëhet një vajzë, pastaj të vijë!" Me të vërtetë, Kaja vdiq më vonë gjatë lindjes!"

Edhe në librin me titull "Kthimi te Zoti në Rusi" tregohen kë­to lloj ngjarjesh dhe ëndrrash. Nëna e një shkrimtareje me em­rin Ana Ostrovkij, pesë vjet para hyrjes së gjermanëve në Rusi pati parë në ëndërr luftën e ardhshme me shumë skena dhe kjo ishte botuar në gazetat e ditës.

Sër Hamilton që komandonte fuqitë e Antantës në Çanakala në vitin 1911, pa në ëndërr sikur po fundosej drejt thellësive të detit dhe se dy duar po i shtërngonin fytin. Dhe, kur u ngrit, vu­ri re se një qenie si fantazmë po dilte ngadalë nga çadra. Me të vërtetë, Çanakalaja nuk i pati sjellë fat atij. Ajo i pati rënë sipër si një rrezik i pamënjanueshëm.

Gruaja e një shokut tonë vdes pas mesit të natës dhe këtë gjë s'e merr vesh askush. Kur bëhet mëngjes, fëmijët mblidhen në xhami si zakonisht për t'u praktikuar në këndimin e Kur'anit. Pasi fillon mësimi, njëri nga fëmijët thotë: "Unë pashë në ën­dërr se nëna e këtij shokut tim ka vdekur. A është e vërtetë?"

Dy gra shoqe prisnin të bëheshin nëna. Një ditë, njëra i tho­të tjetrës: "Ti do të lindësh para meje!" "Ku e di ti? – E pyeti shoqja. "Pashë në ëndërr sikur për tokë ra një pelerinë dhe ti e more!"

E njëjta grua sheh në ëndërr sikur i gjyshi rrëzohet nga një shkallë e mbështetur në mur dhe thyen këmbën. Pas një muaji, ajo mori këtë lajm: "Duke meremetuar murin e xhamisë, shka­lla rrëshqiti dhe ra. Gjyshi theu këmbën dhe u shtrua në spital!"

Përsëri e njëjta grua sheh në ëndërr sikur dajën ia qëllojnë me armë tek po rrinte në tavolinë dhe vdes. Kalojnë katër vjet dhe gruaja merr lajmin se dajën ia kanë vrarë duke ndenjur në tavolinë.

Në krye të shekullit të kaluar, Niels Bohr pati parë në ëndërr diellin dhe disa planete që rrotulloheshin rreth tij të lidhur me pé. Dhe, kur zgjohet, i shkon mendja se kështu duhet të jetë ndërtimi i atomit!

Kimisti Kekule pati parë në ëndërr atomet dhe diçka si gjar­për që e fut bishtin në gojë. Dhe, kur zgjohet, zbulon formulën në formë gjashtëkëndëshi të benzenit.

Me gjithë provat e shumta, Elias Howe nuk po e gjente dot si duhej bërë gjilpëra e makinës qepëse. Një natë, pa në ëndërr sikur kishte rënë rob te disa fise te gra dhe, ndërsa po derdhte djersë në duart e tyre si rob, vuri re se shtizat që mbanin në du­ar njerëzit e fisit, e kishin majën me një vrimë si sy. Elias u zgjua dhe bëri një "shigjetë të vogël" me majën të shtypur dhe të vri­mosur që dukej krejt si një sy! Ajo ishte gjilpëra e maqinës qe­pëse që kishte kaq kohë që s'po e shpikte dot!

Janë këto dhe qindra shembuj si këto si mesazhe drite të ar­dhura nga bota enigmatike e shpirtit!


[1] Sejahatname: shënime udhëtimi.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.