Zoti thotë:"Kë shmang nga rruga e drejtë nuk drejtohet më; kë drejtoj në rrugë të drejtë nuk ndahet më prej saj" Po ashtu:"Njeriut i dhashë mendje, vullnetin ia lashë në dorë, i tregova të dy rrugët, le të zgjedhë vetë. Si mund të interpretohen këto?
Në këtë pyetje ka dy drita: e para, a bëhet ashtu si dëshiron vullneti i përgjithshëm i Zotit; e dyta, apo njeriu vepron me vullnetin e vet? Ajeti-argument i Kur'anit për të cilin bëhet fjalë, është kështu:"Men jehdillahu fela mudil'le leh. Ve men judlil fela hadije leh, Po qe se Allahu e drejton dikë në rrugë të drejtë, askush nuk mundet ta shmangë atë prej saj. Dhe, po qe se dikë tjetër e shmang, askush nuk mundet ta drejtojë më atë!" Rruga e drejtë është rruga e gjerë, e ndriçuar dhe e orientuar që e kanë ndjekur profetët dhe njerëzit e mëdhenj e të urtë të ngarkuar me misionin hyjnor për t'i orientuar njerëzit. Kurse rruga e atyre që shmangen nga rruga e drejtë, është rruga e të larguarve, e të mbrapshtëve, e perversëve që e kanë humbur orientimin.
Po të shihet me kujdes, që të dyja këto (rrugë) janë nga një punë, nga një akt më vete. Dhe, në aspektin njerëzor, janë detyra, janë funksione, gjë që pason domosdoshmërinë e konsideratës se dhënësi ose caktuesi i detyrave apo funksioneve përkatëse të jetë Zoti. Nuk mund të tregohet as edhe një akt që të mos i kushtohet Atij. Eshtë vetëm Zoti që krijon largimin, rrugën e shtrembër, si domosdoshmëri kjo e emrit të Tij Mudil (shmangës, çorientues), dhe, po ashtu, rruga e drejtë është shfaqje e domosdoshme e emrit të Tij, Hadi (udhërrëfyes, orientues). Po, është Zoti ai që i jep që të dyja rrugët, edhe të drejtën, edhe të shtrembrën.
Por kjo nuk do të thotë se Zoti e shtyn përdhunisht njeriun në rrugë të shtrembër ose e drejton në rrugë të drejtë pa asnjë iniciativë apo akt të njeriut e, kështu ky bëhet, do apo s'do, a një i çoroditur, a një i drejtë.
Megjithatë, kjo çështje duhet kuptuar kështu. I cilado përmasave që të jetë akti i orientimit apo i çorientimit, t'i jepet pjesë autorësie në të njeriut, është gabim. Për shembull, duke e thjeshtëzuar, po themi se, në se një akt i tillë peshon dhjetë ton, është gabim që njeriut t'i kushtohet qoftë edhe një përqind e tij. Zoti është pronari i vërtetë i çdo gjëje, prandaj edhe ai si akt absolutisht i duhet kushtuar të zotit.
Le t'ju parashtroj një shembull konkret. Allahu orienton dhe kjo ka shkaqet e veta. Ardhja në xhami, dëgjimi i këshillave, vetëndriçimi logjik janë nga një rrugë orientimi më vete. Një nga këto rrugë është edhe dëgjimi i Kur'anit, analiza e kuptimit dhe njohja e thellësive të tij. Vajtja në bisedat mbi jetën dhe veprimtarinë profetike të Hz. Muhammedit (a.s.) dhe ndjekja e tyre me syrin e zemrës, po ashtu ndejtja nën ndikimin e një mësuesi e udhërrëfyesi, hyrja në klimën parajsore të tij, dëgjimi me kujdes i fjalëve të tij të dala nga zemra, shndërrimi i zemrës në një vend ku të reflektohen shfaqjet e buruara prej tij, janë fragmente të rrugës së drejtë. Me këto qëndrime e veprime njeriu merr nismë për t'u futur në rrugën e drejtë. Me këto qëndrime e veprime njeriu merr nismë për t'u futur në rrugën e drejtë dhe bën hapa konkrete në të. Ashtu është. Edhe në se ardhja në xhami të jetë një gjë e vogël, Allahu mund ta bëjë atë shkak për ta futur njeriun në rrugë të drejtë. E drejta është e Allahut, kurse robi, njeriu, është ai që troket në derë me cilësinë e atij që kërkon diçka, që kërkon të gjejë e të përfitojë diçka.
Njeriu ka shkuar në pijetore, në shtëpinë publike, etj. Dhe kështu, i ka rënë derës së emrit Mudil dhe ka thënë: "Më nxirr nga udha..." Dhe po të dojë, Allahu e nxjerr. Por, po të mos dojë, nxjerr pengesa, nuk e shmang nga e drejta. Dhe po ta keni ndjekur me kujdes fillin e mendimit, do të kuptoni se njeriu ka në dorë një gjë aq të vogël, sa që nuk mund t'i bëhet shkak i vërtetë as për ta orientuar, as për ta çorientuar.
Po ju paraqes edhe një shembull tjetër. Kur ju të keni ndjekur këndime të Kur'anit dhe predikime e këshilla dhe kur të keni lexuar një libër shkencor, shpirti ju mbushet plot me dritë. Mirëpo ja tek është dikush tjetër që, megjithëse dëgjon ezanin tek po rri nën hijen e minaresë, megjithëse ndjek predikime e këshilla, madje duke u vënë veshin lutjeve më të sinqerta e më të ndjera, prapëseprapë ndjehet i shqetësuar dhe ankohet për ezanin: "More po ç'është ky zë i shëmtuar?"
Kjo do të thotë se është Allahu, Zoti që edhe drejton, edhe shtyn në rrugë të shtrembër. Por, në se një njeri ka hyrë në rrugë të shtrembër, Zoti krijon një mundësi të tillë për të si ajo e shtypjes së një butoni dhe, pastaj, sipas prirjes së njeriut, ose e fal, ose e ndëshkon.
- Publikuar më .