Pse Allahu nuk i krijoi të njëjtë robtë e vet, por dikë të verbër e dikë topall?

E para, Allahu është i zoti i mallit. Me atë vepron si të dojë. Askush nuk mund t'i përzihet dhe nuk mund t'i ndërhyjë në punën e tij krijuese. Eshtë Allahu (Xh.Xh.) ai që ka krijuar elementët përbërës të trupit tënd e që të ka falur trajtë njerëzore. Ti nuk i ke dhënë më parë diçka Allahut që të ka favorizuar me këto gjëra, që të mund të pretendosh për diçka para Tij!..

Po qe se ti do t'i kishe dhënë diçka Allahut, në përgjigje të atyre që të janë dhënë, ndoshta do të kishe të drejtë t'i kërkoje: "Më jep jo një sy, por dy; jo një dorë, por dy duar!" Ose ta kundërshtoje: "Pse më dhe një këmbë e jo dy?" Mirëpo ti nuk i ke dhënë ndonjë gjë Allahut që, mos qoftë e thënë, të ngresh akuzën për padrejtësi! Padrejtësia lind nga e drejta e papaguar. Po ç'të drejtë kërkon ti tek Ai që s't'u dha e, në këtë mes, lindi një padrejtësi!

Allahu i Lartë të ka krijuar ty duke të nxjerrë nga e paqena, madje si njeri... Në se bën pak kujdes, do të shohësh se poshtë teje ka shumë krijesa, që, po t'i vëresh mirë e mirë, do të kuptosh se për ç'gjëra je bërë i merituar!

E dyta, disa herë Allahu ia merr njeriut këmbën dhe në jetën tjetër i jep shumë gjëra në shkëmbim të saj. Duke i marrë këmbën, njeriun e bën të ndiejë e të kuptojë sesa i varfër, sa i dobët e sa i pafuqishëm është ai si njeri! Në se Allahu bën që ai njeri t'i kthejë sytë e zemrës kah vetja e ndjenjat t'i marrin një zhvillim të veçantë, del se i ka dhënë shumë gjëra duke i marrë fare pak.

Kjo do të thotë se, edhe në se formalisht jo, në të vërtetë në thelb, sakatllëku i njeriut është shprehje e favorit të Zotit! Krejt si dhënia e xhennetit, parajsës për dëshmorin. Një njeri bie dëshmor në luftë. Falë të këtij akti, në Gjyqin e Madh dhe në audiencën e Allahut lartësohet në një pozitë të tillë që do t'ia kishin zili edhe njerëzit më të mëdhenj të lartësuar në nivelin e përsosmërisë shpirtërore!

Të tjerët që e shohin pozitën e dëshmorit, thonë: "Eh, sikur edhe ne të na e kishte mundësuar Allahu të binim dëshmorë në fushën e luftës!" Për rrjedhojë, edhe sikur ky njeri të jetë bërë copa-copa, nuk quhet se ka humbur shumë. Ndoshta gjëja që ka marrë është shumë më e madhe në raport me atë që ka humbur!

Edhe nëse shumë rrallë, disa njerëz, lidhur me këtë çështje, të devijojnë nëpërmjet nervozizmit, zemërimit, egoizmit dhe ndjenjës së inferioritetit, te shumë njerëz këto lloj të metash trupore më së shumti janë bërë shkak për kthimin e fytyrës kah Zoti. Nisur nga kjo, nuk është me vend që të merren si pikë referimi humbjet në fjalë te një pjesë njerëzish të llojit të insekteve të dëmshme.Thelbësore në këtë subjekt është nxitja ose zgjimi në shpirtrat e njerëzve kandidatë për në amshim i dëshirës për atë botë. Nëse në njeriun me defekt shfaqen, me shtytjen e defekteve, kthimi i tij kah Zoti, kurse te të tjerët marrja mësim prej tij dhe nxitja drejt së vërtetës, domethënë se te defekti ka një urtësi dhe ky i shërben qëllimit.

Njeriu, kafshët, bimët dhe të gjitha qeniet e tjera dalin në dritë të ditës në saje të një fuqie që konkludon mbi ta, çojnë në vend detyrën e tyre të faktimit dhe pasqyrimit[1] dhe, pastaj, hiqen nga skena e fshihen duke ua lënë vendin të tjerëve.

Në këtë botë, edhe lindjet, edhe vdekjet kryhen si nga një ekspozim, faktim dhe provë më vete. Ashtu siç çdo gjë kur fiton ekzistencë si qenie, bëhet argument krejt i hapur i një Ekzistence të fshehtë dhe interpret i Saj, ashtu edhe largimi i saj në mbarim të periudhës përkatëse, është kah argumenton përjetësinë e asaj Qenieje të fshehtë të pafillimtë dhe pavdekshmërinë e Saj.

Po, ne dhe çdo gjë tjetër që kemi fituar ekzistencë nga hiçi, nga e paqena,[2] me qenien tonë tregojmë për qenien e dikujt tjetër dhe, me të parët, të dëgjuarit dhe aftësinë njohëse tonën si dhe me ikjen tonë duke braktisur çdo gjë që bartëm mbi shpinë si amanet një jetë të tërë, tregojmë për NJESHIN e fshehtë, të kundërt me gjërat e përkohshme që vijnë e shkojnë e që shkojnë për të mos u kthyer më! Është "Ai që ka krijuar jetën dhe vdekjen që ju të jepni provën se cili prej jush do të bëjë punën më të bukur!" (Kur'ani, Mulk: 2, perifrazim i vetë autorit.)

Të arrish të konceptosh të fshehtën e ardhjes tënde këtu, të japësh provën dhe të bëhesh gati për të ikur, ja pra, se ç'është e rëndësishme për njeriun!

Dhe tani, pas kësaj hyrjeje përgatitore të shkurtër, le të merremi me çështjen tonë, çastin e fundmë të përbashkët të të vdekurve në një fatkeqësi.

Ashtu është, të gjithëve u ka ardhur çasti i fundit menjëherë së bashku! E, për të ndodhur kështu, nuk ka asnjë pengesë serioze e që të vlejë për t'u shënuar. Individualiteti i Lartë që mban në dorë ekzistencën të tërë, ashtu siç i ka krijuar çdo njeri dhe çdo gjë, nga grimcat e gjer te sistemet, secilin brenda paracaktimit të vet të posaçëm, së bashku menjëherë, po ashtu edhe mund t'i vdesë të gjithë së bashku menjëherë! As fakti që gjërat apo qeniet mund të ndodhen veç e veç në vende të ndryshme, as edhe ndryshimet karakteristike e cilësore në lidhje me këtë, nuk mund të përbëjnë pengesë.

Megjithëse për ta treguar efektivitetin e Qenies me fuqi të pafundme, nuk mund të gjendet ndonjë shembull që ta reflektojë plotësisht atë fuqi, prapëseprapë mund të bëhet fjalë edhe për shumë gjëra që mund t'i bëhen pasqyrë Asaj, që mund të japin një ide.

Përgjithësisht, qeniet me karakteristika dhe cilësi të ndryshme që orientohen kah dielli, e vazhdojnë jetën e tyre duke parë kah ai pa shkaktuar ndonjë pështjellim, marrin ngjyra të ndryshme nën dritën e tij, në gjendjen më të shkëlqyeshme me të vijnë dhe me lindjen e perëndimin e tij zbehen, shkoqen, shuhen e shkojnë. Krejt ashtu si ai, çdo gjë barset në prehrin e të njëjtës pranverë, zhvillohet e përhapet në të njëjtën verë dhe në të njëjtën vjeshtë zverdhet e megjithatë fati i paracaktuar i secilës qenie dhe i të gjithave është i ndryshëm. Të gjitha së bashku dhe veç e veç, e shfaqin ekzistencën dhe efektivitetin e tyre sipas planit dhe programit të asaj diturie të gjerë, sipas orientimit të atij vullneti e të asaj dëshire të pafund, jo në mënyrë spontane, por në atë drejtim që kërkon Vullneti dhe Dëshira e Lartë. "Ai di për çdo gjë që ndodhet në tokë e në det... Nuk ka gjethe që bie dhe gjë të fshehur në errësirën e thellësive, që të mos ndodhet në librin e hapur!" (Perifrazim nga Kur'ani – përkth.).

Në se jeta dhe vdekja, zhvillimi dhe produktiviteti i drurëve, barërave, farërave e kokrrave ndiqen kaq seriozisht, a mund të ndodhë që një qenie e përkryer si njeriu të lihet pa orientim e kujdes?

I Zoti i Lartë i universeve që nuk pengohet të shohë një gjë kur sheh një gjë tjetër, të dëgjojë një gjë kur dëgjon një tjetër, sigurisht që do t'i japë rëndësi çdo gjendjeje të njeriut si krijesa më e vlerë, vepra artistike më e çmuar dhe, duke i favorizuar një individi të tij gjërat që ndodhen tek të gjitha tipet e llojet e qenieve të tjera, do ta trajtojë posaçërisht njeriun që është indeksi ose shembëlltyra në miniaturë e të gjitha universeve, do ta bëjë të merituar të konsideratës së Tij të posaçëm dhe, me rrugë të posaçme, do ta nderojë në audiencën e Vet!

Kjo ftesë dhe bartje për atje mund të ndodhë disa herë në shtrat, disa herë në fushë të luftës dhe, disa herë edhe në ndonjë fatkeqësi. Madje, mund të ndodhë edhe në masë ose një e nga një nëpër vende veç e veç nga njëri-tjetri. Këto, nga këndvështrimi i Krijuesit ndaj njeriut, kurrsesi nuk ndikojnë në përfundim. I Zoti i Dijes dhe i Fuqisë së Pafundme që ka në dorë frerët e çdo njeriu, që e mban një qenie në jetë sa të dojë e pastaj e lëshon, sipas librit pranë tij, është krejt normale dhe e pranueshme që t'ua marrë shpirtrat individëve dhe shtresave të caktuara. Ashtu siç u prek edhe më parë, kjo është diçka si puna e një komandanti epror, që për një njësi ushtarake për të cilën është përcaktuar se po e mbaron afatin e shërbimit ushtarak, të kryejë kur t'i vijë dita, lirimin e tyre.

Veçanërisht, ashtu siç është bërë e qartë edhe në vendin ku është prekur çështja e karakterit gjithëpërfshirës të detyrës së engjëllit të ngarkuar me marrjen e shpirtrave, ka aq shumë engjëj përgjegjës për të marrë shpirtrat, sa në të gjitha vendet të përfshira në mijra fatkeqësi që ndodhin në të njëjtin çast, me çdo të vdekur mund të takohen, sipas vullnetit dhe miratimit të Zotit, jo një, por disa engjëj dhe, sipas librave që mbajnë në dorë, mund t'i drejtojnë kurbanët e tyre në perspektiva të ndryshme.

Kur këto lloj fatkeqësish merren në analizë në mënyrë shumë serioze, me të vërtetë është e pamundur të mos shohësh edhe një miratim të parë, edhe ardhjen e çastit të fundit për të gjithë të vdekurit menjëherë. Duhen vëllime të tëra për të përcaktuar dhe përshkruar tërë ndodhitë interesante e të mrekullueshme të kësaj natyre. Mbi gjithçka, edhe ato që janë shkruar, janë aq shumë sa i kalojnë vëllimet.

Nuk kalon ditë që të mos shoh të shtypur disa prej ngjarjeve të tilla të jashtëzakonshme që do të bëheshin subjekte librash.

Për shembull, në një tërmet që e kthen qytetin përmbys, në kundërshtim me faktin që mijëra vetë, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, nuk arrihet të shpëtohen, shumë ditë më vonë nxirren nga gërmadhat qindra fëmijë të padëmtuar... Ose diku një rimorkio rrokulliset në kanal, të gjithë punëtorët e hipur mbi të mbyten, kurse tej mbi ujë, qëndron një foshnjë e lidhur në dizga, pa pësuar asgjë... Ose në një aksident ajror, ndërsa njerëz të aftë e të stërvitur nuk arrijnë dot t'u shpëtojnë flakëve, një bebe e fluturuar dyqind metra më tej gjatë rrëzimit shpëton pa marrë asnjë gërvishtje... Të gjitha këto e qindra ndodhi janë kah vërtetojnë sesi jeta, ashtu edhe vdekja nuk janë dukuri spontane, por përkundrazi, realizohen me anë të masave të marra prej dikujt që di, sheh dhe drejton.

Të gjitha qeniet që vijnë në jetë individualisht ose në grup, gjer në afatin kur u mbaron detyra e shënuar në regjistrat përkatës dhe kur do t'ju vijë çasti i fundit, e mbushin jetën duke çuar në vend përgjegjësinë për të konceptuar të fshehtat e imta të krijimit, për të zbuluar enigmat e përtejnatyrës, për t'iu bërë pasqyrë dhe interpret Individualitetit që na ka dërguar këtu ne dhe ata dhe, pastaj, lirohen nga detyra një e nga një, copë-copë ose në grup.

Kjo e ditur, ky përcaktim dhe saktësim dhe pastaj, çuarje në vdekje e krijesave, domethënë sjellja në një e çasteve të fundit dhe dhënia fund e punës së tyre janë mjaft të lehta për Allahun (Xh.Xh.) që e di në trajtën më të mirë çdo gjë nga kreu në fund. Mbetet të themi se prej Atij që di çdo gjë të hapur a të fshehur, e mësojmë se përreth çdo njeriu ndodhet një tufë engjëjsh dhe se, përveç këtyre, ndodhen edhe shumë engjëj nga ata që marrin shpirtrat.

Në këtë diskutim mund të lindë veçanërisht një kundërshtim i tillë i vogël: Në këto lloj ndodhish fatkeqe, bashkë me ata që e kanë bërë hak, dëmtohen e shkojnë edhe një numër i madh të pafajshmish. A mund të na thoni diçka rreth kësaj?

Le ta them menjëherë se edhe kjo pikëpyetje lind nga një mahitje në besim dhe në përfytyrim. Po qe se jeta do të ishte identitet vetëm i jetës së kësaj bote dhe vendi i njeriut do të ishte krye e fund këtu, ndoshta ky kundërshtim do të kishte një aspekt të pranueshëm e do të ishte i mbështetur. Mirëpo kjo botë për njeriun është një vendmbjellje, një fushë ku tregohet zelli dhe një sallon pritjeje, kurse bota përtej është vendi ku korret e shihet në lëmë, është koha kur mblidhen frutat dhe, më në fund, i shpëtimit nga shqetësimet dhe i arritjes së lumturisë. Dhe sipas këtij vlerësimi, në vdekjen e të mirit me të keqin bashkë, e fajtorit me të pafajshmin nuk ka asgjë të panatyrshme. E kundërta, një ecuri e tillë e gjërave është më e pranueshmja dhe më logjikja. Sepse në ringjalljen e dytë, secili do të marrë një trajtë të posaçme qenieje sipas qëllimit dhe sjelljeve të veta, sipas tyre do të trajtohet, sipas tyre do t'i nënshtrohet ndëshkimit ose do të meritojë favor.

Përmbledhtas, çasti i fundit dhe vdekja janë identitet i mbarimit të periudhës së ndodhjes dhe shërbimit në këtë botë. Një periudhë e tillë, në cilësinë e një plani të parapërgatitur në linjën e mosinjorimit të vullnetit të njeriut, të regjistruar e të kaluar në arkiv, s'është gjë tjetër veç ekzekutimit të tij kur t'i vijë stina, sipas urdhërit dhe fermanit të Individualitetit që di, sheh e dëgjon çdo gjë.

Mes ekzekutimit individual dhe kolektiv nuk ka asnjë lloj ndryshimi logjik.

Pandeh që, ashtu si në çështje të tjera edhe këtu, mosnjohja e dijes, fuqisë dhe vullnetit të pafund të Krijuesit të Lartë përbën një prej shkaqeve kryesore të deviacionit. Dhe një tjetër shkak është gabimi në këndvështrimin e gjërave e të dukurive. Në se përballë ndodhive, nuk mundemi t'i zhveshim kokat nga kuptimi i gabuar i natyrës e i shkaqeve si dhe të mbyllemi vetëm për vetëm me ndiesitë tona, bota jonë e brendshme, me besime të dobëta, do të shndërrohet në shesh lufte të lëkundjeve e drojeve djallëzore.

Shtuar kësaj edhe faktin që, si rezultat i varfërisë së botës tonë ndiesore dhe ushqimit të saj të pamjaftueshëm, qoftë edhe të pambështetur, pirja çdo ditë tas pas tasi e dyshimeve dhe lëkundjeve është një fatkeqësi e tillë e frikshme, sa që nuk duhet çuditur për prishjen e orientimit të brezave, por për faktin që brezat ende nuk kanë arritur ta mbrojnë orientimin e tyre.

Për këto çështje që duken si të parëndësishme, mund të pretendohet se u qëndrua më shumë se ç'i takonte. Por ne nuk do të jemi dakord me këtë mendim për asnjërën prej çështjeve që kanë lidhje me besimin.

Në sytë tonë, edhe çështja më e vogël lidhur me besimin është në madhësinë e maleve dhe e shtrenjtë sa bota. Nisur nga kjo konsideratë, sado pedantisht që të qëndrohet mbi të, e vlen dhe është me vend.

Shpresojmë se shokët tanë që e kanë në konsideratë këtë çështje, nuk do të mërziten dhe do të na falin ne!


[1] Sipas misticizmit, gjithçka e kësaj bote e shtruar në faqe të dheut si një ekspozitë, fakton dhe pasqyron fuqinë dhe madhështinë krijuese të Zotit, qenien

e Tij eterne. (Përkth.)

[2] Latinisht: Ex nihilo. (Përkth.)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.