A mund ta shpjegoni ligjin e faljes (atá) të Zotit?
Fjala atá do të thotë favor, mirësi, shpërblim. Ndërkaq, aspekti i faljes që ka lidhje me temën tonë, është aspekti i saj i lidhur me kazanë dhe kaderin. Po qe se njeriu e kërkon të keqen, edhe Zoti e vlerëson atë për njeriun. Fundja vlerësimet e bëra për njeriun bëhen duke llogaritur vullnetin e tij. Për shembull, po qe se ngritja e dorës nga unë është vlerësuar për mua para se ta ngrija dorën, Zoti e ka vlerësuar sepse e ka ditur se unë do ta përdor në atë drejtim vullnetin ose prirjen time. Sepse atributi "dituri" i Zotit përfshin gjithçka të kaluar e të ardhme përfshi edhe personin e tij. Për rrjedhojë, Zoti i di edhe punët e mia që kam për të bërë dhe sipas kësaj dijeje bën vlerësimet përkatëse për mua: "Filan robi im do të dojë ta ngrejë dorën dhe unë do ta krijoj ngritjen e dorës së tij". Ose thotë: "Unë kështu e shkruajta këtë!" Ja, ky është kaderi. Pra, shkrimi i kësaj kështu është kader. Kurse ngritja e dorës nga unë kur t'i vijë koha, është kaza. Kaza do të thotë zbatim i vlerësimit të bërë për mua.
Kurse faljen (atá) mund ta kuptojmë në këtë mënyrë. Për shembull, njeriu e përdor vullnetin dhe prirjen e vet në drejtim të keq ose për të keq. Por Zoti, për shkak të një situate të bukur të tij, për shkak të zemrës së mirë të tij ose për shkak të një sjelljeje të mirë të tij, bën një falje të posaçme dhe nuk lejon që njeriu ta kryejë të keqen për të cilën është prirur dhe e ka vënë në veprim vullnetin e vet. Kështu, vlerësimi i bërë për të më parë, nuk ekzekutohet. Falja ndikon mbi kazanë, kurse kazaja mbi kaderin. Ndërkaq, të gjitha këto janë të shënuara në Levhi Mahfudh, pasi në dijen hyjnore nuk ndodh ndonjë ndryshim. Por ndryshime mund të ndodhin në librin e punëve të njeriut që është libri i posaçëm i tij.
Falja është një favor, kurse në favoret nuk është kusht meritimi. Në fakt, po ta shohim çështjen nga ky këndvështrim, vërejmë se të gjitha aktet e mira të kryera nga ne janë falje të Zotit!
- Publikuar më .