Sistemi i tij i mesimit

Parimet e mësimit dhe edukimit që parashtroi Profeti janë shprehur me hollësi në Kur'an dhe Sunet. Në të vërtetë, vetëm fakti që ai u kumtoi njerëzve Kur'anin dhe i bëri ta pranojnë dhe përvetësojnë, është diçka shumë e mrekullueshme. Tema jonë nuk është Kur'ani, por unë do të flas për këtë, meqë ra fjala, në parantezë.

Profeti doli nga një shoqëri që s'dinte asgjë, që s'dinte shkrim e këndim, që s'dinte ç'është shkolla. Kurse kur ndërroi jetë, në bashkësinë e tij, nga i riu i porsahyrë në jetë, gjer te më i moshuari që priste të hynte në varr, s'kishte mbetur njeri pa mësuar shkrim e këndim. Gjithashtu, s'kishte shok të tij që të mos dinte të këndonte Kur'an. Jo vetëm shokët e tij, por dhe bujqit e Medinës që plugonin në arë njihnin shtatë a dhjetë mënyra të këndimit të Kur'anit. Sot, shkencën që merret me mënyrat në fjalë të këndimit të Kur'anit nuk e njeh as autori i këtyre radhëve si dhe numri i atyre që e njohin është shumë i pakët.

Është e drejtë se ata njerëz ishin shumë të zgjuar nga natyra si dhe kujtesën nuk e kishin të lodhur. Mirëpo këtë punë të madhe nuk e bënë vetëm zgjuarsia dhe kujtesa e tyre. Ndoshta ishte sistemi i të mësuarit, që solli i Dërguari i Allahut e që i pati njësuar kështu me Kur'anin!

Më parë këta njerëz ishin të hapur ndaj çdo lloji të moralit të keq. Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, i Dërguari i Allahut ua shkuli të gjitha veset e këqija dhe në vend të tyre u nguliti shprehi të mira.

Për shembull, Kur'ani u thoshte atyre: "Allahu e dha vendimin e vet. Nuk do të adhuroni tjetërkënd veç Tij dhe do të silleni mirë me prindërit!" (Isra, 17:23) Ky urdhër ushtronte një ndikim të tillë mbi ata njerëz që gjer një ditë më parë silleshin egërsisht me prindërit, saqë dikush prej tyre i drejtohej të Dërguarit të Allahut dhe e pyeste se ç'dënim do t'i jepej nëse i ati e shihte dhe ai nuk i përgjigjej me vështrim, me buzëqeshje!

Gjithashtu, Kur'ani tha: "Mos iu afroni mallit të jetimit!" (En'am, 6:152) Ky ajet i preku aq shumë muslimanët, saqë shumica shkuan te Profeti me mallrat e jetimëve në duar për t'ia dorëzuar që ai, pastaj, t'ua jepte të zotërve. Po të vihet re me vëmendje, ajeti nuk thotë "mos e hani mallin e jetimit", por "mos iu afroni mallit të jetimit"! Prandaj sahabet dëshironin të çliroheshin një çast e më parë nga malli që i përkiste një tjetri, konkretisht, një jetimi! Ç'kishte ndodhur me këta njerëz që gjer aty s'i kishin njohur të drejtë jete jetimit dhe që ishin përpjekur për t'ia marrë nga dora çdo gjë që kishte, kurse tani pësonin një transformim të menjëhershëm?

Marrëdhëniet seksuale jolegjitime, kurvërimi dhe prostitucioni ishin shumë të përhapur në atë shoqëri, madje, kishin marrë formë legjitime. Dukej sikur nuk kishte njeri që ta dënonte këtë gjë të keqe. Ndërkaq, erdhi dita që Kur'ani të jepte urdhrin: "Mos iu afroni kurvërimit!" (Isra, 17:32) Pas këtij urdhri, marrëdhëniet seksuale jolegjitime u prenë si me thikë! Pastaj, në periudhën në vazhdim, ndodhën a s'ndodhën nja dy raste shkeljeje.

Vjedhja dhe grabitja konsideroheshin shenja guximi e trimërie. Pastaj erdhi dekreti kur'anor: "Prejani dorën atij që vjedh, qoftë burrë apo grua!" (Maide, 5:58) Dhe çdo gjë ndërroi menjëherë. Me sa di unë, pas këtij ajeti ndodhën vetëm nja dy ngjarje vjedhjeje që u dënuan me prerje dore.

Njerëzve kriminelë të asaj kohe, Kur'ani u tha: "Mos kryeni krimin e vrasjes që Allahu e ka bërë haram (të ndaluar, të dënueshëm)!" (Isra, 17:33) Dhe ky ajet mjaftoi që krimi i vrasjes të merrte fund. Pastaj ndodhën vetëm dy ngjarje vrasjeje: vrasja me qëllim e një çifuti nga një musliman[1] dhe një vrasje tjetër aksidentale.

Dhe tani shihni: gjatë një periudhe kohore prej 23-vjetësh dhe në të gjallë të Profetit, ndodhin vetëm një marrëdhënie seksuale jolegjitime e pohuar, vrasja e një çifuti dhe, me sa di unë, prerja e dorës së një gruaje për vjedhje! Nga një shoqëri vampirësh që hante ngordhësira dhe pinte gjak, i Dërguari i Allahut nxori njerëz të përsosur e me moral të lartë. Nga ajo baltovinë del një shoqëri e shkëlqyer? Në s'është kjo një mrekulli, ç'është?

Unë e kam të pamundur ta paraqes dhe trajtoj këtë temë me hollësi. Unë dëshiroj vetëm që, me lejen tuaj, duke dhënë vetëm nja dy shembuj për tri-katër parime të moralit të lartë, ta parashtroj edhe një herë madhështinë dhe shkëlqimin e veprimtarisë së Profetit Muhamed (s.a.s.)!

1. Bujaria dhe vetëmohimi

Shoqëria arabe paraislamike ishte një shoqëri ku njeriu nuk mendonte tjetër veç interesave të veta. Ndihmën ndaj dikujt tjetër ata s'e kishin menduar as në ëndërr. Kurse parapëlqimi i tjetrit para vetes, vetëmohimi, ishte një gjë e padëgjuar ndonjëherë mes tyre. Vetëm profetësia e Muhamedit, ashtu siç ndryshoi shumë gjëra në jetën e atyre njerëzve, e hoqi edhe koprracinë, zemërngushtësinë dhe edukoi dhe nguliti ndjenjën e bujarisë, parapëlqimit të tjetrit dhe vetëmohimit.

Një ditë, te Profeti shkoi një njeri. Ai ishte Ebu Hurejre. Iu afrua Profetit dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Ka ditë që s'kam gjetur gjë për të ngrënë dhe kam agjëruar disa ditë njëra pas tjetrës i pangrënë!" I Dërguari i Allahut e hodhi vështrimin përreth, por nuk pa kënd që do të mund të priste mik në shtëpi. Pas pak, u ngrit në këmbë Ebu Talha që i Dërguari i Allahut e donte shumë dhe tha: "O i Dërguari i Allahut, po e marr unë si mik në shtëpi!" Dhe e mori mikun dhe e çoi në shtëpi. Në duart e familjes së tij që kishte dhënë gjithçka për Islamin, nuk kishte mbetur asgjë. Vetëm herë pas here ata mund të gatuanin ndonjë supë. Kishte mundësi që atë ditë, e shoqja, Ummu Seleme, t'u kishte bërë fëmijëve ndonjë supë. Kur erdhi miku në shtëpi, burrë e grua u morën vesh mes tyre: "Sonte supën do t'ia lëmë ta hajë miku. Sido që të jetë, ne mund të agjërojmë edhe sot pa ngrënë! Fëmijët duhen marrë me të mirë që të flenë. Në mëngjes shohim e bëjmë edhe për ta!.." Do të vepronin kështu: Sapo të vihej supa në sofër, gruaja do ta shuante qiriun si pa dashur dhe miku me të zotin e shtëpisë që do të uleshin në sofër, do të hanin në errësirë. I zoti i shtëpisë do ta fuste dhe nxirrte lugën bosh, kështu që miku do të kishte mundësi të ngopej se supa nuk mjaftonte për dy burra. Dhe bënë siç e menduan. Kur u bë mëngjes, Ebu Talhai me mikun, Ebu Hurejren, zunë vend pas Profetit për të falur namazin e mëngjesit. I Dërguari i Allahut e drejtoi faljen. Pas mbarimit të faljes, i Dërguari i Allahut ktheu kokën pas, kërkoi me sy Ebu Talhain me Ebu Hurejren dhe pyeti: "Ç'keni bërë mbrëmë që për ju zbriti ky ajet: "Edhe sikur të jenë vetë ngushtë, e parapëlqejnë tjetrin në vend të vetes së vet!" (Hashr, 59:9)[2]

Në librat dhe në traditat e njeriut arab të periudhës pagane, politeiste e injorante paraislamike nuk njiheshin gjëra të tilla si parapëlqimi i tjetrit në vend të vetes, pra, vetëmohimi, ushqyerja e të uriturve, veshja e të zhveshurve, vetëflijimi për tjetrin, kënaqja e tjetrit duke mbetur vetë i pakënaqur, etj. Por i Dërguari i Allahut ua bëri të njohura, i nguliti këto ndjenja të larta tek ta, sikur t'i kishte ngulitur me daltë mbi mermer dhe i transformoi. Ju quajeni si të doni këtë frymë altruizmi e vetëmohimi: durim, tolerancë, nënshtrim, përfundimi nuk ndryshon. Le ta kujtojmë edhe një herë fjalën që thotë: "Besimi çon në nënshtrim, nënshtrimi çon në dorëzim, dorëzimi çon në lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë". Po, nëse keni besuar, do t'i nënshtroheni Allahut; pasi t'i jeni nënshtruar Allahut, do t'i dorëzoheni Atij, do të mbështeteni te Ai. Ja, atëherë do ta arrini lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë!

2. Heroizmi i Hansas

Me elegjitë që kishte shkruar për vdekjen e të vëllait, Hansa kish bërë botën të qajë. Ndërkaq, kjo grua e madhe ende s'kishte shpëtuar dot nga tymi dhe mjegulla e injorancës, nuk ishte ndikuar nga Profeti Muhamed, nuk e kishte njohur ende atë, nuk i kishte vënë dot veshin zërit magjepsës të Kur'anit dhe s'ishte hapur ende ndaj tij. Pastaj, kur e njohu Kur'anin, ndërroi menjëherë. Dhe si! Ai shpirt i madh që i kishte thurur elegji të vëllait pagan, erdhi dita që të japë dëshmorë të katër djemtë menjëherë dhe, me gjithë dhimbjen e madhe amësore, ta shprehë me këto fjalë nënshtrimin e thellë ndaj Allahut: "Lavdi Ty, Allahu im, që më fale mundësinë të t'i dhuroj në të gjallë të katër djemtë që më pate dhënë!"[3]

Ja pra, aftësia e madhe transformuese e Profeti Muhamed (a.s.) dhe transformimi i madh që realizoi ai te njerëzit! Ai nxori dritën nga errësira dhe tregoi nuancat e dritës në errësirë. Prandaj po pyes edhe një herë: Ndryshimi i njerëzve kështu, në mënyrë të menjëhershme, nëse s'është mrekulli, ç'është?

3. Heronjtë e një çasti ndryshimi

a) Ikrime (r.a.)

Kur u fitua Meka, Ikrime u arratis, por, pastaj, i bindur nga e shoqja, u kthye sërish në Mekë. Kur armiku më i tërbuar i të Dërguarit të Allahut doli para tij, ai e priti me buzëqeshje dhe me fjalët: "Tungjatjeta, o kundërshtar i mërguar!"[4] Këto fjalë mjaftuan për t'ia fituar zemrën Ikrimes. Ai i dha fjalën vetes: Edhe vetë, edhe i biri i vetëm, Amr, do të jepnin jetën për atë çështje! Pastaj, në Jermuk, ndërsa po numëronte minutat e veta të fundit, erdhën e i thanë: "Yt bir Amri ra dëshmor!" Ikrime u drejtua dhe tha: "O i Dërguari i Allahut, të pata dhënë fjalën se do ta flijoj edhe tim bir në udhën tënde! A e mbajti fjalën Kundërshtari i Mërguar?" A mund të dilte Kundërshtar i Mërguar nga i biri i Ebu Xhehlit? Nga ai "njeri që i kundërvihej Profetit në çdo front, që kishte për qëllimin më të madh ta vriste të Dërguarin e Allahut"[5], pra, nga ai njeri i errësirës, a mund të dilte një Kundërshtar i Mërguar që i linte pas edhe engjëjt? Ja që mund të dilte dhe doli!

Në periudhën paraislamike të paganizmit, politeizmit dhe injorancës, Ebu Xhehli ishte i pasur dhe i fuqishëm. Ai i shtypte të dobëtit dhe ua priste rrugën. I dobëti nuk kishte të drejtë jete, femrat, jo që jo! Fëmijët vriteshin për hiçgjë. I varfëri nuk thoshte dot "edhe unë kam të drejtë"! Kishte ligje, siç kishte pasur gjithmonë, por ato përdoreshin kundër të dobëtëve dhe të varfërve. (A s'është kështu edhe sot?) Ja pra, nga një shoqëri njerëzish tejet të egër, që s'njihnin drejtësi, i Dërguari i Allahut nxirrte njerëz si engjëj që e përfaqësonin drejtësinë në përmasa botërore!

b) Omeri (r.a.)

Një ditë, mes kalifit Omer që ndodhej në krye të shtetit islam, i cili shtrihej në një hapësirë të gjerë dhe Ubej Ibni Kab-it, krijohet një mosmarrëveshje. Ubej i thotë kalifit Omer: "O kalifi i të Dërguarit të Allahut, po bën padrejtësi!" Kalifi shkon te gjykatësi dhe kërkon gjykimin e çështjes. Gjykatës apo kadiu i çështjes ishte Zejd ibni Thabit. Gjykimi do të bëhej në shtëpinë e tij, prandaj palët shkuan atje. Kur gjykatësi pa kalifin të hynte brenda, për hir të edukatës dhe respektit, i tregoi shilten pranë dhe e ftoi të ulej me fjalë të zgjedhura: "O prijësi i besimtarëve, uluni këtu!" Kalifi Omer, i zemëruar e me vetullat të kreshpëruara, i tha gjykatësit ato fjalë që do të mbeten vëth në vesh të historisë: "Ja, tek e bëre padrejtësinë e parë në gjykimin tënd!"[6]

c) Ngjarja Maiz dhe Sistemi i Kontrollit me Vetëdije

Një frymë llogaridhënëse që të rrëqeth ose një fragment nga ngjarja Maiz. Muslimi ka veçuar një kapitull të veçantë që e ka titulluar "Vetëflijuesi"[7]. Ja kush është Maizi!

Maizi hyn një ditë te i Dërguari i Allahut dhe arrin gjer pranë tij. Është zverdhur, kërrusur dhe s'i ka mbetur fuqi për të folur. Ai arrin t'i thotë Profetit vetëm kaq: "O i Dërguari i Allahut, më pastro!" I Dërguari i Allahut e kthen fytyrën nga ana tjetër. Njeriu i dhembshurisë nuk dëshiron ta dëgjojë atë që ka për t'i thënë i ardhuri që ka para. Maizi i del në anën tjetër ballë përballë dhe ia thotë të njëjtat fjalë. Profeti përsëri e kthen fytyrën nga ana tjetër dhe kjo gjë përsëritet për të katërtën herë. Herën e katërt, Profeti e pyet: "Nga ç'mëkat të të pastroj?" "Nga zinaja, o i Dërguari i Allahut!" - I përgjigjet Maizi. Të gjithë të pranishmit kanë ngrirë. Në periudhën e të Dërguarit të Allahut, fjala "ziná"[8] shqiptohej ndoshta për herë të parë! Pohimi i Maizit kishte shkaktuar te të pranishmit një shok të vërtetë! Ata që gjer një ditë më parë e shihnin si legjitime dhe normale çdo marrëdhënie seksuale të parregullt, së bashku me pranimin e Islamit ishin larguar aq shumë prej saj, saqë ishin hutuar sikur po dëgjonin një gjë të re për herë të parë! Heshtjen e prishi i Dërguari i Allahut që i pyeti të pranishmit:

- Mos ka ndonjë marrëzi te Maizi?

- Jo, o i Dërguari i Allahut, - i thanë shokët, - Maizi është njeri me mend në kokë!

- A mos është i pirë?

Shokët i morën erë dhe u përgjigjën:

- Jo!

Maizi vazhdoi të këmbëngulte në pohimin e tij dhe, tashmë, i Dërguari i Allahut s'kishte më gjë në dorë. Ai u tha shokëve: "Ekzekutojeni!"

Profeti nuk mori pjesë në ekzekutuesit e Maizit me gurë. Maizi u çua në një shesh dhe filloi ekzekutimi i tij. Mbi kokën e Maizit ra një breshër gurësh. Një çast dhe ai deshi të ikte, por dikush e arriti dhe e qëlloi në kokë me një kockë të madhe nofulle kafshësh. Ajo u bë goditja e fundit që i solli vdekjen. Maizi ra. Ai kishte vdekur!

Çështja iu përcoll Profetit. Ai u prek shumë nga mënyra se si kishte përfunduar ekzekutimi dhe u tha shokëve: "A s'duhej të ma linit mua atëherë?" Maizi mund të hiqte dorë nga pohimi dhe atëherë gjendja do të ndryshonte.

Pas tri-katër ditësh, para Profetit u paraqit një grua. Ishte bashkëfajtorja e Maizit. Si Maizi, edhe ajo i tha: "O i Dërguari i Allahut, më pastro!" I Dërguari i Allahut u soll me të si me Maizin dhe, më në fund, i tha: "Shko dhe bëj pendesë!" Por gruaja këmbëngulte. Atëherë, Profeti i tha: "Ti mund të jesh shtatzënë. Ne s'mund ta prekim gjakun e atij të pafajshmit!" Dhe gruaja u largua. Kaluan muaj dhe gruaja e lindi fëmijën. Në rastin më të parë, ajo shkoi përsëri te Profeti dhe ia përsëriti kërkesën. Këtë radhë, Profeti e ktheu prapë atë duke i thënë: "Fëmija ka nevojë për gji dhe kujdes!" Gruaja u largua. Kaluan kohë, fëmija u rrit dhe u mësua të hante vetë. Atëherë gruaja shkoi përsëri te Profeti dhe i tha e vendosur: "Ja, tani s'ka më nevojë për mua! Pastromë, o i Dërguari i Allahut, dhe më shpëto nga kjo vuajtje ndërgjegjeje!" E morën gruan dhe e çuan në vendin e ekzekutimit. Ndërsa po vdiste, dukej e kënaqur dhe e lumtur! Kur dikush nga ekzekutuesit e shau tek po e qëllonte me gur, Profeti që po e vëzhgonte ekzekutimin nga larg, vrenjti vetullat dhe tha: "Vallahi, kjo grua bëri një pendesë të tillë që, po të përpjesëtohej për të gjithë popullin e Medinës, do të mjaftonte!"[9]

Pse ashtu? Sepse ajo kishte bërë një mëkat pa e parë askush, por, që llogaria të mos i mbetej për Përtej, e pati pohuar dhe e pati bartur turpin e kryer para Allahut dhe shoqërisë si një këmishë të zjarrtë gjer në çastin e ekzekutimit. Vërtet, i kishte rrëshqitur këmba dhe ishte rrëzuar, por nuk kishte hequr dorë nga kërkimi i shpëtimit te porta e fesë!

Është e pamundur t'i radhisim këtu të gjitha rregullat dhe disiplinat morale, sepse janë me qindra të tilla. Kurse ne këtu mundëm të preknim vetëm disa prej tyre. Po të mundej të radhiteshin të gjitha rregullat morale një e nga një, mund të siguroheshin prova edhe më të fuqishme për veprimtarinë mbinjerëzore të të Dërguarit të Allahut. Sepse njeriu i asaj dite ishte në kundërshtim me të gjitha rregullat morale që ekzistojnë. Kurse i Dërguari i Allahut jo vetëm i shkuli nga rrënjët të gjitha veset dhe shprehitë e këqija, por edhe nguliti në vend të tyre cilësi dhe shprehi të reja e të mira.

Edhe në edukim, i Dërguari i Allahut tregoi mrekulli dhe parashtroi një sërë parimesh themelore të edukimit, të cilat ishin të tilla që, duke u shumëzuar dhe shtuar me anë të analogjisë, mund ta përfshinin tërë njerëzimin për të gjitha kohërat. Sipas opinionit tim modest, kur t'i kemi rrokur thellësitë e mendimit dhe projektimit pas këtyre parimeve dhe ta kemi arritur mendësinë e tij, do të kemi fituar nivelin që do ta kishin zili engjëjt. Ç'e do se, siç e ka shprehur edhe Kutubi me një rast, ne jemi ende në rrugë. Profeti Musa ia shpreh kështu Allahut një habi të tijën: "O Zot! Shoh shumë njerëz që, pasi të kanë gjetur Ty dhe janë duke ecur në rrugën tënde, papritmas ndërrojnë rrugë dhe shkojnë në drejtim tjetër!" Zoti i drejtohet atij me plot urtësi dhe i thotë: "O Musa, ata kurrë nuk erdhën te Unë, nuk më gjetën dot Mua dhe nuk arritën dot gjer te Unë! Ata qenë ende rrugëtarë dhe ndërruan rrugë!" (Allahu na ruajttë nga mbetja në rrugë dhe nga ndërrimi i rrugës!) Me të vërtetë, ne nuk jemi të siguruar. Dhe askush nuk mund t'i japë tjetrit garanci se s'ka për t'u shmangur nga rruga!

Frerët e çdo gjëje janë në dorën e Allahut. Allahu që ka në dorë frerët e çdo gjëje, mos na ndaftë nga rruga e drejtë! Allahu mos na lëntë vetëm për vetëm me vetveten gjersa të mbyllim sytë!

Mes një mjedisi injorant, mes një shoqërie injorante, mes njerëzve të regjur me zakone injorante, i Dërguari i Allahut kreu një transformim madhështor e të shkëlqyer që i mahnit mendjet. Dhe ky transformim realizohet në mënyrë që ta përfshijë gjithë jetën. Ç'është e vërteta, gjatë historisë së njerëzimit janë përgatitur shumë gjeni, të cilët kanë mundur të realizojnë një sërë ndryshimesh në fusha të caktuara, por dhe të posaçme vetëm për ato fusha. Për shembull, një gjeni shoqëror, brezin e përgatitur prej tij e ka ngjitur në majë, në fushën shoqërore, për të cilën e ka përgatitur, por e ka lënë të gjymtuar në ekonomi, nuk i ka dhënë dot gjë në fushën psikologjike, nuk e ka çuar shumë para në fushën e edukimit dhe, sidomos, në fushën shpirtërore nuk i ka dhënë asgjë! Për shembull, ka dalë një tjetër gjeni dhe ka bërë një revolucion ekonomik për vendin e vet, e ka çuar shoqërinë gjer në një pikë të caktuar. Por edhe ky ka mbetur i kufizuar me kaq, në jetën shoqërore nuk e ka çuar dot shoqërinë as dhe një hap para, ndërkaq që nuk ka thënë dot asgjë për vetëkontrollin dhe vetëllogarinë. Kështu, me radhë, dikush në një fushë e dikush në një fushë tjetër, por askush nuk e ka arritur dot përsosmërinë në të gjitha unitetet e jetës. Është vetëm Profeti Muhamed që e ka përfshirë jetën me të gjitha unitetet, e ka ngjitur në maja dhe atij i është dhënë garancia se do të mbetet përjetësisht në maja! Po, ai është në majë me ekonomi, është në majë me sociologji, është në majë me artin e luftës, është në majë me vetëllogari, është në majë me aftësinë për t'i bërë të tjerët që ta pranojnë, është në majë me ngritjen e ekuilibrit botë-përjetësi, është në majë me zotërimin e sendeve dhe ngjarjeve, është në majë me kompetencën e njohjes së jetës tjetër, është në majë me çdo gjë! Në veprimtarinë edukative të të Dërguarit të Allahut, asnjë ndjenjë njerëzore s'ka mbetur e cunguar, asnjë gjë s'është nënvleftësuar, përkundrazi, çdo gjë është zhvilluar dhe njerëzve u është hapur rruga për t'u përmirësuar tërësisht. Duke e spërkatur edhe kaderi rrugën me ujë, në çdo fushë janë përgatitur njerëzit më të përsosur e më të mrekullueshëm!


[1] Buhari, Dijat, 5; Muslim, Kasame, 15, 16.
[2] Buhari, Tefsir, (59) 6; Muslim, Eshribe, 172; Ajni, Umdetu'l-Kaarii, 19/227, 228.
[3] Ibn Esir, Usdu'l-Gabe, 7/88-90; Ibni Haxher, el-Isabe, 4/287, 288.
[4] Mustedrek, 3/242-243; Ibni Haxher, el-Isabe, 2/496; Mexhmau'z-Zevaid, 9/385.
[5] Kenzu'l-Ummal, 13/541; Bejhaki, es-Sunenu'l-Kubra, 9/44.
[6] Kenzu'l-Ummal, 5/808.
[7] Në origjinal: "Xhade bi nefsihi".
[8] Ziná: adulter, marrëdhënie seksuale e jashtëligjshme, shkelje e besnikërisë bashkëshortore, kurvërim, prostitucion.
[9] Muslim, Hudud, 22, 23.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.