Shembuj nga sistemi i tij edukativ

1. Qëndrimi ndaj personit që ndyu në faltore

Buhariu dhe Muslimi na përcjellin këtë ngjarje: "Një ditë, i Dërguari i Allahut po rrinte në faltore. Brenda hyri një beduin që, ndoshta kishte për ta pyetur Profetin për ca gjëra. Por beduini më parë shkoi në një skaj të faltores dhe nisi të urinonte pranë murit. Të pranishmit nisën të thërrisnin "mos, mos!" dhe deshën të ndërhyjnë, por Profeti s'i lejoi dhe u tha: "Lëreni njeriun, mos ia pritni ujët!" Ai ishte një beduin. Ata mund ta rrihnin, por një veprim i tillë do të ishte gjithashtu veprim beduini! Pastaj Profeti u tha të pranishmëve: "Shkoni, sillni një kovë ujë e derdheni mbi vendin e fëlliqur. Uji e merr me vete urinën dhe vendi bëhet sërish i pastër!" Po, në fillim, shumica e njerëzve ishte aq beduine dhe e egër sa të përmirrte brenda faltores! Ja, nga njerëz të tillë pati nxjerrë Profeti atë bashkësi ideale shokësh e pasuesish! Kush e di, ai beduin ishte, ndoshta, Tarik bin Zijadi, Shurahbil bin Hasene ose babai i Ukbes...

2. Vlera që i jepte femrës

Periudha e paganizmit, politeizmit dhe injorancës së plotë kishte mbetur pas dhe, tashmë, çdo gjë që i përkiste asaj periudhe, tregohej e përshkruhej ose me ndjenja të hidhura, ose me mall, ose me një mënyrë ironike e tallëse. Po, kur flitej për atë periudhë, ose mblidheshin buzët, ose shprehjet mbuloheshin me buzëqeshje, ose visheshin me një rrudhje ndjenjash të brendshme. Një ditë, një person i ardhur përsëri nga shkretëtira, i pati treguar disa gjëra profetit. Në tregimin e tij ishin edhe këto kujtime: "O i Dërguari i Allahut! Unë i kam groposur vajzat e mia me duart e mia! Ja ç'më pati ndodhur me njërën. Ishte ende e vogël për të kuptuar veprimet e mia. E mora për dore dhe u largova me sa munda në shkretëtirë. Më në fund, ndala diku dhe fillova të hap një gropë. Edhe vajza gërmonte bashkë me mua gropën e vet! (Profeti ishte mbushur si një re dhe kishin filluar t'i rridhnin lot.) Kur mbaroi, u tërhoqa pak pas. Vajza e vogël shihte në gropë pa kuptuar se ç'kishte për të ndodhur. Befas e godita me shqelm në kurriz. Ajo u rrokullis brenda duke thërritur: "Baba! baba!" Profeti nisi të qante me ngashërim. Shokët nisën ta qortojnë beduinin që po e prekte kaq thellë Profetin![1] Ja, i tillë ishte njeriu i asaj periudhe! Femra nuk gëzonte as të drejtën për të jetuar! Dhe i Dërguari i Allahut u shfaq pikërisht brenda një shoqërie të tillë dhe, duke e trajtuar çdo gjë brenda vlerave të veta, edhe femrës i përftoi vlerat që i takonin. Në atë periudhë, femra shihej me përbuzje dhe nënçmohej, përzihej, nëpërkëmbej, i ati e shihte duke thartuar fytyrën dhe vajzat e lindura fshiheshin dhe mbaheshin të fshehura prej të etërve. Sigurisht që atë kohë nuk njihej statistika dhe as që ka qenë mbajtur statistikë mbi përqindjen e jetesës së femrave, por pandeh se 50% e femrave të gjalla ishin nga ato që kishin mbetur gjallë duke u mbajtur fshehur nga të etërit. Ndoshta vetëm persona me shpirt të pastër si Ebu Bekri nuk i patën vrarë vajzat e tyre. Me përjashtime të tilla, shumica, rinia e të cilëve i përkiste asaj kohe, do të ishin patjetër kriminelë të paktën të një vajze. Ja, mes një shoqërie të tillë, i Dërguari i Allahut i ngrinte femrat në vlera të larta!

Shihni se ç'ngjarje na përcjell Nesaiu prej Hz. Aishes: "Para Profetit erdhi një vajzë dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Im atë kërkon të më martojë me djalin e xhaxhait pa dëshirën time!" I Dërguari i Allahut e thirri menjëherë të atin dhe i tha: "Nuk mund ta detyrosh vajzën të martohet me dikë që nuk e do!" I ati i vajzës iu përgjigj Profetit me bindje: "Si të urdhërosh, o i Dërguari i Allahut!" Ai hoqi dorë nga vendimi i vet. Fundja, as që mund të pritej që shoku dhe pasuesi i profetit të mbante qëndrim tjetër! Ndoshta, duke ia dhënë vajzën të nipit, ai kishte dashur ta shpëtonte atë nga ndonjë vështirësi, por urdhri i të Dërguarit të Allahut ishte mbi çdo gjë! Pas fjalëve plot bindje të të atit, vajza u ngrit në këmbë dhe tha kështu: "O i Dërguari i Allahut! Qëllimi im i vërtetë nuk qe t'i dilja kundër tim eti, por të mësoja ç'urdhëronte Islami për këtë rast. Gjer ku ka të drejtë një prind t'ia japë vajzën dikujt? Ja, këtë desha ta mësoj dhe me këtë qëllim erdha këtu!"[2]

Vajza që gjer një ditë më parë shihej me përbuzje, nënçmohej dhe groposej për së gjalli, dilte para profetit dhe e kërkonte të drejtën e qetë. A mund të përdorte forcën i ati për ta detyruar të martohej me dikë? Ja, këtë pyeste ajo. Po të tregonte dikush për një ngjarje të tillë disa vjet më parë, dëgjuesit nuk do t'u besonin veshëve ose do të mendonin se rrëfyesi kishte lojtur. Mirëpo, ja që të gjitha këto po ndodhnin pas Islamit!

3. Njeriu i të kënaqurit me atë që ka

Imam Muslimi dhe Ibni Maxhe përcjellin prej Avf bin Malikut: "Një ditë ndodheshim pranë të Dërguarit të Allahut dhe bëheshim gjer 9-10 vetë. Ai na tha: "Jepni besën!" Të gjithë mbetëm të habitur. A nuk ishim ne që i kishim dhënë besën disa herë? Prandaj e pyetëm: "O i Dërguari i Allahut! Për ç'gjë të të japim besën?" Ai na u përgjigj: "Të më jepni besën se do ta adhuroni vetëm Allahun dhe nuk do të njihni zot tjetër veç Tij, se do të falni pesë kohë namaz dhe se s'do të kërkoni asgjë prej të tjerëve!"

Duke i thënë këto fjalët e fundit, e uli shumë zërin dhe dukej sikur bënte përpjekje të mos e dëgjonte kush. Mund që, po të dëgjohej, sahabet, shokët të cilëve u kërkohej të jepnin besën, të turpëroheshin. I Dërguari i Allahut ishte njeri shumë i ndjeshëm. Ai kurrë nuk e kishte kaluar masën e konfidencës me shokët.

Dhe vitet kalojnë, kurse disa prej personave që morën pjesë në atë dhënie bese, bien në varfëri. Bien në varfëri, por nuk ia zgjasin dorën askujt dhe aq të ndjeshëm tregohen në këtë drejtim, saqë, po t'u bjerë kamxhiku nga dora tek shkojnë kaluar, nuk i luten ndonjë kalimtari t'ua japë![3] Ka mundësi që pas asaj besëdhënieje, askush prej tyre nuk i ka kërkuar ndokujt qoftë edhe një gotë ujë!

Në veprën e vet "Sahih", imam Buhariu tregon: "Hakim b. Hizam erdhi te i Dërguari i Allahut dhe i kërkoi diçka. I Dërguari i Allahut ia dha. Por ai nuk u mjaftua me aq. Ai i kërkoi diçka tjetër të Dërguarit të Allahut dhe ai ia dha. Pastaj personi i kërkoi edhe diçka tjetër dhe i Dërguari i Allahut ia dha edhe atë. Mirëpo kërkesat e personit nuk kishin të mbaruar. Pasi i plotësoi disa kërkesa, i Dërguari i Allahut i tha: "Kjo botë është e ëmbël, e këndshme, e blertë. Shumica prej jush mund të jepeni pas tërheqjes së saj dhe të humbni. Po t'ju jepet diçka pa kërkuar, ju bëhet e bekuar. Por po t'ju jepet me të kërkuar, ju bëhet barrë dhe mbeteni nën detyrimin e mirënjohjes. Kurrsesi mos kërkoni!" Më vonë ky person ra në gjendje për të lypur, por as Ebu Bekri, as Omeri nuk mundën ta bënin të pranonte ndonjë gjë si sadaka, zekat apo nga plaçka e luftës. Ai thoshte "jo" dhe këmbëngulte për të mos marrë!"[4]

4. Një fragment nga periudha e injorancës

Duke i vënë gjoksin çdo zakoni të keq dhe injorant, Profeti e kthente një periudhë errësire në shekull të dritës!

Për t'i bërë dritë kësaj specifike, dëshiroj të kujtoj këtu fjalët që Xhafer ibni Ebi Talib tha para mbretit etiopian Nexhashi: "O sundimtar! Ne pinim gjak, hanim ngordhësirë, kurvëronim, vidhnim, vrisnim dhe bashkoheshim për të grabitur. I forti e shtypte të dobëtin dhe bënim sa e sa gjëra të tjera të turpshme për njeriun!.."[5] Me këto fjalë ai i tërhiqte vëmendjen mbretit se në ç'errësira ndodheshin ata para se të vinte Profeti Muhamed!

Në atë shoqëri shpërthente kiameti në një pikë ujë, dy grupe njerëzish përlesheshin dhe vriteshin me njëri-tjetrin vetëm me pretendimin se kishin të drejtë, kurvërimi kishte rrugë të hapur, vjedhja konsiderohej aftësi dhe numri i njerëzve që s'pinin alkool numërohej me gishta. Ja pra, në një shoqëri të tillë fanatike dhe tejet të egër, brenda një kohe tepër të shkurtër, ai i shkuli nga rrënjët dhe i hodhi tej të gjitha gjërat e turpshme, krejt moralin e tyre të ulët dhe, në vend të tyre, nguliti vetitë, vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, moralin e lartë! Autorë utopistë si Thomas Muri kanë përmendur vazhdimisht për model të moralit të lartë shoqërinë e republikës platonike, kurse Profeti Muhamed (s.a.s.) e kishte vënë me kohë në jetë atë shoqëri virtyti!

Nxjerrja nga një shoqëri që nuk njihte tjetër gjë veç egërsisë dhe fanatizmit në egërsi, një shoqëri që do t'i jepte njerëzimit mësime qytetërimi, ishte krejt si nxjerrja e dijeve nga errësira! Ja, këtë pati arritur Hz. Muhamedi me atë veprimtarinë e tij të mrekullueshme dhe pati treguar se ishte një person i jashtëzakonshëm e i mrekullueshëm!

Ne që nuk mundemi ta bëjmë dikë që rri me vite pranë nesh, të heqë dorë nga një ves, përkulemi më dysh para Profetit Muhamed që u pati shkulur nga rrënjët zakonet e këqija njerëzve që u patën hyrë ato zakone në gjak dhe u qenë bërë natyrë e dytë, dhe e përsërisim edhe një herë tjetër dëshmimin tonë se ai është profet i vërtetë. Po, me të gjitha qelizat e trupit bërtasim dhe themi: "Ai është i Dërguari i Allahut!"

Unë pata ngritur në përfytyrimin tim një sistem edukimi që e pata konsideruar si sistem ideal edukimi, natyrisht duke u frymëzuar prej tij dhe me burim Medineje, por kurrsesi nuk munda t'i bëj më të afërmit që ta pranonin në kuptimin e vërtetë të fjalës. Thashë virtyt, por më ra goja dhe s'nxora dot gjë. Ç'fuqi e jashtëzakonshme ishte ajo me të cilën i Dërguari i Allahut nxirrte nga egërsia qytetërim, nga vulgariteti lartësi dhe nga njerëz nomadë, njerëz të qytetëruar dhe pastaj i bënte mësues në krye të popujve! Pandeh se në ditët tona, njerëz si unë të dobët e të paaftë për t'u thënë diçka dy-tre vetëve në shtëpi, do ta kuptojnë më mirë madhështinë e Profetit Muhamed që e pati ngritur lart njerëzimin me një hop dhe që u pati zbrazur njerëzve ndër zemra frymëzimet e veta, mjafton që të mos pengohen nga paramendimet dhe kryeneçësia!..

Në atë periudhë, Islami u përhap gjer në Iran dhe në Turani. Ndërkaq, iraniani ishte nën ndikimin e një kulture tjetër, turaniani, nën ndikimin e një kulture tjetër, turku, nën ndikimin e një kulture tjetër, romaku, nën ndikimin e një kulture tjetër, kurse mesazhi i tij u përshtatej atyre sikur të ishte një rrobë e prerë dhe e qepur sipas masës së trupit të secilit prej tyre! Ja mrekullia! Fakti që ai bënte t'i shkonte fjala në të gjithë botën, ishte një mrekulli e madhe dhe është argument se ai person ishte i dërguar nga Allahu! Pra, Hz. Muhamedi ishte përfaqësues i Allahut. Kjo është ajo që duam të kuptojmë ne!

Me gjeninë e vet, një njeri mund ta zbulojë shekullin e vet. Për shembull, Aleksandri i Madh mund ta ketë njohur në një farë mase shekullin e vet, Qesari mund ta ketë kapërcyer kohën e vet, Napoleoni mund ta ketë kuptuar mirë kohën e vet, por vetëm Profetit Muhamed i ka takuar që ta bëjë mozaikun e kombeve të mëvonshëm të vendeve të ndryshme të botës t'ia dëgjojnë fjalën dhe t'i thonë "po" mesazhit të sjellë prej tij në sajë të përshtatshmërisë së atij mesazhi me konstitucionin shpirtëror të tyre. Dhe neve s'na mbetet tjetër veçse t'i themi mrekulli këtij fenomeni. Fundja, unë nuk di të ketë fjalë tjetër që ta shpjegojë dhe shprehë këtë sukses!

Jemi në pragun e shekullit XXI dhe katërmbëdhjetë shekujt që kanë kaluar, nuk kanë ndryshuar asgjë dhe mesazhi i sjellë nga Profeti Muhamed, duke e ruajtur freskinë e vet, na u pëshpërit zemrave, shpirtrave, mendjeve dhe ndërgjegjeve gjëra krejt të reja, sepse ai e pati marrë mesazhin nga Individualiteti Hyjnor që na i njeh zemrat, që na bën ta ndjejmë në ndërgjegjet. Ndryshe, paraqitja e një sistemi që t'u përgjigjet nevojave të të gjitha kohërave është diçka që i kalon mundësitë e një njeriu, kushdoqoftë ai!


[1] Darimi, Mukaddime, 1.
[2] Nesai, Nikah, 36.
[3] Muslim, Zekat, 108; Ibni Maxhe, Xhihad, 41.
[4] Buhari, Vesaja, 9.
[5] Musned, 1/201, 201.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.