Toleranca dhe Dialogu ne Kur'an dhe Sunnet
Kur'ani gjithmonë i ka miratuar mirëkuptimin dhe tolerancën si parime kryesore, aq shumë sa "shërbëtorët e të Gjithmëshirshmit" janë paraqitur në mënyrën në vijim:
E robtë e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë e, kur u drejtohen injorantët, ata thonë: "Paqe!" (el-Furkan, 25:63)
(Robtë e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet. (el-Furkan, 25:72)
Dhe kur dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: "Ne kemi veprat tona e ju tuajat…" (el-Kasas, 28:55)
Thelbi i këtyre ajeteve konsiston në faktin që ata që janë favorizuar si rob të vërtetë të Zotit, kur përballen me fjalë e shprehje të pakuptimta e të neveritshme, nuk thonë asgjë të pahijshme, por vazhdojnë në rrugën e tyre me një sjellje dinjitoze. Më shkurt, "secili vepron sipas rrugës së vet…" (el-Isra, 17:84) dhe kështu manifeston karakterin e tij apo të saj. Në karakterin e heronjve të tolerancës është mirësjellja, gjykimi dhe toleranca. Kur Zoti dërgoi Moisiun dhe Aaronin te një njeri që pretendonte se zotëronte hyjnitet, siç ishte shprehur Faraoni, Ai i urdhëroi ata që të silleshin butë dhe të flisnin me qetësi (Ta-Ha, 20:44).
Jeta e Krenarisë së Njerëzimit, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, ishte drejtuar në orbitën e mirëkuptimit e të vetpërmbajtjes. Të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe ndaj Ebu Sufjanit, i cili e persekutoi atë gjatë gjithë jetës. Gjatë pushtimit të Mekës, megjithëse Ebu Sufjani shprehej se ende nuk ishte i bindur në lidhje me Islamin, i Dërguari thoshte: "Ata që gjejnë strehë në shtëpinë e Ebu Sufjanit, janë të sigurtë, ashtu siç janë të mbrojtur ata që gjejnë strehë në Qabe. Prandaj, në respekt të strehës dhe mbrojtjes së sigurtë, shtëpia e Ebu Sufjanit ishte përmendur përkrah Qabes. Në opinionin tim modest, një tolerancë e tillë ishte më e çmueshme se tonelatat e arit që mund t'i ishin dhënë Ebu Sufjanit, një njeri rreth të shtatëdhjetave, në të cilin egoizmi dhe pasioni për të drejtuar fisin kishin zënë rrënjë.
Përveç se ishte urdhëruar të mbështetej në tolerancën, dhe dialogu të ishte në themel të misionit të tij, Profeti u ishte drejtuar edhe atyre me të cilët kishte gjëra të përbashkëta siç ishin popujt e librit (çifutët dhe krishterët):
Thuaju (o i dërguar): "O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë tjetër veç Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotër veç Allahut!" (Al-i Imran, 3:64)
Në një tjetër ajet, ata të cilët i kanë zemrat e mbushura me besim dhe dashuri janë urdhëruar të sillen me mirëkuptim dhe tolerancë edhe ndaj atyre që nuk besojnë në jetën e përtejme:
Thuaju atyre që besuan: Le t'ua falin atyre që nuk presin ndëshkimet e Allahut (pse nuk besojnë), ashtu që Ai vetë ta dënojë një popull për shkak të veprave që bën. (el-Xhathije, 45:14)
Ata që e konsiderojnë veten të drejtuar nga këto ajete, të gjithë adhuruesit e dashurisë që ëndërrojnë për t'u bërë shërbëtorë të vërtetë të Zotit thjesht sepse janë qenie njerëzore, ata që kanë shpallur besimin e tyre dhe prandaj bëhen muslimanë dhe kryejnë detyrimet e përcaktuara fetare, duhet të sillen me tolerancë dhe durim dhe të mos kundërshtojnë asgjë nga njerëzit e tjerë. Ata duhet të mbajnë qëndrimin e Junus Emreut: për të mos qëlluar mbi ata që i godasin, për të mos iu përgjigjur vrazhdë atyre që i mallkojnë dhe për të mos u mbajtur mëri atyre që i përgojojnë!
- Publikuar më .