Dialogu ne Frymen dhe Kuptimin Muhammedian

Dialogu ne Frymen dhe Kuptimin MuhammedianUnë nuk dëshiroj të mburrem dhe kam një kujtesë të dobët, por sidoqoftë mund të them përmendësh njëri pas tjetrit dhjetë ajete që përshkohen nga mirëkuptimi, dialogu dhe e bëjnë gjithsecilin të hapë zemrën për të tjerët. Kjo tregon natyrën gjithpërfshirëse ose universalitetin e Islamit.

Për shembull, Kur'ani shpall: "Pajtimi është më i dobishmi!" (en-Nisa, 4:128). Ajeti nuk është i domosdoshëm vetëm për ngjarje, kuptime dhe struktura të veçanta. Eshtë normë për të gjithë. Për më tepër, a nuk e bëjnë të qartë rrënjët e emrit "Islam" qëndrueshmërinë, nënshtrimin, paqen, sigurinë dhe besimin? Atëherë a është e mundur për ne të jemi muslimanë të vërtetë nëse nuk i shfaqim dhe pranojmë plotësisht këto karakteristika. Përveç kësaj, domethënia e këtij emri të shenjtë është një esencë që i bashkon duke i përfshirë të gjithë dhe duke afruar çdo gjë me dashuri. Por nëse ne nuk e sjellim egon tonë në këtë frymë, atëherë nuk mund të konsiderojmë se e kemi kuptuar Islamin, se e kemi dëgjuar thirrjen e tij, apo ta kemi përfaqësuar atë.

Së bashku me normat që sigurojnë paqen dhe sigurinë, në Kur'an janë gjithashtu ajetet që tregojnë qëndrimin në lidhje me kriminelët dhe njerëzit që nxisin anarkinë dhe dhunën. Për këta njerëz aty janë të ligjshme sanksionet, ndëshkimet dhe raprezaljet. Nëse në lidhje me ajetet dhe hadithet që trajtojnë këto çështje ose përfundimet e tyre, ne nuk marrim në konsideratë kushtet, nëse ne nuk ndajmë esencën nga hollësitë dhe arritjet nga synimet, nëse nuk vlerësojmë ajetet në kontekst të situatës si para ashtu dhe pasi ata janë reveluar, atëherë gjithmonë do të arrijmë në një konkluzion të gabuar.

Unë mundem të them që paqja, dashuria, mirëkuptimi dhe toleranca janë fundamentale në Islam, të tjerat janë jothelbësore. Akoma, është e nevojshme t'u japim përparësi çështjeve kryesore të Islamit në përputhje me rëndësinë e tyre. Për shembull, nëse Zoti i jep rëndësi dashurisë, nëse Ai na ka treguar që Ai i do ata të cilët e duan Atë, dhe nëse i ka dhënë një personi të cilin Ai e do më shumë, emrin "Habibullah," pra një që dashuron Zotin dhe është i dashuruar prej Tij, atëherë ne kemi për ta marrë këtë si një parim themelor. Çështjet si xhihadi kundër hipokritëve apo mosbesuesve janë të dorës së dytë dhe të domosdoshme nga rrethanat. Normat janë të lidhura me shkaqe dhe kushte të ndryshme. Nëse nuk ekzistojnë arsyet, atëherë normat nuk do të jenë të detyrueshme.

Normat në lidhje me çështje të tilla si ekzekutimi, mërgimi dhe lufta varen nga shkaqe të ndryshme. Thelbësore është shpjegimi dhe bartja e Islamit me fjalë të ëmbla dhe sjellje njerëzore. Gjithashtu, paqja, drejtësia dhe stabiliteti janë esenciale në Islam, lufta bëhet nënprodukt i rrethanave dhe varet nga disa kushte. Për fat të keq, ata që injorojnë thelbin dhe nuk marrin në konsideratë motivet për normat dhe rregullat sekondare, ata që, nga leximi i Kur'anit në të njëjtën mënyrë si të pagdhendurit zahiritë[1] i vënë theksin dhunës, këta njerëz nuk i kanë kuptuar normat, arsyet për ta ose burimet e tyre, ose ata nuk e kanë kuptuar Islamin.

Kur motivet përkatëse shfaqen, sigurisht rregullat e varura nga arsyet bëhen aktive. Për shembull, kur ushtritë armike të huaja sulmojnë vendin tonë, ne sigurisht nuk do të qëndrojmë të qetë në një qoshe dhe t'u themi atyre: "Sa mirë që erdhët!"

Ne vështrojmë botën në të cilën gjejmë vetveten! Duke iu referuar lajmeve të kohëve të fundit të botuara në një prej gazetave të përditshme, "luftrat e përgjakshme" po vazhdojnë në pesëdhjetë e gjashtë vende të globit. Ende lotët shkaktojnë përmbytje dhe gjaku derdhet në shumë pjesë të botës. Në shumë prej këtyre luftrave, në disa prej vendeve që mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut shfaqen të dy qëndrimet. Atëherë, duke kundërshtuar luftën synon të kundërshtosh një realitet njerëzor. Për këtë arsye, në momentin që dikush cënon të drejtat demokratike dhe liritë tona, ne sigurisht, do të mbrojmë vetveten dhe do të luftojmë po të jetë e nevojshme. Por siç e përmenda në fillim, këto janë gjëra dytësore. Në themel të Islamit është paqja dhe përqafimi i njerëzimit me dashuri.

Një thirrje për një fjalë të përbashkët

Një tjetër aspekt që i shërben vendosjes dhe ruajtjes së dialogut, është nevoja gjithnjë e në rritje për interesat e përbashkëta me popujt e tjerë. Në fakt, edhe nëse njerëzit me të cilët ne bisedojmë, janë çifutë apo të krishterë, ky afrim përsëri duhet të jetë adoptuar dhe çështjet që mund të na ndajnë, duhet të shmangen plotësisht. Për shembull, kur Kur'ani i bëri thirrje popullit të librit, u shpreh: "O populli i librit! Ejani me një fjalë që është e përbashkët mes nesh dhe jush!" Cila është kjo fjalë? "Të mos adhurojmë tjetër veç Zotit." Sepse liria e vërtetë është arritur vetëm nëse nuk jeton në skllavërinë e një tjetri. Kur dikush bëhet rob i Zotit, ka shpëtuar nga skllavëria prej kujdo tjetër. Prandaj të vijmë dhe të bashkohemi në këtë çështje. Kur'ani vazhdon, "Të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotër." (Al-i Imran, 3:64) Ajo që synohet këtu është që pika jonë e parë e përbashkët është besimi në një Zot, akoma nuk është përmendur fakti që Muhammedi është i Dërguari. Në një tjetër ajet: "Thuaju atyre që besuan: T'i falin ata që nuk shpresojnë në botën tjetër." Kjo konsiston në faktin që ata që nuk besojnë në botën e përtejme dhe ringjalljen pas vdekjes të jenë falur, "në mënyrë që Ai vetë ta dënojë një popull për shkak të veprave që bën," (el-Xhathije, 45:14) pra, nëse dikush është për t'u ndëshkuar, atëherë Zoti do ta ndëshkojë atë dhe me këtë çështje nuk ka lidhje askush tjetër.

Një tjetër shembull i qartë për këtë çështje ka lidhje në veçanti me Profetin tonë i cili kishte marrë një paralajmërim të butë nga Zoti në kohën që po lutej kundër disa fajtorëve paganë. Siç është treguar, një fis beduinësh arabë kërkonte që i Dërguari t'u jepte mësues për Kur'anin. I Dërguari dërgoi disa prej tyre, por ata u kishin zënë pritë dhe i masakruan në Biri Maune. Pas kësaj ndodhie, i Dërguari i Zotit u lut tek Zoti për ndëshkimin e tyre. Por Zoti reveloi ajetin në vijim:

Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t'ua pranojë Ai pendimin, apo do t'i dënojë ata. Në të vërtetë, ata janë mizorë! (Al-i Imran 3:128)

Sot kjo është në të mirë të feve anembanë botës. Në opinionin tim, shfaqja e besimit me të gjithë vlerat e tij të vërteta është bërë më e rëndësishme se kurrë më parë. Sot kjo është e nevojshme për njerëzit e virtytshëm, gjakftohtë, të matur, të sinqertë dhe me zemër të pastër, për njerëzit që nuk mendojnë ose veprojnë vetëm për vetveten, që preferojnë mirëqenien e të tjerëve përpara mirëqenies së tyre dhe që nuk mbahen me shpresat tokësore. Nëse shoqëria mund t'i edukojë njerëzit me këto cilësi, atëherë një e ardhme më e mirë do të na presë.


[1] Zahiritë: formalistë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.