Islami - Nje fe per Tolerancen
Fjala Islam është, në arabishte, e të njëjtit burim me fjalët paqëtim dhe nënshtrim. Domethëniet e tyre udhëzojnë paqen dhe gëzimin dhe sanksionojnë sigurinë dhe harmoninë.
Islami është një fe për sigurinë, qetësinë dhe paqen. Këto parime e përshkojnë jetën e muslimanëve. Kur muslimanët falin namazin, ata i presin lidhjet me këtë botë, kthehen te Zoti i tyre me besim dhe bindje, dhe qëndrojnë me vëmendje në praninë e Tij. Duke mbaruar faljen, si të jenë duke u kthyer në jetë, ata përshëndesin në të djathtë dhe në të majtë të tyre me urimin për paqe për të tjerët: “Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju!” Me një urim për siguri dhe besim, paqe dhe gëzim, ata kthehen përsëri në jetën e përditshme.
Të përshëndesësh dhe të urosh të tjerët për siguri dhe besim është një prej akteve më të dobishme në Islam. Kur e pyetën Profetin se cila vepër ishte më e çmuar në Islam, ai u përgjigj, "Të ushqesh të tjerët dhe të përshëndesësh ata që i njeh si dhe ata që nuk i njeh."[1]
Islami i akuzuar për terrorizëm
Sa e papërshtatshme është që Islami, i cili është bazuar në këtë frymë dhe kuptim, është paraqitur nga disa qarqe si sinonim i terrorizmit. Ky është një gabim i madh historik. Duke mbuluar një sistem të bazuar në sigurinë dhe besimin me vellon e terrorizmit, s'bëhet tjetër vetëm se shfaqet padituria mbi frymën e Islamit. Nëse ndonjëri është në kërkim të pamjes së vërtetë të Islamit në origjinën e tij, në histori, dhe në të dërguarit e vërtetë, atëherë ai do të zbulojë që aty nuk përfshihen ashpërsia, egërsia ose fanatizmi. Islami është një fe për mirëkuptim, falje dhe tolerancë, shprehur aq bukur nga korifejtë e dashurisë dhe tolerancës si Xhelaleddin Rumi, Junus Emre, Ahmed Jesevi[2], Bediuzzaman[3] e nga shumë të tjerë. Ata ia kushtuan jetën e tyre predikimit të tolerancës dhe çdonjëri prej tyre u bë një legjendë në kohën e tij si një personifikim i dashurisë dhe tolerancës.
Xhihadi mund të jetë një lëvizje për vetëmbrojtje ose për të larguar pengesat mes Zotit dhe njerëzve me gjykim të pavarur. Historia jonë është e mbushur me shembuj që tregojnë se si janë zbatuar në jetë këto parime.
Sigurisht që ekzistojnë rastet kur lufta është e pashmangshme, ndonëse ajetet Kur'anore mbi xhihadin që janë reveluar për kushtet e veçanta, janë përgjithësuar prej disa individëve dritëshkurtër. Ndërsa në të vërtetë lufta është një problem me rëndësi dytësore, këta miopë i kanë dhënë prioritet si një çështje thelbësore. Këta njerëz nuk e kuptojnë domethënien dhe frymën e vërtetë të Islamit. Paaftësia e tyre për të vënë në balancën e duhur çfarë është themelore dhe çfarë është dytësore, i shtyn të tjerët të arrijnë në konkluzionin që smira dhe urrejtja gjenden thellë në shpirtin e Islamit, ndërsa realisht muslimanët e vërtetë janë të mbushur me dashuri dhe mëshirë për të gjithë krijesat. Në lidhje me këtë, sa me vend janë vargjet në vazhdim:
Muhammedi ishte lindur pa dashuri; Çfarë mund të jetë krijuar jashtë dashurisë për Muhammedin?
Dashuria është esenca e krijimit
Profeti Muhammed, Krenaria e Njerëzimit, ishte një njeri i dashurisë dhe mëshirës. Ai është mbiquajtur edhe Habibullah, i dashuri i Allahut, Zotit. Për ta nxjerrë sa më qartë domethënien e këtij atributi, le të shpjegojmë se habib do të thotë i dashuruar, kurse për rastin e tij, i dashuruar pas Allahut, si dhe i dashur, kurse për rastin e tij, i dashur nga Allahu. Mendimtarët e shquar të sufizmit, si Imam Rabbani[4], Mevlana Khalidi[5] dhe Shah Velijullah[6] deklaronin që dashuria është stacioni i fundit në udhëtimin shpirtëror.
Zoti e krijoi universin si një manifestim të dashurisë së Tij për krijesat e Tij, në veçanti për njerëzimin, dhe Islami u bë struktura mbi të cilën u thur kjo dashuri. Siç thoshte Bediuzzamani, dashuria është esenca e krijimit. Ashtu si një nënë e dashur dhe e dhembshur është e detyruar të thërrasë kirurgun për të shpëtuar jetën e fëmijës së saj, xhihadi e pranon luftën, nëse është e nevojshme, për të mbrojtur të drejtat fundamentale njerëzore siç janë e drejta për jetën dhe liria e besimit. Synimi i xhihadit nuk është posaçërisht lufta.
Njëherë një mik po bisedonte me mua dhe po më thoshte: "Pa bërë përjashtime dhe duke mos marrë parasysh dallimet që ekzistojnë mes besimeve, ju mund të takoheni dhe të bisedoni me çdo njeri dhe kjo shmang tensionin mes muslimanëve dhe kundërshtarëve të mundshëm. Por është parim islam që duhet të duash ata njerëz apo gjëra që mund të jenë në rrugën e Zotit dhe të mos jesh i afërt me ata njerëz apo gjëra që mund të jenë larg nga rruga e Zotit." Në të vërtetë ky parim është keqkuptuar shpesh, sepse në Islam të gjitha krijesat janë të dashura në përputhje me principet për të qenë i dashur me rrugën e Zotit.
"I papëlqyer në rrugën e Zotit" vlen vetëm për ndjenjat, mendimet dhe atributet. Në këtë mënyrë ne duhet të distancohemi nga fenomene të tilla si imoraliteti, mosbesimi dhe politeizmi, por jo nga njerëzit që janë angazhuar në këto aktivitete. Zoti e krijoi njeriun si qenien më të lartë dhe gjithsecili, në një farë mase, ka një pjesë në këtë fisnikëri. I Dërguari i Tij u ngrit në këmbë në shenjë respekti për natyrën njerëzore kur po kalonte funerali i një çifuti. Kur në ato momente iu përkujtua se kush ishte i ndjeri, Profeti u përgjigj: "Por është një njeri," duke shfaqur vlerat që Islami i ka dhënë krijesës njerëzore.
Ky veprim tregon për respektin e madh që Profeti kishte ndaj çdo njeriu. Nën dritën e këtij akti, pjesëmarrja e disa individëve apo organizatave të vetëquajtura islame në akte terroriste nuk është në rrugën e udhëzuar nga Islami. Shkaqet e këtij terrorizmi duhet të kërkohen në veprimet individuale, në interpretimin e shtrembër të besimit dhe në faktorë apo motive të tjera. Islami nuk e mbështet terrorizmin. Atëherë, si mundet që një musliman që e ka kuptuar plotësisht Islamin, të jetë terrorist?
Nëse ne mund ta nxjerrim përmbajtjen e plotë të Islamit prej heronjve të dashurisë siç janë Nijazi Misrí[7], Junus Emre dhe Xhelaleddin Rumi, nëse mund t'i trasmetojmë mesazhet e tyre të dashurisë, dialogut dhe tolerancës tek ata që janë të etur për to, atëherë gjithsecili do të vrapojë ta përqafojë dashurinë, paqen dhe tolerancën që ne përshkruam.
Përkufizimi i tolerancës në Islam është i tillë që Profeti nuk lejonte as përgojimin e mosbesimtarëve. Për shembull, Ebu Xhehli vdiq pa e përqafuar Islamin, megjithë përpjekjet e vazhdueshme të Profetit. Mosbesimi dhe armiqësia e tij ndaj Profetit ishte në atë shkallë që Ebu Xhehli e meritonte të etiketohej si babai i injorancës dhe paturpësisë. Angazhimi i tij i vazhdueshëm kundër Islamit ishte një problem për muslimanët.
Pavarësisht nga armiqësia e shfaqur prej Ebu Xhehlit kundër Profetit, në një kuvend të sahabeve ku merrte pjesë edhe Ikrime që ishte djali i Ebu Xhehlit, Profeti një ditë qortoi njërin prej tyre pse kishte fyer Ebu Xhehlin: "Mos i lëndoni të tjerët duke kritikuar baballarët e tyre."[8] Njëherë tjetër ai tha: "Të mallkosh nënën dhe babain tënd është një mëkat i madh." Bashkëpunëtorët e pyetën: "O i Dërguari i Zotit, a mundet ndonjëri të shajë apo mallkojë prindërit e tij?" Princi i Profetëve u përgjigj: "Kur dikush shan apo mallkon prindërit e të tjerëve dhe ka marrë si përgjigje të njëjtën gjë, atëherë ai ka sharë apo mallkuar prindërit e tij!"[9]
Ndërsa Profeti i Mëshirës ishte tepër i ndjeshëm ndaj respektit për të tjerët, disa muslimanë sot e justifikojnë qëndrimin e tyre që nuk është korrekt në bazë të fesë që ata përfaqësojnë. Kjo tregon që ata nuk e kanë kuptuar Islamin, një fe në të cilën smira dhe urrejtja nuk kanë vend.
Në Kur'an spikasin mirëkuptimi dhe toleranca. Në një ajet thuhet kështu për njeriun e përshpirtshëm:
…Të cilët japin kur janë në pasje dhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit. (al-Imran 3:134)
Me fjalë të tjera, muslimanët nuk duhet të jenë hakmarrës kur përgojohen apo sulmohen. Nëse është e mundur, siç është shprehur Junusi, ata duhet të veprojnë sikur janë pa duar për të goditur, apo pa gjuhë për t'u përgjigjur dhe pa zemër për t'u zemëruar. Ata duhet ta kapërdijnë inatin e tyre dhe të mbyllin sytë për gabimet e të tjerëve. Fjalët e përzgjedhura në ajet janë kuptimplote. Kazm përkthehet kapërdimje, që fjalë për fjalë nënkupton kapërdimjen e diçkaje si gjembi, që në të vërtetë është i papërtypshëm, në këtë mënyrë tregon se nuk ka gjë më të vështirë se kapërdimja e zemërimit. Në një tjetër ajet, ndërsa përmenden veçoritë e besimtarëve, thuhet:
(Robtë e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur dinjitetin (karakterin) e vet. (el-Furkan 25:72)
Kur vështrojmë jetën e lartësuar të të Dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, e kuptojmë se ai gjithmonë ka ndjekur parimet e shprehura në Kur'an. Për shembull, një bashkëpunëtor njëherë u pendua për një mëkat dhe bëri të ditur: "Unë jam fajtor për imoralitet. Cilido që të jetë ndëshkimi, jepe atë pa mëdyshje dhe më pastro!" Princi i Profetëve i tha: "Kthehu pas dhe pendohu para Zotit që fal të gjitha mëkatet!”[10] Ky veprim u përsërit tri herë me radhë. Një herë tjetër, një bashkëpunëtor u ankua tek Profeti për një person që i kishte vjedhur sendet e tij. Ndërsa demaskimi i vjedhësit nuk ishte bërë akoma, bashkëpunëtori u shpreh: "Unë kam ndryshuar mendje dhe dëshiroj ta quaj të mbyllur këtë çështje, unë e kam falur këtë njeri. Profeti e pyeti: "Atëherë pse e bëre këtë çështje të njohur dhe nuk e fale që në fillim?”[11]
Kur shembuj të tillë janë studiuar në origjinën e tyre, është e qartë që sjelljet e atyre që veprojnë me armiqësi dhe urrejtje, që e vështrojnë çdo njeri me zemërim dhe që i etiketojnë të tjerët si të pafe, janë në kundërshtim të hapur me Islamin, fenë e tolerancës dhe dashurisë. Një musliman është një njeri me dashuri dhe mëshirë, për të cilin është i papranueshëm çdo akt terrorist dhe gjithashtu çdo shfaqje e urrejtjes apo shpirtligësisë ndaj çdo njeriu dhe gjithçkaje tjetër.
[1] Ebu Davud, Edeb, 142.
[2] Ahmed Jesevi (vd. 1166 e.r.), mistik dhe udhëheqës shpirtëror turk me origjinë nga Horasani. Nxënës i tij ka qenë Sari Salltik që e ka varrin dhe tyrben në Krujë. Nxënës të tij kanë qenë edhe poeti Junus Emre që përmendet shpesh këtu, si dhe Haxhi Bektash Veliu, themeluesi i tarikatit Bektashi.
[3] Bediuzzaman Said Nursi (1877-1960), figurë e shquar e kulturës islame në Turqi. Vepra e tij seriale titullohet Risale-i Nur (Traktatet e Dritës ose, sipas konceptualitetit teoritik filozofik perëndimor, Fletoret Filozofike), ku përfshihen vepra teorike, epistolare, komente të Kur'anit, etj.
[4] Imam Rabbani (1564?-1624), mistik i shquar.
[5] Mevlana Halid el-Bagdadi (1778-1827), mistik, anëtar i sektit Nakshibendi.
[6] Shah Velijullah (1702-1762), studiues i madh islam i shek. XVIII, specialist i hadithit, traditës profetike..
[7] Nijazi-i Misrí (1618-1694), poet mistik dhe anëtar i sektit Halveti.
[8] Hakim, el-Mustadrak, III, 241; Muttaki el-Hindi, Kenzu'l-Ummal, XIII, 540.
[9] Muslim, Iman, 145; Tirmidhi, Birr, 4.
[10] Muslim, Hudud, 17, 23; Buhari, Hudud, 28.
[11] Ebu Davud, Hudud, 14 (4394); Nesai, Sarih, 4 (8, 68); Muvatta, Hudud, 28 (2, 834).
- Publikuar më .