Edukim Nga Lindja Gjer ne Vdekje

Edukim Nga Lindja Gjer ne VdekjeDetyra dhe qëllimi kryesor i jetës njerëzore është të kërkojë kuptimin e saj. Përpjekja për ta arritur këtë, e njohur si edukim, është një proçes përsosje përmes të cilit ne fitojmë në dimensionet shpirtërore, intelektuale dhe fizike të qenies sonë, pozitën e caktuar për ne si modeli perfekt i krijimit. Në lindje, nisja e fazës tokësore të udhëtimit tonë prej botës së shpirtrave në përjetësi, ne jemi plotësisht të pafuqishëm dhe në mënyrë të skajshme nevojtarë. Në të kundërt, shumica e kafshëve vijnë në këtë botë si të maturuar ose sikur janë perfeksionuar më parë. Brenda pak orëve, ditëve ose muajve, ata mësojnë gjithçka të nevojshme për mbijetesën e tyre, ashtu edhe si të vendosin lidhje me mjedisin dhe me krijesat e tjera. Për shembull, zogjve ose bletëve për të fituar pjekurinë dhe të gjithë aftësitë fizike dhe sociale u nevojiten njëzet ditë. Ne na nevojiten njëzet vjet apo më shumë për të arritur një nivel të krahasueshëm pjekurie.

Ne kemi lindur të pafuqishëm si edhe të paditur për ligjet e jetës dhe duhet të këlthasim për të marrë ndihmën që na nevojitet. Pas një viti apo më shumë, ne mund të qëndrojmë në këmbët tona dhe të ecim nga pak. Kur ne jemi rreth të pesëmbëdhjetave, shpresojmë të kemi kuptuar ndryshimin midis të mirës dhe të keqes, të dobishmes dhe të dëmshmes. Megjithatë, e tërë jeta jonë do të shkojë në kërkim të përsosjes intelektuale dhe shpirtërore. Detyra jonë kryesore në jetë është të fitojmë përsosjen dhe pastërtinë në mendimin, këndvështrimin dhe besimin tonë. Nga përmbushja e detyrimit tonë si shërbëtorë të Krijuesit, Ushqyesit dhe Kujdestarit, dhe nga depërtimi në të fshehtën e krijimit përmes mundësive dhe aftësive tona, ne kërkojmë të arrijmë në pozitën e krijesës njerëzore të vërtetë dhe të bëhemi të denjë për një lumturi, që është jeta e amshuar në botën tjetër të lartësuar.

Natyra jonë njerëzore është drejtpërsëdrejti në përpjestim me pastërtinë e emocioneve tona. Megjithëse, ata që janë plot me ndjenja negative dhe shpirtrat e të cilëve janë ndikuar nga egoizmi, shfaqen si krijesa njerëzore, është e dyshimtë nëse ata janë me të vërtetë njerëz. Pothuajse çdo njeri mund ta drejtojë trupin e tij, por pak mund t'i edukojnë mendjet dhe ndjenjat e tyre. E para krijon një trup të shëndoshë, ndërsa e dyta krijon njeriun spiritual.

Aftësitë tona të bashkëlindura dhe edukimi

Prej kohës së Ibn Miskavajhit[1], aftësitë njerëzore ose "energjitë" kanë qenë ndarë në tre kategori: arsyeja, zemërimi dhe lakmia. Arsyeja përfshin kapacitetet tona të perceptimit, kuptimit, imagjinatës, kalkulimit, kujtesës, mësimit e kështu me radhë. Zemërimi mbulon mundësinë tonë për vetëmbrojtje, të cilën jurisprudenca islame e përcakton si diçka të nevojshme për mbrojtjen e besimit dhe fesë tonë, urtësisë, pasurive, jetës, familjes dhe vlerave të tjera të shenjta. Kurse lakmia emërton forcën e orekseve tona kafshërore:

Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmve, ndaj grave, ndaj djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote…. (Al-i Imran, 3:14)

Këto dhunti gjenden tek çdo krijesë, ndonëse dëshirat, inteligjenca, vendosmëria për të mbrojtur jetën dhe territorin, janë dhunti të posaçme vetëm për qeniet njerëzore. Çdo njëri prej nesh është pajisur veçmas me vullnet të lirë dhe obligim konsekuent për të disiplinuar fuqitë e veta. Kjo luftë për disiplinim përcakton natyrën tonë njerëzore. Në bashkim me njëra-tjetrën dhe në përputhje me rrethanat, aftësitë tona janë shpesh të shprehura përmes xhelozisë, urrejtjes, armiqësisë, hipokrizisë dhe mburrjes. Gjithashtu këto duhet të jenë disiplinuara.

Krijesat njerëzore nuk përbëhen vetëm nga trupi dhe mendja. Çdo njëri prej nesh ka një shpirt që duhet të ndjejë kënaqësi. Pa këtë, ne nuk mund të gjejmë lumturinë e vërtetë ose të arrijmë përsosjen. Kënaqësia shpirtërore është e mundur vetëm përmes dijeve për Zotin dhe besimit tek Ai. Të kufizuar me botën fizike, vetja jonë trupore e veçantë, koha dhe hapësira mund të ndjehen si një burg. Ne mund t'i përvidhemi këtij burgimi përmes besimit dhe adhurimit të rregullt dhe duke u përmbajtur nga ekstremet ndërsa shfrytëzojmë aftësitë dhe kapacitetet tona. Ne nuk duhet të kërkojmë të shkatërrojmë dhuntitë tona, por, më saktë, të përdorim vullnetin tonë të lirë për t'i përmbajtur dhe pastruar ato, për t'i adresuar në drejtim të virtytit. Për shembull, ne nuk shpresojmë të eliminojmë epshin, por ta përmbushim atë në mënyrë të ligjshme nëpërmjet riprodhimit. Lumturia mbështetet në kufizimin e epshit tonë në kufijtë e ligjshëm të turpit dhe pastërtisë morale dhe jo në tërheqjen e shthurjes dhe çoroditjes.

Në të njëjtën mënyrë, xhelozia mund të jetë kanalizuar në rivalitetin e lirë të zilisë pozitive që na frymëzon ne për t'u matur me ata që shquhen për mirësi dhe vepra të lavdërueshme, duke vënë në zbatim disiplina të përshtatshme për të arsyetuar rezultatet tona në fitimin e njohurive dhe në fund fare, për mirëkuptimin dhe urtësinë. Pastrimi dhe trajnimi i zemërimit çon në bindje dhe vetëpërmbajtje. Disiplinimi i pasionit dhe i dëshirave tona i jep udhë pastërtisë morale.

Nëse çdo virtyt është menduar të jetë në qendër të një rrethi, dhe çdo veprim jashtë qendrës është menduar të jetë një ves, atëherë vesi bëhet i madh nëse ne lëvizim shumë larg prej qendrës. Çdo virtyt si pasojë ka vese të mundshme të panumërta meqë aty është vetëm qendra e një rrethi, por me numër të pakufizuar pikash rreth tij. Eshtë e parëndësishme në cilin drejtim ndodh shmangia, por shmangia nga qendra në çfarëdo drejtimi qoftë është një ves.

Dy janë ekstremet në lidhje me çdo virtyt moral: dobësia ose tepria (deficenca ose eksesi). Dy ekstremet lidhur me urtësinë janë budallallëku dhe finokëria. Për guximin janë burracakëria dhe nxitimi dhe, për pastërtinë morale, janë plogështia dhe zilia e pakontrolluar. Prandaj përsosmëria e një personi, qëllimi themelor i ekzistencës sonë, mbështetet në mbajtjen e kushteve të balancës dhe maturisë në mes dy ekstremeve në lidhje me çdo virtyt. Ali ibn Ebu Talibi ka thënë:

Zoti i ka dalluar engjëjt nga intelekti pa dëshira seksuale, pasione apo zemërim, dhe kafshët me zemërim dhe dëshira pa intelekt. Ai i ka lartësuar krijesat njerëzore duke u falur atyre të gjitha këto cilësi. Prandaj, nëse intelekti i një personi mbizotëron dëshirat dhe egërsinë e tij, ai ngrihet në një pozitë mbi engjëjt, sepse kjo pozitë është arritur nga një krijesë njerëzore me gjithë ekzistencën e pengesave që nuk i shqetësojnë engjëjt.

Përparimi i një komuniteti është i mundur vetëm nga ngritja e gjeneratës së re në nivelin e natyrës njerëzore, jo nga asgjësimi i atyre që janë në udhë të gabuar. Përveç farës të krijuar me besim, traditë dhe vetëdije historike dhe të mbjellë anembanë vendit, atje ku nuk çrrënjoset e keqja, do të shfaqen dhe rriten edhe elementët e rinj të këqinj.

Kuptimi dhe vlera e vërtetë e edukimit

Edukimi nëpërmjet mësimit dhe drejtimi në një rrugë të lavdërueshme të jetës është një detyrë sublime që është tregues i emrit hyjnor Rabb (Edukator dhe Kujdestar). Nga përmbushja e kësaj detyre, ne do të jemi të aftë për të arritur pozitën e natyrës njerëzore të vërtetë dhe të bëhemi një element i dobishëm për shoqërinë.

Edukimi është jetik për shoqërinë dhe individët. Së pari, natyra jonë njerëzore është në proporcion të drejtë me pastërtinë e emocioneve tona. Ndonëse ata që janë mbushur me ndjenja të këqija dhe shpirtrat e të cilëve janë ndikuar nga egoizmi ngjajnë të jenë krijesa njerëzore, është e diskutueshme nëse janë vërtet të tillë. Pothuajse çdo njeri mund ta trajnojë veten fizikisht, por pak mund ta edukojnë mendjen dhe ndjenjat e tyre. Së dyti, përparimi i një komuniteti është i mundur vetëm nga ngritja e brezave që vijnë, në rangun e natyrës njerëzore, jo nga zhdukja e të këqijve. Përveç farërave të fesë, vlerave tradicionale dhe vetëdijes historike që janë mbjellur anembanë vendit, elementët e rinj negativë do të rriten pashmangshmërisht atje ku nuk është çrrënjosur e keqja.

E ardhmja e një kombi varet në rininë e tij. Çdo popull që dëshiron të sigurojë të ardhmen e tij, ashtu siç përkushtohet ndaj fushave të tjera, duhet të harxhojë sa më shumë energji për të rritur brezin e ri. Një komb që lë pas dore rininë e tij, që i braktis ata për hir të ndikimeve kulturore të huaja, vë në rrezik identitetin dhe është subjekt i paqëndrueshmërisë politike dhe kulturore.

Arsyet pse ne jemi të aftë për të vëzhguar indulgjencën në vese në gjeneratën e sotme si edhe paaftësinë e disa administratorëve dhe konfliktet e ngjashme mbarëkombëtare, mund të gjenden në rrethanat mbizotëruese dhe në elitën qeverisëse të 25 vjetëve përpara. Gjithashtu, ata që janë kujdesur për edukimin e brezit të ri në ditët e sotme, do të jenë përgjegjës për veset dhe virtytet që do të shfaqen në 25 vitet e ardhshme. Ata që duan të parashikojnë të ardhmen e një kombi, mund ta arrijnë këtë gjë me përpikmëri duke i dhënë arsimim dhe edukim të plotë brezit të ri. Jeta "e vërtetë" është e mundur vetëm nëpërmjet dijeve. Prandaj, ata që lënë pas dore arsimimin dhe dituritë, duhet të vlerësohen si krijesa të "vdekura," edhe nëse janë në jetë. Ne jemi krijuar për të mësuar dhe për të shprehur me të tjerët çfarë kemi përvetësuar.

Marrja e vendimeve të drejta është e kushtëzuar në zotërimin e një mendjeje të shëndoshë dhe në të qenët i aftë për mendimin e pakontestueshëm. Shkenca dhe njohuritë ndriçojnë dhe zhvillojnë mendjen. Për këtë arsye, një mendje e privuar nga shkenca dhe dijet nuk mund të marrë vendime të drejta. Ajo është gjithashtu e ekspozuar ndaj gabimit dhe subjekt për të qenë e mashtruar.

Ne jemi krijesa njerëzore të vërteta vetëm nëse mësojmë, edukohemi dhe frymëzojmë të tjerët. Eshtë e vështirë që të vlerësosh ata që janë të paditur dhe nuk kanë dëshirë për të mësuar si njerëz të vërtetë. Gjithashtu është e diskutueshme nëse njerëzit e shkolluar që nuk përtërijnë dhe reformojnë veten me qëllim që të sjellin një shembull për të tjerët, të jenë krijesa njerëzore të vërteta. Statusi shoqëror dhe meritat e fituara përmes dijeve dhe shkencës lartësohen dhe bëhen më të qëndrueshme nga ato që arrihen nëpërmjet rrugëve të tjera.

Duke i dhënë një rëndësi të madhe mësimit dhe diturive, ne duhet të përcaktojmë se çfarë është për t'u mësuar dhe ditur, kur dhe si duhet ta bëjmë këtë. Ndonëse dituria është një vlerë në vetvete, qëllimi i të mësuarit është për t'i bërë dijet udhërrëfyese të jetës dhe, për të ndriçuar rrugën e përsosjes njerëzore. Prandaj, çdo njohuri që nuk përvetësohet është një përgjegjësi për atë që mëson dhe një shkencë që nuk e drejton njeriun drejt qëllimeve të larta, është një mashtrim.

Por dija e fituar për një qëllim legjitim është një burim i pashterueshëm bekimesh për atë që mëson. Ata që posedojnë një burim të tillë, zbulohen gjithmonë nga njerëzit si një burim me ujë të ëmbël, dhe janë të aftë ta drejtojnë popullin për mirë. Dija, e kufizuar me teori boshe dhe pjesë të papërvetësueshme nga ata që mësojnë, e cila zgjon dyshime në mendje dhe errëson zemrat, është një "grumbull plehrash" rreth së cilës zhgërryen shpirtrat e dëshpëruar dhe të çoroditur. Prandaj, shkenca dhe dijet duhen kërkuar për të zbuluar natyrën e krijesës njerëzore dhe të fshehtat e krijimit. Çdo njohuri, edhe "shkencore," është e ligjshme vetëm nëse hedh dritë mbi misteret e natyrës njerëzore dhe ndriçon hapësirat e errëta të ekzistencës.

Familja, shkolla dhe mjedisi

Njerëzit që duan të garantojnë të ardhmen, nuk mund të jenë indiferentë për edukimin e fëmijëve të tyre. Familja, shkolla, mjedisi dhe mjetet e komunikimit masiv duhet të bashkëpunojnë të gjithë për të siguruar rezultatin e dëshiruar. Kundërshtimi i tendencave midis këtyre institucioneve jetike do t'i kushtëzojë të rinjtë në influencat kontradiktore, të cilat do t'i shpërqëndrojnë dhe shpërhapin energjitë e tyre. Në veçanti, mjetet e komunikimit masiv duhet të kontribuojnë në edukimin e brezit të ri duke ndjekur edukimin politik të miratuar nga komuniteti. Shkolla duhet të jetë sa më e përsosur në respekt të programit mësimor të saj, të standarteve morale dhe shkencore të mësuesve dhe të kushteve të saj fizike. Një familje duhet të krijojë atmosferën dhe ngrohtësinë e nevojshme në të cilën rriten fëmijët.

Në shekujt e parë të Islamit, mendjet, zemrat dhe shpirtrat përpiqeshin të kuptonin se çfarë miratonte Zoti i qiejve dhe tokës. Çdo kuvendim, diskutim, marrëdhënie dhe eventualitet ishte drejtuar në këtë qëllim. Dhe si rezultat, kushdo që i përmbahej kësaj rruge, merrte vlerësime të drejta dhe energji nga mjedisi që e rrethonte. Dukej sikur gjithçka ishte si një mësues që duhej të përgatiste mendjet dhe shpirtrat e individëve dhe të zhvillonte aftësitë e tij ose të saj për të arritur një nivel të lartë në shkencën islame. Shkolla e parë në të cilën ne marrim edukimin e nevojshëm për të qenë të përsosur, është vatra familjare.

Vatra familjare ka një rëndësi jetike për rritjen e një gjenerate të shëndetshme dhe sigurimin e një sistemi shoqëror ose të një strukture të shëndoshë. Kjo përgjegjësi vazhdon gjatë gjithë jetës. Përshtypjet që marrim nga familjet tona nuk mund të fshihen deri në fund të jetës sonë. Për më tepër, mbikqyrja e familjes mbi fëmijën në shtëpi, lidhur me fëmijët e një barku tjetër dhe lodrat, vazhdon në shkollë në lidhje me shokët e fëmijës, librat dhe vendet e vizituara. Prindërit duhet t'i ushqejnë mendjet e fëmijëve të tyre me njohuri dhe shkencë përpara se ato t'u jenë pushtuar nga gjërat e padobishme, sepse shpirtrat pa të vërteta dhe dije janë fusha ku kultivohet dhe rritet e keqja.

Fëmijët mund të marrin një edukatë të mirë në shtëpi vetëm nëse jeta familjare është e shëndoshë. Prandaj, bashkëshortët duhet të marrin përsipër ndërtimin e një vatre familjare të ngrohtë dhe kështu t'i kontribuojnë, qëndrueshmërisë së kombit të tyre në veçanti dhe njerëzimit në përgjithësi. Paqja, lumturia dhe siguria në vatrën familjare vendosen me bashkëpunimin reciprok të bashkëshortëve në mendim, moral dhe besim. Çiftet që vendosin të martohen, duhet ta njohin mirë njëri-tjetrin dhe të respektojnë më shumë pastërtinë e ndjenjave, dëlirësinë, ndershmërinë dhe virtytet, se sa pasurinë dhe bukurinë fizike. Djallëzia dhe paturpësia e fëmijëve reflekton atmosferën në të cilën ata janë rritur. Jeta e një familjeje jofunksionale pasqyrohet gjithjë e më shumë në shpirtrat e fëmijëve dhe, për pasojë, në shoqëri.

Në familje, anëtarët më të rritur duhet t'i trajtojnë më të vegjlit me dhembshuri dhe të rinjtë nga ana e tyre të tregojnë respekt për më të moshuarit. Prindërit duhet të duan dhe respektojnë njëri-tjetrin dhe të sillen ndaj fëmijëve të tyre me dhembshuri, duke marrë në konsideratë ndjenjat e tyre. Ata duhet t'i trajtojnë të gjithë fëmijët në të njëjtën mënyrë pa diskriminuar asnjërin prej tyre. Nëse prindërit i inkurajojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të jenë të dobishëm për veten dhe komunitetin, atëherë ata i kanë dhënë kombit një mbështjetje të re të fuqishme. Nëse ata nuk kultivojnë ndjenjat e duhura tek fëmijët e tyre, ata lëshojnë akrepa në komunitet.

Shkolla dhe mësuesi

Një shkollë mund të krahasohet me një laborator, ajo ofron një eliksir që mund të pengojë ose të shërojë sëmundjet e jetës. Ata që kanë njohuritë dhe mençurinë për të përgatitur dhe administruar këtë eliksir, janë mësuesit.

Shkolla është vendi për t'u arsimuar, ku mësohet gjithçka në lidhje me këtë botë dhe me tjetrën. Ajo mund të hedhë dritë mbi qëllimet e domosdoshme për jetën dhe eventualitetet, dhe u mundëson studentëve të kuptojnë natyrën e tyre dhe faktorin njerëzor. Një shkollë, gjithashtu, mund të hapë shpejt rrugën për të zbuluar domethënien e gjërave dhe të ngjarjeve, si rrjedhim e drejton studentin tek mendimi dhe shqyrtimi tërësor. Në thelb, një shkollë është një vend adhurimi; "drejtuesit e shenjtë" janë mësuesit.

Mësuesit e vërtetë mbjellin farën e pastër dhe e ruajnë atë. Ata e okupojnë veten me çfarë është e mirë dhe e moralshme, dhe i drejtojnë dhe udhëheqin fëmijët në jetë dhe në çdo ngjarje që mund të përfshihen. Që një shkollë të jetë një institucion i vërtetë edukimi, studentët duhet së pari të jenë të pajisur me një ideal, një dashuri për gjuhën e tyre dhe të dinë se si ta përdorin atë në mënyrë sa më efektive. Ata duhet të zotërojnë një moral të pastër dhe vlera njerëzore të përjetshme. Identiteti i tyre shoqëror duhet të ndërtohet në këto themele.

Edukimi është i ndryshëm nga shkollimi. Shumë njerëz mund të mësojnë, por vetëm shumë pak mund të edukohen. Komunitetet e krijuara me individë pa ideale të larta, sjellje të mirë dhe vlera njerëzore, janë si individët e paqytetëruar që nuk kanë besnikëri në miqësi ose qëndrueshmëri në armiqësi. Ata që u besojnë atyre janë gjithmonë të zhgënjyer dhe ata që mbështeten tek ta, herët ose vonë do të gjenden pa këtë mbështetje. Rruga më e mirë për ta pajisur veten me vlera të vërteta është një edukim fetar i shëndoshë.

Mbijetesa e një komuniteti varet në idealizmin dhe moralin e pastër, si dhe në aftësinë për të arritur nivelin e nevojshëm në progresin shkencor dhe teknologjik. Për këtë arsye, duhet të përvetësohen mjeshtëria dhe profesioni, duke filluar së paku në nivelin elementar. Një shkollë e mirë nuk është një ndërtesë ku është dhënë vetëm teori, por një institucion ose laborator ku nxënësit janë përgatitur për jetën.

Durimi dhe këmbëngulja kanë një rëndësi të madhe në edukim. Edukimi i njerëzve është shumë i shenjtë por gjithashtu shumë i vështirë, një mision në jetë. Me qëllim që të japin një shembull të mirë personal, mësuesit duhet të jenë mjaft të duruar për të arritur rezultatet e dëshiruara. Ata duhet t'i njohin mirë studentët dhe t'i drejtojnë intelektet, zemrat, shpirtrat dhe ndjenjat e tyre. Rruga më e mirë për t'i edukuar njerëzit është të shfaqësh një lidhje të veçantë me çdo individ, duke mos harruar që çdo individ është një "botë" e ndryshme.

Shkolla i përgatit nxënësit që të mund të lexojnë, mendojnë dhe flasin si brenda, dhe jashtë saj. Për këtë arsye, ndonëse duket sikur ajo ka zënë vetëm një pjesë të jetës, në të vërtetë shkolla dominon të gjitha kohët dhe ngjarjet. Për pjesën tjetër të jetës së tyre, nxënësit ripërsërisin çfarë kanë mësuar në shkollë dhe vazhdojnë të ndikohen nga kjo eksperiencë. Mësuesit duhet të jenë të aftë të gjejnë një rrugë për zemrat e studentëve dhe të lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen e tyre. Ata duhet të verifikojnë informacionin që ka kaluar tek studentët nga përpunimi në mendjen e tyre dhe nga prizmi i zemrave të tyre. Një mësim i mirë është më shumë se një informacion i dobishëm apo një aftësi praktike. Ai duhet t'u jepet nxënësve në praninë e së panjohurës. Kjo u mundëson studentëve të fitojnë një vizion të thellë për realitetin e gjërave dhe ta shohin çdo ngjarje si një shenjë të botës së padukshme.


* Ky artikull është nxjerrë nga shkrimet e Gylenit të publikuara në revistën Sizinti, mars 1981-qershor 1982, nr. 26-41.

[1] Ibn Miskavajh (930-1030), moralist, filozof dhe historian musliman. Vepra e tij moraliste, Tahdhib el-Ahlak, ka qenë e ndikuar nga Aristoteli. Kurse vepra e tij historike që përshkruan rënien e kalifatit abasit, titullohet Kitabu'l-Umam ve Taakub el-Himam.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.