Nje Levizje Origjinale ne Modelin e Vet

Në këtë artikull unë dëshiroj të diskutoj për një legjendë. Të flas për të, është një detyrim dhe, për pasojë, është e vështirë të gjej fjalët e duhura. Megjithatë, unë dua të di nëse është e mundur ta përshkruash me një artikull një lëvizje të rëndësishme rigjallëruese, një lëvizje që ka lulëzuar në çdo pjesë të botës, ka çelur sythe, duke nxjerrë filiza dhe fidanë. Unë mendoj se jo.

Njohja ime është vetëm nga regjistrimet që kam parë në video. Dëshmitë e mia mbështeten vetëm në ato që kam dëgjuar. Kufijtë e penës sime janë aftësitë e mia për të kuptuar. Unë nuk e di se çfarë periudhe i përkasin ngjarjet e nënkuptuara. As nuk mund të shprehem se çfarë mund të jetë thënë në ato rrethana! Gjithçka unë mund të bëj për ta përshkruar këtë, do të jetë si dikush që orvatet të përshkruajë trëndafilat dhe lulet, siç janë në të vërtetë, vetëm pasi ka parë një tablo me to.

Por misioni im i ngjan më shumë një përpjekjeje për të përshkruar modelin, formën dhe rëndësinë e veçantë të çdo luleje dhe trëndafili në një kopësht thjesht nga vështrimi në një pikturë i një luleje pa jetë. Kopshtet me lule dhe trëndafila nuk mund të përshkruhen në këtë mënyrë. Nëse është e mundur, unë besoj që dikush duhet të guxojë të flasë në emër të fenomenit të epokës, për të gjallëruar njerëzit në formë dhe në ndërgjegje. Nëse disa njerëz pranë Zotit do të frymëzohen nga ky artikull, unë atëherë mendoj se ia kam arritur qëllimit.

Pavarësisht se në ç'mënyrë kuptimplote dhe elegante, më e rëndësishme është që ky fenomen i rëndësishëm i epokës është treguar. Ajo duhet treguar në fund të fundit që ne të lëmë një gjurmë në histori dhe të tregojmë respektin tonë për ata njerëz të devotshëm që kryen vepra të tilla heroike. Nëse, në njërën anë, ky fllad i lehtë, kjo atmosferë e ngrohtë, ky mendim i kthjellët, kjo dashuri dhe erërat njerëzore të ndjera anembanë globit do të përshkrueshin shumë shkurt, kjo do të ishte mungesë respekti në drejtim të cilësive fisnike, të tilla si zemërgjerësia dhe altruizmi.

Kjo lëvizje është një fenomen për t'u shkruar dhe nënvizuar. Një dyzinë njerëzish të pasionuar spikasin në të gjitha drejtimet, për hir të Zotit, pa u ndalur për të menduar rreth dëshirave ose ndjenjave të tyre për shkëputje dhe pa shqiptuar fjalët "vende të huaja" ose " vende të panjohura" në një kohë kur askush nuk mund të hulumtojë se çfarë shtrihet përpara. Ata ishin plot vendosmëri, me synim të sigurt dhe të mbështetur në forcat e tyre. Ata ndrydhnin dashurinë e tyre për vendin dhe atdheun, duke e zëvendësuar atë me një dashuri për misionin që kishin ndërmarrë. Ata ishin të vetëdijshëm për përpjekjet e tyre për kauzën e Zotit, sado të vogla që të ishin, jetonin si të tillë dhe ecnin nga lindja në perëndim duke thënë:

Ne kemi hyrë në udhën e dashurisë,
Ne jemi të djegur.
(Nigari)[1]

Në periudhën më me plot ngjyra të jetës së tyre, kur kënaqësitë tokësore dhe objektivat materialë i tërhiqnin të rinjtë me një joshje të papërballueshme dhe kur fizikaliteti mbyste zemrën dhe mendjen e një njeriu, ata fluturonin ngado virtualisht me një pasion që frenonte dëshirat dhe detyrimet e ndryshme, për të realizuar misionin: stimuli në radhë të parë gjendej në zemrat e tyre! Ky fluturim nuk ishte si nisja e lektisjes rinore që ndiqte një sirenë të rreme që kishte hyrë në jetët e tyre në një kohë të pavolitshme. Për ata të rinj që i kërkonin ëndrrat e tyre për një jetë, që treteshin nga dashuria, të pashpjegueshëm për natyrën e tyre, akoma të pafuqishëm për të arritur synimin e dëshiruar, misioni i këtyre të rinjve ishte nga zemra dhe bazohej në emocionet, në vetëdijen dhe vendosmërinë, ai kishte thellësinë e një besimi të pastër dhe të sinqertë.

Ju mund të thoni që kjo ishte dinamika e zakonshme e besimit, kushtet e natyrshme të ambicjes hyjnore, idealet e adhuruesve, treguesit e Dritës së Pafund ose përpjekjet e atyre që kishin braktisur veten dhe të dashurit me qëllim që të shprehnin vetveten. Në të vërtetë, ata as nuk u ishin shmangur dobësive të tyre dhe as ishin dorëzuar para pengesave në rrugën që ndiqnin. Ata shkonin në skajet më të largëta të botës vetëm pse dashuria e pavenitur në zemrat e tyre bëhej favor i Zotit dhe ambicje për ta takuar Atë. Ata ecnin dhe rrugët krenoheshin me këtë, engjëjt gëzoheshin me ta dhe, natyrisht, djajtë u binin me grusht kraharorëve të vet! Ata ecnin, nuk kishin as kuaj, as makina, as armë, as municion. Burimi i tyre i energjisë ishte besimi i jashtëzakonshëm dhe stimuli në zemra që vlonte si magmë, në horizont ishte lumturia e natyrës njerëzore, harmonia dhe kënaqësia.

Fati i tyre ishte i njëjtë me bashkëpunëtorët dhe ndjekësit. Menjëherë pas agimit ata fituan, me dëlirësinë dhe pastërtinë e tyre, në një mënyrë që ishte e njëjtë në ngjashmëri me engjëjt. Ata bëhen temë e legjendave dhe nuk shuhen kurrë nga kujtesa. Ata çuan lumenj drite nga përjetësia kudo ku shkuan. Ata ndezën një zjarr ngado, flaka, prushi dhe tymi i këtij zjarri ishte lumturia. Magjia e tiranisë dhe errësirës u zbulua. Diskutimeve pa besim u ishte prishur gjumi dhe errësira ankohej parreshtur. Gënjeshtrat, shpifja dhe intriga ishin ndaluar edhe një herë tjetër. Të gjitha këto, i bënë arrogantë mendimin e pagdhendur dhe fanatizmin e padurueshëm me dëshirën për të shkelur mbi idetë e tjera dhe për t'i ngritur kurthe besimit. Megjithatë, i gjithë kundërshtimi kishte dështuar: drita ndriçonte ngado. Drita që buronte nga përjetësia, shpërndahej në të tërë botën. Tani ishte koha dhe epoka e shpirtrave të ndritshëm, megjithëse mbizotëronte akoma situata e turbullt dhe horizontet ishin të mjegulluara, por magjia e errësirës dhe mendimi i pagdhendur ishin tashmë të rrënuar.

Tani ishin kthyer për të folur shpirtrat e ndritshëm. Natyra njerëzore duhet të zbulonte vetveten përmes tyre dhe të zinte vendin që i takonte në hierarkinë e krijesave. Prandaj ajo ishte një gjeneratë që kishte pritur gjatë. Meqenëse njerëzit kishin qenë në pritje të tyre, kudo ku ata shkonin, gjithmonë pritja dyfishohej si pasojë e adhurimit të tyre për Zotin dhe respektit për njerëzimin, sytë e tyre fiksoheshin në rrugën e hyrjes për tek Hirploti, kokulur dhe të përvuajtur, duke pritur momentin kur do të lëshoheshin rrëketë e dritës, ndërsa kokat dhe këmbët e tyre preknin tokën. Pavarësisht se si e vlerësojnë sot njerëzit çështjen, ata janë fëmijët e së nesërmes, e ardhmja e ndritur zhbiron sekretet e tyre. Këta njerëz me fat, që ishin apostujt e ringjalljes, çdonjëri në rrugën e tij, mbajtën në duar lulet e miqësisë dhe ajetet për vëllezërit dhe motrat në buzët e tyre.

Gjuhët e tyre, më të mprehta edhe se shpatat, ishin ushqyer nga ujëvarat kur'anore dhe fjalët që shqiptonin kishin dimension hyjnor. Këta fjalë shkatërruan errësirën, por nuk dëmtuan askënd. Ata sollën kumbimin e lumenjve të parajsës brenda kufijve të dëgjimit, por nuk u drejtuan te një mall për parajsën. Në fakt, këta njerëz nuk kishin nevojë për duar dhe gjuhë. Fytyrat e tyre të pastra që përkujtonin Zotin kudo ku ishin parë, ishin më magjike, se fjalët çalamane, në praninë e domethënieve që buronin nga sjellja e tyre, dhe gjuhët heshtnin.

Dhe hijet e tyre digjnin gojët e natës jo për të lavdëruar dritën e tyre, e cila verbonte këdo që afrohej. Ne me plot të drejtë themi: "Gjuhët dhe fjalët nuk kanë asgjë për të shprehur në prani të aksioneve. Kur flasin sjelljet, a ka nevojë për ligjërata?" Ata janë përfaqësuesit e kësaj të vërtete. Gjithmonë ka njerëz të mirë në tokë, megjithatë, qëndrimet dhe fjalët e këtij grupi të vonshëm janë krejtësisht të ndryshme. Unë me forcë mund të them që ata ishin të rrallë ose të veçantë, por nëse prisni që t'ju shpjegoj se si ishin, unë nuk jam në gjendje që të përgjigjem menjëherë. Unë mbase do të thoja: "Ata ngjanin me engjëjt"! Dhe asgjë më shumë se kaq!

Kudo ku shkojnë shpirtrat e ndritshëm, shkretëtirat kthehen në kopshte të Edenit, Parajsës, në sajë të dritës që rrezatojnë. Thëngjijtë janë transformuar në diamante. Cilësitë e baltës dhe gurit janë ngjitur në nivelin e arit dhe argjendit. Dhe gjithsecili është duke biseduar rreth tyre tani, në pritje të ditëve kur dashuria, vëllazëria dhe toleranca që ata premtuan, do të përmbushen. Sot, vetëm ata që ngatërrojnë errësirën me dritën dhe që i çojnë jetët e tyre në botën e fizikalitetit, po flasin kundër tyre. Diskutuesit janë në ankth. Ujqit dhe çakejtë kanë nxjerrë dhëmbët. Budallenjtë janë të shqetësuar. Për mua është diçka e natyrshme dhe prandaj shprehem: "Çdokush tregon natyrën e vërtetë të tij ose të saj!"

Çfarëdo që të ndodhë, pavarësisht atyre që shuajtën qirinjtë, këta njerëz kanë ndriçuar gjatë zemrat e etura për dritë, kudo ku ata shkuan, treguan natyrën e vërtetë të gjërave dhe ngjarjeve, dhe kumtuan vlerat njerëzore universale për shpirtrat e paprishur.

Unë pa asnjë lëkundje besoj që, tamam si pengesat ndërkontinentale ishin kapërcyer dikur në sajë të Kur'anit, dhe po ashtu dashuria, respekti dhe dialogu ishin vendosur në mënyrë permanente, një truall i ri për harmoninë dhe mirëkuptimin ka qenë ose do të gjendet sot nga përpjekjet e këtyre njerëzve me fat. Natyra njerëzore shfrytëzohet për të njohur kombin tonë, me pamjen e tij të qeshur dhe fatin e mbarë. Pse duhet që pikërisht ky fakt të mos jetë i vërtetë sot? Një lumë dashurie në mes njerëzve ka filluar të vërshojë në pothuajse çdo vend ku kanë shkelur këta përfaqësues të misionit. Ata janë flladi i lumturisë dhe gëzimit dhe njëri pas tjetrit mund të jenë ndjerë ngado. Përveç kësaj, ishujt e paqes, që ne mund t'i quajmë kështjella të pacënueshme të harmonisë dhe stabilitetit, janë krijuar afër dhe larg.

Kush e di, mbase në një të ardhme të afërt, në sajë të këtyre vullnetarëve që nuk kursyen vetveten me qëllim që të tjerët të jetojnë, mendja dhe shpirti do të përqafojnë njëri-tjetrin përsëri. Ndërgjegjja dhe logjika do të plotësojnë thellësitë e njëra-tjetrës, fizika dhe metafizika do të pushojnë luftën dhe do të tërhiqen në botët e tyre dhe gjithçka do të gjejë mundësinë për të shprehur bukurinë që e karakterizon përmes gjuhës së saj, kompleksiteti i normave dhe parimeve ligjvënëse të krijimit do të jetë rizbuluar, njerëzit do të pendohen që kanë luftuar njëri-tjetrin për asgjë, atmosfera e paqes që nuk ekzistonte më parë në treg, në shkollë dhe në vatrat familjare, do të jetë vendosur dhe erërat e lumturisë do të fryjnë, pastërtia morale nuk do të jetë dhunuar, ndershmëria nuk do të jetë nëpërkëmbur, zemrat gjithmonë do të rrahin me respekt dhe vlerësim, asnjëri nuk do t'i ketë zili të tjerët për pasurinë ose reputacionin e tyre, i fuqishmi do të sillet drejtësisht me të dobëtin, i varfri dhe i dobëti do të kenë mundësinë që të jetojnë njerëzisht, askush nuk do të jetë ndaluar me forcë vetëm për dyshime, banesat dhe vendet e punës nuk do të jenë sulmuar, gjaku i askujt nuk do të derdhet dhe i dobëti nuk do të qajë, çdokush do të adhurojë Zotin dhe do të dojë njerëzimin. Vetëm atëherë kjo botë, që është korridori i parajsës, do të bëhet një Eden, që është magjepsës për të jetuar në të!


[1] Sejjid Nigari, poet i famshëm azerbajxhanas, i njohur për poezinë e tij mistike në shek. XIX.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.