Sherbimet Edukative Jane Shperndare ne te Gjithe Boten

Pse edukimi?

Shumë është folur dhe shkruar rreth edukimit. Ne do ta propozojmë këtë subjekt nga tre këndvështrime të ndërsjellta: human-psikologjik, nacional-social dhe universal.

Ne jemi nën ndikimin serioz të mendimit perëndimor bashkëkohor i cili, pa dyshim, për disa shekuj është superior në shumë aspekte, ndonëse brenda këtij mendimi ka gjithashtu disa difekte që burojnë në veçanti nga periudhat historike përmes të cilave ka kaluar dhe nga kushtet specifike të krijuara prej tyre. Në mesjetë, kur Evropa ishte duke jetuar në një rend shoqëror teokratik të drejtuar nga kisha ose nga monarkët e emëruar nga kisha, mendimi perëndimor takohej me botën islame, veçanërisht përmes Andaluzisë dhe kryqëzatave. Ky ishte njëri prej faktorëve që hapi dyert për lëvizjet reformuese dhe periudhën e rilindjes. Disa nga faktorët e tjerë, siç janë mungesa e hapësirave, varfëria, rrugët për të plotësuar nevojat gjithmonë në rritje dhe fakti që disa vende, si Anglia, ishin natyrisht të prirura për udhëtime detare, kulmojnë në mendimin perëndimor duke u drejtuar në zbulimet përtej detit.

Stimuli i parë për të gjitha këto zhvillime ishte plotësimi i nevojave materiale. Këto zhvillime të shoqëruara me studime shkencore në kundërshtim me kishën dhe pedantizmin e krishterë mesjetar, krijuan një konflikt për europianët, në mes fesë dhe shkencës.[1] Kjo shkaktoi përçarjen midis fesë dhe shkencës dhe shkëputjen e lidhjeve mes shumë njerëzve dhe fesë. Ky zhvillim, në fund të fundit, çoi në evoluimin e materializmit dhe komunizmit. Në gjeografinë sociale, njerëzimi u përballua me elementët më dramatikë të historisë perëndimore: shfrytëzimin global, konfliktet pa fund bazuar në interesa, dy luftërat botërore dhe ndarjen e botës në blloqe politike apo ekonomike.

Perëndimi e ka mbajtur botën nën kontrollin ekonomik dhe ushtarak për disa shekuj. Në shekujt e fundit, konflikti midis fesë dhe shkencës ka pushtuar shumë qarqe intelektuale. Lëvizjet iluministe që filluan në shekullin e XVIII, i shihnin krijesat njerëzore vetëm nga pikëpamja materiale. Në ndjekje të saj, lëvizjet materialiste dhe pozitiviste i shihnin njerëzit vetëm si entitet material apo fizik. Dhe si rezultat, krizat shpirtërore ndiqnin njëra-tjetrën. Nuk e ekzagjerojmë nëse themi që këto kriza dhe mungesa e kënaqësisë shpirtërore ishin faktori kryesor prapa konfliktit të interesave që pushtoi dy shekujt e fundit dhe arriti kulmin e tij në dy luftërat botërore.

Si posedues të një sistemi besimi me një histori dhe esencë të ndryshme, ne kemi disa vlera dhe koncepte bazë që mund të jenë dhënë, jo vetëm për perëndimin, me të cilat ne kemi lidhje të thella ekonomike, shoqërore dhe ushtarake, por gjithashtu edhe me njerëzimin në një kuptim të gjerë. Në majë të listës është aftësia jonë njohëse dhe koncepti ynë për njerëzimin. Ky vështrim nuk është as ekskluziviteti ynë, por as është një vështrim subjektiv, më saktë, është një vështrim objektiv që nxjerr në pah çfarë janë njerëzit në të vërtetë.

Njerëzit janë krijesa të krijuara jo vetëm nga trupi dhe mendja, jo vetëm nga ndjenjat dhe shpirti. Më drejt, ne jemi një kompozim harmonik i të gjithë këtyre elementëve. Çdonjëri prej nesh është një trup që përpëlitet në një rrjet nevojash. Por kjo nuk është e gjitha. Ne gjithashtu posedojmë një mendje që ka nevoja më të fshehta dhe vitale se trupi dhe çdonjëri prej nesh është nxitur nga shqetësimet rreth së kaluarës dhe të ardhmes në një kërkim për përgjigjet e pyetjeve të tilla, si "Ç'jam unë? Ç'është kjo botë? Ç'është synimi i jetës dhe vdekjes? Kush më solli mua në këtë botë dhe pse? Ku jam duke shkuar dhe cili është qëllimi i jetës? Kush është drejtuesi im në këtë udhëtim tokësor?"

Përveç kësaj, çdo person është një krijesë e parapërgatitur me ndjenjat që nuk mund të jenë përmbushur nga mendja dhe një krijesë me shpirt, përmes të cilit ne fitojmë identitetin esencial njerëzor. Çdo individ është një kombinim i të gjithë këtyre faktorëve. Kur një person rreth të cilit sillen të gjitha metodat dhe përpjekjet, është konsideruar dhe vlerësuar si një krijesë me të gjitha këto aspekte dhe kur të gjitha nevojat i janë përmbushur, atëherë ky person është në gjendje të arrijë lumturinë e vërtetë. Në këtë pikë, përparimi dhe zhvillimi i vërtetë njerëzor në lidhje me natyrën tonë esenciale është i mundur vetëm përmes edukimit.

Për ta kuptuar rëndësinë e edukimit, nevojitet që vetëm të vështrojmë një ndryshim midis nesh dhe kafshëve. Në fillim të udhëtimit nga bota e shpirtrave që shtrihet në përjetësi, në vendqëndrimin tokësor, ne jemi të pafuqishëm, në nevojë dhe në pozicion të mjerueshëm nga të qenët i varur në çdo gjë nga të tjerët.

Kafshët, megjithatë, vijnë në këtë botë si të kenë arritur perfeksionin në një botë tjetër. Brenda dy orëve, ose pas dy muajve nga lindja e tyre, ata kanë mësuar pothuajse gjithçka është e nevojshme për të ditur dhe kanë arritur një marrëdhënie të plotë me universin dhe ligjet e jetës. Fuqia për të jetuar dhe aftësia për të punuar që na merr ne 20 vjet për ta fituar, është arritur nga një zog ose bletë në 20 ditë. Më saktë, ata kanë lindur me këtë aftësi dhe forcë. Kjo do të thotë që detyra thelbësore për një kafshë nuk është të bëhet e përsosur përmes mësimit dhe evoluimit nga fitimi i njohurive apo nga kërkimi i ndihmës. Këto gjëra nënkuptojnë një dobësi që nuk është e natyrshme për natyrën e një kafshe. Më drejt, detyra e një kafshe është të veprojë në përputhje me aftësitë natyrore dhe kjo është mënyra me të cilën i shërben aktivisht Krijuesit të saj.

Në anën tjetër, ne njerëzit duhet të mësojmë gjithçka kur vijmë në këtë botë, sepse jemi të paditur rreth rregullave të jetës. Në fakt, në 20 vjet, ose mbase gjatë gjithë jetës sonë, ne prapë nuk mund ta mësojmë plotësisht natyrën dhe domethënien e normave dhe kushteve të jetës ose nuk mund ta kuptojmë plotësisht lidhjen tonë me universin. Ne jemi sjellë në këtë botë të dobët dhe të pafuqishëm. Për shembull, ne mund të qëndrojmë në këmbët tona vetëm pas një viti. Përveç kësaj, tërë jeta jonë shkon për të mësuar se çfarë është vërtet në interesin tonë dhe çfarë nuk është. Vetëm me ndihmën e një jete shoqërore mund të kthehemi drejt interesave tona dhe të shmangim rrezikun.

Kjo do të thotë që detyra jonë esenciale, si një krijesë që ka ardhur në këtë bujtinë kalimtare me një natyrë të pastër, është të arrijmë qëndrueshmëri dhe qartësi në mendim, imagjinatë dhe besim, me qëllim që ne të mund të fitojmë një "natyrë të dytë" dhe të aftësohemi për të vazhduar jetën tonë në "tjetrën, në botërat shumë më të lartësuara." Për më tepër, duke kryer detyrat tona si shërbëtorë, ne duhet të aktivizojmë zemrat, shpirtrat dhe të gjitha aftësitë tona të natyrshme. Nga përqafimi i botëve tona të brendshme dhe të jashtme, ku qëndrojnë misteret dhe enigmat e panumërta, ne duhet të kuptojmë sekretin e ekzistencës dhe kështu të ngrihemi në rangun e një krijese njerëzore të vërtetë.

Konflikti mes fesë dhe shkencës dhe produkti i tij, materializmi, e ka vështruar natyrën, si dhe krijesat njerëzore, si një akumulim material krijuar vetëm për të përmbushur nevojat fizike. Si rezultat, ne jemi duke përjetuar katastrofën e përgjithshme të mjedisit.

Le ta shqyrtojmë këtë pikë. Një libër është një manifestim material, në formën e fjalëve, i një ekzistence "shpirtërore" në mendjen e shkrimtarit. Nuk ka një konflikt midis këtyre dy mënyrave për të shprehur të njëjtat vërtetësi dhe ide në dy "botë" të ndryshme. Gjithashtu, një ndërtesë ka një ekzistencë shpirtërore në mendjen e arkitektit, ajo ka "fatin" ose "paracaktimin" në formën e një plani, forma materiale është struktura fizike. Nuk ka një konflikt midis rrugëve për shprehjen e të njëjtës domethënie, kënaqësie, dhe të vërtetës për këto tre botë të ndryshme. Të vështrosh për konflikt këtu nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e dështuar.

Në të njëjtën mënyrë, nuk ka një konflikt në mes Kur'anit, shkrimeve hyjnore, (që vijnë nga atributi i të folurit i Zotit), universit (që vjen nga atributet e Tij për fuqi dhe vullnet), dhe shkencës që i ekzaminon ato. Universi është një libër i shenjtë (Kur'ani) madhështor që rrjedh nga atributet e Zotit për fuqi dhe vullnet. Me fjalë të tjera, nëse na lejohet të bëjmë një krahasim prozaik, universi është tamam si një Kur'an i madh, krijuar nga Zoti në trajtë fizike për përgatitjen tonë. Si rrjedhojë, siç është një shprehje e ligjeve të universit në të njëjtën formë, Kur'ani është një univers që ka qenë kodifikuar dhe shkruar më parë. Në domethënien e saj të vërtetë, feja nuk kundërshton apo kufizon shkencën ose studimin shkencor.

Feja i orienton shkencat, përcakton qëllimin e tyre të vërtetë dhe vendos moralin dhe vlerat njerëzore universale para shkencës si udhërrëfyes. Nëse kjo e vërtetë ka qenë kuptuar në Perëndim dhe nëse kjo lidhje midis fesë dhe dijeve ka qenë zbuluar, gjërat nuk kanë shumë ndryshim. Shkenca nuk duhet të ketë bërë më shumë të këqija se të mira dhe as të ketë hapur rrugën për prodhimin e bombave dhe të armëve të tjera vdekjeprurëse.

Sot deklarohet që feja është përçarëse dhe hap rrugën për vrasjen e të tjerëve. Ndonëse nuk mund të mohohet që feja, posaçërisht Islami, nuk ka udhëhequr shfrytëzimin e pamëshirshëm të njeriut në shekujt e fundit: në veçanti luftërat dhe revolucionet e shekullit të njëzet që vranë miliona njerëz, që lanë prapa edhe më shumë të pastrehë, të veja, jetimë dhe të gjymtuar. Materializmi shkencor është një pikëpamje mbi jetën dhe botën që e ka ndarë vetveten nga feja dhe, një përplasje interesash që shkaktuan këtë shfrytëzim.

Gjithashtu, është çështja e ndotjes mjedisore, nxitur nga materializmi shkencor, një tipar dallues i mendimit modern perëndimor. Në themel të kërcënimit global të ndotjes është koncepti, shkaktuar nga mosbesimi shkencor, që natyra është një akumulim i gjërave që nuk kanë vlera jashtë aftësive të tyre për të përmbushur nevojat fizike. Në fakt, natyra është më shumë se një grumbull material apo një akumulim objektesh: ajo ka një shenjtëri të caktuar, sepse është arena në të cilën janë manifestuar Emrat e Bukur të Zotit.

Natyra është një demonstrim i bukurisë dhe qëllimit që manifeston thellësinë dhe gjerësinë e domethënieve, pemët që zënë rrënjë, lulet që çelin, shija dhe aroma e frutave, shiu, burimet e ujit, ajri që thithim dhe nxjerrim dhe plehu që ushqen krijesat e panumërta. Prandaj, mendja dhe zemra e një njeriu bëhet si hojet, nektari i dhuruar është parapërgatitur me vlerësimet dhe aftësinë për të analizuar. Ky shtegtim në të gjithë botën është si pjalmi që sulmon veten me bletët punëtore. Mjalti i besimit, virtytit, dashurisë për njerëzimin dhe për të gjitha krijesat, për hir të Krijuesit, nektari i ndihmës për të tjerët, sakrifikimi i vetvetes në atë shkallë që i paraprin pasionit të jetës me qëllim që të tjerët të mund të jetojnë, dhe ushqimi i të gjithë krijesave - kjo është ajo që rrjedh nga kjo hoje.

Siç është shprehur Bediuzzamani, është në domethënien e edukimit ta shohë ndriçimin e mendjes tek shkenca dhe dijet, dhe dritën e zemrës tek besimi dhe virtyti. Kjo domethënie, që i bën studiuesit të fluturojnë me dy krahë në qiejt e njerëzimit dhe ta kërkojnë pëlqimin e Zotit përmes shërbimit për të tjerët, ka shumë gjëra për të ofruar. Ajo çliron shkencën nga materializmi, duke e kthyer nga një faktor dëmprurës, në një faktor të dobishëm - nga perspektivat materiale dhe shpirtërore - si edhe ndalon shkencën të kthehet në një armë vdekjeprurëse. Një domethënie e tillë, me fjalët e Ajnshtajnit, nuk do ta lejojë fenë të qëndrojë e paralizuar. Ose do ta pengojë fenë që të jetë parë dhe e kuptuar si diçka e shkëputur nga inteligjenca, jeta dhe të vërtetat shkencore, apo si një institucion fanatik që ndërton mure ndarës midis individëve dhe kombeve.

Duke i shërbyer njerëzimit përmes edukimit

Për shkak të zhvillimeve të shpejta në transport dhe komunikacion, bota është bërë si një fshat global. Kombet janë bërë si fqinj të afërt, ndonëse ne mund të kujtojmë që në një botë si kjo, ekzistenca e kombeve mund të jetë siguruar vetëm nga mbrojtja e karakteristikave specifike të tyre. Në një mozaik të unifikuar të kombeve dhe shteteve, ata që nuk do të mund t'i mbrojnë cilësitë e veçanta, do t'i humbin "motivet" ose "qëllimet" kombëtare dhe do të zhduken. Si në të gjithë kombet e tjerë, karakteristikat tona esenciale janë feja dhe gjuha, historia dhe mëmëdheu. Ajo që Jahja Kemal, një poet dhe shkrimtar i famshëm turk, shprehte me emocion të madh në Rajonet pa një thirrje për lutje, ishte që kultura dhe qytetërimi ynë kanë ardhur nga Islami dhe Azia Qendrore dhe janë mbrojtur për shekuj në Anadoll, Europë dhe madje në Afrikë.

Të gjithë popujt kanë nevojë për njëri-tjetrin. Siç u përmend edhe më sipër, ne kemi më shumë për t'i dhënë njerëzimit se ç'kemi për t'i marrë. Sot, organizatat vullnetare ose joqeveritare kanë krijuar kompani dhe fondacione dhe janë duke u shërbyer me entuziazëm të tjerëve, në emër të Islamit. Pranimi në shkallë të gjerë i institucioneve edukative që janë shpërndarë në të gjithë botën, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha financiare me të cilat janë përballur, dhe faktit që ata janë konkurruese dhe shpesh lënë pas për një kohë shumë të shkurtër institucionet homologe në perëndim, duhet të vërtetojë që çfarë kemi thënë, nuk mund të mohohet.

Populli turk ka akumuluar shumë probleme nga shekujt e kaluar. Në themel të këtyre problemeve qëndron gabimi ynë i përmbledhur në pamjen e jashtme të Islamit dhe në shpërfilljen e margaritarëve të tij të brendshëm. Pastaj ne filluam të imitojmë të tjerët dhe hamendësuam që ekzistonte një konflikt midis Islamit dhe shkencave të natyrës. Ne arritëm në këtë konkluzion pavarësisht nga fakti që tek e fundit, shkenca nuk është më shumë se zbulimi i ligjeve hyjnore që manifestojnë atributet e Zotit për fuqi dhe vullnet, nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e ndryshme e Kur'anit që rrjedh nga atributi i të folurit i Zotit. Kjo shpërfillje, për pasojë, çon në despotizmin e dijeve, mendimit dhe qeverisjes, një gjendje pa rrugëdalje që çon në një çrregullim që përfshin të gjithë individët dhe institucionet, një konfuzion në punën tonë. Ne nuk tregojmë më kujdes për njerëzit e thjeshtë.

Më shkurt, tre armiqtë tanë më të mëdhenj janë injoranca, varfëria dhe përçarja e brendshme. Dijet, kapitali i punës dhe bashkimi mund të luftojnë kundër tyre. Paditurisë që është problemi më serioz, duhet t'i kundërvihemi me arsimim, kjo ka qenë gjithmonë rruga më e drejtë për t'i shërbyer vendit tonë. Tani që ne jetojmë në një botë globale, edukimi është mënyra më e mirë për t'i shërbyer njerëzimit dhe për të vendosur një dialog me qytetërimet e tjera.

Mbi çdo gjë tjetër, edukimi është një shërbim human. Ne jemi sjellë në këtë botë për të mësuar dhe për t'u përsosur përmes arsimimit. Bediuzzamani tregon kujdes për përfundimet e mundshme dhe të ardhmen duke thënë: "Qëndrimi i vjetër ndaj çështjeve është i pamundur. Pa një qëndrim të ri, asgjësimi është i pashmangshëm." Duke thënë që "çështjet polemizuese nuk duhet të diskutohen me udhëheqësit shpirtërorë të krishterë," ai hapte dialogun me anëtarët e feve të tjera. Si Mevlana Xhelaledin Rumi i cili pati thënë: "Një nga këmbët e mia është në qendër dhe tjetra është në shtatëdhjetë e dy botërat (për shembull në botën e të gjithë kombeve). Si një kompas, ai vizatonte një rreth të gjerë që përfshinte të gjithë besimtarët. Duke lënë të kuptohet se ditët e terrorit ishin lënë pas, Bediuzzamani thoshte: "Fitorja me njerëz të qytetëruar është arritur me bindje", dhe në këtë mënyrë vinte në dukje që dialogu, bindja dhe diskutimi bazuar në prova janë thelbësore për ata që kërkojnë t'i shërbejnë fesë. Duke thënë që "në të ardhmen njerëzimi do t'i kthehet dijes dhe shkencës dhe do të qeverisin arsyeja dhe fjalët", ai inkurajonte njohuritë dhe dialogun. Përfundimisht, duke lënë mënjanë politikën dhe angazhimin e drejtpërdrejtë në politikë, ai piketoi linjat bazë për besimin e vërtetë dhe shërbimin kombëtar në këtë kohë dhe në të ardhmen.

Nën dritën e parimeve të tilla, unë i kam inkurajuar njerëzit t'i shërbejnë vendit në veçanti dhe njerëzimit në përgjithësi, përmes arsimimit. Unë u kam bërë thirrje atyre ta ndihmojnë popullin për t'u arsimuar dhe zhvilluar, duke hapur shkolla të reja. Padituria mund të mposhtet përmes arsimimit, varfëria përmes punës dhe kapitalit dhe përçarja e brendshme, përmes bashkimit, dialogut dhe tolerancës. Zgjidhja e çdo problemi në këtë jetë varet plotësisht nga krijesat njerëzore, dhe edukimi është mjeti më efektiv për këtë, pa u përqëndruar në faktin nëse ne kemi një sistem politik dhe shoqëror të paralizuar apo që funksionon si zembreku i orës.

Shkollat

Pasi qeveria dha leje për hapjen e shkollave private, shumë njerëz zgjodhën vullnetarisht të harxhonin kursimet e tyre në shërbim të vendit, në vend të kalimit në botën tjetër, duke e çuar këtë jetë në kërkim të një ekzistence të zbrazët. Në fakt, njerëzit e kanë realizuar këtë me entuziazmin që normalisht karakterizon adhurimin. Eshtë e pamundur për mua që t'i njoh të gjithë shkollat që janë hapur këtu dhe jashtë vendit. Meqenëse unë vetëm kam propozuar dhe nxitur aksione të tilla, nuk mund të di madje dhe emrat e shoqërive që hapën shkolla ose vendet ku janë hapur ato.

Megjithatë, unë e kam ndjekur këtë çështje që ka zënë një vend të caktuar në gazeta dhe në serinë e shkrimeve të shkruara nga gazetarë të shquar, si Ali Bajramogllu, Shahin Alpaj dhe Atëllgan Bajar. Shkollat janë hapur me radhë nga Azerbajxhani në Filipine, nga Shën Petërsburgu në Moskë dhe, me ndihmën e bashkëqytetarit dhe biznesmenit të suksesshëm çifut Yzeir Garih, me kompetencën e dijeve të tij, në Jakutsk. Këto shkolla janë hapur pothuajse kudo, përjashtuar vendet si Irani, ku nuk është dhënë leje.

Shkrimtarët dhe dijetarët që kanë vizituar shkollat, konfirmojnë që ato janë financuar nga organizata vullnetare në Turqi. Në shumë ose në të gjitha ato, bursat e studentëve janë një pjesë e rëndësishme e këtij financimi. Administratorët lokalë japin një kontribut të rëndësishëm duke siguruar ndërtesat, drejtuesit dhe mësuesit kur është e nevojshme. Mësuesit, që i janë përkushtuar shërbimit për vendin, kombin e tyre dhe njerëzimin, duke gjetur kuptimin e jetës në shërbim të të tjerëve, punojnë me entuziazëm me një rrogë të vogël.

Në fillim, disa nga funksionarët tanë të marrëdhënieve me jashtë hezitonin për të dhënë mbështetjen e tyre, por ata nuk e kuptonin se çfarë ishin duke bërë. Sot, megjithatë, shumë prej tyre u japin mbështetje shkollave. Përveç kësaj, dy presidentët e fundit turq, të nderuarit Turgut Ozal dhe Sulejman Demirel, si edhe ish-kryetari i parlamentit, Mustafa Kalemli, dhe ish-ministri i jashtëm, Hikmet Çetin, kanë dhënë mbështetjen e tyre për këto përpjekje, duke vizituar posaçërisht shkollat.

Administratorët lokalë janë më të vetëdijshëm për laicizmin, ose madje më shumë se kaq, se qeveria turke. Kjo shpjegohet nga gazetarët Shahin Alpaj, Atëlgan Bajar dhe shumë të tjerë, në një mënyrë të përafërt me vëzhgimin e Ali Bajramoglu, që këto vende nuk kanë një interes të papërfillshëm, në lidhje me këto shkolla, për të ardhmen. Në fakt, duke folur në ceremoninë e hapjes së shkollës në Moskë, kryetari i zyrës për edukimin kombëtar tha: "Dy janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë aktuale të Rusisë. Njëra, udhëtimi i Gagarinit në hënë dhe tjetra, hapja e shkollës turke këtu!" Ai e përshkroi këtë si një ngjarje historike.

Për disa, kjo jetë konsiston në pak ditë të kaluara në këtë bujtinë tokësore në kërkim të përmbushjes së dëshirave të egos. Njerëzit e tjerë kanë një pikëpamje të ndryshme dhe kështu i japin jetës një kuptim të ndryshëm. Për mua, kjo jetë përbëhet nga disa frymëmarrje në udhëtimin që fillon në botën e shpirtrave dhe vazhdon përjetësisht ose në parajsë, ose mos e dhëntë Zoti, në ferr.

Kjo jetë është shumë e rëndësishme, sipas saj përcaktohet jeta jonë e përtejme. Prandaj ne duhet ta përshkojmë atë në rrugët e përcaktuara për të fituar jetën e amshuar në parajsë dhe për të arritur pëlqimin e Dhuruesit të Jetës. Kjo udhë kalon përmes dimensionit të pashmangshëm të shërbëtorit të Zotit, me anë të shërbimit, para së gjithash, për familjet tona, të afërmit dhe fqinjët dhe më pastaj për vendin dhe kombin tonë dhe, në fund, për njerëzimin dhe krijesat që janë objekt i përpjekjeve tona. Ky shërbim është e drejta jonë, përçimi te të tjerët është përgjegjësia jonë.


[1] Kjo kundërvënie dhe ky konflikt u nxitën kryesisht nga dy faktorë: nga refuzimi I kishës katolike ndaj zhvillimeve shkencore, konceptualizmit dhe terminologjisë së tyre, dhe nga kërkesa e shtresës së mesme për t'u çliruar nga rregullat dhe disiplina e fesë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.