Studiues rus: Fethullah Gylen promovon edukim paqësor në një botë të zhytur në konflikt
Studiuesi i shquar rus, prof. Rostislav Rybakov ka shprehur vlerësimet dhe admirimin e tij për rolin dhe kontributin e dijetarit mysliman me qëndrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fethullah Gylen, për shkollat e hapura në çdo kënd të botës nga përkrahësit e tij, duke shtuar se në këto shkolla po edukohet një brezi i ri studentësh, të cilët mbështesin dhe promovojnë paqen në anembanë botës.
Në një intervistë për të përditshmen turke në gjuhën angleze “Today’s Zaman”, të botuar ditën e martë, Ribakov, ish-president i Institutit të Studimeve Orientale në Akademinë ruse të Shkencave, e krahasoi mendimtarin mysliman Gylen me përpjekjet e tij për të sjellë paqe në botë me Mahatma Gandhi-n. Ribakov tha, se akordimi i çmimit presitgjioz “Gandhi King Ikeda për Paqen”, i cili iu dha Gylenit, i cili u është dhënë më herët edhe fituesve të çmimit Nobel, Nelson Mandela, Desmond Tutu dhe Michael Gorbaçov, është tejet kuptimplotë dhe një vlerësim mëse i merituar.
Qendra Ndërkombëtare “Martin Luther King Jr.” e Universitetit të Morehouse-it në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më datë 9 prill 2015, nderoi mendimtarin mysliman me “Çmimin e Arkitektëve të Paqes Gandi, King, Ikeda” për vitin 2015, për promovimin e ideve të përçuara nga udhëheqësit dhe aktivistët e shquar të paqes dhe të drejtave civile.
“Gandi udhëhoqi një numër të madh njerëzish, të cilët në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk përdorën dhunë dhe gjakderdhje. Ndjekësit e Fethullah Gylen, të cilët po edukojnë një brez të ri në Turqi, Kazakistan, Kirgizistan, Indi, Bullgari dhe në vende të tjera, ndjekin një metodë të ndryshme, por me një qëllim të njëjtë. Ata [mësuesit në shkollat e Gylen] nuk nxisin simpatinë për Turqinë tek nxënësit që ndjekin këto shkolla. [Në vend të kësaj] ka një kulturë që i përgatit ata, që të jetojnë sëbashku në harmoni të plotë me kulturat e kombësive të tjera”, - u shpreh Ribakov.
Ai gjithashtu dënoi ashpër fushatën e shpifjeve kundër Fethullah Gylen dhe ndjekësve të tij nga disa qarqe pro-qeveritare në Turqi, të cilat ai i cilësoi si fyese ndaj dijetarit, duke e quajtur atë terrorist, dhe që në fakt nuk kanë kurrfarë baze ligjore. “Fethullah Gylen ishte në mesin e myslimanëve të parë që dënuan sulmin terrorist në Beslan ... Ai gjithmonë ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër terrorizmit. Shprehja, “Një mysliman nuk mund të jetë një terrorist dhe një terrorist nuk mund të jetë mysliman”, është përdorur për herë të parë prej tij, - shtoi Ribakov.
“Nuk është aspak e lehtë të përgënjeshtrosh akuza të tilla... Një shprehje e famshme në Rusi thotë... Kur ju pyesni për dikë, pyesni “A e ka vjedhur dikush pallton e tij apo ishte ai që vodhi pallton e dikujt?” dhe vetëm pastaj mund të bëni lidhjen e tij me vjedhjen... Pastaj, njerëzit fillojnë ta konsiderojnë atë si hajdut”, - u shpreh ai.
Më 24 mars, emri i Fethullah Gylen u përmend si i dyshuari kryesor në një hetim për manipulime të dyshuara në një provim të shërbimit civil turk, pavarësisht faktit se ai jetonte në mërgim të vetëzgjedhur që nga viti 1999 dhe për këtë çështje nuk kishte asnjë provë që të faktonte që ai kishte lidhje me Provimin e Nëpunësve Civilë (KPSS). Ky veprim forcon deklaratat se hetime të tilla kanë si objektiv kryesor Lëvizjen Gylen, e njohur gjithashtu si “Lëvizja Hizmet”, si pjesë e një fushate hakmarrjeje për publikimin e hetimeve për korrupsion, në dhjetor të vitit 2014, hetime të cilat implikonin ish-ministra dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-Kryeministri dhe Presidentit aktual, Erdoğan.
Për të zhvlerësuar hetimet, Erdoğan ka deklaruar se hetimet për marrje ryshfeti janë nismë e e Lëvizjes Gylen me qëllime për të rrëzuar qeverinë.
Ribakov gjithashtu i ka cilësuar si të “të pakuptimta” akuzat se Gylen është duke bashkëpunuar me agjensitë e huaja të zbulimit, një pretendim ky i shprehur nga z. Erdoğan. Presidenti turk tha në muajin shkurt, se lëvizja Gylen kishte bashkëpunuar me Mossad, Agjencinë Izraelite të Inteligjencës për Jashtë.
“Jam i shqetësuar për të ardhmen e botës”
Ribakov gjithashtu shprehu shqetësimin e tij lidhur me përkeqësimin e stabilitetit global të tanishëm dhe ndau zhgënjimin e tij mbi faktin se shekulli XXI, i cili nga shumë njerëz pritej që të ishte më paqësor se shekulli i shkuar, nuk është më i tillë duke filluar që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2011. “Është zhgënjyese të shohësh që çdo gjë është e mundur në shekullin e 21-të. Incidentet, të cilat menduam që tashmë i përkisnin të shkuarës, po ndodhin ende edhe në këtë periudhë. Duket se për çështjet në Lindjen e Mesme nuk do të ketë kurrë një fund. Ukraina është shndërruar në një plagë në mes të Europës”, - u shpreh Ribakov.
Megjithatë, ai shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore që ekzistojnë ndërmjet Rusisë dhe Turqisë. “Turqia vepron me kujdes në politikat e saj ndaj Rusisë. Turqia Jugore tani pret një numër prej rreth 4 milionë turistësh rusë [në vit] dhe është shndërruar si [një tjetër] provincë e Rusisë. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një linjë tubacioni gazi në Turqi [nga Rusia]... Këto janë zhvillime pozitive”, - u shpreh Ribakov.
- Publikuar më .