Një tjetër vlerësim nga Rusia për çmimin për paqen dhënë mendimtarit Gylen
Studiuesja e shquar e filozofisë, Mariatta Stepanyants, thotë se akordimi i çmimit të paqes për mendimtarin Fethullah Gylen është mëse kuptimplotë.
Përgjegjësja e Departamentit të Filozofisë së Lindjes në Insitutin e Filozofisë në Akademinë e Shkencave të Rusisë, Prof. dr. Mariatta Stepanyants e ka vlerësuar si tejet domethënës dhe kuptimplotë akordimin e një prej çmimeve më prestigjiozë në botë për paqen “Çmimi i Arkitektëve të Paqes Gandi, King, Ikeda” për vitin 2015 dijetarit dhe mendimtarit turk Fethullah Gylen. Ndërsa e përgëzoi atë për çmimin, ish-kryetarja e Bordit Drejtues të Filozofëve Botërore të UNESCO-s, shprehet se politikat e shtypjes dhe presionit në adresë të dijetarit dhe mendimtarit mysliman, Fethullah Gylen, janë të kuptueshme. Studiuesja e shquar ruse e filozofisë së Sufizmit dhe Filozofisë Islame thotë se “përfaqësuesit e të mirës përherë kanë qenë të detyruar të përballen me vështirësi”, dhe sipas saj, “kur Hz. Muhammedin e gjuajtën më gurë, ai u detyrua të linte vendlindjen e tij.”
“Në periudha të caktuara, ka pasur përherë individë apo grupe të caktuara, të cilat e kanë luftuar dhe janë përpjekur që të zhdukin të mirën dhe mirësinë. Por thelbi qëndron në faktin se cili është përfundimi? E mira (mirësia) mund të mos fitojë gjatë kohës që ajo është në jetë, por historia tregon se ajo përherë ka rezultuar ngadhënjimtare. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me liderin i Indisë, Mahatma Gandi. Ata e vranë Gandin, por askush nuk e harroi atë. E mira (mirësia) fizikisht mund të largohet nga kjo botë, por në fund triumfon përherë. Nëse një ditë fiton e keqja, atëherë të gjithë ne do të duhet të largohemi nga kjo jetë. Nëse jeta vazhdon, atëherë do të thotë se e mira (mirësia), edhe pse me vështirësi, do të triumfojë”, - u shpreh filozofja e shquar Stepanyants.
“Hz. Muhammedi u detyrua të braktiste vendlindjen e tij”
Stepanyants gjithashtu nënvizoi faktin se në arenën ndërkombëtare ende vazhdojnë konfliktet ndërmjet besimeve, sekteve dhe grupimeve të ndryshme etnike. “E mira (mirësia) nuk përdor armë, nuk është e pasur ekonomikisht dhe ndoshta nga pikëpamja ideologjike nuk zotëron mundësi dhe mjete të mjaftueshme. Në rastin e kryengritjes së miliona Indianëve, Gandi mënyrën e përpjekjeve të tyre e quajti “fuqia e shpirtit”. Ata që mbrojnë të drejtën, duhet të jenë të sigurtë në vetvete. Bashkë me miqtë, shokët dhe bashkëudhëtarët e tyre, duhet t’ia shpjegojnë njerëzve kauzën e tyre. Kështu ka ndodhur në të gjitha fetë. Kur Hz. Muhamedin e gjuajtën me gurë, u detyrua të linte vendlindjen e tij. Gjeti mbështetje dhe përkrahje në Medinë dhe më pas iu bashkuan dhe të tjerë. Ky është shembulli më i mirë i besimit në forcën e shpirtit. Ai tha se nuk u besonte idhujve të tyre dhe se duhet besuar vetëm tek Zoti. Forca e shpirtit dhe e besimit është një forcë shumë e madhe. Çfarë mund të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm? Mendoj se detyra jonë është t’u shpjegojmë fëmijëve dhe nipërve tanë forcën e besimit”, - u shpreh Stepanyants.
Gandi u mbrojt pa përdorur dhunën
Stepanyants u shpreh se si qenie njerëzore shpreh shqetësimin e saj për vdekjen e aq shumë njerëzve dhe për vuatjet e tyre në luftën me urinë. “Personalisht e vlerësoj Gandin si njeriun ideal, pasi ofroi dhe mundësoi zgjidhje për të gjitha problemet, pa përdorur asnjëherë të vetme dhunën. Të pozicionohesh kundër dhunës, nuk do të thotë që nuk do të mbrosh veten. Gandi e mbrojti veten e tij, u shpreh hapur kundër dhunës dhe u ngrit në mbrojtje të të drejtave të miliona bashkëatdhetarëve të tij. Por kjo ishte një mbrojtje pa gjakderdhje. Dhe kjo është arsyeja kryesore që ai gëzon vlerësimin dhe admirimin e të gjithëve. Gandi e dinte që ishte shumë e vështirë për t’ia arritur këtij ideali. Edhe pse kishte mundësi për të bërë shumë gjëra në Indi, edhe pse arriti që të pengonte gjakderdhjen, pavarësisht se arritën pavarësinë në vitin 1947, përsëri pati gjakderdhje. Pati plaçkitje dhe rrëmuja. Pati konflikte të tmerrshme ndërmjet hinduve dhe myslimanëve. Gandi vetë ishte hindu, por ai ishte kundër sjelljeve dhe veprimeve fanatike e radikale nga të dyja palët. Pas rreth një viti, me 30 janar doli para popullit për të biseduar dhe për t’u lutur bashkë me ta. U vra nga një hindu. Suksesi më i madh nuk qëndron tek lufta e armatosur dhe përdorimi i dhunës, por tek përdorimi i mënyrave të tilla ideale” - u shpreh ajo.
E keqja duhet luftuar
Akademikja ruse nënvizoi faktin se është shumë e impresionuar nga filozofia dhe shprehjet sufiste dhe se pëlqen jashtëzakonisht shumë qasjen filozofike të Mevlana-s."Mevlana thotë; Që zogu të mund të fluturojë, ai duhet të ketë dhe krahët e tij. Nëse nuk do të ekzistonte e keqja, atëherë si do të mund ta dinim ekzistencën e të mirës. Që të prevalojë e mira, ne duhet të qëndrojmë të vendosur përballë të keqes. Megjithatë ky është e vështirë dhe mbase kurrë nuk do të përfundojë plotësisht”, - u shpreh ajo.
Akademikja ruse thotë se ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është thjesht një luftë që po zhvillohet për zotërimin e burimeve energjetike (naftë) dhe një përballje forcash. Ajo gjithashtu kritikoi dhe politikat e ndjekura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajon. “Çfarë kuptimi ka eleminimi me forcë i regjimeve jodemokratike? Pse, tani me krijimin e regjimeve të reja të terroristëve dhe radikalëve, mos gjërat janë më mirë? Personalisht mendoj se pikësëpari ky është një gabim shumë i madh i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në destabilizmin e rajonit. Po Evropa pse u bë pjesë e kësaj? Më vonë, për ta do të ketë pasoja shumë të rënda. Ai rajon duhet lënë i qetë. Në atë rajon duket sikur po shkatërrohet qytetërimi islam. Po shkatërrohet çdo gjë dhe kjo është diçka shumë e keq”, u shpreh ajo.
Kush është Prof. Marietta Stepanyants?
Drejtuesja e Departamentit të Filozofisë Lindore në Insitutin e Filozofisë në Akademinë e Shkencave të Rusisë, Prof. dr. Mariatta Stepanyants ka shërbyer dhe si Kryetare e Bordit Drejtues të Filozofëve të UNESCO-s. Akademikja ruse është eksperte dhe njohëse shumë e mirë e mësimeve të sufizmit dhe Gazaliut në Filozofinë Islame dhe si vlerësim për kontributin e saj në Filozofi është nderuar me “Medaljen e Artë” (vlerësimi më i lartë) në vitin 2010. Ndërsa në vitin 2006, është nderuar me çmimin “Plehanov” të Akademisë së Shkencave të Rusisë "Për arritje të rëndësishme në fushën e filozofisë", për punën kërkimore në Filozofinë Islame dhe atë të Lindjes. Në vitin 2001 gjithashtu është vlerësuar me “Medaljen e Artë” nga Presidenti i Taxhikistanit, për kontributin e saj në arsimin e këtij vendi. Ndër veprat e saj më të rëndësishme janë “Islami në jetën sociale dhe në filozofi”, “Një këndvështrim i filozofisë nga Sufizmi”, “Filozofia Hindu” (Enciklopedi). Ndërkohë vëllimi i saj “Filozofia e Lindjes” është një ndër lëndët bazë në universitete të ndryshme.
- Publikuar më .