Mesazhi i M. Fethullah Gylenit për Festivalin Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Kulturës në Uashington DC
Nëse mund të gjendet vërtet diçka që ka mbetur ende e pastër dhe që e ka ruajtur të paprishur bukurinë e saj edhe në një botë kaq të ndotur, ku njëmijë e një të këqija ndjekin njëra-tjetrën, ajo është dashuria. Nuk ka vlerë më të vërtetë dhe më jetëgjatë që mund të gjendet në një shoqëri njerëzore.
Mirëpo ka edhe një panoramë më të bukur, që është shfaqja e kësaj dashurie si gjëja më e natyrshme në fytyrat e këtyre fëmijëve dhe të rinjve me ndjenja të kulluara, me fytyra që u shndrisin prej bukurisë dhe bardhësisë që u buron prej zemrave. Atje ku shfaqjet ajo, fryma ndal, çdo instrument hesht dhe dëgjohet veç zëri i dashurisë me më të ëmblën melodi.
Ma merr mendja se të gjithë këta fëmijë që kanë çelur si lule dashurie në të katër anët e botës po i japin një mesazh tejet të fortë mbarë botës. Po tregojnë fare qartë se si dashuria mund të jetohet në paqe, se si diversiteti mund të shihet si burim pasurish dhe se si mbledhja në një vend e njerëzve që u përkasin kulturash të ndryshme do t’ua shtonte atyre edhe më vlerat që bartin.
Dhe, ashtu siç janë duke e zhvilluar veten nëpërmjet veprimtarish siç është ky festival i gjuhës dhe kulturës, ata, me fuqinë e fjalës, magjinë e poezisë, mrekullinë e melodisë dhe gjuhën universale të muzikës janë duke dhënë një kontribut të veçantë për paqen në botë.
Sa mirë për ata që i rrisin me eliksirin e dashurisë brezat e ardhshëm!..
Veç të mira mund të presin të gjithë ata që ia kanë bërë dashurinë udhërrëfyes vetes!..
Dhe mijëra falënderime për të mikpritësit që ua kanë hapur kraharorin këtyre luleve të dashurisë që do të ndërtojnë botën e së ardhmes!..
- Publikuar më .