“Lëvizja Hizmet i shërben shoqërisë përmes arsimit”
Studiuesi dhe politologu Prof. Ali Kazancigil në një intervistë për televizionin “France 24”, ka analizuar zhvillimet më të fundit në Turqi, raportet ndërmjet Erdogan dhe lëvizjes “Hizmet”, arsyet e vërteta të sulmeve ndaj kësaj lëvizjeje. Në analizën e tij, Prof. Kazancigil, ka vlerësuar pozitivisht punën dhe përpjekjet e lëvizjes “Hizmet” në Turqi, duke vlerësuar se lëvizja ka një rol dhe ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në shoqëri. “Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje është shërbimi ndaj shoqërisë. Ata e quajnë “Lëvizja për Shërbim” dhe i shërbejnë shoqërisë kryesisht përmes arsimit. Sllogani i Gylen është: “Në fillim shkolla, pastaj xhamia”. Lëvizja ka ndikim të madh, sepse anëtarët e saj janë të mirëarsimuar dhe edukuar në shkollat e Gyleni, të cilat janë shumë cilësore, sekulare dhe janë të shtrira në mbi 140 vende të botës. Janë rreth 2000 shkolla të Gylenit në të gjithë botën. Janë shumë të aftë dhe shumë të përgatitur intelektualisht”, shprehet Kazancigil.
Në analizën e tij, Kazancigil ka argumentuar dhe arsyet e largimit të Gylen nga Turqia dhe ka përjashtuar mundësinë e një rikthimi të tij, përsa kohë që në pushtet do të jetë Erdogan. Sipas tij, përplasja e fundit ndërmjet Erdogan dhe kryeministrit Davutoglu, është dëshmi e qartë e faktit që Erdogan tashmë është shëndërruar në një diktator paranojak dhe autokrat. “Ai (Erdogan) është një diktator paranojak dhe autokrat. Davutoglu negocioi me sukses marrëveshjen me Merkelin dhe BE-në. Ka shumë gjasa që ai nuk e honeps dot që dikush tjetër përveç tij, të jetë temë kryesore e medias. Kaq e thjeshtë është. Kjo tregon dhe situatën pikëlluese në të cilën ndodhet shteti dhe demokracia turke”, nënvizon Prof. Kazancigil.
Megjithatë, sulmet ndaj lëvizjes “Hizmet”, sipas tij janë më të hershme dhe kanë ekzistuar dhe në kohën kur ushtria diktonte politikën në Turqi. “Ai (Gylen), është përsekutuar dhe nga ushtria, e cila në atë kohë kishte shumë influencë në arenën politike. Për fat të mirë, tani ushtria nuk ka më influencë në politikën turke. Por është interesante të shohim se si dy fuqitë kryesore në Turqi, në fillim njëra dhe më pas tjetra, sulmojnë këtë lëvizje”, shprehet Prof. Kazancigil.
Duke iu referuar raporteve të mëparshme mes lëvizjes “Hizmet” dhe partisë së Erdogan, Kazancigil thotë se partneriteti i mëparshëm ka qenë i bazuar në qëndrimin e atëhershëm të Erdogan pro demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo, sipas tij ka qenë dhe arsyeja se përse Gylen dhe lëvizja e drejtuar prej tij, ka mbështetur politikat e ndjekura nga Erdogan, por që më vonë, në momentin kur Erdogan nisi të shfaqte shenjat e para të autoritarizmit të tij, Gylen u distancua dhe pati kurajon dhe guximin që të kritikonte veprimet e gabuara të tij.
“Në fillim Erdogan pohonte se partia e tij ishte një parti konservatore, por demokratike, që respektonte shtetin e të drejtës, demokracinë, sekularizmin etj. Gylen e mbështeti një qëndrim të tillë. Ai nisi të kritikonte Erdoganin në vitet 2009-2010, kur Erdogan filloi të shfaqte shenjat e para të autoritarizmit të tij”, nënvizon Prof. Kazancigil, ndërsa shton përplasja e parë ndodhi në rastin e flotilës humanitare që ishte nisur për në Gaza, e organizuar nga një shoqatë humanitare turke dhe ku humbën jetën 9 qytetarë turq. “Në rastin në fjalën, Gylen me shumë guxim akuzoi publikisht Erdoganin për faktin që kishte ndërmarrë një lëvizje të tillë, pa negociuar më parë atë me qeverinë izraelite”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas tij, përplasja e vërtetë ka ndodhur në shtator të vitit 2013, në rastin e publikimit të aferave korruptive, në të cilën rezultonin të përfshirë familja e Erdogan dhe disa ministra të kabinetit të tij qeveritar. Pikërisht kjo është në këtë moment, Erdogan i shpalli luftë të hapur lëvizjes “e deklaroi lëvizjen organizatë terroriste që duhej mbyllur dhe duhej shkatërruar”.
Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në Turqi, dorëheqjes së kryeministrit Davutoglu dhe revanshit të Erdogan për konsolidimin e pushtetit të tij personal, i pyetur nëse Gylen nuk ia ka arritur që të ketë një strategji të saktë për t’I bërë ballë këtij revanshi, Prof. Kazancigil mohon kategorikisht që Gylen të jetë përpjekur që të këtë një strategji të tillë. “Ai as nuk është përpjekur të ketë një strategji të tillë, për faktin se lëvizja e tij nuk është parti politike. Disa lëvizje të shoqërisë civile (përfshirë dhe lëvizjen e Gylen), janë të fokusuara tek arsimi, kultura dhe natyrisht tek feja”, thotë Prof. Kazancigil. Por, nga ana tjetër, ai shton se nuk duhet mohuar ndikimi që lëvizja “Hizmet” dhe Gylen kanë në shoqëri.
“Duhet saktësuar që ajo nuk është një organizatë e strukturuar. Gylen influencon rrethin e tij përmes ideve dhe mendimeve”, thotë Prof. Kazancigil. Rëndësia e lëvizjes “Hizmet”, pohon ai, qëndron pikërisht në faktin që ajo po modernizon islamin turk, pasi idetë e Gylen i përafrohen sufizmit dhe si të tilla janë një trend i islamit liberal. “Parë nga ky këndvështrim, mendoj se “Hizmet” është një lëvizje e rëndësishme dhe interesante. E kam analizuar lëvizjen nga pikëpamja sociologjike dhe antropologjike dhe mendoj se lëvizja Gylen nuk mund t’i rezistojë shtetit turk dhe Erdoganit. Por, sigurisht që kanë një rol shumë pozitiv në shoqëri”, vlerëson Prof. Kazancigil.
- Publikuar më .