Mesazh prej Fethullah Gylen për pengmarrjen e vajzave në Nigeri
Ndodhia e marrjes peng të qindra vajzave në Nigeri është pikëlluese dhe hidhëruese njëkohësisht. E gjykoj plotësisht këtë veprim të pamëshirshëm e akoma më tepër të pakuptimtë, duke u bërë thirrje atyre që e kanë bërë këtë, t’i lëshojnë vajzat një orë e më parë.
E drejta për t’u arsimuar është një prej të drejtave më themelore të garantuara në Islam, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Çdo përpjekje për t’ia kufizuar këto të drejta njerëzve është gabim, dhe tregon se nuk është duke u bërë asgjë tjetër veçse shërbim ndaj disa përfitimeve të caktuara individuale ose politike. Si në periudhën e Profetit tonë të Dashur (s.a.s.), si në periudhat pas tij, femrat kanë zënë role tejet të rëndësishme në shumë fusha të caktuara të jetës, ndër të tjera, sidomos në arsim dhe në tregti.
E besoj me tërë fuqitë e mia dhe e kam shprehur sa e sa herë, që arsimi, qoftë prej djemve, qoftë prej vajzave, është rruga më e shëndetshme nëpërmjet të cilës të rinjtë mund t’i jetësojnë kapacitetet e tyre të larta njerëzore. Nëpërmjet arsimit, të gjithë njerëzve mund t’u mësohet respekti ndaj njëri-tjetrit, epërsia e ligjit, e shumë e shumë vlera të tjera njerëzore, duke bërë që kësimënyre të ndërtohen karaktere të pajisura me vetitë më të arrira. Gjithashtu, arsimi është vaksina më e mirë që mund të përdoret kundër injorancës, që përbën edhe burimin e thuajse të gjitha problemeve shoqërore. Ndodhia e pengmarrjes së nxënëseve vajza në Nigeri, ashtu siç është shkelje e të drejtave më thelbësore të këtyre nxënësve dhe prindërve të tyre, është edhe nënvizues i një nevoje urgjente për një botëkuptim për arsimin, i cili të synojë përvetësimin e vlerave më të mira që mund të përftohen prej njeriut.
I jam lutës Allahut (xh.xh.), në radhë të parë për vajzat e marra peng, familjet e tyre dhe gjithë popullin e Nigerisë.
M. Fethullah Gylen
- Publikuar më .