Kërkesa për ekstradim, manipulim i perceptimit publik
Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve (GYV) -- kryetari i nderuar i të cilit është dijetari mysliman turk Fethullah Gylen – ka konstatuar se kryeministri RecepTayyip Erdoğan ka bërë përpjekje për të krijuar një perceptim se Lëvizja e Hizmetit po mbështetet nga SHBA-të për sa i përket kërkesës së kohëve të fundit për ekstradimin e Gylenit, megjithëse nuk ka asnjë bazë ligjore për të argumentuar një gjë të tillë.
Gjatë mbajtjes së një komunikate për shtyp në Stamboll të mërkurën, GYV reagoi ndaj pretendimeve ndaj Lëvizjes së Hizmetit, ku në qendër të saj qëndron besimi, frymëzuar nga mësimet e Gylenit, si pjesë e fushatës së shpifjeve kryer nga qarqe të afërta me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim këto pesë muajt e fundit.
GYV publikoi një deklaratë në fillim të konferencës për shtyp ku, ndër të tjera, theksohej thirrja e fundit e Erdoganit për ekstradimin e Gylenit nga Shtetet e Bashkuara. Duke përsëritur pjesë prej intervistës së Erdoganit në kanalin televiziv amerikan, ku kryeministri qe shprehur: “Shpresoj që SHBA-të, si partneri ynë strategjik, do ta ekstradojë Fethullah Gylenin. Të paktën duhet ta dëbojë.” GYV pohoi: “Është skandaloze për Erdoganin, që t’i kërkojë SHBA-së ekstradimin e z. Gylen, pavarësisht faktit që nuk ka asnjë hetim aktual gjyqësor për të. Gjithashtu kjo tregon se çdo hetim në të ardhmen, që mund të nisë kundër z. Gylen do të jetë krejtësisht i motivuar politikisht. Për më tepër, z. Gylen është gjykuar dhe shpallur i pafajshëm në lidhje me pretendime të ndryshme apo shpifje të kësaj natyre në të kaluarën. Nuk ka asnjë provë të pranueshme në kuadër të parimeve dhe normave ligjore, si dhe të praktikave ndërkombëtare, të cilat e justifikojnë ekstradimin e z. Gylen,” - duke shtuar se kjo lëvizje e ndërmjetësuar nga media, nxjerr në pah faktin që Erdogani kërkon të krijojë një perceptim se gjoja Lëvizja e Hizmetit kontrollohet dhe drejtohet nga SHBA-të.
“Mirëpo, Lëvizja e Hizmetiti jep një rëndësi të madhe të drejtave universale të njeriut, sundimit të ligjit dhe bashkëekzistencës paqësore duke u prirë aktiviteteve të saj edukuese në mbi 160 vende, përshirë SHBA-të. Përpjekjet për t’i portretizuar këto aktivitete si të kontrolluara dhe të drejtuara nga një shtet, kulturë apo shërbime sekrete të huaja përbëjnë një ofendim të rëndë shpifarak karshi mbështetësve të Lëvizjes së Hizmetit, të cilët u përkasin besimeve, gjuhëve, prejardhjeve etnike dhe kulturave të ndryshme nga e gjithë bota, veçanërisht duke përfshirë popullin altruist të Turqisë,” - shtoi GYV.
Kur u pyet nëse mund të jepte ndonjë hollësi më shumë rreth ekstradimit të Gylenit, Kryetari i GYV-it Mustafa Yeşil tha se kërkesa e Erdoganit ishte një përpjekje për të manipuluar perceptimin publik dhe imazhin e Gylenit e të Lëvizjes së Hizmetit, duke përforcuar idenë se Erdogani dhe qeveria e tij duan të krijojnë një perceptim se gjoja “ne kërkuam që të ekstradojmë Gylenin, por ata nuk e bënë; kështu që, këta njerëz [ndjekësit e Hizmetit] po mbështeten nga Amerika.”
Yeşil u shpreh njëkohësisht, se ekstradimi i Gylenit s’është vetëm një çështje e brendshme ligjore e Turqisë, por edhe e SHBA-ve, pasi: “Akuzat kundër Gylenit duhet të konfirmohen nga gjyqësori turk dhe më pas të vërtetohen si krime nga gjyqësori amerikan. Edhe kjo nuk mjafton për një ekstradim. Ministria Amerikane e Punëve të Jashtme duhet të japë leje për një ekstradim të mundshëm. Siç e dimë, deri më tani nuk ka pasur asnjë proces diplomatik mes dy vendeve për një ekstradim të mundshëm të Gylenit. Megjithatë, ne e dimë se SHBA-të nuk bëhet kurrë palë e këtyre praktikave të paligjshme.” Yeşil nënvizoi gjithashtu se një ekstradim i Gylenit nuk ka gjasa të ndodhë nën rrethanat aktuale.
Si përgjigje ndaj pyetjes nëse pritet apo jo nisja e një operacioni të një shkalle të gjerë kundër institucioneve ose individëve pro Lëvizjes Hizmet, të damkosur nga qeveria si pjesë e një të ashtuquajture strukturë paralele, Yeşil pohoi se po të kishte pasur vërtet një “strukturë paralele” angazhuar me aktivitete të paligjshme, kjo strukturë do të ishte zbuluar dhe ndëshkuar menjëherë nga procedimet ligjore. Ai shtoi se qeveria ka pohuar se kjo strukturë paralele është Lëvizja e Hizmetit, ndonëse nuk ka prurë as edhe një provë për t’i mbështetur këto aludime. Yeşil tha se nuk kanë frikë nga asnjë operacion apo procedim ligjor mbi këtë çështje, sepse Lëvizja e Hizmetit nuk është përfshirë asnjëherë në veprime të paligjshme.
Duke komentuar mbi spastrimet e kryera në institucione të ndryshme publike, në gjyqësor dhe në forcat e policisë, që nga publikimi i një skandali korruptiv ku implikoheshin katër ish-ministra dhe disa zyrtarë të tjerë shtetërorë, Yeşil tha se ka pasur shumë transferime dhe pushime nga puna nën pretekstin e luftimit të “reaksionizmit” gjatë periudhave të mëparshme. Ai vazhdoi duke thënë, se i referohet transferimit të shumë zyrtarëve shtetërorë gjoja të përfshirë në aktivitete reaksionare gjatë grusht-shtetit të famshët të 28 shkurtit. Pasi theksoi se me mijëra oficerë policie dhe dhjetëra prokurorë janë transferuar me detyrë që nga 17 Dhjetori i vitit të kaluar e tutje, kur u bë publik skandali për korrupsion, Yeşil pohoi se këto transferime janë kryer pa asnjë provë apo proces ligjor, pasi në thelb ato nuk mbështeten mbi asnjë bazë ligjore.
Që nga hetimi për ryshfet, me mijëra oficerë policie janë transferuar me punë ose shkarkuar nga postet e tyre për shkak të lidhjeve të supozuara me Lëvizjen e Hizmetit. Qeveria dhe qarqet e afërta me të kanë akuzuar Lëvizjen se ka gisht në hetimin për ryshfet.
Një gazetar e pyeti z. Yeşil rreth saktësisë së raportimeve, duke treguar se një grup përfaqësuesish nga komunitetet fetare dhe shoqërore në Turqi kanë vizituar Gylenin në Pensilvani dhe kanë kërkuar nisjen e një procesi pajtimi mes Hizmetit dhe qeverisë. Thuhet se ata kanë shprehur shqetësimin se tensioni i vazhdueshëm mes të dyjave mund të ndikojë për keq te komunitetet e tjera në Turqi. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Yeşil tha se asnjë delegacion i tillë nuk i ka bërë vizitë Gylenit. Disa publikime në media kanë cituar Gylenin të thotë, “Operacioni ka filluar tashmë [dhe si rrjedhojë] kjo nuk mund të trajtohet më me ilaç,” duke iu referuar realizimit të një pajtimi të mundshëm mes Hizmetit dhe qeverisë. Yeşil u ndal gjithashtu të thoshte, se Gyleni nuk ka thënë asnjëherë diçka të tillë dhe në fakt ka qenë pikërisht Erdogani, i cili e ka shprehur këtë gjatë një takimi me përfaqësues të medieve.
Po bëhet një luftë e madhe propagandistike nga disa qarqe të afërta me qeverinë e prirë prej Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) kundër Lëvizjes së Hizmetit dhe Gylenit, në mënyrë të veçantë pas plasjes së skandalit korruptiv.
Pasi u deklarua se biznesmenët që janë afër me Lëvizjen e Hizmetit janë nën trysninë e qarqeve të qeverisë, Yeşil deklaroi: “Them me keqardhje se disa biznesmenë kanë shqetësime të mëdha. Ata që kanë lidhje me Lëvizjen janë përballur me vështirësi në kryerjen e biznesit të tyre. Nuk do të jap emra, por kemi kryer disa rezervime dhe [organizuar] programe të ndryshme në hotele të caktuara. Ato hotele na thirrën dhe na shprehën shqetësimet e tyre, duke pohuar se i kanë lajmëruar dhe iu kanë thënë, ‘Nuk na duket e përshtatshme pritja e atyre njerëzve [ndjekësve të Hizmetit]. Shohim që ju i mbështesni ende ata njerëz.’ Këto gjëra nuk janë as të mira dhe as të drejta.”
Yeşil deklaroi gjithashtu, se Ministria e Arsimit ka dërguar vazhdimisht inspektorë arsimorë në shkollat ose qendrat e kurseve, që kanë lidhje të afërta me Hizmetin për t’iu bërë presion këtyre institucioneve. Ai nënvizoi se këto institucione janë plotësisht të ligjshme dhe sigurojnë një edukim të një cilësie të lartë; ai tha se nuk shqetësohen për inspektimet e vazhdueshme, nëse kryhen brenda kuadrit ligjor.
- Publikuar më .