Urtësitë e historive të profetëve
Pyetje: Cilat janë urtësitë e rrëfimit të historive të profetëve në Kuranin Fisnik?
Përgjigje: Në Kuranin Fisnik gjenden shumë histori të rrëfyera rreth profetëve, duke filluar që nga Ademi i nderuar (alejhis’selam), e deri te Mesihu i nderuar (alejhis’selam). Në mes të këtyre historive vendin më të madh e zënë ato që flasin rreth Musait të nderuar (a.s.).
Neve të gjitha këto histori na tregohen neve përmes Profetit tonë të Dashur (pqmT). Dhe, pothuajse në të gjitha këto histori rreth profetëve tregohet përplasja mes besimit dhe mohimit, që ka filluar që me Ademin e nderuar (alejhis’selam) e deri në ditën e kiametit. Sepse kjo përplasje mes besimit dhe mosbesimit nuk ka reshtur së ekzistuari asnjëherë përgjatë historisë dhe ka për të vijuar e këtillë deri në ditën e fundit.
Ademi i nderuar (alejhis’selam) është tronditur prej fëmijëve të tij që kanë devijuar prej udhës së drejtë, duke filluar që me të birin, Kabilin. Po ashtu edhe Nuhu (alejhis’selam) është tronditur jashtë mase nga njerëzit e tij që iu larguan rrugës së besimit dhe ranë në mohim, përfshi këtu edhe djali i tij, Kenani. Salihu i nderuar (alejhis’selam), i cili i qe dërguar popullit të Themudit qe përpjekur me mish e me shpirt me popullin e tij krenar e mendjemadh në krenarinë e tij, aq sa edhe u është dashur që të përballet fizikisht me ta.
Poende edhe në periudhat vijuese të historisë kjo përballje ka vazhduar po e njëjta në thelb. Atëherë kur mbi tokë të mos ngelet më asnjë njeri që të përmendë emrin e Allahut, kjo botë që është një fushë sprovash për njeriun do ta ketë humbur qëllimin e krijimit të saj, andaj Allahu (xh.sh.) do ta shkatërrojë atë dhe do të bëjë që të ndodhë kiameti. Në një hadith të nxjerrë prej Sahih-ut të Muslimit, Enes ibni Maliku (r.a.) na transmeton se Profeti ynë i Dashur (pqmT) ka thënë: “Kiameti nuk ka për të ndodhur, nëse në tokë do të ketë qoftë edhe një njeri të vetëm që do të thotë: “Allah! Allah!” [1] Me një fjalë, për sa kohë që mbi tokë të gjendet një bashkësi që përpiqet ta lartësojë emrin e madhërueshëm të Allahu, duke u rrekur që ta bëjnë atë një flamur të së vërtetës që valëvitet mbi tërë sipërfaqen e tokës, kiameti nuk ka për të ndodhur. Sepse për sa kohë që ka njerëz të tillë, atëherë Toka ka ende një domethënie të sajën; sepse do të thotë se mbi tokë ka ende njerëz që duartrokasin dhe vlerësojnë artin e pashoq të Allahut (xh.xh.). Sepse, nëse nuk do të kishte njerëz të këtillë, duke qenë se rruzulli tokësor nuk do të kishte më kurrfarë domethënieje, atëherë Allahu (xhel’le xhelaluhu) do të shkaktonte kiametin, për të hapur një tjetër botë ku do të jetonin njerëzit.
Veç kësaj, në Kuran, kur tregohen historitë e profetëve theksi vihet te cilësia e përsëritjes që ka vetë historia njerëzore e mandej sikur të dojë që t’i japë mësim Profetit tonë (pqmT), i thuhet: “O Muhamed, përballja mes besimin dhe mohimit, ose e thënë ndryshe, lufta mes mosbesimtarëve dhe profetit të tyre nuk nisi me ty. Kjo është një situatë që vijon e këtillë që kaherë. “Andaj Ti largohu prej feve të kota e kalimtare dhe ktheje fytyrën e shpirtin tënd kah feja e vërtetë. Me një fjalë vepro sipas natyrës në të cilën je krijuar. Askush nuk ka forcë që ta ndryshojë natyrës e krijimit të Allahut. Ja, kjo është feja e vërtetë. Mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë, nuk e kuptojnë.” (Pra, kjo është një rrugë që nuk ndryshon, se në ligjësitë e mia nuk ndodh kurrfarë ndryshimi dhe kështu ka për të qenë gjer në herë të herëve.) [2]
Së dyti Allahu flet rreth këtyre historive për ta qetësuar dhe për t’i dhënë kurajo dhe mbështetje të Dërguarit të Tij përballë fjalëve të rënda dhe përbaltjeve që i janë bërë nga njerëzit. Dua të jap një shembull, që të kuptohet më mirë. Në një ajet kuranor thuhet kështu: “O besimtarë! Mos u bëni si ata që i shkaktuan vuajtje Musait (a.s.). Ata ç’nuk thanë, por Allahu e pastroi atë prej gjithë ç’kishin thënë ata, duke ua treguar të gjithëve se sa i pastër ishte [ai]. Ai ishte një njeri i nderuar përpara Allahut.” [3] Ky ajet tregon se, një ditë, besimtarët do t’i shkaktonin vuajtje të Dërguarit të Allahut (pqmT), njësoj siç patën bërë dikur bashkëkohësit e Musait (a.s.). Aq sa njëherë, dikush e pati kapur Profetin tonë të Dashur për krahu dhe i pati thënë: “Më jep atë që më takon! Nga malli i babait tënd je duke dhënë?” [4]
Njëherë tjetër, dikush që nuk ishte i kënaqur me ndarjen që kishte bërë Profeti ynë (pqmT), i qe drejtuar me fjalët: “Kjo ndarje nuk ishte e drejtë. Ji pak i drejtë!”, duke e fyer rëndë. I Dërguari i Allahut (pqmT), i cili u ndie shumë i ofenduar nga fjalët e këtij beduini, iu përgjigj: “Kush do të jetë i drejtë po nuk qeshë as unë?” [5]
Prijësi i profetëve (pqmT), teksa tregon vuajtjet që pati përjetuar Musai i nderuar (alejhis’selam), thotë këto fjalë: “Mëshira e Zotit qoftë mbi Musain e nderuar! Ai u përball me vuajtje shumë më të mëdha, por tregoi durim.” [6]
Dhe me ajetin e mësipërm [7] Allahu (xhel’le xhelaluhu) edhe flet për vuajtjet dhe torturat që i janë kryer Musait të nderuar (alejhis’selam), por edhe i thotë Profetit tonë se “nuk është vetëm Ai që po i shkaktohen vuajtje.”
Mund të japim edhe një shembull tjetër se si Allahu (xh.sh.) e qetëson Profetin tonë duke i treguar Atij histori rreth profetëve të tjerë më përpara:
Ishin shtatëdhjetë sahabë që u tradhtuan në vendin e quajtur Bir’i Maune, duke rënë që të gjithë dëshmorë. Mbreti i gjithë profetëve u hidhërua aq shumë nga kjo që kishte ndodhur, saqë vetëm duke iu drejtuar vetë Allahut mund të gjente pak qetësi. E Allahu (xh.sh.) i tregoi Atij ligjin hyjnor të patëmetë: “Apo mos vallë ju pandehët se do të mund të futeni në Xhenet pa kaluar nëpër ato situata, përmes të cilave kaluan edhe bashkësitë që kanë jetuar para jush? Ata u përballën me vuajtje, me shqetësime, tortura, vuajtje dhe sëmundje të një lloji që
ata u tronditën nga tmerri, saqë i Dërguari i Allahut (pqmT) dhe besimtarët e tjerë përreth Tij pandehën se do të vinte një pike sa të pyesnin me zë të lartë: “Kur do të na vijë ndihmesa e Allahut?” [8]
Në ajetin fisnik bëhet fjalë se popujve të mëparshëm ndihma e Allahut u ka ardhur pikërisht në atë kohë kur shqetësimet dhe vuajtjet kanë arritur pikën më të fundme të durimit dhe gjithçka ka dalë nga kontrolli. Po, ja, në këtë pikë Profetit tonë (pqmT) i bëhet me dije se fitorja dhe ngadhënjimi do të jenë të mundur vetëm pas kapërcimit të disa shqetësimeve dhe vuajtjeve.
Nisur nga historitë e profetëve, do të doja të jepja një shembull që ka lidhje me Profetin tonë (pqmT) dhe që është i një rëndësie të veçantë për ne. Sipas disa transmetimeve të ndryshme, ka pasur profetë që nuk i ka besuar as edhe një njeri i vetëm. E prapseprapë tregohet se ata kanë vazhduar së kryeri misionin e tyre pa kërkuar kurrfarë shpërblimi material. Për shembull, Nuhu i nderuar u është drejtuar me këto fjalë njerëzve të tij: “O njerëz! Unë nuk dua kurrfarë shpërblimi nga ju për predikimin tim. Mua shpërblimin mund të ma jape vetëmse Allahu (xh.xh.). [9] Por edhe fjalët me të cilat u qe drejtuar Hudi (a.s.) njerëzve të tij nuk se qenë më të ndryshme: “O njerëzit e mi, mua shpërblimin nuk mund të ma jape dot askush përveç atij që më ka krijuar mua, Allahu (xhel’le xhelaluhu). A nuk mendoni fare? [10] Dhe teksa i tregon se ç’u kanë thënë popujve të tyre Nuhu dhe Hudi (a.s.), Allahu (xh.sh.) i thotë të Dërguarit të Tij, Profetit tone (pqmT): “Edhe profetët e tjerë përpara teje nuk kërkonin asgjë prej njerëzve të tyre, sepse edhe ata përpiqeshin që t’i udhëzonin drejt së drejtës njerëzit e tyre, me po të njëjtat ndjenja të pastra dhe me pot ë njëjtin shpirt të qashtër. Por ç’e do se atyre nuk u besoi askush, ose shumë pak njerëz. Por ti mos harro, se nëse njerëzit nuk besojnë, Allahu (xh.xh.) nuk ju lë pa jua dhënë shpërblimin për profetët. Detyra jote është predikimi dhe udhëzimi i njerëzve, ndërsa që t’ua bëjë atyre të pranueshme ato që u mësoni ju është puna e Allahut (xh.sh.), sepse kështu e kërkon natyra e përftuar nga emrat e Tij. Ti nuk je ngarkuar me detyrën për t’i bërë ata që të pranojnë fjalët që u meson. Ti do ta marrësh të plotë shpërblimin e të qenit profet i Imi .
Secili nga këto ajete aq të pasura në domethënie e ndriçonte akoma edhe më shumë shpirtin e bekuar të Profetit tone (s.a.s.), por edhe i kujtonte Atij se thelbësore është dëshira hyjnore. Andaj, ato çështje, që për Të ishin të pranuara gjer në shkallën e padiskutueshmërisë, lëshonin rrënjë në thellësitë e shpirtit të tij, që ai mandej, me një bindje të pashoqe, pa u lëkundur asnjëherë, të gjente sërish nga një portë të re për t’u thënë: “Thoni La ilahe il’lallah dhe shpëtoni”, edhe sikur ta kishin refuzuar me mijëra herë.
Veç kësaj, ashtu siç i tregojnë Profetit tonë shumë çështje rreth profetëve të shkuar, këto histori që rrëfehen në Kuranin Famëlartë na tregojnë dhe na mësojnë shumë gjëra edhe neve, sepse ato përmbajnë mësime shumë të thella dhe të vyera. Me një fjalë, edhe ata që do të marrin përsipër mbi shpatulla këtë detyrë, këtë mission të shkallës së profetësisë së madhërishme, duhet ta marrin parasysh se mund edhe që të refuzohen e të përndiqen nga shoqëria në të cilën jetojnë, madje edhe të privohen nga shumë të drejta njerëzore. Disa njerëz, nga dashuria për t’u dukur sa më mire në sytë e njerëzve ose për të përfituar një varg interesash të kësibotshëm, mund edhe ta tradhtojnë këtë mision. Megjithatë, ai rreth njerëzish, të cilët nuk lëkunden, nuk lëndohen dhe nuk bezdisen nga ajo se si i trajtojnë njerëzit, duhet të bëjnë durim dhe të dine të thonë: “Kjo botë është botë e durimit, jo e mërzitjes.”
E kush jemi ne që t’i ankohemi Zotit, “njerëzit nuk na besojnë, pse s’po mundim që t’ua bëjmë të besueshme fjalët tona?”, kur është vetë Profeti ynë (pqmT), i Cili na transmeton se ka pasur edhe profetë që nuk kanë pasur umet, madje nuk kanë pasur askënd që t’u besojë? [11] Nuk duhet harrar se detyra e besimtarit është që të predikojë dhe të udhëzojë. Pranimi dhe të bërit të pranueshëm është diçka që i përket natyrës së Allahut (xh.xh.).
Këtu dua të rrëfej një histori shumë domethënëse lidhur me këtë çështje. Tregohet një ngjarje e tillë: “Njëherë, shejtani i tha Mesihut të nderuar (a.s.): “Meqë exheli dhe kaderi janë në dorë të Allahut, pa ngjitu njëherë mbi atë malin atje dhe lëshoje veten, a nuk do të vdesësh!” Mesihu i nderuar iu përgjigj me këto fjalë: “Allahu e sprovon robin e Vet, mirëpo robi nuk e ka të drejtën, madje nuk ka se ku ta gjejë guximin që ta vërë në provë Zotin.” [12]
Nëse Allahu (xhel’le xhelaluhu) ka bërë një marrëveshje me njeriun dhe ky i fundit nuk e ka prishuar atë, atëherë Allahu e ka premtuar në Kuranin e Tij se do të mbajë çdo premtim: “Mbajeni fjalën që më keni thënë, në mënyrë që edhe unë ta mbaj premtimin që ju kam bërë!” [13] Domethënë, në këtë ajet Allahu (xh.sh.) na thotë: “Nëse nuk e mbani fjalën e dhënë ndaj meje, duke harruar namazin dhe lutjen, ose duke braktisur përpjekjen në emër të Islamit dhe e prishni besëlidhjen me mua, atëherë as Unë nuk jua jap ato mirësi që jua kam premtuar.”
Si përfundim, historitë e rrëfyera në Kuran nuk se duan të rrëfejnë thjesht nga një histori të së shkuarës. Ato bartin domethënie për çdo epokë të histories. Ajo që na takon neve të bëjmë është që të përpiqemi ta kuptojmë këtë domethënie, duke u prirur nga e drejta. Vetëm nëse veprojmë kështu do të mund të qëndrojmë në rrugën e drejtë të së vërtetës dhe – inshaallah – nuk do të tregohemi të paturp përballë Krijuesit tonë.
*Ky shkrim botohet këtu i shkëputur nga libri më i fundit i mendimtarit M. Fethullah Gylen, “Poezia e pranverës”.
[1] Muslim, iman 234; Tirmidhi, fiten 35.
[2] Rum, 30:30.
[3] Ahdhab, 33:69.
[4] Buhari, farz’ul-humus 19; edeb 68; Muslim, zekat 44.
[5] Buhari, menakib 25; edeb 95, istitabetu’l-murted’din 4; Muslim, zekat 148.
[6] Buhari, farz’ul-humus 19; ehadisu’l-enbija 28;megazi 56; edeb 53; isti’zan 47; daauat 19; Muslim, zekat 140.
[7] Ahdhab, 33:69.
[8] Bakara, 2:214 (shih: el-Begaut-Mealemu’t tenzil-
[9] Hud, 11:29.
[10] Hud, 11:51.
[11] Shih: Buhari, tib 17, 41; rikak 50; Muslim, iman 374.
[12] Ma’mer ibni Rashid, el-Xhami’ 11:113; Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Eulija 4/12.
[13] Bakara, 2:40.
- Publikuar më .