Shpirti i udhëzimit dhe qëndrim prej të drejtësh

Fethullah Gylen: Shpirti i udhëzimit dhe qëndrim prej të drejtësh

Pyetje: Bediuzamani i nderuar, në veprat e tij të titulluara “Farat e të vërtetës” dhe “Përndritimet”, shprehet, se “shumicën e njerëzve të thjeshtë, më tepër se argumenti, i shtyn të binden shenjtëria e burimeve origjinare.” A mund të na ndriçoni me kuptimin e këtyre fjalëve?

Përgjigje: Me frazën “shumica e njerëzve të thjeshtë”, e cila bart kuptimin “njerëzit e zakonshëm”, kihen parasysh ata njerëz që nuk i arrijnë dot thellësinë e dijes islame e që e çojnë jetën e tyre fetare të lidhur pas imitimit, me pak fjalë që nuk e përthithin dot plotësisht shpirtin e fesë së tyre. Këta njerëz, nuk i dinë e nuk mund t’i dinë të gjitha argumentet logjike dhe filozofike të gjërave, e poaq të vështira u duken edhe përparimet në dije. Po kështu vështirësohen edhe përballë të dhënave të shkencës. Andaj, qasja ndaj tyre nëpërmjet argumentesh të ndryshme logjike, arsyetuese dhe filozofike mund të mos japë rezultate edhe aq të vyera. Në vend të kësaj, kur u shpjegohen çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me gjykime mbi sjellje të caktuara, si e lejuara dhe e ndaluara, apo të qenët apo jo mubah e diçkaje, nëse do t’u thoni, se “Kurani shprehet mjaft qartë lidhur me këtë në aksh ajet.” apo duke thënë, se “në Sunetin profetik shohim që të vlerësohet kësisoj.”, mund të shihni se si këto fjalë do të jenë shumë më bindëse për ta. Sepse Kurani dhe Suneti, ashtu siç edhe duhet të jenë në të vërtetë, për ta janë nga një burim i shenjtë shumë i shëndoshë që duhet ndjekur, dhe të cilëve u do qëndruar besnik.

Nga ky këndvështrim, ndërsa u qaseni njerëzve të thjeshtë për t’u bërë analiza të nevojshme fiku, apo mbi parime të ndryshme thelbësore, do të ishte më e drejtë që t’ua nisni fjalën duke përmendur ajetet kuranore, apo me këshilla apo sjellje dhe reagime nga vetë jeta e Profetit tonë të dashur (s.a.s.) në lidhje me atë çështje. Me fjalë të tjera, kur t’ua tregoni atyre këto të vërteta duke u treguar, se “Profeti i profetëve sillej kështu; ulej kështu dhe ashtu ngrihej; hante kështu dhe pinte në atë mënyrë...” etj., duke e lidhur çdo situatë me vetë jetën e Profetit tonë (s.a.s.), kjo ka për të lënë një ndikim edhe më të madh besueshmërie dhe udhëzimi në jetën e tyre.

Siç edhe do të kuptohet prej shpjegimit të mësipërm, me “burimet origjinare” që përmenden më sipër, mund të kuptohen veç Kurani dhe Suneti. Kësisoj, duke qenë se shumë personalitete të larta e kanë jetuar jetën bazuar milimetër për milimetër në Kuranin Fisnik dhe në Sunetin e besueshëm, ata kanë fituar besimin dhe dashurinë e popullit, duke u kthyer edhe ata në nga një burim origjinar në njëfarë mënyre.

Qëndrimi i palëkundur i dijetarëve

Për shembull, për Ebu Hanifen (rahmetullahi alejh rahmeten uasiaten) thuhet, se ka pasur me mijëra nxënës që e ndiqnin. Edhe në një pjesë prej tyre mund të numërohen personalitete si Ebu Jusufi, Imam Muhamedi dhe imam Dhuferi, mund të mendohet afërmendsh se ndër ta ka pasur edhe prej njerëzve të thjeshtë, të cilët kanë ardhur e kanë qëndruar anëve të popullit për ta dëgjuar, megjithëse jo gjithë ç’ka treguar ai kanë arritur ta kuptojnë. Është shumë e vështirë që t’i kenë kuptuar të gjitha diskutimet e zhvilluara rreth atyre hallkave për çështje të ndryshme të thella të dijes, apo për paralajmërime të ndryshme lidhur me to, siç mund të ketë qenë diskutimi i disiplinave të metodologjisë së jurisprudencës apo i sistematikës së gjykimit. Mirëpo ai njeri i lartë kishte një drejtim aq të drejtë kah Allahu (xh.sh.), një lidhje të atillë ndaj Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe kanë qëndruar aq të palëkundur në rrugën e fesë, sa, vetëm ai qëndrim ka arritur që të japë ndikimin e njëmijë argumenteve në zemrat e njerëzve të thjeshtë.

Juristët e mirënjohur, si imam Shafiu, imam Maliku dhe imam Ahmed ibni Hanbeli, nuk e kanë ndalur për as edhe një çast të vetëm qëndrimin e tyre të palëkundur në rrugën e së drejtës, duke ruajtur deri në fund të jetës së tyre po të njëjtën pjekuri shpirtërore të pashoqe. Imam Shafiu qe lidhur prej drejtuesve myslimanë të kohës deri në Bagdad, ku edhe qe marrë në pyetje për mendimet e tij. Mirëpo njerëzit rreth e rrotull tij, me ta parë thellësinë e tij shpirtërore patën hequr dorë nga tortura dhe patën nisur t’i shpalonin gjithë respektin e tyre. Poashtu edhe imam Ahmed ibni Hanbeli qe futur nëpër biruca, qe goditur me kërbaçë dhe qe torturuar me gjithfarë mënyrash, mirëpo nuk e pati ndryshuar qëndrimin e tij kundrejt çfarëdo çmimi. Edhe nëse do të shihni jetën e një tjetër personaliteti tjetër si imam Gazaliu, i cili ka jetuar periudha më vonë, do ta shihni se si ai nuk e ka humbur asnjëherë drejtqëndrimin, por ka vazhduar përgjatë çdo çasti të jetës që t’ua bëjë fenë të ditur kujtdo me një botëkuptim të mirëfilltë reformimi. Ja pra, pikërisht këtë qëndrim të palëkundur të tyre ka vërejtur shumica e njerëzve të thjeshtë, ndaj edhe i ka vlerësuar përherë si nga një udhërrëfyes që duhet ndjekur medoemos.

Një qëndrim më se i drejtë në thirrje të të Drejtit

Po në të njëjtën mënyrë është përpjekur edhe Bediuzaman Said Nursiu përgjatë gjithë jetës së tij, që të bëhet zëri dhe fryma e epokës sonë; që ta ringrejë edhe njëherë me një sërë argumentesh logjike dhe shkencore besimin karshi çudhëzimit të përçuar përmes një pjese të shkencës dhe prej filozofisë, duke ua paraqitur edhe njëherë Islamin njerëzve në një formë të atillë, që zemra, mendja dhe shpirti do t’ua mirëpresë menjëherë. Nëse do të mund të arrini të thelloheni në mendimet e vëna në pah prej tij, sa e sa xhevahire do të hasni në mes tyre. Veç kësaj, nëse do t’u hidhni një pjesë “Shënimeve” të tij nëpër qytete të ndryshme ku i është dashur të jetojë i syrgjynosur, do të shihni se ç’shtylla të palëkundshme parimesh të rëndësishme se si mund t’i shërbehet besimit ka arritur të vërë në pah, të cilat duhen ndjekur medoemos prej çdo njeriu që dëshiron t’i shërbejë Kuranit. Mirëpo, mund të thuhet, se sikur edhe asnjërën nga këto vepra marramendëse të kishte shkruar, prapëseprapë do të mjaftonte veç qëndrimi i tij i drejtë e i palëkundur përgjatë tetëdhjetë viteve pa bërë asnjëfarë ndalese. Po, ato të vërteta që juve mund t’ju duhet t’i shprehni me sa e sa sforcime, ai njeri i lartë i ka shprehur veç me qëndrimin e tij si një “elif”.

Ja pra, si një realitet, mund të themi besimtarët e thjeshtë, qysh në krye të herës, më tepër se sa shtjellimet e thella arsyetuese apo krahasimet logjike, i ka tërhequr besueshmëria e falur prej fjalëve dhe sjelljeve të njerëzve të këtyre horizonteve, të drejtuar veç kah i Drejti, ndaj dhe ata kanë ndjekur.

Ringjallje në horizontin e zemrës dhe shpirtit

Edhe në lëvizjet e mëvonshme që kanë dalë në emër të ringjalljes së ndjenjave të caktuara, kanë arritur ta bëjnë të mundur rinovimin më tepër nëpërmjet njerëzish të drejtuar më tepër nga bota e tyre e brendshme, të thelluar në një vetëllogari të ashpër, që jetojnë në horizontin e shpirtrave të veta, duke iu bindur përherë me përunjësi boshtit të zemrës dhe shpirtit. Pas të gjitha lëvizjeve për ringjallje, për rilindje pas periudhash të vdekura, janë gjendur përherë heronj të këtillë të zemrës dhe shpirtit. Këto frymime ringjalljesh mund t’i ilustroni me sa e sa heronj të zemrës, duke nisur që nga Bediuzamani i nderuar e gjer tek Mevlana Halid el-Bagdadi, nga imami i Allvarit e gjer tek vëllai i tij, Vehbi efendiu, e nga Ihramxhëzadeja e deri tek Hulusi Efendiu, përfaqësues të gjithë karakteresh të ndryshme. Këto personalitete të larta, të cilët kanë përparuar si të çmendur në rrugën e së drejtës pa pasur kurrfarë pritshmërie, pa e menduar asfare frutin e mundshëm në fund të rrugës, kanë arritur të përgatisin në atmosferën e formuar rreth tyre njerëz të atillë, të cilët ju e keni të vështirë t’i përgatisni në njëmijë shkolla të marra së bashku.

Prej këtyre fjalëve nuk do kuptuar kurrsesi sikur po bëhet fjalë se do qëndruar i mbyllur ndaj shkencës dhe të vërtetave shkencore, duke pandehur se ato nuk se kanë ndofarë dobie. Patjetër që shkenca, metodat e përftimit të dijes dhe të vërtetat shkencore janë dinamika të qenësishme për realizimin e ringjalljes sonë. Ndërsa çështja që u përpoqa të trajtoja ishte veç të theksoja se shenjtëra e burimeve origjinare ka një ndikim të patjetërsueshëm. Sepse në të gjendet një sinqeritet, një afrimitet me Allahun, një lidhje dhe raport aq i fortë me Të, të cilat janë edhe faktorët që e bëjnë të mundur këtë ndikim thellë e më thellë mbi bashkëbiseduesit.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.