Ego me zë prej engjëlli: Egoja besimtare

Fethullah Gylen: Ego me zë prej engjëlli: Egoja besimtare

Pyetje: Në një prej lutjeve që Profeti ynë (s.a.s.) na ka këshilluar që t'i lexojmë, thuhet: "O Zot! Dua prej Teje të më bësh të mundur një ego që të beson Ty, që beson se do të rikthehet tek Ti, që është përherë e kënaqur me vendimet e Tua, e që di të mjaftohet me mirësitë e Tua dhe që ka arritur besimin në Ty!"[1] Ç'është ajo që do kuptuar me frazën "ego që të beson Ty" në këtë lutje, a mund të na e shpjegoni?

Përgjigje: Në fakt, Profeti ynë i dashur (s.a.s.), duke u shprehur në formën "Armiku më i madh yti është egoja jote e mishëruar në ty." në një hadith të bekuar, na e ka tërhequr vëmendjen për të na treguar se armiku ynë më i paepur ndaj të cilit është e domosdoshme që të mbajmë një qëndrim të njënjëshëm e të përpiqemi vazhdimisht kundër tij. Edhe njëherë tjetër, ndërsa ishin duke u kthyer prej një beteje për në Medinë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u qe drejtuar sahabëve të Tij me fjalët: "Tash po kthehemi nga lufta e vogël për në luftën e madhe."; e kur e pyetën se ç'ishte kjo luftë e madhe, Ai u qe përgjigjur: "Lufta me veten."[2] Pasi përpjekja e njeriut kundër një armiku të fshehtë e dinak, i fshehur sikur mes dy vetullave të veta, që mund të sulmojë nga çasti në çast është shumë më e madhe dhe e vështirë krahasuar me përpjekjen kundër një armiku të njohur e të dukshëm përballë vetes. Pasi, edhe pse vështirësitë fizike dhe materiale mund të jenë të mëdha në luftën, goditjet dhe përballjen me armikun tjetër, fitoret dhe plaçka e luftës së fituar në rast fitoreje, janë rezultate të arritshme qysh në këtë botë. Nuk është e njëjta gjë me përpjekjen kundër egos, pasi të mirat dhe shpërblimet e premtuara kundrejt mundjes, pra fitores ndaj tij, në më të shumtën e tyre janë aktualisht të padukshme dhe janë më së tepërmi të lidhura me jetën e përtejme. Ndërsa natyra njerëzore është e dhënë pas padurimit për t'i përftuar në çast dhe pa kaluar qoftë edhe asfare kohë shpërblimet e mundshme, siç edhe shprehet mjaft qartë në ajetin fisnik: "Jo, jo, ju jeni shumë të dhënë pas kësaj jete të çastit të kësaj bote, andaj e braktisni vazhdimisht jetën e përtejme."[3] Sepse njeriu kërkon ta marrë menjëherë frytin e përpjekjes së vet, e poashtu edhe pagesën për punën e kryer. Prandaj, megjithëse në të vërtetë lufta e bërë në emër të përhapjes së emrit të Allahut (xh.sh.) mund të mos jetë e vogël, mbetet mjaft e vogël në raport me luftën e madhe.

Shkallët e egos dhe egoja vetëqortuese

Siç dihet, egoja, që është edhe armikja më e paepur e njeriut, megjithëse potencialisht mund të jetë e dëmshme për të, ajo është e hapur ndaj ndryshimit dhe lartësimit, pasi nëse edukohet siç duhet, ajo kthehet në një kafshë shale, jo që e largon njeriun prej Zotit, por që e afron. Për shembull, egoja e shprehur në ajetin fisnik,"Jo, jo, betohem në atë ego që e qorton veten." do të thotë se ka hedhur hapin e parë drejt ndryshimit dhe lartësimit, duke u kthyer në një nga llojet e egove, përkatësisht e asaj që ka hedhur hapin e parë drejt lartësimit. Kjo ego, pavarësisht se herë pas here mund të bjerë në gabime të përsëritura, ajo e gjykon dhe e qorton veten për çdo gabim apo mëkat të kryer, madje kërkon sa më shumë rrugëdalje prej gjërave të kota, madje ndonjëherë të dëmshme, në të cilat është përfsirë, i drejtohet Zotit me pendesë dhe përkushtim, duke zhvilluar strategji alternative për të shpëtuar saora prej kurthesh të ngjashme për të gabuar sërish të njëjtat gabime. Kalimi i egos së njeriut nga një ego që josh e joshet vazhdimisht për në të ligë në një ego që e qorton veten për çdo gabim a mëkat të kryer nën pushtetin e vetvetes është shumë e rëndësishme përsa i përket pastrimit dhe lartësimit të shpirtit. Pasi hapi i parë është më se i domosdoshëm për t'u hapur në shkallët e tjera të egos. Sepse lartësimi i njeriut, prej egos që urdhëron në të keqen drejt egos besimtare, mandej prej egos besimtare për në egon e kënaqur (ajo ego që është e kënaqur dhe aspak gjykuese e çdo caktimi hyjnor, sidoqoftë ai), mandej për në egon e pëlqyer (egoja me të cilën janë të kënaqur), deri, nëse ato janë të mundshme në këtë botë, drejt egos së kulluar apo egos së qashtër, mund të bëhet i mundur vetëm pas kalimit të egos që urdhëron në të keqen drejt egos vetëqortuese. Pasi, ashtu siç një dobësi në qendër të diçkaje sjell dobësi akoma edhe më të mëdha drejt periferisë, një arritje e këtillë, qoftë edhe tejet e vogël, përsa i përket egos është tejet e rëndësishme, ndaj dhe e domosdoshme. E për t'ia arritur kësaj është i domosdoshëm realizimi i një ndryshimi; me fjalë të tjera, nevojitet fshirja e të vjetrës, thënia lamtumirë të shkuarës dhe goditja me të pasmen e dorës e të gjitha gjërave me të cilat je mësuar gjer më atë çast për t'iu futur një rruge fare të re.

Ja pra, egoja që tregon përpjekje dhe vendosmëri për të mos rënë sërishmi në të njëjtat gabime, por që e gjykon dhe e qorton veten pandërprerë sa herë që bie në kurthin e ndonjë gabimi a mëkati, nëse e vazhdon këtë përpjekje, do të mund të ngjitet në shkallën e egos besimtare, për t'i rrahur krahët veç në qiejt e horizontit të zemrës dhe shpirtit.

Cilësitë e egos që ka arritur besimin

Egoja besimtare është ajo ego që ka arritur besimin në Zot, që është konsoliduar përsa i përket horizontit të besimit dhe njohjes, që ia ka mbyllur portat çdo gjëje tjetër pos kënaqësisë dhe pëlqimit të Allahut (xh.sh.), e që nuk ndien nevojën për asnjë pritshmëri alternative. Një ego e këtillë, e cila e ka çliruar veten prej kërkimeve të kota, jeton kësisoj veç e drejtuar kah i Madhërishmi, duke i harxhuar gjithë sekondat dhe minutat e jetës veç në kërkim të kënaqësisë së Tij dhe duke frymuar veç kënaqësi dhe pëlqim për çdo vendim a caktim nga ana e Tij. Nëse në zemrën e ndokujt ndihen ndjesitë e të qenit i kënaqur ndaj veprimtarisë të patëmetë të Allahut (xh.sh.), atëherë kjo tregon se edhe Allahu (xh.sh.) është i kënaqur prej tij. Andaj, në këndvështrimin e disa njerëzve të të vërtetës egoja e kënaqur dhe ajo e pëlqyer janë si dy flatra të hapura të egos besimtare. Për një njeri të këtillë, që është i kënaqur prej Zotit të tij, e poashtu edhe Zoti është i kënaqur prej tij, sikur edhe torturat më të ashpra të vijnë prej fuqisë së të Plotfuqishmit, e sikur mirënjohja më e madhe t'i vijë prej më të Bukurit, nuk përbën kurrfarë dallimi. Ai që të dyja i pushton në kraharor si dy gëzime të njëjta. Veç të tjerash, ngase është udhëtar i rrugës së "Hel min mezid? - A nuk ka edhe më?", ai rreket që të përparojë çdo çast e më shumë në njohjen e tij, e duke i kapërcyer të gjitha largësitë me Të, në afërsi të ëmbla sikur bashkëbisedimi.

Besim në takimin me Allahun (xh.xh.), horizonti i kënaqësisë dhe vetëmjaftimi

Andaj, në këtë lutje të sipërpërmendur të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Ai, menjëherë pasi kërkon një ego që të ketë arritur besimin, shikojmë se si, menjëherë pas saj Ai kërkon edhe një sërë veçorish, të cilat mund të quhen edhe thellësitë e kësaj egoje.

Asisoj që, Profeti ynë i dashur (s.a.s.), menjëherë pasi kërkon një eggo që beson, lutet për një të atillë që beson me bindje se herët a vonë do të kthehet për t'u ritakuar edhe njëherë me Zotin e saj. Pasi, besimi i njeriut, se rruga në të cilën është duke ecur do ta nxjerrë pa as më të voglin dyshim drejt Personalitetit të Lartë dhe djegia përbrenda me flakën dhe emocionin e ritakimit me Të ka për të shkaktuar një besim me bindje të thellë e të palëkundshme.

Veç kësaj, së dyti, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kërkon, që kjo ego që ka arritur të besojë, të jetë e kënaqur edhe me zbatimin e Zotit të paracaktimit të Tij. Megjithëse disa dijetarë mund ta cilësojnë kadha-në si një caktim nga ana e Allahut në kornizën e një dijeje hyjnore, sipas shumicës së dijetarëve të metodologjisë së fesë, ajo bart kuptimin e realizimit kur i vjen çasti i duhur i asaj çfarë është shkruar në Tabelën e Bërjes dhe Zhbërjes, ku është shkruar kaderi. Të gjitha ndodhitë me të cilat përballet njeriu gjatë jetës së tij, në pamje të jashte, nganjëherë mund të jenë të mira, nganjëherë të këqija. Mirëpo, njeriu mund të arrijë që t'i kthejë në mbarësi të gjitha ato çfarë mund të jenë përcaktuar në kadha-në e Zotit. Zaten, një njeri që i pret belatë dhe fatkeqësitë me durim dhe kënaqësi ndaj Allahut (xh.xh.), e poashtu pret edhe mirësitë apo sukseset veç me falënderim dhe kënaqësi ndaj Allahut (xh.xh.), i ka kthyer vetë në mbarësi të gjitha çastet e jetës së vet. Mirëpo, nëse njeriu fillon të ankohet dhe ta godasë paracaktimin hyjnor me gurë me të parë se fuqia e të Plotfuqishmit është duke e provuar, e të bëhet aq tinëzar sa t'i dijë mandej prej vetes të gjitha mirësitë dhe shpërblimet e ardhura prej madhështisë hyjnore, atëherë kjo po që do të thotë t'i kthesh të gjitha ndodhitë e jetës sate në fatkeqësi. Pra, të qenët mbarësi apo fatkeqësi e ndodhive që përbëjnë jetën e njeriut varet më tepër nga vetë qëndrimi që ai mban karshi tyre. Si rrjedhojë, është shumë e rëndësishme që ai të jetë gjithnjë i kënaqur me atë çfarë Allahu i Tërëfuqishëm ka caktuar për të.

Si përfundim, në fjalët "që di të mjaftohet me mirësitë e Tua", Profeti ynë i dashur (s.a.s.) i lutet Allahut (xh.xh.) që t'i falë ndjenjën e vetëmjaftimit me të gjitha ato çfarë Zoti ka caktuar për të, e ndaj të gjitha mirësive me të cilat Ai e vlerëson. Megjithatë ka edhe vende, ku njeriu mund të mos vetëmjaftohet, por të tregojë ambicie për akoma më shumë. Mirëpo kjo kufizohet veçse me çështjen e besimit dhe të arritjes së kënaqësisë dhe pëlqimit për Allahun (xh.sh.). Nga kjo pikëpamje, njeriu duhet të sillet porsi një i marramendur për të kërkuar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.), madje të mos njohë dot asnjëherë mjaftim në të. Me fjalë të tjera, nëse ka ndonjë hapësirë ku ambicia e tepruar mund të konsiderohet si një ndër adhurimet më të mëdha, kjo është veçse ambicia në dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s.). Po, ne nuk duhet t'i shohim asnjëherë si të mjaftueshme arritjet që mund të kemi përftuar gjatë ndjekjes së rrugës së drejtë drejt kënaqësisë së Allahut (xh.sh.). Por, vazhdimisht duhet të thotë: "A nuk ka edhe më? A nuk ka edhe më?". Mirëpo, ajo çka është thelbësorja në çështjet që evokojnë ndjesitë trupore dhe ato të mishit karshi kësaj bote, është që të vetëmjaftohesh me atë çfarë ka caktuar për ty i Gjithëvullnetshmi. E edhe ky është një ndër veçoritë e tjera të njerëzve të përsosur që kanë hapur velat drejt edukimit të egos për ta kthyer atë në një ego besimtare.

Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) i kërkonte të gjitha këto veçori të mrekullueshme çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. Patjetër që Ai i kërkonte këto sipas horizontit të tij të tejskajshëm dhe sipas dimensioneve të larta që mund të kishte një njeri si ai. Megjithatë, nëse ne do t'i marrim e do t'i vlerësojmë ato kërkesa sipas horizontit tonë të cunguar, atëherë mund të rrezikojmë që të kryejmë paturpësi karshi Tij, duke u përpjekur për ta ulur atë kah niveli ynë i kufizuar. Kështu që ne duhet t'i duhet t'i vlerësojmë këto dëshira të lutjes së Tij si udhërrëfyese për rrugëtimin tonë në edukimin e egos. Meqë është vetë Ai (s.a.s.) që përpiqet të tregojë përherë horizonte sa më të larta, atëherë në njëfarë mënyre na mëson edhe ne që të kërkojmë gjithnjë sa më lartë, andaj edhe nuk duhet t'i cungojmë kurrsesi kontributet tona, por duke i nxitur vazhdimisht vullnetet, të ngarendim pareshtur pas arritjes së kënaqësisë së Allahut (xh.xh.) me besim dhe bindje ndaj Tij.

[1] et-Taberani, el-Mu'xhemu'l-Kebir, 8/99.
[2] Shih: el-Bejhaki, edh-Dhuhd, 1/165; Hatib el-Bagdadi, Tarihu Bagdad, 13/523.
[3] Kijame, 75/20-21.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.