Probleme të zgjidhura që në vete dhe rehabilitimi i shoqërisë
Pyetje: Thuhet se "njerëzit që nuk kanë zgjidhur njëherë problemet me vetveten e tyre nuk mund të zgjidhin probleme të shoqërisë". A mund të na i shpjegoni, çfarë lidhjeje mund të ketë mes rehabilitimit të gjithsecilit dhe rehabilitimit të shoqërisë?
Përgjigje: Për nga kuptimi i fjalorit, nefs - thelbi i diçkaje, materia, vetvetja e saj. Ndërsa sipas terminologjisë, ajo është thelbi dhe qendra e ndjenjave si mërzia, urrejtja, mllefi etj., me një fjalë elementeve të papëlqyeshme të vendosura në strukturën e njeriut sipas një arsyeje dhe urtësie të caktuar; e hapur ndaj dyshimeve të hedhura prej djallit, ose me të tjera fjalë emri i mekanizmit që luan rolin e centralit për të. Mirëpo duhet ditur, se ky mekanizëm është i hapur edhe ndaj përmirësimit dhe përsosjes. Madje ai është një shkak i rëndësishëm për t'u ngritur kah botët shpirtërore. Mirëpo që ai ta kryejë këtë detyrë pozitive, duhet, që ashtu siç i vendosim frerë një kali të egër, të edukohet më së miri me anë të disiplinave qiellore. Sepse, në të kundërt, nëse do të lihet i lirë të bëjë ç'të dojë, ai do të rendë vazhdimisht pas epsheve dhe dëfrimit, duke u kthyer në rob i dëshirave trupore dhe kafshërore. Kësodore, ai do të rendë veç atje ku janë veprimet e papëlqyeshme dhe si përfundim, është i destinuar që të qorrollepset teposhtë diku në ndonjë greminë të stërmadhe.
Fëmijë i paprerë prej qumështit
Imam Busejriu e metaforizon mjaft bukur gjendjen e nefsit të paedukuar:
"Nefsi është porsi fëmija që qumësht pi. Nëse (koha i ka ardhur e ti nuk e pret prej qumështit) ti e lë atë në kokë të vet, i shtohet më tepër dëshira që qumësht të pijë. Por nëse i tregon vullnetin për ta prerë prej tij, sakaq ai vetë do të pritet." Po, nëse nefsi do të pritet prej qumështit duke përdorur argumente bindëse që në kohën dhe stinën e duhur, atëherë edhe dëshirave të tij të pareshtura do t'i jetë vendosur njëfarë freri. Mirëpo, - Zot na ruaj!- nëse nefsi rri i hapur ndaj bohemizmit, nën ndikimin e ndjenjave dhe mendimeve më negative, atëherë ai vjen në një gjendje që nuk dëgjon më asnjë fjalë. Sa vjen e i tregon njeriut më shumë kapriço, dëshira, kërkesa apo dëfrime të çfarëdollojshme. E sakaq kjo shkakton që mes njeriut dhe të vërtetës të dalin disa perde dhe pengesa, derisa e bën që të përjetojë një si farë eklipsimi. Nga ky këndvështrim, nuk mund të pritet që robi i egos së vet, që ka si barrë të gjitha problemet e saj, të bëhet shembull për të tjerët apo që t'i drejtojë ata kah e vërteta. Andaj, detyra parësore e njeriut është që të zgjidhë fillimisht problemet brenda vetes. Rruga që duhet ndjekur për ta bërë këtë është përdorimi i vullnetit dhe t'i thotë "ndal" dëshirave dhe dëfrimeve të pareshtura, duke i dhënë mundësitë e vetme që të mësohet vetëm me ato çfarë mund të përfshihen brenda kufijve të së lejuarës. Kësodore ai do të mund të shpëtojë prej gradës "emmare", që urdhëron për të keqen, për t'u kthyer në gradën që fillon ta gjykojë dhe kritikojë vetveten që të mos hedhë hap në të palejuarën, madje parë nga një këndvështrim në lidhje edhe me lidhjen e tij me Zotin, mund të jetë ngritur edhe në horizontin e "mutmeines", ndërgjegjësimit të plotë. Sepse, mbi të gjitha, ashtu siç njeriu kërkon mbrojtje prej Allahut nga shumë gjëra të dëmshme, poedhe prej nefsit, pra, që qenka në pozicionin e centralit të djallit të njeriu, po njësoj duhet të kërkojë mbrojtje. Sepse, ashtu siç djalli nuk do të heqë dorë kurrë prej fabrikimit të problemeve, edhe njeriu nuk do të shpëtojë dot prej mbartjes së problemeve të egos së tij.
Më e madhja përpjekje
Në thelb, ndërsa i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të kthehej prej një lufte, pati thënë: "Tani po kthehemi nga lufta e vogël drejt luftë së madhe." (Bejheki, Zuhd, 1/165) E së këndejmi ne mund ta kuptojmë më mirë se përpjekja e njeriut me veten e tij është përpjekja më e madhe, është mjaft kuptimplote dhe e rëndësishme për nga mënyra se si e tërheq vëmendjen drejt saj. Gjithashtu është tejet tërheqës edhe të thënët e këtyre fjalëve në një çast kritik të kthimit prej lufte, duke dhënë kështu mundësinë për një krahasim mes përballjes me egon dhe asaj me armikun në luftë.
Përveç kësaj, është shumë tërheqës fakti që kjo fjalë thuhet në disa çaste kur po përjetohet më së miri atmosfera e triumfit të një beteje. Sepse, ndodh që ndonjëherë të thuhet ndonjë fjalë tejet e rëndësishme, mirëpo nuk merret parasysh fare gjendja shpirtërore e të tjerëve që gjenden aty. E kësodore, ajo fjalë e thënë nuk jep atë ndikim që duhet në zemrat e bashkëbiseduesve. Nga ky pikëvështrim, thënia e një fjale të tillë, të bekuar, në ato çaste, është shumë e rëndësishme që t'i shpëtojë myslimanët prej dehjes së triumfit. Me këto fjalë, Ai do të parandalonte të gjitha mendimet e papëlqyeshme që mund të vinin në mendjet e myslimanëve që po ktheheshin për në Medinë.
Në të vërtetë, ne vetëm mirëpandehim për sahabët fisnikë, siç e kemi të urdhëruar edhe në ajetin kuranor "O Zot, mos na bëj neve të kemi as edhe një gjykim apo dyshim për vëllezërit që besuan përpara nesh". (Hashr, 59/10) Mirëpo Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.) ngase ishte i ngarkuar me detyrën e edukimit dhe pastrimit të tyre, i kishte marrë parasysh shpirtrat e tyre njerëzore, kështu që mund të ketë dashur që t’u paraprijë disa mendimeve të papëlqyera. Derisa, në fund, ndërsa po shkonin për në Hunejn, në mendjen e disave mund t’u ketë ardhur: “Tashmë askush nuk mund t’i dalë përballë kësaj ushtrie.”, dhe parë për nga përmasat e kësaj lufte, edhe aty janë përjetuar humbje të mëdha, e prapëseprapë, me përpjekjet madhështore të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), edhe ajo pak fatkeqësi është kthyer në fatlumësi.
Nëse do të shohim lidhjen e kësaj me çështjen tonë, do të shohim, se me të vërtetë që njerëzit janë përpjekur ethshëm në rrugën e së drejtës, kanë përjetuar vështirësi nga më të ndryshmet, derisa mund të kenë sakrifikuar edhe tërë pasurinë apo familjen e tyre. Në përfundim të të gjitha këtyre, edhe Allahu mund t’u ketë falur atyre triumfe materiale dhe shpirtërore. Dhe pikërisht në një çast të këtillë, kur po kthehen nga lufta si fitimtarë, pengimi i disa mendimeve jo të hijshme që në fillim, do të ishte shumë e rëndësishme. Me fjalët e Said Nursiut, “Mos u kreno se i shërbeve fesë sate. Ngase nuk je i kulluar, ti veten, duhet ta dish për atë mëkatarin e mëkatarëve.” Janë një kriter tejet i rëndësishëm në këtë pikë. Sepse, pikërisht në çastet e një arritjeje të atillë, lërini njerëzit e thjeshtë, ka pasur edhe njerëz të lartë që u kanë qenë turbulluar mendimet. Në thelb, ai njeri që nuk i është drejtuar nefsit të tij me mendimin për ta edukuar, e nuk ia ka përmirësuar dot virtytet, do të thotë se ka humbur shumë në emër të lumturisë së kësaj apo asaj bote. Sepse njeriu është i tillë, jo me trupin e tij, por me nefsin e tij. Në një hadith të lidhur me këtë çështje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu: “Allahu nuk sheh as trajtat dhe as pamjet tuaja; Ai sheh zemrat (ato çfarë dalin prej saj) dhe veprimet tuaja.” (Muslim, birr, 34; Ibni Maxhe, zuhd, 9) Sepse nëse brenda njeriut gjendet ndjenja e respektit, e në zemër përvujtënia dhe dhimbshuria, kjo rrezatohet edhe te veprimet e tij. Derisa, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shprehet: “Nëse në zemrën e tij do të kishte thjeshtësi, atëherë edhe organet do t’i kishte poashtu.” (Hakim et-Tirmidhiu, Neuadiru’l usul, 2/172) Kështu që, kthimi i njeriut nga njerëzorja e vet, përpjekja me egon e tij, e saora edhe zgjidhja e problemeve që ai ka me të, është shumë i rëndësishëm. Pikërisht prej kësaj rëndësie, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka cilësuar si “përpjekjen më të madhe”.
Mirësi të ardhura në trajtë fatkeqësie
Egoja, ashtu siç mund ta mashtrojë njeriun nëpërmjet mëkateve, mund ta qorrollepsë atë edhe me anë të mirësive që ia zbraz pa masë. Për shembull, në Kuranin Fisnik thuhet: “Karuni, prej popullit të Musait (a.s.) ishte, por iu kundërvu atyre.” (Kasas, 28/78), fjalë të cilat na tregojnë, se Karuni megjithëse ishte prej popullit të Musait, me pasurinë që arriti dhe me të gjitha mundësitë që iu ofruan, prapë ra në një gjendje të mjerueshme. Sepse ai nuk kishte besuar plotësisht tek Allahu dhe nuk e kishte zgjidhur problemin që në vete. Megjithëse dukej sikur besonte në pamje të parë, nuk e kishte kthyer dot besimin e tij në bindje, duke mos u kthyer si duhej nga horizonti i besimit të patëmetë. Domethënë, nuk e kishte kthyer dot atë njohurinë e tij të thatë në njohje. Me një fjalë, nuk kishte mbërritur dot njohjen nëpërmjet dijes, lëre pastaj që njohjes përmes shikimit as që i ishte afruar. Prandaj edhe pati ardhur një ditë dhe pati thënë: “Mua, ajo pasuri m’u dha saje dijes sime.” (Kasas, 28/76). Megjithëse ai gjendej pranë Musait (a.s.), megjithëse jetonte në mes të bashkësisë së tij, prapë u bë prej të humburve, ngase qe marrosur prej tërë atyre mundësive që i ishin falur.
Po njësoj, edhe Samiriu ishte prej popullit të Musait. Një njeri i zgjuar, që dinte se ç’fliste, e që kishte një sërë aftësish të mira. Mirëpo edhe ai i pa të gjitha këto mundësi dhe aftësi që i ishin falur, e duke i përdorur ngriti statujën e idhullit të viçit, e kësodore u rrëzua edhe ai. Asisoj, që me fjalët e Kuranit thuhet se ai e pati jetuar zvarrë tërë pjesën e mbetur të jetës, duke thënë: “Aman, as mos u afroni, e as mos u merrni me mua.” (Taha, 20/97).
Me sa duket, nëse problemi nuk zgjidhet njëherë në vete, edhe mirësitë e Allahut kthehen në nga një fatkeqësi për njeriun. Me fjalë të tjera, edhe ato gjëra që duken si mirësi, pa e kuptuar asfare, kthehen në fatkeqësi për të. Asisoj, që edhe njohja bëhet fatkeqësi për të, poashtu zotërimi, mundësia për të drejtuar, respekti i popullit karshi teje, e ponjësoj edhe çdo gradë e arritur gjatë jetës... Kur njeriu i arrin të gjitha këto mirësi, pa e kuptuar asfare, mund të largohet prej rrugës së Ramsesëve, Amnofisëve apo Ibnu Shemsëve.
Dua t’ju tregoj edhe një tjetër rrëfenjë që është e lidhur me kohën e Musait të nderuar. Vërtetësia e këtyre rrëfenjave duhet gjykuar përherë, por tek to nuk shihet vërtetësia, por përmbajtja. Me një fjalë, ajo çfarë është e rëndësishme për ne te një rrëfenjë, është kuptimi dhe mësimi që ne mund të nxjerrim prej saj. Sipas kësaj rrëfenje, ndërsa po shkonte për në malin e Turit, Musai i nderuar sheh një njeri të mbuluar prej dheut, që kishte vetëm kokën jashtë. Ky njeri i përgjërohet Musait (a.s.) që t’i lutet Allahut për të, që t’i falë pasuri. Kur Musai i nderuar ia shpreh Allahut (xh.xh.) këto fjalë, i thuhet se kjo gjendje është më e mbarë për atë njeri. Musai i nderuar e merr përgjigjen dhe ia transmeton atij njeriu. Mirëpo ai këmbëngul se edhe me disa gjëra më të mira, ndoshta do të ishte e mbarë. Kësodore, Allahu (xh.xh.) e urdhëron Musain që ta ndihmojë. Me ndihmën e Musait (a.s.), pas njëfarë kohe, ai njeri blen një dele. Kalon koha, dhe me një progresion gjeometrik, njeriu bëhet zotërues i kopeve të tëra. Kalojnë kohë, dhe ndërsa Musai i nderuar (a.s.) po shkonte sërish për në malin e Turit, sheh një grumbull njerëzish që ishin mbledhur. Futet mes tyre për të marrë vesh se ç’është duke ndodhur, e disa prej njerëzve i përgjigjen: “Këtu gjendej një njeri tejet i varfër. Pas njëfarë kohe, Allahu (xh.xh.) i fali atij mundësi të gjera. Mirëpo, kjo pasuri nuk qe aspak e mbarë për të. Filloi të pinte. E humbi veten, u fut nëpër ngatërresa, derisa vrau dikë. Tanimë po e dënojnë.” Me pak fjalë, me aq sa vërejmë në shumë shembuj nga historia, një njeri që nuk ka zgjidhur ende problemet me veten e vet, arritjet e tij, qofshin ato materiale apo shpirtërore, shumë herë ato mund të kthehen në rrënuese për të. Nëse një mirësi shërben për ta larguar dikë prej Allahut (xh.xh.), duke e shtyrë në topitje, atëherë ajo nuk është kurrsesi mirësi. Ajo është një fatkeqësie e veshur si mirësi. Nëse ajo që do ta largojë njeriun prej Zotit të tij është, qoftë edhe triumfi i Stambollit, duhet ditur se edhe ajo është një fatkeqësi me të cilën Allahu e sprovon atë, dhe ndërsa është duke fituar, del i humbur. Dhe rruga për t’u mbrojtur prej të gjitha këtyre rreziqeve është të mos e braktisësh asnjëherë përpjekjen e madhe me nefsin, duke u gjendur përherë në gatishmëri ndaj të gjitha kurtheve dhe rreziqeve që ai mund të shkaktojë.
- Publikuar më .